Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Republika e profesorëve dhe doktorëve falsë

 

U desh hetimi i një të riu të zakonshëm, por me kurajë që të zbuloheshin plagjiatura e një zëvendësministri dhe të një deputeteje. I pari, në ministrinë që duhet të jetë qendra e dijes, dha dorëheqjen pas disa ditësh, ndërsa deputetja, një topçije baltëhedhëse e përditshme propagande, nuk ka folur ende dhe me sa duket nuk ka për të folur ndonjëherë. Ajo që bie më shumë në sy në këtë rast është se jehona e këtij rasti nuk ishte ajo që pritej, gati e papërfillshme. Shoqëria jonë është mësuar me intelektualë false, jeton me të keqen në kushte normale, mjafton të jetë e certifikuar. Është fakt i njohur se një pjesë e madhe e intelektualëve që zënë vend në universitete as kanë lidhje me titujt apo gradat që mbajnë. Shumica janë mësimdhënës të praktikuar sa për rrogë dhe që u duhet një titull për krekosje publike. As shohin arkiva e biblioteka me sy. As lexojnë prej vitesh, por janë pjesë e një pellgu të ndotur. Është e lehtë fare t’i mësosh kush janë vetëm t’i ndjekësh disa javë se çfarë bëjnë. Marrja e një titulli është kapaku që këta injorantë të leximit vendosin për të kaluar vite të rehatshme jashtë nxënies së dijes, si xhandarë të inteligjencies.
Plagjiatura është mjeti kryesor që përdorin budallenjtë, të palexuarit, injorantët, dallaveraxhinjtë për të shkuar drejt marrjes së një titulli. Kopjojnë referencat e veprave të të tjerëve, ndërsa më të sofistikuarit kopjojnë autorë të huaj. Disa nga mungesa e kohës, ua japin studentëve të bëjnë përkthime, e më pas i lidhin si libra të tyret.
Disa vite më parë, kam parë gjithë temat studimore të “doktorëve e profesorëve” të diktaturës komuniste. Shumica ishte për t’u hedhur në kosh. Ishin temat servile ndaj Partisë së Punës dhe udhëheqësve të saj ato që shërbenin si mjeti kryesor për të rritur numrin e të certifikuarve. Rëndom gjeje tema të llojit si të prodhohej patatja në kushtet e rrethimit të egër imperialisto-revizionist, marksizmi në lëndën e matematikës, etj.
Midis dy kohëve, ne kemi kaluar nga një inteligjencie false e diktaturës në republikën e “profesorëve” dhe “doktorëve” që prodhohen si domatet.

Please follow and like us: