Nobelisti grek që fotografoi Korçën e viteve ‘30
Arben Lalla
Jorgos Seferis (1900-1971) është poeti grek që fitoi Çmimin Nobel në vitin 1963.
Jorgos Seferiadhis lindi në Izmir, por familja e tij pas disa vitesh u transferua në Athinë.
Në vitin 1936-1937 Jorgos Seferis shërbeu si Konsulli i Greqisë në qytetin e Korçës. Gjatë periudhës që ishte diplomat i Greqisë ai bëri shumë fotografi për jetën e shqiptarëve në qytetin e Korçës dhe zonat përreth.
Ndërtesa, ku ishte Konsullata e Greqisë ishte edhe vendbanimi i diplomatit Seferis. Kjo ndërtesë ishte pronë e familjes së njohur korçare Andrea Turtulli dhe është blerë para disa viteve nga Greqia për ta kthyer në një farë vendi muze për të rrëfyer ku ka jetuar dikur poeti i mirënjohur grek.
Ironia është se kjo ndërtesë deri në vitin 1997 ka qenë selia e PD dhe u dogj gjatë tollovive të 1997. Ajo ndodhet përballë Muzeut të Shkollës Shqipe ABC.
Mediat greke shpesh botojnë fotografitë e djegura të kësaj ndërtese në vitin 1997, sikur shqiptarët kanë djegur shtëpinë nobelistit Jorgos Seferisit, por e vërteta është krejt ndryshe nga ato që servirin gazetat greke për lexuesit e tyre.