Albspirit

Media/News/Publishing

Foto V. MALO: GJIROKASTRA NË SYRIN E KADARESË (6)

PERSONAZHE LETRARE DHE REALE

 

Ndoshta më tepër se çdo vepër tjetër që merr shkas nga Gjirokastra, romani “Darka e gabuar” përcjell emrat dhe sidomos mbiemrat tradicionalë të banorëve: Çabej, Ciu, Mezini, Zeko, Fico, Shtino, Hashorva, Laboviti, Skënduli, Topulli, Xhiku, Shameti, Kokalari, Karagjozi, Çoçoli, Kokobo, Balloma, Karkanaqe, Zverku, Sheshi, Xuano.

Hasim emra e mbiemra historikë ose personazhe: Çerçiz, Hoxha, Kadare, Çiço, prifti Foti, po edhe mbiemra të përkohshëm në Gjirokastër si, Janina, Kroi, Turtulli, Orollogai.

Në romanin “Darka e gabuar” rimerren disa personazhe nga romani “Kronikë në gur” si, Dino Çiço, Vehip Qorri, Xivo Gavo, Bufe Hasani. Përmendet familja Kardhashi e ndonjë tjetër e njohur nga pena e autorit.

Larmia e emrave i përgjigjet realitetit shoqëror, kulturor e fetar të mjedisit gjirokastrit. Asnjë autor tjetër shqiptar nuk ka jetuar aq intensivisht me personazhet e vendlindjes, emërologjinë reale dhe tradicionale të saj. Autori ka jetuar vazhdimisht në shoqëri me emrat dhe mbiemrat, shoqëri e këndshme ose jo, emra e mbiemra joshës apo gërvishës nga efekti që shkaktojnë, duke vënë në veprim edhe kujtesën e banorëve për ta dhe ngjarje që lidhen me ta.

Mjaft të njohur, karakteristikë, disa herë të çuditshëm, emrat dhe sidomos mbiemrat, ishin një ofertë edhe me ngarkesë stilistike, diçka thuajse e gatshme dhe e lehtë për shkrimtarin. Nuk mundi të “shpëtojë” prej tyre, madje u qaset me një kënaqësi që nuk mund të fshihet. Ato janë pjesë e identitetit të qytetit dhe, në një farë mase, edhe e identitetit të veprës së tij letrare, korpusit kushtuar vendlindjes.

Kjo lidhje e ky shfrytëzim lënde reale është një tregues më tepër, krahas subjekteve dhe përshkrimit të mjediseve, se sa shumë ka ndikuar në psikologjinë e tij si fëmijë, adoleshent, djalosh e përgjithësisht në jetën e tij qyteti edhe pas largimit, ndoshta paskëtaj më tepër e duke u shtuar. Me romanin “Darka e gabuar” kronologjia e pasqyrimit të mjediseve gjirokastrite nga autori shtrihet deri në vitin 1954, duke e ngushtuar largësinë me historinë e së kaluarës. Sepse, që me largimin drejt Tiranës e më tej, Gjirokastra në veprën e tij letrare mbeti pothuajse ajo e së kaluarës, që ai e jetoi nga afër ose drejtpërdrejt, duke përfshirë veprat “Qyteti pa reklama”, novelës “Ditë kafenesh”, “Koha e shkrimeve”, “Koha e parasë”, “Darka e gabuar”, “Kukulla”. Por I. Kadare nuk është kronist në kuptimin e profesionalizmit të ngushtë, por së pari riprodhues i atmsferës së kohës dhe gjendjeve emocionale që ka përjetuar. Dhe në çdo periudhë Kadareja i ka bërë radiografinë vendlindjes, ka dhënë, si të thuash, verdiktin e vet në “pllakat” e fletët e kronikës së gurtë. Rikthimi në vendlindje shkakton e ngjall një spektër ndjenjash të ndryshme e të trazuara.

Të krijohet përshtypja se gjithçka ka shkruar për Gjirokastrën ka buruar nga kujtimet. Edhe rrëfimi romanesk ngjan më shumë me riprodhim kujtimesh. Por nga libri i mirëfilltë me kujtime “Mëngjeset në kafe Rostand” doli një roman i mëvetësishëm e i plotë si “Kukulla”. “Rikrijimi i vendlindjes dhe fëmijërisë, kujtimi i njerëzve të afërm që s’janë më etj., prej natyre gjeneron nostalgji e sentimentalizëm.

Kjo do të vinte ndesh me prirjen konstante të narracionit të Kadaresë për objektivitet, distancë dhe ftohtësi, ndaj, për të shmangur kakofoninë, përdoret humori, që shumicën e herëve përzihet me dramatiken e grotesken”. (Çapajev Gjokutaj, “Kukulla e Kadaresë”, gazeta “MAPO”, 21-22 shkurt, f. 23). Romani më i ri i tij, gjithsesi autobiografik, ka në qendër figurën e nënës, një qasje e brishtë e panjohur më parë dhe një lloj kërkimi ndjese pse në të gjallë të saj nuk i qëndroi më afër, teksa ajo në çdo hap u përgjërua për djalin. Në një farë mënyre kukulla-Nënë kurorëzon ansamblin letrar- artistik të tij për nënën e ashpër Gjirokastër.

***

Shkrimtarin e pritën në vendlindje me nderime, autoritetet lokale dhe bashkëqytetarët. Ai jep intervista. Jep edhe ndonjë mendim, kur ia kërkojnë. Gjirokastra është bërë me universitet, ka një brez të ri të përgatitur sidomos në drejtim të teknologjive të reja, kanë dalë djem e vajza që e nderojnë qytetin kudo ku kanë shkuar.

 

 

KADAREJA I GJIROKASTRËS DHE GJIROKASTRA E KADARESË

 

Tek intervista dhënë Frederic Fernezit, Ismaili thotë: “Në fund të botës, ndodhet një vend i quajtur Shqipëri, ku lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që fëmijë dhe që shohin më mirë natën se ditën…  Nuk është shumë e gëzueshme… Çfarë t’i bësh fatit, atje u linda”!

Ne pyesim: A është fatkeqësi që autori u lind në Shqipëri e pikërisht në Gjirokastër? Duke iu përgjigjur tepërimeve në theksimin e rolit të qytetit në formimin e tij si shkrimtar, ai pohon dhe reagon: – S’është e vërtetë që jam produkt gjirokastrit. Sigurisht qyteti i lindjes luan një rol të jashtëzakonshëm, sikurse luan fëmijëria, sikurse luan shtëpia ku je rritur. Do të thosha se më shumë se qyteti vetë, ose bashkë me qytetin ka luajtur rol shtëpia ime, që ishte tipike e qytetit dhe që mendoj se luante rol për çdo njeri. Një shtëpi si të gjitha ato shtëpitë gjirokastrite, me atë arkitekturën e saj të brendshme, me pazakonshmërinë e saj, sigurisht që e zhvillonte mendjen e njeriut në drejtime të papritura”.

Origjinaliteti i arkitekturës, relievit, fantazia e mjeshtrave nëpër shekuj ndikuan edhe në profilin e papërsëritshëm të krijimeve, në prirje e autorit për konvertim të figurshëm të elementeve të jetës në përgjithësi. Sipas jurisë që i akordoi “Jerusalem Prise”, këtë çmim prestigjoz, motivacion i cituar prej gazetës “Haretz”, më 8 shkurt 2015, midis të tjerave theksohet se “Edhe pse në formën e të shkruarit personazhet janë kryesisht lokale, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale”.

Rastësi që ky shkrimtar i veçantë lindi në Gjirokastër? Rastësi që gjeti e lexoi librin e parë të madh në shtëpinë e gjyshes? Rastësi që pati këtë apo atë shok fëmijërie, mësues? Rastësi që nisi të shkruajë? Rastësia që dërgoi për botim vjershën e parë…Ai jetonte në botën e vet, duke besuar se kishte ardhur nga një sferë tjetër, gati mbinjerëzore, me misionin që të thoshte doemos fjalën e vet, të bëhej shkrimtar.

Dikur shtëpinë e shkrimtarit e bashkonte me shtëpinë e Kako Pinos një hark si një dorë miqësore. Tani harku është afruar me shtëpinë e fqinjit, por “dora e ngrohtë” mungon. Nevojitet një dorë e ngrohtë që shtëpia e rilindur nga hiri i vet të hapë dyert e për bashkëqytetarët e vizitorët që presin jashtë saj. Që një ditë vetë shkrimtari të ketë kënaqësinë të ulet përsëri në dritaren e fëmijërisë, të shikojë andej qytetin, luginën, malet dhe qiellin. Pasi të nisë jetën e re shtëpia e shkrimtarit, shtëpia e Kako Pinos mund të kthehet në hotel për vizitorët e shtëpisë shkrimtarit dhe gjithë qytetit, më tha dikur në një bisedë shkrimtari Odise Kote.

Dylbitë e dikurshme të plakave gjirokastrite, dylbi që quheshin edhe tejqyrë, shkrimtari i ktheu në një teleskop të fuqishëm për të parë Tej botën, duke kërkuar e zbatuar edhe një optikë të re të vështrimit artistik të saj.

Nga pohimet e paradokohshme të botuesit Bujar Hudhri, mësojmë se “libri i fundit” do të ishte romani “E hyjnueshmja” botuar në Paris përpara “Darkës së gabuar”. Por ja, ndërmjetësoi “Moskuptimi i shqiptarëve me vetveten”, romani disi intim vitit 2014 , më tej një studim i gjatë që pret dritën e botimit, e nuk dihet se si qyteti dhe shtëpia e vjetër ia shtyjnë mendimin “në drejtime të papritura” dhe autori duhet “qortuar” për mosmbajtjen e fjalës së dhënë.

“Në fillim ishte Fjala” thuhet në Bibël. Në fillim ishte Gjirokastra, themi ne.

***

Vepra letrare e I. Kadaresë mbetet një gur i çmuar për Gjirokastrën (dhe më gjerë). Kjo vepër i ngjan një ngrehine me themele të forta, me kolona e harqe, portë me qemer, dritare të gjera me vetrata shumëngjyrëshe, tavane me arabeska, shandanë rrezëllues, strehë hijerënda, çardakun plot freski ku vizitorët mund të qëndrojnë e të sodisin qytetin, pusin nën kube dhe sterën e rimbushur, sikur të duan të shuajnë etjen në to.

Në rrugën “Fato Berberi” numrat që tregojnë adresën e shtëpive   nuk ka në ndryshuar. Shtëpia e shkrimtarit mban ende numrin 14, në një copë katrore llamarine mbërthyer në portën e vjetër anës rruge. Por porta, metalike, na thotë Halim Xhaxhiu, ishte nga ana e kubesë. Ajo u muarr nga muri jugor dhe u vendos në anën perëndimore, pasi porta e vjetër   prej druri u dogj.

Historiku i shtëpisë është i gjatë dhe i trazuar. Pothuajse çdo familje bëri ndryshime në të, aq sa u desh punë e madhe për të mënjanuar gjurmët e ndërhyrjeve diletante. Nga përpara është më lehtë kthimi në identitet, sepse harqet e shkallët e saj   ishin si të shtëpive të tjera të mëdha, të Skëndulatëve dhe të Cicëve, që i gjenden afër.

Në rrugicën që kalon përpara shtëpisë, e cila mban emrin e dëshmores Fato Berberi, shumë familje kanë ikur. Nuk kanë lëvizur nga ana veriore familja Toro dhe familja Xhaxhiu, përballë.

Edhe fëmijët e vegjël e dinë shtëpinë e Shkrimtarit. Fqinjët të presin me mirësjellje, përpiqen të lehtësojnë brengën e vizitorëve, tregojnë hollësi nga bashkëjetesa me fqinjët,  kujdesen për ta mbajtur sa më të pastër rrugën, dhe kanë merakun që të hapen sa më shpejt dyert e shtëpisë – muze, gjë që do ta gjallërojnë jetën e tyre në ato mjedise të ngushta.

Mësuesi gjirokastrit Pavli Kosta tregon se ka patur rastin të shoqërojë turistë nga disa shtete të Evuropës, që duan të dinë më tepër për shkrimtarin dhe shprehin pakënaqësinë për zvarritjen e punimeve. Nga goja e tij mësojmë se ai banon në një shtëpi që ka qenë dikur e Kadareve. Një shtëpi e vjetër në rrugën me emrin “Sokaku i të Marrëve”, e cila ka vlerë për arkitekturën dhe zbukurimet tradicionale. Në tavanin prej druri të saj është një rozetë në formë ylli tetëkëndësh. Pavli tregon se si në fëmijëri mblidheshin në rrugicë dhe lexonin poemën e sapodalë “Princesha Argjiro”. Një fqinje me mbiemrin Kadëna propozon që emri i sokakut të hiqet, sepse nuk shkon. Nuk shkon, thotë gazetari Rajmond Kola, që ajo rrugicë e cila nxori njerëzit më të shquar, të mbajë atë emër famëkeq.

Parafytyroj edhe një maketë të madhe, me dhoma e sallone, ku të strehohen personazhet që krijoi e përjetësoi nga vepra në vepër ku do të strehohen një varg personazhezh negative, tiranët, fytyra të shëmtuara të së kaluarës dhe të historisë (në hapsanë). Pashallarët e sadrazemët do të kërkojnë shilte të rehatshme, ish të përmbysurit do të kërkojnë të drejtat e tyre, zërat e zhurmat do të jehojnë deri tek Qafa e Pazarit.

Secili do të rrijë në shtëpinë – muze me portretin e   papërsëritshëm si në një galeri arti. Po: “…Ku është Cute Gjati,

Allamani ku?”

Po doktor Gurametoja do të bëjë përsëri harakiri në këtë shtëpi?

Ku t’i vendosësh kaq gjeneralë që gjen nëpër librat e tij? (Dikush tha se mund të kërkohet në pusin e shtëpisë për eshtrat e kolonelit Z…).

Për këtë ekspozim fantazmagorik do të duheshin shumë mjedise e pavione, që dalin jashtë caqeve të një shtëpie gjirokastrite, sado e madhe qoftë e tejkalojnë hapësirën e një muzeu të zakonshëm.

Në një fotografi të shumë viteve më parë, botuar në gazetën lokale, shkrimtari del duke shkruar në një libër a duke lëshuar autografe. Mësojmë se janë jo me dhjetra, por me qindra vizitorët e huaj që duan të mësojnë nga jeta e shkrimtarit dhe të kenë në dorë një libër të tij blerë këtu. Shtëpia-muze të ketë edhe bibliotekë. Në bibliotekë edhe disa libra të vjetra, që nga të babazotit. Librat e autorit të jenë botimet e para e jo të treta apo të trembëdhjetat. Edhe libra nga botime të huaja. Nesër do të duhet edhe një librari afër shtëpisë, edhe një njësi shitje suveniresh.

 

ASPIRATA E FLUTURIMIT

 

Një nga vajtjet e para shumë viteve e I. Kadaresë në Gjirokastër u bë me avion. Fusha e Aviacionit, e rehabilituar pas viteve 1990, ishte pista e fluturimeve të fantazisë së tij. (“U hapën qiejt përsëri” mund të jetë shprehur autori atë ditë).

Aspirata e fluturimit u bë realitet për Gjirokastrën më 11 gusht 1923, kur u përurua linja ajrore Tiranë – Gjirokastër – Tiranë. Kjo linjë e ngritur dhe e shërbyer nga një firmë gjermane, punonte vetëm kur ishin të mira kushtet atmosferike. Për transportin e postës përdoreshin avionë të tipit të lehtë “Albatros E” dhe “Albatros G”. (Ja edhe një element simbolik që me poezinë, por u desh aq kohë që të dalë në dritë).

Në vitin 1932 kësaj linje, që lidhej edhe me Durrësin e Vlorën, iu shtua edhe Korça. Nga kjo linjë bëheshin fluturime çarter për Brindizi dhe Napoli.

Në vitet e LANÇ aeroporti u bë shesh lufte dhe fluturonin vetëm avionë ushtarakë. I. Kadareja e ka përshkruar këtë periudhë në veprat “Kronikë në gur”, “Aeroporti” etj. Në poemën “Shënime për brezin tim”, varianti i ripunuar, gjejmë vargun “Ne të pazogjtë, aeroplanmëdhenjtë”. Autori, me sytë e fëmijës, i shikon aeroplanët si personazhe, përshkruan fatin e tyre shpesh fatal. Aspirata e fluturimit atëherë kishte marrë goditje të pandreqshme. Por edhe më pas për shqiptarët avjonëve u ishin prerë krahët. Edhe shkrimtari vetë fluturonte rrallë, vështirësohej të dilte jashtë shtetit, sidomos me bashkëshorten në krah, gjithashtu shkrimtare e mirënjohur.

Pas vitit 1944 aeroporti i Gjirokastrës u përdor për qëllime ushtarake dhe për spërkatje të fushave me herbicide nga avjonë specialë. Në verën e vitit 1959 në aeroport u ul avioni qeveritar sovjetik TU-104, në kuadrin e vizitës së mareshallit tëi Luftës, Malinovski (pararendës i mareshalit Jakubovski), që erdhi me veturë nga Saranda. Pastaj avioni si mjet transporti u përdor për ndonjë ardhje delegacioni ose të udhëheqësit të shtetit shqiptar, e pastaj nuk funksionoi. Gjithnjë e më rrallë ngriheshin avionë shqiptarë në këtë fushë, kurse për avionë të huaj as që mund të bëhej fjalë.

Pas vitit 1990 në atë aerodrom zbritën avionët që sollën kryeministrin italian Romano Prodi dhe ish kancelarin austriak Vranicki. Pas shkatërrimeve të vitit 1997, aeroporti u rehabilitua edhe një herë, por jo plotzësisht, sepse doli përsëri jashtë përdorimit. Me përjashtim të ndonjë helikopteri urgjence, nuk ka avionë të tjerë, për pasagjerë. Megjithatë, Gjirokastra pret zbatimin e projektit madhështor italian, me të cilin do të modernizohet dhe do të vihet në shërbim të qytetarëve. Një mundësi e tillë do të bënte që mjaft turistë të vinin në Gjirokastër drejtpërdrejt nga ajri, madje edhe vendas nga Tirana, në një kohë që fluturimi me avion kushton më lirë se udhëtimi tokësor…

Janë italianët, themelues të linjës ajrore të dikurshme të Gjirokastrës, që deklaruan se do ta ndërtojnë aeroportin e saj. Kronika e vitit 2009 thotë se: “Qeveria italiane përmes njė projekti të përbashkët me strukturat e NATO-s do tė realizojë në jug të Shqipërisë rehabitimin dhe ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës”.

Aeroporti i Gjirokastrës, sipas kėtij projekti do të përdoret me funksion tė dyfishtë, ushtarak dhe civil, duke i ardhur nė ndihmë kryesisht turizmit dhe biznesit vendas e tė huaj. U dëgjua se në shtator atij viti, kohë kur do të përfundonte faza e pare e rehabilitimit, do të organizohej dhe turi i parë turistik i aero-klubit italian me pjesëmarrje të aeronautikës dhe multimiliarderëve italianë në Shqipëri.

Për këtë projekt tė rehabilitimit e ndërtimit të aeroportit të Gjirokastrës, gjeneral Pikotti, përfaqësues i ushtrisë italiane në NATO, thotë se “propozimi për rehabilitimin e rikonstruksionin e aeroportit tė Gjirokastrës është konkret, dhe ka hapësira edhe ushtarake edhe qytetare…”.

Ndërkaq, Konsulli i Përgjithshëm italian, Lorenzo Tomasini, u shpreh entuziast për projektin e aeroportit të Gjirokastrės. Rehabilitimi aeroportit tė Gjirokastrës dhe vënia e tij në funksionim është një projekt me vlerën e rreth 15 milionë eurove. Ura ajrore nuk u ngrit, por edhe ura kulturore, pa përjashtuar disa ngjarje si hapja në Gjirokastër e zyrës së konsullatës italiane, e shkollës katolike “Xhuzepe Gras”, dhe ekspozita për Leonardo Da Vinçit, që thamë, e që italiani i kulturës tha se dëshiron të ngrejë një urë, që të simbolizojë lidhjen dhe bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve. Por ura ajrore e premtuar nuk u ngrit.

Kur e ndërpreu fluturimin e ëndrrës për aerodromin e vjetër? Moda e mosmbajtjes së premtimeve, apo kriza ekonomike që goditi Europën, jo pak edhe Italinë?

Por edhe tani në horizont nuk duket gjë e re, përveç fluturime sportive mbi Gjirokastër dhe Antigone. Megjithatë, kryebashkiakja e sotme, Zamira Rami, gjatë fushatës elektrorale dhe më pas e ringriti çështjen e rijetësimit të këtij aerodromi.

Gjirokastra e meriton aerodromin, për nevojat e veta dhe si një pistë më tepër drejt Europës. Gjirokastra nëpër epoka ka nxjerrë edhe inxhinierë dhe shkencëtarë me emër. Po përmend inxhinierin gjirokastrit Vilson Kokalari. Vilsoni punoi shumë vite në qendrën NASA, të lëshimit të anijeve kozmike, në SH.B.A. Ishte kolaudator, njeriu që thoshte fjalën e fundit për nisjen e anijeve që prisnin të fluturonin. Ishte një besim tepër i madh dhe përgjegjësi e madhe. Atë që dikur nuk mundi ta realizojë shpikësi Dino Çiço, e arriti me të tepër Vilson Kokalari. Është një nga njerëzit lavdia e të cilit u ngrit në apogje, ashtu si edhe e shkrimtarit I. Kadare.

Shpikësi Dino Çiço, që shumëkush e quajti të fantaksur dhe anormal, avionin e vet prej druri e çoi në Austri a Zvicër, për të kërkuar ndihmë ose për t’iu njohur merita. Ishte një aventurë dhe zhgënjim i madh, por mbetet si vlerë orvajtja për të thyer caqet e ngushta të jetës e të kohës dhe sfiduar ngurtësinë e qytetit. Dhjetra vite më pas, nipi i shpikësit me emër, që mban emrin e gjyshit, ekonomist dhe poet ky, iku nga jeta me brengën dhe amanetin që aeroporti i Gjirokastrës të rijetësohet e të kryejë fluturime. Dhe në ardhtë ajo ditë, nuk do të ishte lajthitje që aerodromi i nesërm të pagëzohej me emrin e Dino Çiços. Por më i denjë do të ishte emri i ardhur që përtej Oqeanit…

Deri vonë në një nga sheshet e kalasë ishte vendosur një avion gjurmues amerikan i markës “Loskhed” kapur nga pilotët shqiptarë si shkelës i hapësirën ajrore, përpara afër gjysëm shekulli. Tani ai   avion i vogël, i plaçkitur e bërë gërmadhë e skelet si peshku i plakut të Heminguejt tek novela “Plaku dhe deti” (që autori e pati përkthyer dhe botuar në vitin 1964), qëndron si sfidë, duke u kujtuar vizitorëve vigjilencën dhe intrasigjencën e regjimit komunist ndaj Perëndimit.

 

GJIROKASTRA E SOTME

 

Në vitin 1987 në Gjirokastër, te Kodra e Ciut, u shemb ndërtesa e Pallatit të Kulturës, e gjitha me gur të gdhendur e të fortë, zgjidhje e bukur arkitekturore, që atje një vit më pas atje të vendosej me dekret përmendorja e Enver Hoxhës, në 80 vjetorin e lindjes së tij. (Atëherë kryetar Komiteti Ekzekutiv të Rrethit ishte ish agronomi Flamur Çani). Kodra e Ciut paskëtaj u quajt Kodra e Monumentit.

Pas vitit 1990 historia e qytetit njohu zhvillime të reja. Nga njera anë ishte lëvizja “Vullnetarët e Enverit”, lëvizje që lindi në Gjirokastër dhe u shtri në disa krahina jugore, dhe lëvizja antienveriane që nisi si reagim e kundërshtim i saj në mjaft krahina e rrethe të tjera, me Tiranën të parën. Dallgët e saj arritën edhe në Gjirokastër, duke i dhënë hov reebelimit. Kështu, një natë vonë u godit me vare, u dëmtua dhe pastaj u shkul përmendorja e Enver Hoxhës, vepër e skulptorit gjirokastrit Muntaz Dhrami. (Rrëzimin dhe zvarritjen e përmendores gjigande të E. Hoxhës në Tiranë, vepër e skulptorit Shaban Hadëri, në shkurt   1991, I. Kadareja e pa në televizor nga Alpet e Zvicrës, ditën që ndodhi).

Nisi eksodi masiv, didomos drejt Greqisë dhe Italisë.

Erdhi pranvera e vitit 1997, marsi i vetvrasjes, siç e quan I. Kadareja, kur u likuidua administrata shtetërore dhe u godit brutalisht rendi publik i trazuar i tranzicionit. Banditë dhe aventurierë ardhur nuk dihet se nga, të panjohur që dihen por rrallë dolën në dritë, mësynë qytetin që i gjet i papërgatitur. Reagime pati, por dëmi i madh u bë. U sulmuan e grabitën depot e armëve, të lehta e të rënda, deri tanke e topa, u dodhën në erë tunele me municione në male, u derdh gjak e u vranë njerëz. U grabitën depot e armëve dhe kush e kush të armatosej më shumë e të bënte tregi e kontrabandë me to. Breshëritë e armëve, granadat e tritoli u bënë diçka e zakonshme. U grabit për katër ditë rresht Banka e Shtetit, ku ishin të hollat e gjithë Qarkut të Jugut, kasaforta e   saj u shkul e tërhoq me diagaçe, midis sheshit, përpara përmendores së kapedan Çerçizit.

Pas 54 vitesh, zinxhirët e dhëmbëzuar të mjeteve të blinduara kafshuan përsëri rrugët e qytetit. Terrror, ankth, shkatërrim, anarki, një shtet inekzistent, i gjunjëzuar, viktimë si edhe popullata. Gjirokastra i ngjante një gjahu në tentakulat e një njëqindkëmbshi gjigant që e paralizon gjahun përpara se ta gllabërojë. Për këto ditë të lemerishme e të palavdishme kanë shkruar e botuar libra plot të dhëna e vërtetësi Odise Kote, Panajot Barka, Sotiraq Paskali, e të tjerë. E paharrueshme mbeti protesta e qindra studentëve të Universitetit të Gjirokastrës, me kulmim grevën e urisë dhe qëndresa e tyre kundër dhunës shtetërore, megjithëse greva në fjalë u fik përpara kohe.

E një natë dimri të vitit 1998 një sasi tritoli u vendos edhe në shtëpinë e Enver Hoxhës, e cila prej shumë vitesh ishte kthyer në muze etnografik. Shpërthimi i tmerrshëm bëri të tronditen e dëmtohen muret dhe tavanet e shtëpive të vjetra e të thyhen xhamat e dritareve. Njerëzit dolën në rrugë duke kujtuar se ra tërmet, gjëmë nga qielli a bombardime si në kohë lufte. Ky tmerr i ri i bënte njerëzit ta braktisnin qytetin natën e të hidhnin pas krahëve gurin e zi të mallkimit e moskthimit. Dhe është një fakt që do ta lakmonte edhe Kadareja me manierën e vet, se si u grabitën për t’u shitur raketat me rreze të shkurtër veprimi, nga një bazë ushtarake afër Gjirokastrës, se si, për çudi, të nesërmen e dorëzimit u zhduk nga muzeu festja e qëndisur, rrumbullake si takije, e Çerçizit.

Nuk munguan nismat për të dalë nga kolapsi, u krijua një lloj komiteti vetëmbrojtje dhe diku u gjet me vend e me mend që kryeministri i qeverisë më të re shqiptare, asaj të shpëtimit e pajtimit, të gjendej pikërisht në Gjirokastër.

Pas fashitjes së furisë barbare, u vendos një farë normaliteti dhe shfrimi i pasioneve u kanalizua në konfrontimin politik e luftën për pushtet.

Gjirokastra në veprën dhe syrin e shkrimtarit është kryesisht ajo e vjetra. Por në qytet, krahasuar me të dhe me epokën e komunizmit, kanë ndodhur e po ndodhin ndryshime epokale, në ndërtime, mënyrën e jetesës, në raportet demografike të popullsisë banuese. Dhe emblema e Gjirokastrës së Argjirosë e të Polifonisë nuk ka ndryshuar. Festivalet Folklorike vazhdojnë të jenë ngjarje e shënuar mbarëkombëtare, një herë në disa vjet.

Bëhen përpjekje për ta mbajtur gjallë jetën kulturore, me ndonjë shfaqje teatri, festival a konkurs të fëmijve e rinisë shkollore, panair tregtar. Biblioteka e qytetit, me mjaft nevoja, ka në raftet e veta rreth 100.000 kopje librash. Në një eksponat të madh janë librat dhe veprat e zgjedhura të I. Kadaresë, kurse përballë është vitrina me librat e autorëve të tjerë gjirokastritë, të cilat në qytet, rreth e më tej, vinë duke u shtuar. Por ngrehina e bibliotekës, edhe pas restaurimit, mbetet e pamjaftueshme për nevojat në rritje.

Në Gjirokastër shtohet përditë numri i turistëve të huaj, shumica nga shtete europiane, bëhen festivale folklorike, panaire artizanati, ekspozita pikture,   hapen njësi punimesh tradicionale në gur, dru e metale.

Raportet e Gjirokastrës me vendin, rajonin dhe botën kanë ndryshuar në të mirë të komunikimit dhe afirmimit më të madh. Këtë e përforcon edhe hapja vite më parë e Konsullatës Greke në Gjirokastër dhe së fundi, hapja e Konsullatës Italiane të Nderit, me konsull nderi një djalë nga familja gjirokastrite Bilushi, Teodori.

Në gjurmët e të atit shkrimtar eci Besiana, që është aktualisht Ambasadore e Shqipërisë në UNESKO, në Paris.

Në Gjirokastër valon sot flamuri i Europës së Bashkuar. Kanë hyrë bankat dhe koncensionet e huaja, diskot, muzika e huaj, mënyra perëndimore e jetesës.

Është bërë e zakonshme që nxënësit e shkollave, krahas koncerteve artistike në gjuhën shqipe, të japin në sheshet e qytetit e mjedise të tjera, spektakle me këngë në gjuhën angleze, italiane, greke, ndoshta dhe franceze. Janë të shumta pagëzimet e fëmijve, me emra të huaj, sidomos anglezë dhe italianë, emra nga Bibla, emra yjesh të kinemasë, të muzikës, sportit; ardhur edhe nga mjediset ku emigrohet, një emërologji e tërë – ndikim e pasojë e hapjes së madhe kulturore, praktikë që është edhe një shprehje snobizmi. Për t’u bindur për këtë dukuri, mjafton të vizitosh një kopësht fëmijësh, ose një klasë shkolle fillore.

***

Mësojmë se në vitin 2009, për rikonstruksionin e kalasë dhe hapjen e muzeut në të, dha një shumë prej 50.000 dollarësh amerikanë, ambasadori amerikan në Tiranë, Uilkins. Por katër vite më vonë, ish përgjegjësja e Muzeut të Armëve, Teuta Laze, u ankua se terraca prej betoni e muzeut gjigant është plot lagështi, më keq se në kohën e pushtimit, shtojmë ne.

Në gusht të vitit 2011, gjatë vizitës në Gjirokastër, ambasadorja gjermane Karola Muler Holtpkompter deklaroi se do të jepen 5 miljonë evro për ujësjellësin e ri të Gjirokastrës. Ajo vizitoi edhe azilin e pleqve të qytetit, pasi ambasada gjermane dha 12.000 euro për blerjen e orendive të reja. Por nuk vonoi që pas ikjes së saj, nga krevatet e të moshuarve të pafuqishëm nuk arritën t’u gëzohen batanijeve të reja me të cilat u pajisën prej saj, sepse ato “fluturuan” në mënyrë të habitshme…(Midis të tjerave, dhurëtia gjermane për azilin e pleqve ngjalli reagime pakënaqësie në një pjesë të   ekstremistëve të majtë…). Punimet për ujësjellsin e ri nisën në vjeshtën e vitit 1915. Dhe pritet vjeshta e vitit 2016, që gjirokastritët të pinë ujë nga paratë gjermane. Puna vazhdon me ritme të shpejta, duke u çarë kalldrëmet për të futur tubacionet e ujit.

Midis nonsenseve ose kundërsenseve të kohës sonë është martesa me një gjerman e një vajze gjirokastrite nga lagja Manalat i Dytë, me baba oficer. Në kohën e LANÇ kjo lagje u mbiquajt “Stalingrad”. Oficeri në pension shkoi tek vajza në Gjermani, qëndroi disa muaj dhe u kthye mjaft i kënaqur.

Përmirësimi i marrëdhënieve me botën perëndimore, lënia së kaluarës i trashëgimisë së hidhur, por edhe prirja ndaj djathas në një qytet e zonë me traditë të fortë të majtë dhe majtise, është një realitet i prekshëm, deri diku shqetësues. Kështu, në shtator 2012 në Grehot u përuruan varrezat e Ballit Kombëtar, 68 vjet një mitraloz italian vrau anës xhades 14 ballistë që shkuan të strehohen për të shpëtuar nga partizanët e papërmbajtur dhe me synim plaçkitës në domenin e divizionit të kapitulluar italian “Peruxhia”, me 7.000 ushtarë dhe oficerë. Ishte një “drekë e gabuar”…(Midis tyre ishin eksponenti i Ballit Kombetar, Hysni Lepenica dhe eksponenti lokal Nano Gjoni).

Të tjerë ballistë u pushkatuan pa gjyq te porta e kalasë nga partizanët e komanduar prej Shefqet Peçit.

Atë datë, 14 shtatorin, pasardhësit e viktimave e shpallën Dita Kombëtare e nacionalistëve shqiptarë.

Në nëntor 2008 banorët tradicionalë të Lagjes Punëtore iu drejtuan Bashkisë me propozimin që lagja të pagëzohet me emrin e Presidentit amerikan Barack Obama.

Po bëhen përpjekje për një trajtim më të mirë nga shteti dhe organizatat ndërkombëtare të popullsisë rome. Me dhjetra fëmijë romë frekuentojnë thuajse rregullisht shkollat e qytetit: “Së bashku”, “Koto Hoxhi”, “A. Z. Çajupi”.

Qindra djem e vajza gjirokastrite kanë shkuar në Europë dhe Amerikë, ku shquhen e kanë sukses në shumë fusha. (Një djalë i familjes gjirokastrite Hasko, përpara disa vjetësh ka mbaruar studimet pasuniversitare në Japoni). Bashkësia e emigracionit shqiptar në SHBA. është përtërirë e fuqizuar, dhe kryetar i saj deri vonë, ishte një gjirokastrit nga familja Karagjozi. Inxhiniri i shquar Vilson Kokalari për shumë kolaudonte anijet kozmike amerikane…

Koleksioni i dikurshëm i pullave sot u shndërrua në koleksion të vërtetë shtetesh jo vetëm për shkrimtarin. Gjirokastra dikur aq e mbyllur është sot më tepër se një cita aperta (shprehje në vargjet e hershme të autorit, me sa duket, ndikuar nga filmi italian “Roma – qytet i hapur”). Gjirokastra ka ndryshuar e ndryshon mjaft si pamje dhe në mënyrën e jetesës. Nuk sundon më ngjyra gri dhe çatitë prej guri. Ndërtesat e reja vertikale nëpër kodra e ndonjë ngjitur me stadiumin e futbollit, ngjajnë si grataçiele edhe ditën për diell. Dhe mbi pallate, si çibane, qëndrojnë depozitat e ujit, sepse qytetit aktualisht nuk ka ujë më tepër se gjysmë ore a diçka më shumë në njëzetekatër orë.

Fytyra të reja, interesa të reja, mendësi të tjera, fjalor i ri. Rrallë e tek mund të gjejë sot një shtatëdhjetëvjeçar moshatarët e vet. Jo vetëm se koha bën të vetën, por edhe sepse në Gjirokastër ka ndodhur një tjetërsim demografik pa precedent. “Është karakteristike që ky fluks nga fshati drejt qytetit iu takon kryerisht zonave të Kardhiqit, Picarit, Lunxhërisë, Zagorisë, ku dhe popullsia është zvogëluar në krahasim me atë të vitit 1990.” (- Gjirokastra – analisi ed indirizzi per le svilupo futuro, a cura di Fabrizio Torresi, 2002).

Gjirokastra, që dikur ngrihej mbi pesë brigje, sot ngrihet në disa brigje e kodra më tepër, dhe është zgjëruar në të dy krahët nga ana veriore dhe nga ana jugore. Në krahasim me gjysëm shekulli më parë ajo është dyfishuar në sipërfaqe dhe tre-katërfishuar në popullatë. Janë rreth 21 lagje, që po i radhisim: Dy Dunavatet, Dy Manalatet, Cfaka, Pazari i Vjetër, Pllaka, Palortoja, Varoshi, Meçitja, Gjobeku, 18 Shtatori, 11 Janari, Lagja Punëtore, Granica, Kodra e Shtufit, Zinxhirat, Zona Industriale, Lagja e Romëve, Grehoti, Lagja përreth spitalit të qytetit. Pjesa e vjetër e qytetit mbetet pothuaj e pandryshuar. Megjithëse e pengojnë disa ngrehina arbitrare, qyteti i vjetër me kalanë dhe Kucullën dallojnë ende sapo hyn në qytet. Por gati një e treta e qytetit, pas kalasë, Manalati e Cfaka, mbeten të pashkelura nga vizitorët. Atje jetojnë qindra familje me vazhdimësi brezash, traditash, mënyrë jetese. Janë bërë ndryshime edhe atje, kryesisht nga banorët, ka shkuar edhe urbani e është hapur ndonjë mezomarket. Ka edhe ansamble e ndërtesa të tjera me interes në rrugët e brendshme të lagjeve të njohura Varrosh e Palorto, por që nuk janë ekspoluar ende…

Në rrugët e qytetit, deri në Dunavat e Manalat, ngjiten e zbresin me qindra automjete private. Midis tyre, në duart e pasardhësve të dërrasaxhinjve e hekuraxhinjve gjirokastritë mund të shikosh vetura e xhipe të markave më të njohura të Europës e më tej. Kjo vihet re më tepër tek të ardhurist se sa tek banorët vendas. Në zonën e re të qytetit shënova targat: NEV YORK (EVC, 8753) THE EMPIRESTAT, NEW JERSEY YHB 94K dhe Ekscort Boston, dhe BE, me 27 yje, CE 666 TY. (Numri 666, për besimtarët bestydë është simbol i Antikrishtit. Urojmë që ky numër të mos ngjallë shqetësim e të sjellë mbarësi).

Ja edhe një shitëse nga fshati, me “Mercedes”, në lagjen “18 Shtatori”, hap bagazhin e veturës dhe shet spinaq, sallatë dhe qepë të njoma! Një ditë të bukur maji pashë duke zbritur kalldrëmeve me një kamionçinë me targë AA 643 BU, një arixhi që kishte në kabinën e saj gruan dhe gjashtë kalamajtë e përbashkët. Por megjithë vërshimin e automjeteve, gjirokastriti ruan nostalgjinë për kafshën. Këtë, ndoshta, e dëshmon edhe emblema me një kalëi brenda një patkoi, në veturën me targë Mercedes-Benz Gj. 6465 A. përpara një njësie shitje barnash anës asfaltit.

Në lagjen “18 Shtatori” ka dyndje të madhe, vështrim trafiku deri embouteillage! sado i shkurtër, nga lëvizja e makinave në të dy drejtimet, sidomos mbasditeve. Një pjesë e automjeteve kanë targa të rretheve të tjera. Rrethi i rrotullimit të tyre përbri stadiumit është bërë nyje dhe mund ta pagëzojmë si Qafa e re e Pazarit. Ndoshta ia vlen të theksojmë se Gjirokastra nuk ka asnjë parking automjetesh dhe rrugët bëhen edhe më të ngushta nga parkimi pa rregull i tyre. Kështu, pengesë për mosshuarjen e Gjirokastritët gëzojnë se shtëpia muze e bashkëqytetarit të shquar do të jetë faktor gjallërimi i turizmit dhe shtëpisë së të parëve të Musine Kokalarit, megjithëse rruga deri në oborrin e saj ishte e asfaltuar, u bë një veturë që pengoi makinën zjarrfikse, e cila arriti atje pasi zjarri e kishte shkrumbuar.

Gjirokastra, nga dy autobuzë që kishte dikur, sot ka disa agjenci autobuzash me linja drejt Tiranës dhe Greqisë. Disa firma e linja komunikacioni gjirokastrite çojnë përditë dhjetra e dhjetra udhëtarë drejt Kakavisë, Janinës, Larisës e Selanikut. (“Mora rrugën për Janinë,/ autobuzat venë e vinë”). Përfund qytetit, në aksin e rrugës kryesore të lagjes “18 shtatori”, me dy korsi, gjysëm kilometër gjatësi, ditën kalojnë pa pushim veturat, sikur dalin nga ndonjë tunel rrëzë malit. Janë kaq shumë sa habitesh vërtet. “Në Placë Concordë dhe Shamp Elize/ makinat vrapojnë si rrëke”, thoshte poeti në një vjershë të hershme për Parisin. Edhe në segmentin që përmenda, natyrisht, jo me të ritëm e shumësi, por përsëri “si rrëke”. Por kjo nuk i përgjigjet ritmit real të jetës as tregon e vërtetë në një qytet në stanjacion.

Kjo dinamikë zhvillohet në një qytet ku gjatë monizmit lëviznin gjithsej pesë a gjashtë xhipe në ditë (xhipsi i kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit,   xhipsi i shefit të Bujqësisë, drejtorëve të fermave bujqësore e ndonjë ndërmarrje të madhe, xhipsi i Degës së P. Brendshme) dhe e vetmja veturë ishte ajo e sekretarit të parë të Komitetit të partisë të Rrethit. Janinën nuk lejohej ta shikoje as me dylbi. Sot gjirokastritët shkojnë me familje në Sarandë, për detin, jo pak kanë blerë atje shtëpi të dytë, sidosmos të ardhurit nga fshatrat.

Gjirokastra për një periudhë i ngjante një sanduiçi midis Lazaratit dhe Kardhiqit, që kanë marrë në drorë frenat e drejtimit të qytetit, që nga nëpunësitë deri tek bizneset.

Deri vonë poshtë fshatit anës rrugës kombëtare ishte vendosur një pllakë ku shkruhej “Azem Hajdari – nderi i Lazaratit”, dhe në krye stampuar fotografia e tij. Një ditë, shumë vite më parë, anës rrugës, në një nga lokalet e këtij fshati të privuar dikur e të privilegjuar sot, u ul e piu një kafe si tek fqinji shkrimtari Ismail Kadare. Më pas Lazarati u bë kryeqytet i drogës në Ballkan (Në vitin 2013 Lazarati, deri dje superfuqi e Jugut shqiptar, i përfolur edhe shkallë ballkanike dhe europiane, bënte nga droga një xhiro vjetore rreth katër miljardë dollarë!). Ky superprodhim dhe tregtimi i saj ndikuan edhe në qytetin e Gjirokastrës, tek nxënësit dhe studentët. Por një ditë erdhi goditja e shtetit dhe e policisë shqiptare, me porosi të Bashkimit Europian, për çrrënjosjen e plantacioneve dhe parcelave të mbjella me bimë narkotike, përpunimin industrial të saj dhe tregtimin kontrabandë deri në zemër të Europës. Në ballafaqimin deri në përplasjen edhe me armë, u vra një punonjës shembullor i policisë shqiptare.

Që me hapjen e kufijve, përmes doganës së Kakavisë, Gjirokastra e tatëpjetë i ngjan një hinke gjigande, përmes së cilës u shkarkuan edhe tensionimet e para sociale të vendit në kapërcyell të vitit 1990. Pas kryeqytetit, Gjirokastra është sot qyteti më kozmopolit i Shqipërisë. Banorë ardhur nga gjithë krahinat, njerëz të disa kombësive, refugjatë nga Azia, deri edhe prostituta nga shtete të ndryshme evropiane, tani në   tregun e lirë e jo si shtojcë   e një ushtrie pushtuese si dikur.

Në librin e vet me kujtime, një artist gjirokastrit, dashnor i kavaletit dhe i letërsisë, rrëfen peër njeë varg trofesh femërore jashtë kufijve, se si u zhveshën përpara tij   femra nga disa kontinente: Një grua dyzetvjeçare japoneze, Franceska 37 vjeçare, Afrikania e nxehtë, një Venezuealiane e re   bardhoshe, Braziliania mulate, Zonja nga Kievi, Vejusha greke, Anglezja e ftohtë, Gabriela, Kozeta, Aziatikja e bukur. Kurse mjeku okulist girokastrit Adem Harxhi, pas kthimit nga SH.B.A, iu kushtua kryekëput seksologjisë, dhe dhënë leksione në televizion e botuar artikuj për seksin, midis të tjerave edhe për seksin oral, që për të cilën u padit ish Presidenti amerikan Klinton me Monika Levinskin…Këto, nga pasardhësit e citadelës së dikurshme të fanatizmit e ferexhesë, moralistëve që indinjoheshin dikur. Kadareja që ka ngritur zërin për hapjen e kazinos në kryeqytet (duke kërkuar mos’hapjen), nuk mund të jetë dakord me këtë “dhuratë” për vendlindjen e tij, qytetin ku kanë marrë përmasa tronditëse papunësia, korrupsioni dhe antikultura, e ku nuk mungojnë viktimat prej “lojrave të fatit”. Këtë fat, me qindra gjirokastritë tradicionalë e kanë kërkuar në Amerikë, Kanada, Europë, Tiranë e qytete të tjera, ku kanë ditur të deftojne dhe deshmojne aftesinë për të mbijetuar dhe për shquarësi.

Një Gjirokastër e re, gjysma, me ndërtesa dhe banorë të rinj, që jo rrallë rivalizojne banorët tradicionalë. Dikur zonjat gjirokastrite lakmonin ngjalat nga liqeni i Janinës, sot banojnë në pallate shumëkatshe edhe pa asensor, dhe u vjen taksia tek dera. Por shumica e grave dhe vajzave, edhe me diploma, janë   detyrimisht shtëpiake, megjithatë, nuk mund të mos vësh re se brezi i ri, vajza e djem, është i ushqyer mirë dhe i veshur hijshëm, pajisur me mjaft njohuri e shprehi të kohës, ku kompjuteri ka hyrë në qindra e ndoshta mijëra shtëpi gjirokastrite, dhe telefoni celular ka hyrë edhe tek nxënësit e shkollave fillore. Sjelljet e të rinjve janë më të lirshme, të çliruara nga tutela patriarkale, por edhe me kosto për liberalizmin që pasoi dhe kurthet e tranzicionit të zgjatur.

Më shkallët e ndërtesë së Universitetit të Gjirokastrës mbrëmjeve, por edhe ditën me diell, mund të shikosh çifte që përqafohen e puthen. Mirëpo gjykata është plot me çështje pronësie dhe divorce që presin të zgjidhen. Në divorcet përparësi kanë kërkesat prej grave. Por në Gjirokastrën konservatore e drejta e diovrcit ka ekzistuar edhe në vitet 1920 e kronikat na japin raste kur këtë nismë e ndërmori gruaja. Dhe në muajt janar dhe shkurt 2015 dy gra gjirokastrite therën bashkëshortët! Çfarë po ndodh? Po shembet monopoli i patriarkalizmit, gratë kërkojnë të drejtat e mohuara, apo edhe privilegjin e lashtë të matriarkatit?

Flitet për Drejtësinë si gangrena e shoqërisë dhe shtetit të sotëm shqiptar, për domosdoshmërinë e reformës në Drejtësi si kusht themelor për nisjen e negociatave për Shqipërinë si kandidate e BE. Te Kronika e I. Kadaresë mësojmë për gjyqet e tejzgjatira Angonatë-Karllashë, por në ditët tona janë arriture rekorde të reja gjyqësore. Sepse, p.sh., gjirokastriti tradicional A. Ç. ka zhvilluar 84 gjyqe për një pronë të vjetër të dokumentuar dhe nuk e fitoi çështjen! As të hollat për kompensimin që pranoi i detyruar nga betejat e humbura, pas shtatë aplikimesh nuk i ka marrë ende. E ka shtëpinë prindërore te “Sokaku i të Marrëve” dhe ky absurditet, kjo “marrëzi” gjykatësore është një ndër rekordet e mbrapshta në shkallë lokale, ndoshta dhe kombëtare.

Midis dukurive karakteristike janë varrezat e përbashkëta publike, për qytetarët e të gjitha besimet fetare, dhe ruajtja e kujdesi për Varrezat e Dëshmorëve dhe për lapidarët. Shërbimi funeral ka përparuar, ndonëse një varr e varrim kushtojnë mjaft, kurse romët vaanajkë kërkojnë ndonjë cep të marrosin të afërmin e vet.

Vitet e fundit gjithnjë e më tepër grupe të mëdha refugjatësh nga Azia kalojnë kufirin jugor, me synim Evropën. I. Kadare në veprat e tij ka folur për nizamët shqiptarë shkretëtirave të Anadollit, ka   përmendur që herët Jemenin e Çanakalanë dhe tani këto ngjan se po i kthejnë një kumt të harruar…

Të dëbuarit nga lufta nga atdheu, kërkojnë shpëtim në Shqipëri, por forcat e rendit i kthejnë prapa klandestinët, qindra e qindra, edhe gra e fëmijë. E si mundësi edhe për Gjirokastrën është ardhja e disa mijra klanestinë azilkërkues nga Siria e shtete të tjera në gjendje lufte. U bë projekti qeveritar dhe u morën masa edhe nga organet e pushtetit në Rreth për ngritjen e kampeve, me çadra e shërbimet e domosdoshme, në Fushën e Aeroplanit dhe në Grehot.

Gjirokastritët nuk mbyllin sytë përpara halleve dhe fatkeqësive të popujve të tjerë, por ndoshta Gjirokastrës i mjaftojnë disa qindra romë në lagjen e saj më jugore, një bashkësi e diskriminuar, ata që i përkasin qytetërimit më të lashtë të botës, prejardhur shekuj më parë nga India.

***I. Kadare aspiroi dhe kontribuoi për ditë më të mira për vendlindjen. Dhe vijoi të mbështesë të renë e bashkëkohoren, deri tek refreni – mesazhi i këngës rilindase “Shqipëri, atdhe i dashur,/ Ne s’ të lemë ty të varfër”, të cilin e përdori për të përshëndetur rininë shqiptare.

Shkroi dhe e mori fjalën për kthjellimin e dukurive dhe gjendjeve të ndryshme të aktualitetit dhe historisë. Konstatoi se në epokën e re “Thyerja morale e popullsisë shqiptare në këtë fund shekulli ishte një nga humbjet më të rënda të tij. Ajo ishte, me sa duket, rrjedhoja më tragjike e diktaturës sfilitëse komuniste në Shqipëri dhe e terrorit shtazarak serb në Kosovë e vise të tjera të Jugosllavisë”. (I. Kadare, “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”, Onufri, 2005,    f.26). Dhe rimori e këndoi me mënyrën e vet   refrenin Naimjan të “Shqipërisë zonjë” dhe atë Nolian: “Mbahu, nëno, mos ki frikë”.

Shkrimtari i mirënjohur thotë e thotë se këto janë dukuri kalimtare, kryesore është që njerëzit tani janë të lirë, prin iniciativa private e vetiake, dhe se forcimi i strukturave administrative e kontrolli i zbatimit të ligjeve do të çojë doemos në forcimin e demokracisë, ngritjen e saj në standarde europiane.

***

Defterët e Gjirokastrës janë të lashtë, të trashë dhe me thellësi kohe. Disa familje gjirokastrite ruajnë emblema të vjetra në dyert dhe qemeret e shtëpive, tapi me vulën e Perandorisë Otomane, libra të vjetër dhe fotografi të një shekulli më parë. Disa shkruajnë kujtime e botojnë libra, e këta janë me dhjetra, pa qenë shkrimtarë profesionistë. Qyteti mbetet kronikë në gur edhe për të djeshmen e afërt e të sotmen. Ai është një barometër dhe sismogreaf edhe i ngjarjeve përreth, brenda vendit dhe në botë.

Gjirokastriti është njeri me kujtesë të fortë. Qyteti nuk i harron bijtë e vet më të mirë, por as birbot që terrorizuan e mashtruan në pranverën e vitit 1997, grabitën depozitimet e qytetarëve në firmat piramidale e bankën e shtetit, hëngrën fondet për një ujësjellës apo ribërjen e një ure, nuk harron ata që ngjeshën në brez armët e muzeut jo për të mbrojtur qytetin, por për t’i   shitur ashtu si ikonat e kishave, qëndizmat e grave, reliktet e ruajtura me kujdes e dashuri nëpër breza. Por asnjë ndëshkim për fajtorët dhe asnjë kthim i sendeve me vlerë.

***

Sot në Gjirokastër nuk mund të flitet për industri dhe qendra pune e prodhimi me qindra ose dhjetra punonjës, si dikur, dhe qytetin po e orientojnë drejt turizmit si diçka shpëtimtare. Arkeologu dhe politikani Neritan Ceka, këshilltar pranë kryeministrit Sali Berisha, në një veprimtari të rëndësishme për problemet e urbanistikës në maj 2012 në këtë qytet u shpreh se e ardhmja e Gjirokastrës është e kaluara e saj! Shprehje e figurshme kjo, por a ka alternativë tjetër zhvillimi? Edhe artizanati tradicional e hoteleria janë vënë në shërbim të turizmit.

Νë kuadrin e programit “Trashëgimi kulturore pa kufij”, menaxherë dhe specialistë kanë ardhur në Gjirokastrër nga Tirana, por edhe nga Mali i Zi, Kosova e më tej. Në qytet e në kala u hap e nisi punë një atelje restauruese për antikat: armë stërgjyshore, kostume, mjaft objekte me vlerë nga ato që kanë shpëtuar. Është bërë e po bëhet një farë pune, por jo aq sa të themi se Gjirokastra po bëhet kantjer rindërtimi.

Specialistë që e njohin dhe e duan Gjirokastrën, shprehin shqetësim për cënimin e urbanistikës dhe peisazhit të qytetit muze me ndërtime pa kriter brenda e jashtë zonës muzeale. Në qendrën e re të qytetit, mbi stadium, pallatet shumëkatëshe prej betoni kanë mbyllur pamjen piktoreske të Lagjes Palorto. Lagja Granica dhe Lagja e Shtufit, përbri Palortosë, janë një pasqyrë e shkeljes së kanunit arkitektonik, ku shtëpitë në pjerrësi kishin një lartësi të caktuar dhe nuk ia zinin pamjen njera – tjetrës. Me ndërtimet pa kriter, kjo lagje shtesë nga ana e stadiumit e mylli panoramën dhe prishi kompaktësinë estetike të ansambleve të sipërme.

Gjithnjë kam menduar çfarë ka të veçantë Gjirokastra. Po. Janë një duzinë lagjesh të saj, që janë malore, kurse Berati ka vetëm një lagje në malore, Mangalemin. Edhe Kruja është në terren shkëmbor, por nuk i ka përmasat dhe shtrirjen e Gjirokastrës. Shtrirja plot përthyerje, ulje-ngritje e Gjirokastrës, ansamblet e shumta arkitekturore, rrjetëzimi i përrenjve dhe harkimi i urave, konfiguracioni i saj i japin individualitetin e spikatur dhe e bëjnë unikale.

Sa herë do të hysh në brendësi të Gjirokastrës, do të zbulosh pamje tërheqëse, gjëra të reja në mjediset e vjetra. Gjirokastra ka shumë pika shikimi, balkone, aq sa asnjë qytet tjetër i Shqipërisë: Kalaja, Kuculla, Bregu i Ciut, Kodra e Shtufit, Bregu u Baboçatëve, Shtëpia e re e Pritjes, Lëmi i Zekove (ku është dhe sot ndërtesa e re e radiotelevizinit lokal) e ndonjë tjetër, që mund të përshtaten edhe më mirë për soditje, pa harruar se gati gjysma e kalasë është e paafrueshme për vizitorët. Gjirokastra-qytet muze ka një varg shtëpish muze, por edhe pika të shumta ku kanë ndodhur ngjarje historike. Në Gjirokastër, sidomos në lagjet e sipërme dhe prapa Kalasë, banojnë njerëz që, pavarësisht nga tjetërsimi i thellë demografik, ruajnë e konservojnë një konstitucion shpirtëror e kulturor të qendrueshëm.

Gjirokastra është qytet muze, një muze gjigand i banuar, çelësat e të cilit, shumicën, i kanë në dorë vetë banorët tradicionalë të saj. Ka vlera jo vetëm qendra e vjetër, por edhe në lagjet e tjera. Sepse ka lagje të tëra si Manalati e Cfaka, pas kalasë, që ngjan se janë hedhur prapa krahëve të kujdesit e vlerësimit që meritojnë. Flitet për dhjetra miliona dollarë derdhur nga qeveria për turizmin dhe ruajtjen e përmendoreve të së kaluarës, por sa prej tyre përdoren për të parandaluar dhe korrigjuar cënimet që e denatyrojnë Gjirokastrën? Po ndërsa shtëpia e shkrimtarit pret me orë ditën e përurimit, mjaft shtëpi të vjetra gjirokastrite bien. (Deri edhe ambasadori amerikan Arvizu u shqetësua pse banesat karakteristike gjirokastrite po bien njera pas tjetrës). Bien shtëpitë karakteristike, rroposen vetë, e numri i tyre shtohet tronditshëm, aq sa edhe një specialist nga Turqia e sotme tha se gjendja është alarmante.

Kalben dritaret, trarët e dyshemetë, fundosen çatitë, shemben muret pasi lëshojnë bark, nën peshën e borës, të kohës dhe të indiferencës, në kushtet e pafuqishmërisë së pronarëve dhe të shtetit për t’i mirëmbajtur e ringjallur, sepse shpenzimet për privatët janë të papërballueshme. E, ndërsa fantazmat e tilla shtohen, shumëkatshet prej betoni lartësohen.

Në lagjen Meçite në vitin 2014 takuam zonjën Anastasi, deri dje pronare e Banjës turke, që në derën e Banjave kishte vënë një dryn të markës kineze, Trois   Cirkles 084 . Krojet afër xhamisë nga shtatë janë bërë pesë. Ndërsa në televizionin lokal flitet për rehabilitimin e tyre dhe të Banjave përmes investimesh të konsiderueshme.

***

Këculla, kapuçi shkëmbor e belvedere e Gjirokastrës, ka pothuaj të njëjtën lartësi me kullën Ejfel të Parisit. Do të ishte, ndoshta, një kuturisje kënaqësore që autori të ngjitej një ditë, si në rini, në atë lartësi dhe ta shikojë Gjirokastrën nga lart, siç e pa nga kodra Rastinjaku i Balzakut Parisin.

Me njohjen ndërkombëtare në rritje, shkrimtari kishte të drejtë të ngjitej në atë lartësi dhe të thoshte: “Të munda, o lëkurë e vjetër!” Por nuk i shkoi ndërmend. Dhe është kuptimplot pohimi i gazetarit dhe kritikut të shquar letrar amerikan Richard Eder, që shkroi në gazetën “New York Times” në vjeshtën e vitit 2008 për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, se   e ndien veten provincial përballë kulturës, narrativitetit dhe gjithçkaje që shqiptari rrezaton në këtë roman.

(Ai ka shkruar e folur edhe për romanet “Kronikë në gur”, “Piramida”, “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tre harqe”, “Trashëgimtari” etj. dhe e quan veprën e Kadaresë një zbulim të madh, duke shprehur brengosjen pse romani që e bëri të famshëm u njoh aq vonë në Amerikë).

Qytetar i botës dhe banues në shtëpitë e miliona njerëzve, edhe matanë Oqeanit, Ι. Kadaresë i mungon shtëpia e vet në Gjirokastër. Është i dënuar me brengë dhe mall për të. E për të gjitha rastet e ardhjes së tij në Gjirokastër vlejnë ndjesitë e shprehur tek memoriali në fund të romanit “Kronikë në gur”, 1970: “Shtëpia e vjetër. Trarët, dërrasat, shkallinat e saj kërcisnin lehtë, fare lehtë, me një kërcitje të vazhdueshme, monotone. Ç’ke, ç’të dhemb? Dukej sikur ajo ankohej se i dhembnin kockat dhe gjymtyrët shekullore. Gjyshe Selfixhe, Xhexho, hallë Xhemo, nënëmadhe, Kako Pino…Ato s’ janë më por udhëkryqeve, nëpër kënde muresh kam parë ca vija të njohura, ca si tipare, hije mollëzash e sysh. Ato janë atje, të përjetshme, të ngrira në gur, bashkë me shenjat që kanë lënë sipër tyre tërmetet, dimrat apo rrebeshet njerëzore”.

***

Gjirokastra historike dhe bashkëkohore, me arkitekturën dhe njeriun e saj nëpër breza, mbetet burim krijimesh edhe për autorë të tjerë, letrarë dhe artistë gjirokastritë, që gjithsesi ecin në rrugën e gjerë që hapi në letërsi shkrimtari me emër. Ndjenjat dhe mendimi i tyre për Gjirokastrën mund të përmblidhen në deklarimin e piktorit Bashkim Ahmeti se: “Për mua Gjirokastra më shumë se vendlindje është një IDE e madhe, një enciklopedi e historisë, e ngjarjeve dhe e personazheve, e bukurive që ka mbrujtur, shfaqur ose i mban fshehur në brendësi të hijeve të thella që e mbështjellin” (Th. Dino, “Themele dhe rrënoja”, bot. “Argjiro”, 2011, f. 244).

Midis emrave vendosur këto vite rrugëve të qytetit, dhe krahas emrit të shkrimtarit, lexojmë tabela me emrat “Rruga e Bilbilave” e “7 Kronjëret” dhe “Dino Çiço”. Është e gjatë lista e pagëzimit të rrugëve, me emrat e figurave gjirokastrite e më gjerë, me gjurmë e kontribute të ndryshme nëpër breza e kohë.

Megjithë paradokset e tranzicionit të tejzgjatur, Gjirokastra i bëri sa mundi e ku gjeti rast, nderet birit të shquar. Përveç titullit “Nder i qytetiti” dhe medaljonit në qendër të qytetit, u pagëzua me emrin Ismail Kadare rruga e Gjimnazit. Portreti i shkrimtarit është në ballë të galerisë së arteve figurative në kubetë e kalasë. Edhe në ekspozitën më të re, në qendër të sheshit të vjetër, Kadare është emblemë, nga skulptori gjirokastrit Stefan Papamihali.

U punua disa vjet që të hapet në kala një muze tjetër përveç atij ekzistues. Nga buletinet e viteve 2008-2009 mësojmë se një tunel – bunker me gati 50 dhoma, i ndërtuar në vitet ’80 për udhëheqjen komuniste të qytetit, mund të hapet për vizitorët. GCDO, në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës, përfunduan fazën e parë të punës, pastrimin dhe rehabilitimin e sistemit të ndriçimit. Përpjekjet synojnë ta kthejnë tunelin në gjendjen e dikurshme dhe në një qendër të vizitueshme. Ideatorët dhe nismëtarët e këtij muzeu – tunel   menduan të krijojnë në të   edhe një pavijon për Gjirokastrën siç e koncepton I. Kadareja në librat e tij. Dëgjojmë se finacues i kësaj ekspozeje – galeri është një amerikan.

Nga drejtori i GCDO në Gjirokastër, z. Sadi Petrela, mësojmë se shkrimtari Ismail Kadare e ka kundërshtuar nismën që muzeu i ri të emërtohet “Kronikë në gur”. Por ka edh më keq: Me shkas nivelin e pakënaqshëm të kuadrove që përgatit e nxjerr Universiteti “Eqerem Çabej” i Gjirokastrës, familja e shkencëtarit të madh ka kërkuar heqjen prej institucionit, të emrit të gjuhëtarit të shquar.

Në Gjirokastrën e të mençurve ka ide interesante, por edhe kuturisje që shkojnë deri në kufi të marrëzisë. Një nga marrëzitë e mundshme është likuidimi i pinakotekës së pasur në kala, për të ndërtuar atje një pavion arkeologjik.

Corine Lemse më 5 nëntor 1992 në gazetën “Le monde”, thotë se midis sendeve të cilat i kishte sekuestruar policia politike shqiptare shkrimtarit I. Kadarese pas largimit më 1990 dhe që policia demokratike ia ktheu, gjenden dy revolverë – relike familjare.

Çfarë ofrojnë shkrimtari e familja dhe çfarë relike qytetarët? Ja një pohim i paradokohe i shkrimtarit:

“Arkitekti është nje fqinj i imi dhe e njihte shumë mirë, që kur ne ikëm dhe e braktisëm dhe shkuam në Tiranë. Kemi lënë shumë dhe më tha që ka marrë djepin që jemi rritur ne dhe do ta vendosim aty”.

Në atë djep u përkundën edhe fëmijë të familjes Doraci e djepi do të zerë vend në këndin e vet të dikurshëm. Më pas shkrimtari fjeti në stromë, shtroje në dysheme, në dhomën e gjumit. Tek “Poema e blinduar”, viti 1964,   ai thotë: “Nëse krevatet i kemi patur të zakonshëm,/ varret do t’i kemi madhështorë”…

Dikush ka marrë një hekur rrobash dhe gurin e bluarjes së kafesë, të cilat i gjeti në rrënoja.

Në një shtëpi gjirokastrite gjendet porta e shtëpisë, në anën e pasme të së cilës djaloshi kishte gdhendur inicialet e së dashurës.

Në gazetën “Albania”, 6 mars 2008, Roland Gjoza flet për një plakë gjirokastrite, bashkënxënëse e shkrimtarit të shquar, e cila gjeti midis rënojave “një fletorkë të klasës së gjashtë plot me vjersha”, të cilën e ruan dhe pret autorin të vijë t’ia japë në dorë. Ndoshta edhe të tjerë ruajnë diçka prej tij. Një laps, një shënim në bllokun e kujtimeve, një letër. Kujtime, mbresa, sende që marrin vlerë tjetër, kur mësohet se i takojnë atij, kanë firmën e tij. Dhe kureshtja se në cilën klasë, në cilën bankë u ul dhe cili apo cila ishte shoku apo shoqja në krah.

***

Më 8 prill 2009 shkrimtari u takua në hotel “Çajupi” me bashkëqytetarët dhe njerëzit e artit e të kulturës. Mjedisi i takimit ishte përplot, aq sa shumë qëndronin në këmbë. Ishte data 9 prill 2009, kur I.Kadareja ngjiti “Sokakun e të Marrëve” dhe zbriti një rrugicë paralele më tej, për një vizitë në shtëpinë e Sotiraq Paskalit, njeriut me disa fusha talenti, të Gjirokastrës. Me të ishte bashkëshortja Helena dhe grupi i xhirimit i regjisorit dhe operatorit Piro Milkani. Duke njohur dhe vlerësuar veprimtarinë në tërësi por edhe veprat e artit në dhomën e kthyer në galeri, shkrimtari i shquar i tha jo pa humor Raqit:

“Kurora e lavdisë të takon ty, se ne ikëm, kurse ti nuk u largove dhe i dhe shoqërisë e këtij qyteti”.

Kështu na thanë Raqi dhe bashkëshortja Frida, që nuk jeton më, gjatë një vizite në shtëpinë e tyre. Dialogu midis Sotiraqit dhe Ismailit gjendet edhe në dokumentarin e Piro Milkanit.

Por shkrimtari nuk mund t’i mbledhë miqtë e vet dhe dashamirët në odën e madhe të shtëpisë prindërore. Se ajo është e pambaruar, e kyçur, dhe kyçin e madh e mbajnë burokracia dhe mospërgjegjësia, duke e lënë në njëfarë mënyre jashtë saj. Kështu, takimin e fundit me ta ai e bëri te rruga, në kubenë e hapur, në këmbë, ku u mblodhën shumë njerëz, që ndoshta edhe e besdisën.

Nxënësit e shkollave gjithnjë e më tepër i drejtohen bibliotekës së qytetit, që të njihen me veprën e gjerë e të çmuar letrare të shkrimtarit. Dhe në librarinë e vetme të qytetit librat e rinj të I. Kadaresë shiten më tepër se të çdo autori tjetër, pothuaj brenda ditës. Ato bëhen objekt diskutimesh të lira, tema hartimi për nxënësit dhe studjohen në programin universitar. Por mendoj se vepra letrare e I. Kadaresë dhe vepra shkencore e E. Çabejt mund të hyjnë në programin mësimor të universitetit të qytetit ose në një program tjetër, si një seri leksionesh ose bisedash popullarizuese. Kurse me pjesët më të bukura për Gjirokastrën, prozë dhe poezi, të shkrimtarit, mund të hartohej e botohej një antologji.

***

I mallëngjyer nga vizita në kinemanë e vjetër të qytetit, poeti shprehej dikur se “si hamall këto stola do t’i mbart mbi vete” (1964).

E mbajti në kraharor qytetin, si Sizifi mitologjik shkëmbin e vet dhe si Atlanti mbi supe kupolën e qiellit. E mbarti si një peshë të madhe e të veçantë, për t’ua bërë dhuratë letrare lexuesve, bashkëqytetarëve dhe brezave, një përmendore artistike. Dhe qyteti mban mbi vete peshën e veprës dhe emrit të tij, nga e cila nuk mund të “shpëtojë”. Peshën e saj e ndien çdo lexues.

Për Gjirokastrën shkrimtari ka folur me të gjitha llojet dhe gjinitë letrare: poezi, prozë, dramë, tregim, novelë, roman, skenar filmi, reportazh letrar, studime, ese, kujtime, letërkëmbim, dshe me të gjitha mënyrat: intervista në shtyp, biseda në televizion, takime me lexuesit.

Materiali letrar e publicistik që ofron pena e Ι. Kadaresë për Gjirokastrën është i pasur e mund të shkruhet shumëfish. Gjirokastra mbetet deri vonë burim i pashtershëm për motivet, temat dhe botën ndjesore të tij. Atje ishin personazhet dhe tipat me koloritin e papërsëritshëm (Argjiroja, Doruntina, Plaka Nicë, Kako Pinua, plakat e Jetës, shpikësi Dino, xha Avdua, Babazoti, Doktor Gurametoja, etj.) dhe të tjerë që vazdojnë të popullojnë veprën e tij, atë që merr shkas nga vendlindja dhe në tërësi. Atje ishte që herët e folura e spikatur dhe tharmi i gjuhës. Një kod komunikimi që duhej njohur e zbërthyer me talent e durim. E përveçme dhe njëherësh tipike, Gjirokastra që pasqyron me vërtetësi dhe njëmendësi I. Kadare, mjediset karakteristike, botën zakonore, ndihmojnë për të njohur fozionominë, rindërtuar sidomos të kaluarën e saj.

Lidhjet e shkeimtarit me qytetin marrin disa herë forma të mbinatyrshme. Diku e quan Gjirokastrën qendër e perandorisë e diku tjetër qendër të botës.   Në fantazinë e tij shtrihen linja ajrore si: Gjirokastër – X,   J – Gjirokastër, Gjirokastër – Akademi e Vjenës, Pullazi i shtëpisë së Dino Çiços – Babiloni – Gjirokastër. (Ismail Kadare, “Ftesë në studio”, 1989, f.302). Tek intervista dhënë Frederic Fernezit, në Revue shkurt 2013, I. Kadareja pohon se në një fare mënyre Një mendim të ngjashëm ka shprehur Helena Kadare në kujtimet e saj voluminoze.

Sa herë kemi kujtuar se shkrimtari e mbylli kapitullin e Gjirokastrës, u lodh me të apo nuk ka ç’të thotë tjetër, ai ka dalë nga një shteg i ri dhe ka befasuar lexuesit. Vokacioni i vendlindjes jeton brenda tij si “kushtrimi i të parëve”. Njohja e parë dhe lidhjet e përhershme me të janë së pari emocionale dhe psikologjike. Dhe kujtesa e tij në vitin e 80 të jetës është e kthjellët, e saktë, e freskët, me afësinë të nxjerrë në reliev gjëra të reja. Kujtimet i burojnë të shumta e ngjarjet të gjalla, sikur të kenë ndodhur dje. Do të mund të shkrunte vetëm kujtime, se, sipas traditës e modës, është mosha e kujtimeve, por veprimtaria e mirëfilltë letrare dhe pjesëmarrja në jetën kulturore e politike të vendit, nuk ia lejojnë këtë komoditet.

Ngjan se shkrimtari nuk mund të ndahet nga vendlindja, por edhe ajo nuk e le të qetë. “Kudo që shkoj atdheun e mbart si plagë” thotë nobelisti   grek Jorgos Seferis. Nuk besojmë se e tepërojmë po të themi se kjo “plagë” për I. Kadarenë është Gjirokastra. Dhe si elefanti plak që nuk harron vendlindjen, ai kthehet atje sa e kur mund, për pak “oksigjen të gurtë”, siç shprehet diku poeti Dino Çiço i ri: Gjirokastra është oda më e hijshme dhe mbresëlënëse e ngrehinës letrare kadareane. Atje ishin dhe vijojnë të rrojnë personazhet dhe tipat me ngjyrimet e papërsëritshme. Konfiguracioni i qytetit është bërë një me arkitekturën artistike të veprës së tij letrare.

Gjirokastra ishte dhe mbetet burimi i pazëvendësueshëm për motivet, imazhet dhe përsiatje, për të nxjerrë në spikamë diçka thelbësore, domethënie, që i kalojnë caqet e ngushta të mjedisit konkret. Nëse nuk do të ishte ky synim dhe kjo përmasë letrare, krijimtaria e autorit do të mbetej diçka vërtet provinciale dhe ekzotike.

Fizionomia dhe ecuria e tij krijuese nuk mund të kuptohen e shpjegohen në thellësi, nëse nuk njihet mjedisi ku u rrit, kurse ngjan se Gjirokastra nuk mund të kuptohet dhe të njihet mirë pa veprën e tij të pasur e letrare dhe pjesët e shumta që i kushtohen posaçërisht asaj. Konfiguracioni i qytetit është bërë një me strukturën artistike të krijimeve të tij, dhe lexuesit, sidomos të huajt, nuk mund ta mendojnë Gjirokastrën pa imazhet dhe përshtypjet nga vepra e tij letrare.

Dëgjojmë se nga viti 2005, kur e mori në mbrojtje UNESKO, numri i turistëve në Gjirokastër u pesëfishua. Në vitin 2012 numri i shtretërve për turistë arriti në 500. Vijnë mjaft turistë, kryesisht gjermanë dhe italianë,   por edhe nga rajoni i Ballkanit. Dhe, pas kalasë hijerëndë, atraksioni i tyre është shtëpia e shkrimtarit. Në këtë kuadër, është me interes të përmend studjuesen e re polake Eva, 22 vjeçare, e cila erdhi dhe qëndroi disa muaj në Gjirokastër, që të thellojë njohuritë për gjuhën shqipe, pranë Universitetit. Në Poloni ka katedër të gjuhës shqipe dhe ajo erdhi në Gjirokastër me përparësi, e informuar. Ishte e pajisur me një hartë të vjetër të Gjirokastrës dhe, midis të tjerave, kërkoi të vizitonte shtëpinë ku ka lindur shkrimtari i mirënjohur. Pastaj vizitoi me radhë Muzeun Etnografik, shtëpinë Zekate, shtëpinë e Topullarajve dhe, doemos, kalanë. E shoqëronte gjirokastriti Flamur L., elektricist pranë konviktit të vajzave studente. Kur u largua, Eva premtoi se do të kthehej në Gjirokastër për të parë Festivalin Folklorik Kombëtar. Erdhi, duke sjellë me vete tre kolegë me përvojë nga Varshava. Edhe këta i çoi të shikojnë shtëpinë e shkrimtarit.

Një studente vjen nga Parisi për temën e saj të disertaciuonit, që lidhet me vendlindjen e shkrimtarit. Një çift holandez, në pamundësi për të hyrë brenda, ledhaton me duar gurët e mureve të shtëpisë. Dhe në vargun e njerëzve që pohojnë se Shqipërinë e njohën përmes librave të I. Kadaresë vjen edhe shkrimtari i shquar maroken Tahar Ben Hellou, që shkruan në frëngjisht (“Gazeta shqiptare”, 22 shkurt 2014), i cili shpreh dëshirën që edhe ta vizitojë.

Mësojmë se vitet e fundit një grup nxënësish gjermanë dhe shqiptarë nga Gjirokastra, me ekspertin e GTZ/CIM, zotin Dompke, përgjegjës për ruajtjen e monumenteve historike, ndoqën një guidë në gjurmët e shkrimtarit Ismail Kadare, vendet ku zhvilloheshin ngjarjet në romanin “Kronikë në gur” deri në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit.

Please follow and like us: