Albspirit

Media/News/Publishing

Turqia inauguron aeroportin më të madh në botë

Me një kapacitet pritjeje prej 90 milionë pasagjerësh në vit, u hap aeroporti i ri i Stambollit, për të cilin presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, përgatiti një ceremoni solemne. Pjesë e ceremonisë së hapjes së këtij aeroporti janë krerë shtetesh dhe krye diplomatë nga vende të ndryshme të botës. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ka takuar aty Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Kreu i Shtetit ka postuar foto në Facebook nga takimi me homologun turk, ndërsa shpreh kënaqësi për bisedën. Në takim siç shihet nga fotot e publikuara nga Presidenti Meta, marrin pjesë dhe liderë të tjerë të rajonit, si Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky aeroport pritet të renditet mes pesë aeroporteve më të mëdhenj në botë dhe është ndërtuar në një zonë të Stambollit të quajtur “Arnavutkoy”, që në shqip do të thotë “Fshati i shqiptarëve” “Për 10 vite, kapaciteti i pritjes së aeroportit pritet të arrijë deri në 200 milionë pasagjerë në vit”,- sipas operatorit IGA që do të shfrytëzojë aeroportin. ”Në këtë rast ai do të jetë në rangun e parë të aeroporteve më të rëndësishëm në aspektin e kapacitetit të pritjes, sipas organizatës botërore të aeroporteve, “Airport Council International” (ACI). Në vitin 2017, ishte aeroporti amerikan i Atlantës që kishte dalë në krye të këtij klasifikimi me 103,9 milionë pasagjerë në vit. “Ai ndiqej nga Pekini (95,7 milionë), Dubai (88,2 milionë), Tokio (85,4 milionë) dhe Los Anxhelesit (84,5 milionë)”, sipas ACI-së. Ndërtuar nga një konsorcium prej pesë kontraktorësh – Limak, Kolin, Cengiz, Mapa dhe Kalyon, projekti do të sigurojë më shumë se 26 miliardë euro (30.65 miliardë dollarë). E ndërtuar në një sipërfaqe prej më shumë se 76 milion metra katrorë, në fazën e parë aeroporti do të presë rreth 90 milione pasagjerë. Kompleksi gjigand pritet të përfundojë plotësisht në 2023 dhe ai do të ketë një kapacitet prej 500 avionësh që do mund të lëvizin në pista të ndara dhe rreth 200 milion pasagjerë vjetorë, gjithashtu një parkim të hapur dhe të mbyllur ku mund të qarkullojnë rreth 70 000 makina. Përveç pistave të avionëve, ky do të jetë gjithashtu edhe kompleksi me i madh duty-free në botë. Me një sipërfaqe rreth 53 000 metra katrorë do të ketë në të dyqane luksoze dhe jo vetëm.

Udhëtimi i parë nga ky aeroport do të jetë drejt kryeqytetin turk Ankara më 31 tetor, ndërsa fluturimi i parë ndërkombëtar me Republikën Turke të Qipros Veriore të nesërmen.

Please follow and like us: