14-vjeç me uniformë, ministri i ri tregon historinë e jetës
Sandër Lleshi ka rrëfyer për herë të parë arsyen që e shtyu për të zgjedhë shkollën ushtarake në Tiranë. Përgjatë një interviste me gazetarin, Blendi Fevziu, të hënën, Lleshi tregoi se zgjedhja e parë e këtij profesioni erdhi për shkak të rënies në kontakt në klasën e 8-të, rreth 14-vjeç, me një revistë ushtarake.
Ai tha se në atë moment fantazia e fëmijës u zgjua dhe aty vendosi të ndjekë shkollën ushtarake. Lleshi tregoi se këtë dëshirë së pari e konsultoi me mësuesen e tij dhe pastaj me prindërit.
Sipas tij, jo vetëm mësuesja por edhe familjarët, i dolën kundër kësaj dëshire duke e vlerësuar si një zgjedhje të gabuar.
Ndërsa, më tej, tregon se në një rast të tillë fitoi fëmija.
Lleshi: Në klasën e 8 rashë në kontakt me një revistë ushtarake. Fantazia e fëmijës u zgjua dhe vendosa të shkoj në shkollën ushtarake. Takova mësuesen time dhe i thashë se do shkoj në shkollën ushtarake. Mësuesja dhe familja më doli kundër që të mos shkoja në shkollën ushtarake. Por në këtë rast fitoj fëmija. Shkolla ushtarake ishte një shkollë spartane, e fortë dhe shumë ushtarake dhe fizike. Pastaj shkova në Akademinë Ushtarake dhe zgjodha një degë teknike, pra u specializova tek radarët.