Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Flamur Tartari, bisturia e artë 43 vjeçare

In memoriam

 

 

4 tetor 1943-2016, plot 73 vjet pranë pacientëve me përkushtim

 

Agron Sejamini

 Rruga drejt mjekësisë

Nëse nuk do të kishte parë, ato pamje rrënqethëse të atij aksidenti automobilistik, mbase rrjedha e karrierës së tij profesionale, do të kishte patur një drejtim tjetër. Ishte vetëm 10 vjeç. Bashkë me të ëmën, kishte shkuar për vizitë te një kushëriri i tyre që banonin afër spitalit. Ndërsa luante në oborr, dëgjon të bërtitura dhe ulërima njerëzish në panik. Me vrap ikën tek spitali dhe rrënqethet nga pamjet që shikon… Nga një kamion i vjetër, nxirrnin gra, burra dhe fëmijë të gjakosur… I zverdhur në fytyrë, duke përfituar nga rrëmuja dhe me kuriozitetin e moshës, përgjon sa në një dhomë tek tjetra. Kudo rënkime, fytyra dhe gjymtyrë të dëmtuar. Dy bluza të bardha lëviznin nga njëri krevat tek tjetri duke mjekuar dhe fashuar… Një zbardhje imazhi disi më lehtësuese që zbuste trishtimin e atij fëmije nga ajo përskuqje sunduese… Vetëm kur erdhi dhe e mori e ëma, u kujtua për lojën e lënë përgjysmë dhe drekën e pangrënë. Pas kësaj dite, gjumin e bënte si të shikonte një film, me pamjet e asaj ngjarje tragjike. Befas, në imagjinatën e atij vogëlushi, shfaqej ndjesia e të ndihmuarit të atyre njerëzve që bërtisnin nga dhimbjet. Mbyllte sytë dhe rritej nëpër ëndrra duke mjekuar dhe qetësuar ata njerëz të gjakosur… Hapte sytë, prishej ëndrra por nuk i zbehej dëshira fëminore…Deri atë ditë kur xhaxhai i vet, themeluesi i radiologjisë shqiptare, Dr. Ismail Tartari, e lajmëron se e regjistroi për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë. Dëshira e familjes ishte që të vazhdonte udhën e xhaxhait të vet por Flamuri zgjodhi kirurgjinë. Askush nuk arrinte të kuptonte “kokëfortësinë” e tij. Ndërsa tani, për të gjithë është e
kuptueshme se kjo përzgjedhje, nis nga ajo ditë kur përjetoi emocionet e fuqishme të atij aksidenti tragjik. Përforcimin e kësaj ideje e gjejmë në ecurinë e mëvonshme. Kështu, edhe pse nuk ishte e detyruar, pas mbarimit të vitit të tretë, filloi të qëndronte gjatë shërbimit roje në urgjencën e kirurgjisë. Mjaftonte ky pasion, që ai të binte në sy për mirë, tek kirurgët e shquara të atij brezi, Rushen Golemi dhe Margarita Basha. Kujton me mall dhe shumë respekt, kur ato ndanin me studentët edhe racionin e ushqimit. Por më
shumë se sa buka ai ndjente ëmbëlsinë e komunikimit dhe madhështinë e shpirtit të tyre. Asnjëherë nuk bënë të shurdhin apo të përtonin që t’u përgjigjeshin pyetjeve të studentëve. Madje, ato kur u jepej mundësia edhe i angazhonin në ndonjë praktikë të thjeshtë. U hiqnin ndrojtjen, por u shtonin edhe interesin dhe pasionin për profesionin e mjekut. Zelli i tij shfaqej edhe më dukshëm në pushimet e verës. Ishte praktikë e shkollës që pas vitit të tretë, të gjithë studentët shkonin në spitalet e qyteteve të tyre dhe bënin detyrën e infermierit.

 

Mësimet

 

Mësonin si bëheshin injeksionet por dhe shërbime të tjera që kërkoheshin gjatë urgjencave. Një praktikë kjo shumë e dobishme, për të cilën doktor Flamuri ndjen keqardhjen që ka vite që nuk realizohet. Fati qe me të edhe gjatë kësaj praktike, pasi në spitalin e Durrësit, shërbenin me kulturë dhe profesionalizëm të lartë, dy mjekët e pasionuar, Paskal Prodani dhe Gaqo Trebicka. Por edhe këta, nuk kishin si të bënin indiferentin, para sjelljes së tij shumë të kulturuar dhe komunikimit të sinqertë e të përzemërt. Këto virtyte që spikasnin dukshëm në natyrën e këtij studenti, u shpërblyen denjësisht pas mbarimit të Fakultetit, nga shefi i Kuadrit të Ministrisë së Shëndetësisë, Mihal Liti. Mihali ishte student në fakultetin e Mjekësisë dy vite para Flamurit. Për arsye ekonomike, kur ishte student, punonte me rrogë si laborant
në urgjencën e spitalit. Bashkë kanë kaluar dhjetëra net pa gjumë. Flamuri i bënte shoqëri Mihalit por edhe “vidhte” ndonjë gjë nga të fshehtat e profesionit të mjekut. Këtë miqësi dhe këtë pasion të Flamurit, Mihali e nguliti në mendje. Mundësia e parë që iu krijua në spitalin e Durrësit ai e rezervoi për të. Me të mbaruar Fakultetin ai emërohet specialist kirurg, në spitalin e Durrësit. Sapo kishte mbushur 23 vjeç. Por mjekët e talentuar Paskal Prodani dhe Miri Hoti e trajtuan sikur të ishte i barabartë në moshë dhe aftësi profesionale. Pa kaluar tre muaj, ata i zgjatën bisturinë për të kryer operimin e parë. Ka qenë një apendicit akut te një vajzë 25 vjeçare. Emocione por përgjegjësi. Duke qenë se kishte asistuar në disa operime, ai kishte mësuar shumë prej tyre. Natyrisht, që kjo vlerësohej. Por në disa momente, nga dëshira për të manifestuar profesionistin edhe ngutej. Gjatë gjithë kohës së operimit, të dy mjekët i qëndruan pranë me dashamirësi dhe dashuri. Pas disa orësh kur u ulën për ta uruar për suksesin nuk harruan t’i jepnin edhe tre këshilla. Tre këshilla që atij i oshtijnë në vesh edhe tani kur i ka kaluar 40 vjet përvojë kirurgjikale. E para, mos u ngut se je i ri, e dyta, çdo gjë duhet ta shkruash në kartelë dhe e treta, vazhdimisht konsultohu me kolegët dhe mos u bëj mendjemadh.

Pas 15 muajsh

Pas 15 muajsh këtyre tre këshillave të arta, do u shtonte edhe të katërtën. Kishte ardhur për specializim në Tiranë, në klinikën universitare ku ishin profesorët Petro Cani dhe Besim Elezi. Që ditën e parë, ata u thanë specializantëve se duhej të flinin atë natë në klinikë. Vetëm kështu, duke qenë sa më pranë pacientit, ju do kini mundësi të ndiqni në vazhdimësi dhe me saktësi, ecurinë e sëmundjes para dhe pas operacionit. Një praktikë e tillë do ishte shpresëdhënëse si nga ana shpirtërore ashtu dhe praktike për të sëmurin. Ende shërbejnë si hajmali këto këshilla për doktor Flamurin. E quan veten më me fat që ka punuar me këtë brez të shkëlqyer mjekësh. Përvoja dhe vlera këshillave të tyre nuk barazohet me asnjë
universitet mjekësor. Emocionohet si të ishte ende student 19 vjeçar, tek shqipton Ferdinand Paparisto, Petro Cani, Petrit Gaçe, Besim Elezi, Llambi Ziçishti, Rushen Golemi, Fadil Spahiu, Arqile Andrea… Mbaron specializimin në Tiranë dhe kthehet përsëri në spitalin e Durrësit. Tashmë më i sigurtë, më i dëshiruar për profesionin por i favorizuar shumë edhe nga… Traktati i Varshavës. Ishte tetori i vitit 1968. Sapo Shqipëria kishte denoncuar dhe ishte larguar nga ky pakt ushtarak. I gjithë populli shqiptar kishte kaluar në gatishmëri numër një duke rritur vigjilencën dhe shtuar përgatitjet për të përballuar çdo sulm të mundshëm armiqësor. Nuk bënin përjashtim nga kjo detyrë mbi detyrat as mjekët. Kështu, të gjithë kirurgët dhe mjekët e spitalit të Durrësit, kryenin zborin ushtarak. Në këtë situatë, i bie pesha kryesore për operimet dhe urgjencat e spitalit. Kujton një rast, kur pas gjithë asaj dite të lodhshme, në mes të natës i kërkon ndihmë një kolegu i vet, gjinekolog. Një paciente u paraqit në gjendje shumë të rëndë. Duhej bërë patjetër operim. Në krah të gjinekologut, për gjatë gjithë operacionit ishte edhe Flamuri. Në një çast, kur drejtoi trupin për t’u shplodhur pak nga qëndrimi i përkulur, sytë i shkuan te etiketa e qeses së transfuzionit të gjakut. Lexoi emrin “Flamur Tartari” dhe gjithë ai stërmundim iu kthye në kënaqësi dhe lumturi. Pacientja që po operonte, në atë çast merrte gjakun e doktor Flamurit që e kishte dhuruar paradite. Po të ishte një rast dhurimi gjaku, mbase i pari që do të fyej, do ishte vetë doktor Flamuri. Të detyrojnë, veçoritë e rasteve që të kujtosh këto veprime humane. Në vitin 1970, kur ishte mjek roje në spital vjen një vajzë 19 vjeç, me hemorragji të brendshme. Atë ditë për fat të keq mungonin rezervat e gjakut të grupit që i duheshin kësaj pacienteje. Nuk u menduan dy herë doktor Flamuri dhe anestezistja Tatjana që të dhuronin gjakun e tyre që i përkiste të njëjtit grup. Pas dy orësh kur asaj iu ndalua hemorragjia e brendshme nga gjaku që mori, kaloi në sallën e operimit dhe iu hoq shpretka. E quajti pa kuptim një pyetje tonën për të mësuar numrin e operacioneve që ka bërë gjatë 43 vjet si kirurg. Na u kujtua thënia e të madhit Prof. Paparisto, kur thoshte se “Në kirurgji nuk ka rëndësi numri i madh i operacioneve që bën, por ato operacione që i bën i argumenton duke e shëruar pacientin”. Një kuriozitet që na u shtua edhe më shumë, kur kujton një natë që i erdhën 122 urgjenca. Prej tyre 14 kaluan në sallën e operimit që filluan pasditen e të shtunës dhe përfunduan natën e ditës së diel. Dhe një kirurg që ende nuk i kishte mbushur të tridhjetat…

 

E ka idhull të padiskutueshëm Prof. Ferdinand Papariston

 

Mbi të gjitha e çmon si njeri. Një përfaqësues i denjë i asaj plejade të shkëlqyer mjekësh që dinin të punonin por dhe të komunikonin. Edhe pse kishin arritur majat e mjekësisë shqiptare, bënin çmos që studentët e tyre të shkonin edhe më lart. Udhëhiqnin tema disertacionesh për doktoraturë që shënonin progres pa shfaqur ego dhe xhelozi profesionale. Përkundrazi ishin nxitës, humanë dhe mbështetës për të prekur të fundit e shkencës mjekësore. Si të ishte i gjallë, herë pas here kur kalon para basorielevit të tij, dëshiron t’i thotë diçka, si mik, si shok, si student… E lëmon atë fytyrë të bronxtë si për t’i thënë se nuk e ka harruar porosinë e tij të vyer:- Flamur! Diagnoza duhet vënë si kur po luan shah…As që di të lozë shah doktor Flamuri, por filozofinë e kësaj thënie të artë e ka kthyer në motiv të punës së tij. Para përcaktimit të një diagnoze të saktë, ai mendon dhe konsultohet me kolegët për disa lloj sëmundjesh. Thënë ndryshe, pas 43 vite përvoje kirurgjikale, ai është ndjehet mjeshtër i tastierës së urologjisë. Dhe jo vetëm asaj shqiptare por edhe me gjerë. Dhe ky përcaktim nuk është komplimenti ynë por përcaktim dhe vlerësim i mjekëve europiane dhe botërore. Ndryshe nuk do t’i kishin ardhur në Tiranë më 17-18 tetor të vitit të kaluar. Me shumë autoritet dhe dinjitet, doktor Flamuri ideoi dhe drejtoi, Kongresin e Katërt të Urologjisë për Evropën Juglindore. Në këtë tubim shkencor të nivelit të lartë profesional morën pjesë 284 mjekë të huaj. Gati 100 ishte edhe numri i mjekëve shqiptarë. Por më domethënës se ky numër ishte se 17 prej tyre referuan. Shpalosën me kurajë dhe krenari arritjet dhe përparimin e mjekësisë shqiptare. Një ballafaqim dhe përfitim i gjithanshëm i përvojës bashkëkohore. Referuan 170 mjekë nga Australia, Suedia, Austria, Italia, Bullgaria, Kosova, Turqia, Greqia, Maqedoni, Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hercegovina… Nuk ishte thjesht një takim rutinë por një ngjarje e shënuar për mjekësinë shqiptare. Në ato ditë tetori, në shumë kanale televizive të huaja, Tirana u citua jo vetëm si kryeqytet i Shqipërisë por edhe i urologjisë.

Please follow and like us: