Filmi dokumentar “Skënderbeu Ynë”, me mesazhe të fuqishme të bashkimit mbarë kombëtar!
Miradie Maliqi, Cyrih, 29 tetor 2018.
Viti Jubilar i Festimeve për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, po ndjehet anembanë trojeve shqiptare, përmes veprimtarive të ndryshme të organizuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo në botë, ku jetojnë shqiptarët. Patriotizmi shpehet natyrshëm dhe fuqishëm veçanërisht në kuvendet ku mblidhen bashkatdhetarët jashtë shtetit.
Unë do të sjell në këtë shkrim emocionet dhe mbresat që na krijon dokumentari i RTSH-së, me titullin “Skënderbeu Ynë”, që po shfaqet e rishfaqet në ekranin e vogël të televizionit, i paraparë tashmë në çdo pjesë të kontinenteve, ku përkujtohet bukur Epoka e madhe Skënderbejane.
Kam patur fatin të bashkëpunoj me autorët e dokumentarit, që në zanafillë të idesë për të krijuar këtë film.
Me skenaristen e njohur të filmit dokumentar, (mbi gjashtëdhjet filma si skenariste dhe regjisore), Angjelina Xhara, kemi biseduar gjatë për këtë temë të dashur për të gjithë.
Kolegu i saj i vjetër i televizionit shqiptar, operatori i njohur i Tvsh-së, Bujar Kore, i kishte propozuar për ta bërë këtë film. Gjetja krijuese e Angjelinës ishte sjellja e Heroit të madh përmes veprave të artit kushtuar kësaj figure madheshtore të historisë nga artistë të medhenj mbrenda dhe jashtë Shqipërisë.
U gjet struktura ideoemocionale e ndërtimit të dokumentarit përmes pasionit të madh dhe vëzhgimit të thellë ne një det materiali, të mbyllura nëpër Arkiva dhe shumë veprave të artit në pikturë, sklupturë, muzikë,filma ,studime,libra të shumtë të shkruar për këtë Hero të madh.
Si vjen troku i Kalit të Skenderbeut në fillim të këtij mijëvjeçari të tretë?
Me këtë pyetje fillon filmi, duke na përçuar mesazhe të fuqishme aktuale. Troku i kalit të Skënderbeut vjen me forcën e të vërtetës dhe troket fuqishëm në dyert e Europës, si një Ndërmjetës i Madh!
Shqiptarët luftuan për një çerek shekulli në mbrojtje të Europës e Krishterimit…Europa i ka një borxh të madh shqiptarëve trima e patriotë.
Ky mesazh kryesor i filmit të emocionon në çdo sekuencë e në çdo detaj të zgjedhur me kujdes nga autorët, të cilët me këtë film ngrejnë lart emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Për gjatë filmit intervistuesit, studiusit dhe artistët, që e kanë ngritur në piedestal heroin, sjellin meditimet e tyre rreth figurës së Skënderbeut, të quajtur ‘Capitanus Generalis’ nga Humanistet Europianë.
Këshilltari i filmit, Doktori i Shkencave, Moikom Zeqo, shprehet në film se ishte Pena e Barletit që bëri të ndriçojë në botë, shpata e Skenderbeut..
Rreth një mijë vepra letrare janë shkruar për Skenderbeun, thotë në film ideatori i ngritjes së bustit në Gjenevë, Astrit Leka.
Dokumentari “Skënderbeu i ynë” përgjatë dyzet e pesë minutave të shoqëron me bukuri mendimi duke parë monumentet madhështore nga Tirana në Romë, nga Gjeneva në Bruksel, nga Prishtina në Shkup, nga Londra në Detroid të Amerikës!
Këto monumente të krijuara në një periudhë të gjatë kohore por vitet e fundit të krijuara nga vetë Mërgimtarët. Monumenti i Skënderbeut ështe mbështetje e fuqishme emocionale historike, për identitetin e tyre, për bashkimin e tyre pranë Heroit dhe Idealit Kombëtar.
Në film citohen edhe fraza me peshë të rëndë mendimi të thëna nga studjues ndërkombëtarë.
Pa shpatën e Skenderbeut, Europa nuk do kishte mbrojtjen e saj përballë ushtrive osmane.
Kaq lartë u ngrit Fama e Skenderbeut, sa vetë Sulltani kërkoi shpatën e tij dhe Skenderbeu ia dha, thotë Legjenda…Kur bashkëkohësit e pyetën heroin përse e bëre këtë gjë, ai u përgjigj:Unë dhash shpatën, por jo krahun tim.
Filmi ka disa kulminacione artistike…Kujtojmë çastet kur flokët e dëborës bien mbi supet e monumentit të Skenderbeut mbi kalë në Tiranë. Dhe zëri i folësit në dokumentar ngre pyetjen “Kohë të vështira apo të bardha paralajmëron orakulli i Historisë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqipëtarëve»?
Një metaforë e fuqishme vjen në ekran. Toka shqiptare është tokë e bekuar nga Zoti!
Skënderbeu vjen në krye të treqind trimave të tij dibranë dhe përkulet pranë dheut të të parëve…
Çast kryevepër i marrë nga filmi artistik, ruso-shqiptar ‘
Kohë më parë Papa i Romës sapo zbret nga aeroplani, përkulet dhe e puth tokën shqiptare.
Filmi dokumentar “Skënderbeu i ynë” është një film që i flet historisë së djeshme të sotme dhe të ardhmes.
Ai po çfaqet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Troku i kalit të pandalshëm të Skënderbeut ecën përkrah me zërin e humanistëve të medhej europianë, Bajroni, Volteri, Gëte, Edit Durham…Për Skënderbeun tonë flasin piktura të piktorëve të medhenj si Rembrand e Delakrua, për të kompozuan opera Vivaldi, Fransua Rable, Hans Zimmer deri tek Fan Noli i ynë.
Skulptorë të mëdhenj nga Romaneli që ngre monumentin në mes të sheshit Piaca Albania në Romë, deri tek bustet e shpërndarë kudo nëpër botë të gdhendura me talentin e Odise Paskalit…Kuvendojnë shqiptarët me krenari te ligjëshme me monumentet madhështore në Tiranë dhe Krujë, Prishtinë e Shkup, Romë e Kalabri, Gjenevë e Londër, Detroit…
Emocione dhe mbresa të pafund të jep ky dokumentar, autorët e të cilit po marrin mirënjohjet e merituara nga shikuesit kudo nëpër botë.