Bedri Blloshmi: Projektet e huaja për kufijtë e Shqipërisë
KONGRESI I BERLINIT, 13 QERSHOR – 13 KORRIK 1878
Kongresi i Berlinit u mbajt pikërisht për të balancuar interesat e ortodoksisë, duke shndërruar Shqipërinë etnike, në “gjah” të Rusisë. Gjashtë Fuqitë e Mëdha, Rusia, Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia, që vendosën për fatin e Shqipërisë, nuk i dëgjuan thirrjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke mos i njohur të drejtat e kombit shqiptar. Vendimi i tyre qe traktati i varrimit të Shqipërisë. Për këtë arsye, kryesuesi i Kongresit të Berlinit, Bismarku, fitoi epitetin kasapi i kombit shqiptar. Sipas të dhënave të verifikuara mirë, Mali i Zi u zgjerua me 4 683 km2, Serbia me rreth 10 500 km2, bëhet fjalë për pushtimin dhe aneksimin e pjesës absolute të sanxhakut të Nishit, të vilajetit të Kosovës i cili kishte 10 972 km2 dhe Greqia me 9 275 km2. Sipas traktatit të Kongresit të Berlinit nga njësia etno-kulturore dhe gjeopolitike e Shqipërisë u shkëputën 24 458 km katror[1]. Në fund të shekullit të XIX, Shqipëria etnike kishte një sipërfaqe prej 90 000 km2 dhe kishte 2 697 960 banorë. Ajo përbëhej nga 4 vilajete: vilajeti i Kosovës me 32 900 km2, vilajeti i Shkodrës me 10 970 km2, vilajeti i Manastirit me 28 500 km2 dhe vilajeti i Janinës me 17 900 km2. Fatkeqësisht, Konferenca e Ambasadorëve dhjetor 1912-gusht 1913 nuk e mori parasysh Aktin e Shpalljes së Pavarësisë dhe nuk i përfilli këta kufij.
Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të Europës dhe Rusisë më 29 korrik 1913, aprovoi projektin austro-hungarez për “principatën e Shqipërisë”, duke i lënë Shqipërisë 28 760 km2 me rreth 800 000 banorë ose një të katërtën e territorit. Kështu nga katër vilajetet e Shqipërisë deri në fund të vitit 1912, Londra shkëputi prej trupit të kombit shqiptar në favor të Greqisë, Serbisë e Malit të zi 61 510 km2 dhe mbi 1,8 milion banorë me shumicë absolute shqiptare, në total, duke filluar nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 e deri në Konferencën e Ambasadorëve 1913, Shqipërisë i janë shkëputur rreth 85 000 km2.
Gjatë luftërave ballkanike 1911-1913 dhe Luftës së Parë Botërore 1914-1918, sllavët përzunë me dhunë mbi 500 000 shqiptarë, 800 lokalitet u zhdukën dhe rreth 350 000 persona u vranë. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, popullsia shqiptare në trojet e veta llogaritej 2 300 000 banorë, në Konferencën e Paqes në Paris më 1920 informohej se brenda kufijve të Shqipërisë ishin 88 300 shqiptarë, ndërsa në vitin 1912 pas Shpalljes së Pavarësi numëroheshin 1 779 929 banorë. Në vitin 1919, Greqia largoi nga trojet e veta në Kostur e Follorinë 35000 shqiptarë dhe 180 000 të tjerë iu nënshtruan dhunës asimiluese. Nga vetë zyrtarët grekë në fillim të shekullit të XX-të, pranohej se brenda kufirit të tyre kishte 300 000 mijë shqiptarë…
Sipas të dhënave të Abdyl Frashërit dhe Mehmet bej Vrionit më 1879 Shqipëria etnike kishte 2 300 000 banorë tërësisht shqiptarë dhe në vitin 1920 kishte 1 779 929 banorë.
[1] Pirraku Muhamet, Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit. Prishtinë 1979, faqe 37.
—————————————————————-
Projektet e huaja për Shqipërinë
PROJEKTI AUSTRO-HUNGAREZ
Projekti austro-hungarez e kalonte kufirin prej Grykës së Bunës, në vijën kufitare malazezo-turke, në fund të Plavës e Gucisë, mbi Pejë, Gjakovë e Prizren, duke i lënë ato brenda Shqipërisë, dhe gjithashtu përfshinte Dibrën dhe Ohrin, dhe në Jug, Janinën e rrethinat e saj të populluara kryesisht nga shqiptarët. Përfaqësuesi i kësaj monarkie, këmbënguli, që “Shqipërisë nuk duhej t’i shkëputej asnjë krahinë thjesht shqiptare”, ndonëse e dinte që ishte e vështirë të ruheshin kufij të tillë, për shkak se fqinjët konsideroheshin si fitues të luftës kundër Perandorisë Turke[1].
PROJEKTI GREK
Ky projekt kërkonte pjesë të vilajetit të Janinës, Çamërinë në tërësi dhe pjesë të Shqipërisë Jugore, të cilat ishin territore të banuara tërësisht nga shqiptarë, duke përjashtuar ndonjë enklavë të vogël greke. Kërkesa e tyre përfshinte tërë bregdetin jugor shqiptar, duke u shprehur se dhe Himara duhet t’i jepet Greqisë. Argumenti është se Himara ekonomikisht është e varur nga Korfuzi, për shkak të tregtisë me të. Sipas projektit grek, Janina dhe Gjirokastra duhet t’i jepeshin Greqisë, pasi janë vijim i territorit grek dhe garantojnë kufijtë e saj në pjesën veriore[2].
PROJEKTI RUS
Ai i caktonte kufijtë midis Shqipërisë e Serbisë. Malit të Zi e Greqisë, duke lënë në favor të Shqipërisë vetëm shkrepa e male. Përveç pjesës që ka marrë aktualisht, Malit të Zi, i jepej dhe ultësira e Shkodrës. Serbia vinte deri në vijën e Drinit dhe delte në Adriatik. Greqia merrte Pogradecin, Korçën, Delvinën, Sarandën, duke futur brenda Ersekën, Përmetin, Tepelenën e Himarën. Ambasadori rus këmbëngulte që Shkodra edhe pse është 80 km larg Malit të Zi, t’i jepej atij sepse “nuk kanë tokë për t’u ushqyer”. Gjakova duhej t’i jepej Serbisë pasi aty afër ishte manastiri i Deçanit. Çamëria, Konica, Preveza, Arta, Janina, Korça, Kosturi, Saranda etj., duhej t’i jepeshin Greqisë, pasi garantohej mbrotja e saj nga veriu. Ky projekt linte jashtë Shqipërisë, Shkodrën e gjithë trevën veriore deri në kufirin me Malin e Zi dhe në jug, Korçën, Delvinën, Sarandën, e gjithë Çamërinë[3].
PROJEKTI SERB
Projekti sebo-malazez e kërkonte kufirin verior të Shqipërisë në lumin Mat, kufirin lindor në Drin dhe liqenin e Ohrit, duke pasur të drejtën e daljes në Detin Adriatik. Mali i Zi të merrte ultësirën e Shkodrës me gjithë Liqenin, Hotin, Grudën, Tuzin, Gucinë, Plavën, Rugovën, Pejën e Gjakovën me rrethinat e saj. Në janar të vitit 1913 ata i paraqitën hartën e kufirit ministrit të jashtëm anglez Eduard Grei. Ky projekt u mbështet fort nga rusët dhe nuk merrte parasysh interesat jetësore të shqiptarëve, por kërkonte përvetësimin e territoreve që ishin të banuara pothuaj tërësisht me popullsi shqiptare. Eduard Grei shprehet: “Unë Eduard Grei e di fare mirë se kur gjithçka të bëhet e njohur, kjo zgjidhje, në shumë pika, do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe historinë e tij”.
[1] Historia e Popullit Shqiptar, V.III, faqe 22.
[2] Arben Puto, “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha (1912-1914), faqe 84.
[3] Historia e popullit shqiptar, Vëllimi III, faqe 23.
——————————————————————
KUSHEDI SA GJAK DO TË DERDHET PËR TË LËVIZUR KËTA GURË
(Barbarizma ndaj Shqipërisë në vitin 1913)
Pas Konferencës së Berlinit dhe pas Marrëveshjes së Londrës mbërritën ndërkombëtarët që ishin zbatuesit e kësaj marrëveshje. Këta kishin marrë përsipër që të kënaqnin fqinjët grabitqarë në dhënien e copave që do të shkëputeshin nga trungu i mëmës Shqipëri. Flisnin shumë pak. Megjithëse vendimet ishin marrë, por formaliteti duhej kryer. Ky komision paguhej shumë mirë me sterlina angleze, dhrahmi greke dhe dinar jugosllav. Këta do të caktonin kufijtë e rinj të Shqipërisë.
Me këtë komision për të bërë punë hamallëkshe ishte dhe një shqiptar i cili do zbatonte urdhrat e tyre. Shqiptari kishte si detyrë të vendoste gurët atje ku i thoshin. Shqiptari, një fukara në pikë të fundit, i rreckosur, zbathur me këmbët që i kullonin gjak nga gurët e ferrat, mbante në shpinë një tip samari prej hekuri dhe brenda dy ose tre gurë të mëdhenj. I kërrusur nga pesha, në ballë i ngrihej damari sa një gisht nga inati dhe mundimi, i parruar, pothuaj me gjoks jashtë, pa asnjë dhëmb në gojë jo nga pesha e viteve që mbante mbi kurriz, por nga kequshqyerja, në supin tjetër i varej një trastë e grisur ku brenda kishte futur një copë bukë misri me një gjysmë qepë, mjekra i dridhej vazhdimisht nga zemërimi. Edhe ky paguhej por shumë pak. Shpesh herë rrëzohej nga pesha dhe pse mbahej nga një shkop që e mbante në dorën tjetër. Sa herë vendoste gurin që mbante mbi shpinë, atje ku e urdhëronin duke e treguar me gisht, fliste me vete: “Kushedi sa gjak do të derdhet për t’i lëvizur këta gurë”.
Kjo është e ngjashme me “gurin e Sizifit” si vuajtje por ndryshon krejt në thelb sepse nuk është mit, është e vërtet. Kjo ka ndodhur një shekull më parë më 1913. Komisionerët ecnin kaluar në kalë me shalë, ushqeheshin me mish të pjekur e me ushqime cilësore, ndërsa shqiptari sa e hiqte një gur nga shpina duhej të gjente tjetrin se i duhej për më tutje. Kur mbërrinte mishi i nxehtë, i pjekur shkuar në hell, komisionarët u zbrisnin kuajve, uleshin për të ngjeshur barkun me mish e raki. Edhe shqiptari ulej aty afër e thithte erë e mishit të pjekur pa e hequr samarin nga shpina se nuk e linin komisionarët (që të mos vonohemi se kemi punë i thoshin), edhe pse ata rrinin 1-2 orë që të shqyenin mishin e të rrëkëllenin rakinë e rrushit.
Shqiptari, njeri babaxhan, hiqte trastën nga supi, nxirrte copën e bukës e me kokën ulur mërmëriste; “Eh, sa gjak do të derdhet për t’i lëvizur këta gurë.”
Ndërsa sot, plot një shekull, po ndodh krejt e kundërta që mendonte shqiptari. Shqipëria vazhdon të copëtohet e të shqyhet nga armiqtë shekullor grek e serb, por me një ndryshim, firmoset “bujarisht” në tavolinë për të dhënë çfarë na kërkojnë. Vetëm që të bëhen fjalëmirë për të na pranuar në BE. Edhe kjo bëhet në emër të “miqësisë shekullore e fqinjësisë së mirë”. Dhe ligji i luftës është në fuqi përjetësisht, është prapë për të mirën tonë se kur të duan hapin luftë, vrasin sa të duan dhe “diplomacia” jonë hesht në emër të marrëdhënieve “shumë të mira” dhe është e kënaqur. Ja pra, çfarë po ndodh në Shqipëri për të mbajtur pushtetin, diplomacia shqiptare memece plotëson grykësinë e Athinës dhe të Beogradit në mënyrë të fshehtë, vetëm e vetëm që të sundojnë pambarim.
Athina ka bërë me Shqipërinë çfarë i ka dashur qejfi. Jo vetëm të gjallët, por edhe të vdekurve u ka shkulur eshtrat e i ka marrë, duke i quajtur ushtarë grekë siç është edhe rasti i fshatit Kosinë në Përmet. Sundimtarët shqiptarë heshtin! Ku i është tekur Janullatosit ka ngulur kryqe. Kishat kanë mbirë si kërpudhat pas shiut. Në Korçë, konsulli grek çfarë nuk bëri, madje dhe gjykata e dënoi formalisht, por nuk e arrestoi dhe as që ka për ta kryer dënimin e marrë. Diplomacia hesht, kisha greke u ngrit pranë oborrit të Ministrisë së Mbrojtjes, heshtje! Qeveria ia fali detin grekut dhe pas një viti të firmosje, u zbulua se çfarë kishte katranosur ministri i jashtëm. Çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese e cila e rrëzoi dhe e hodhi poshtë me neveri marrëveshjen me Greqinë. Votoi 9 me zero! Mirëpo, këtu te ne, asnjëherë nuk zbatohen ligjet. Përsëri qeveria shqiptare po punon nën rrogoz për këtë çështje! Pra, edhe pas 100 viteve copëtimi i Shqipërisë vazhdon.
Me të drejtë shtrohet pyetja: Ku po na çojnë sundimtarët e sotëm? Kur Berlini dhe Londra do ta riparojë fajin ndaj Shqipërisë? Njëqind vjet u bënë që u kënaq grykësia e Athinës e Beogradit që shqiptarët jetojnë në disa pjesë të copëtuara. Gjermania e copëtuar pas Luftës së Dytë Botërore fill sapo u shkatërrua kështjella e kalbur e komunizmit, shembi murin ndarës dhe populli u bashkua. Askush nuk u ndje për ta kundërshtuar këtë bashkim. Po me Shqipërinë pse heshtet? Ne s’kemi të njëjtat arsye të ndarjes apo copëtimit si me shtetin gjerman? Askujt nuk i detyrohemi për asgjë. Ne kërkojmë bashkimin si më parë të trojeve tona, atje ku den baba den kanë jetuar e vazhdojnë të jetojnë shqiptarët për shekuj me radhë.
Marrë nga libri “Revolta e Qafë-Barit dhe terrori komunist 1943-1990″ i autorit Bedri Blloshmi