Albspirit

Media/News/Publishing

Kandidati i së djathtës ekstreme fiton zgjedhjet në Brazil

Ish kapiteni i ushtrisë, Jair Bolsonaro është zgjedhur president i Brazilit pas zgjedhjeve të mbajtura ditën e diel në këtë shtet, duke premtuar ndryshim rrënjësor në shtetin e Amerikës Latine.

Pavarësisht deklaratave kundërthënëse për mbështetjen e tij të hapur për torturën e kryer nga regjimi i ushtrisë së mëparshme të Brazilit dhe cilësimit të tij si racist e homofobik, Bolsonaro ka arritur të fitojë votat duke shfrytëzuar zemërimin e popullatës për korrupsionin dhe krimin.

Rezultatet zyrtare e kanë shpallur atë fitues me 55.13 për qind të votave, derisa kundërshtari i tij i krahut të majtë Fernando Haddad ka fituar 44.87 për qind të votave.

Bolsonaro, politikan i të djathës ekstreme do të nisë mandatin presidencial më 1 janar.

“Ne do ta ndryshojmë së bashku fatin e Brazilit”, ka thënë ai në fjalimin e fitores.

Ai është zotuar se do të qeverisë “duke u bazuar në Bibël dhe kushtetutë” dhe ka thënë se “ne nuk mund të vazhdojmë flirtin me socializmin, komunizmin, populizmin dhe ekstremizmin e së majtës”.

Mijëra mbështetës të tij kanë mbushur sheshet dhe rrugët e Rio de Zhaneiros, duke ngritur flamuj brazilianë dhe duke nisur fishekzjarre.

“Të gjithë këta persona janë të zemëruar, të shqetësuar për krimin dhe korrupsionin, ne jemi me Bolsonaron. Njerëzit kanë folur. Për herë të parë ndjehem i përfaqësuar”, ka thënë Andre Luiz Lobo, 38 vjeçar.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump ka telefonuar Bolsonaron për t’i uruar fitoren.

Përndryshe, Bolsonaro, i cili konsiderohet nga disa si “Trumpi tropikal”, ka treguar publikisht admirin për presidentin amerikan.

Please follow and like us: