Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Pas shkarkimit të Xhafës, koha për të shpërndarë Parlamentin

 

 

 

Pas shkarkimit të detyruar që Rama i bëri Ministrit të tij të Brendshëm dhe emërimit të një ushtaraku të dëgjueshëm e të disiplinuar në vend të një kolegu politikan me prirje autonomiste e uzurpuese në krye të rendit, janë qartësuar disa gjëra.

E para ka filluar të bjerë nën efektin domino qeverisja e tepsisë dhe kazaneve.

E dyta, Kryeministri Rama është i detyruar të shesë onturazhin e tij në Parlament dhe zyra shteti dhe më pas edhe bashkëpuntorët e keqpërdorur në terren e të njohur tashmë si “të fortët” që ndihmuan PS të vinte në pushtet.

Së treti Rama thjesht po fiton edhe pak kohë, por kurrsesi nuk mund të ndalojë rrokullisjen e pushtetit të pamerituar që u ka imponuar qytetarëve të vendit të tij. Nën presion të fortë nga klanet brenda PS për të rivendosur balancat mes interesave shumë të mëdha elektorale dhe ekonomike, por edhe për shkak të presionit të ndërkombëtarëve, Rama po përpiqet të bëjë akrobaci politike për mbijetesë edhe për pak kohë.

Në të vërtetë Kryeministri e ka humbur lojën. Ai jo vetëm që po shet miqtë dhe bashkëpuntorët, por është shumë i dobët përballë kontribuesve financiarë dhe të mënyrave të tjera në fushatat e tij elektorale. Po të shohësh si pronarët e lojrave të fatit e telendisen me sms dhe me të shara nga nëna gjithë grupin parlamentar të PS përfshirë këtu edhe Erion Braçen, imagjinohet lehtë se çfarë heqin dhe do heqin çdo ditë këtej e tutje deputetët dhe drejtuesit e PS të shantazhuar nga ata që u kanë paguar kostot e fitoreve elektorale.

Por kjo është pune e tyre dhe një fund i merituar për një zgjedhje të gabuar që bënë që në fillim të yshtur nga etja për pushtet dhe para. Është koha të paguajnë për katandisjen e vendit në një republikë të drogës dhe veseve.

Ajo që ka mbetur tashmë për të guxuar dhe kërkuar nga opozita është shpërndarja e Parlamentit. Ky nocion nuk ka më kuptim në këtë situatë kaq dramatike dhe skandaloze ku Kryeministri nuk mban dot më qeverisjen e vendit. Ai është dorëzuar dhe vetëm zgjat kohën e gremisjes.

Opozita është alternativa dhe ajo duhet që të japë goditjen përfundimtare të një Kryeministri që mbahet me zor pas litarëve të ringut duke pritur grushtin që do e rrëzojë e do ta shtrijë në tokë. Kush nuk mund të shohë atë që po ndodh sot do të pendohet nesër nëse nuk merren masa drastike dhe të menjëhershme nga ana e opozitës.

Ndaj është koha për të kërkuar shpërbërjen e këtij Kuvendi dhe prishjen përfundimtare kësisoj të lidhjeve të krimit me politikën dhe anasjelltas. Dekadenca e tmerrshme e vlerave njerëzore që sot shtrihet mbi mazhorancën parlamentare është vetëm pasojë e pashmangshme e atij fillimi të instalimit të autokracisë nën petkun dhe mbrojtjen e krimit të organizuar. Edi Rama ka degraduar në thelb demokracinë për të shtruar në këtë mënyrë rrugën e zhvillimit dhe rilindjes së autokracisë dhe diktaturës.

Për këtë Partia Demokratike duhet që t’u kthehet me urgjencë masave qytetare dhe votuesve në sheshe duke braktisur pa pendesë kufizimet e foltoreve të Kuvendit që gjithsesi komandohen nga “votat e shumicës”. Asnjë fjalim, sado i mirë, intelektual, i zgjedhur apo i vlefshëm nuk do kishte efekt nëse mbahet vetëm në Kuvend apo në sallat e konferencave për shtyp dhe nuk shkon tek qytetari dhe masat e gjera të shtresës së ulët e të mesme.

Edhe media që është një mekanizëm që përcjell tek qytetarët idetë dhe fjalët e politikës është në shërbim të interesave të caktuara dhe për këtë nuk mund të pretendohet që të mos keqinterpretojë apo abuzojë me fjalën e opozitës duke e nxjerrë atë nga konteksti apo duke përmbysur tërësisht kuptimin e fjalëve të saj.

Ndaj është i domosdoshëm aktivizimi i njerëzve me dhunti komunikimi që të veprojnë në terren. Vonesat në këtë drejtim do të jenë me pasoja elektorale për opozitën. Shanset për një zgjidhje të re politike janë të mëdha, por për këtë duhet vepruar me vullnet të hekurt politik kundër pinjollëve të ish-bllokmenëve. Aktualisht nën një cinizëm të egër dhe nën parrullën e “shumicës parlamentare” kuvendi po ndërmerr veprime shkatërruese për balancën e shtyllave të demokracisë funksionale duke i vënë kazmën ngrehinës së sistemit demokratik. Edi Rama nga njëra anë hiqet sikur i bindet vullnetit të shumicës kuvendore që sigurisht bën siç i thotë vetë dhe nga ana tjetër bën sikur nuk ka faj për veprimet e tij uzurpatore në të gjitha pushtetet pasi ato certifikohen po nga “shumica e votave” në Kuvend. Vendosja e parimit numerik në parlament përballë logjikës demokratike ka shkatërruar plotësisht besimin se Shqipëria është në rrugën e duhur të demokracisë funksionale.

Edi Rama është përgjegjesi kryesor që në Parlament ka dyndje të njerëzve me rekorde të rënda kriminale dhe përballë kësaj situate çdo njeri me mend e që do të merret me politikë do duhet të reflektojë thellë për situatën ku gjendemi dhe rrugëdaljet prej saj. Kjo është puna e opozitës dhe drejtuesve të saj në radhë të parë që duhet të sqarojnë qytetarët me takime masive të drejtpërdrejta për rrezikun ku ndodhet vendi.

Sistemi që ka ngritur Rama në Parlament me një tufë mediokrish dhe një tufë kriminalë nuk të çon në vend tjetër veçse në logjikën ku çdo parlamentar i shumicës t’i thotë shokut që ka në krah se një ditë edhe ata do qeverisin vendin. Kur e bën këtë punë Rama pse jo ata? Ndaj në këtë situatë absurde ku rregullat demokratike janë shkelmuar qëllimisht nga “shumica e votave” opozita duhet të shkundet e të hidhet në akte konkrete në terren për të mos mbetur vetëm në linjën e përballjes ligjore me padrejtësitë e mazhorancës.

Please follow and like us: