Poetë grekë nën shqipërimin e Arqile Garos
Angjelos Vlachos: Zemra e nënës
Një bir i vetëm, djalë i pashëm e i ri,
me vajzën e një zane vajti, ra në dashuri.
-Nuk dashurohem me fëmijë, i thotë ajo,
unë puthjen s’ mund ta fal në kalamaj,
më bjerë zemrën e nënës, nëse m’ do,
që qenit tim t’ ja hedh edhe ta hajë.
Vrapon i riu e vret nënën e vet,
zemrën ia shkul pa ment e pa siklet.
Dhe rend t’ ja çojë, porse diku pengohet,
e bie tok me të, në shesh rrëzohet.
Gremiset bashkë me zemrën tatëpjetë
kur e dëgjon tek qan dhe i thërret.
Nëna i flet të birit e i thotë:
-U vrave, shpirt? me gulç edhe me lotë!
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, 04 shkurt 2014.
Spiros Dhoikas: Ushqim për shpirtin
Trupi ushqehet me materje.
E shpirti veç me dashuri.
Ndaj s’ është për t’ u çuditur fare
që vijnë vërdallë
-të gatshëm për të të shqyer-
kaq shumë
jashtëzakonisht shumë
shpirtëra të uritur….
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, mars 2013.
Stavros Ambelas: Bodrumi
Çdo natë
duke u kthyer në shtëpi
ngjitem nëpër shkallë,
shkallë pa mbarim,
kaq shumë, sa që bie
dhe fle si i vdekur.
Ndërsa çdo mëngjes
kam po një çudi:
ç’dreqin ndodh e zgjohem
thellë në një bodrum?
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, tetor 2012.
Nikos Dhimou: Sidoqoftë
Sidoqoftë do vijë një ditë që do na ndajë.
Dashuria, vdekja, a koha vetë.
Ama do të doja të ndaheshim bashkë.
Jo veç e veç.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, mars 2013.
Tasos Kotsis: “Si në parajsë…”
Në Greqi, në vendlindjen e dijes,
të ullirit, të detit, duhanit,
mos çaj kokë! “Deklaro”… se je prijës
le të jesh edhe fund’ i kazanit…
***
Asnjëri s’ të thotë gjë… E ç’i duhet?
Si ai je dhe ti dhe ky tjetri.
Bën figurë?!… lëre botën të krruhet,
ç’ domethënë, jo i riu, i vjetri…
***
Gjithë njëlloj… Përmbi magje kaluar,
shiko lartë, në profil i vjen anës,
“në parajsën bleroshe harbuar…”
si e ëma e Zeqos majë thanës.
Shqipёroi Arqile Garo, Janinё, janar 2015.
Nikos Grigoriadhis: Siç të shijova unë
Siç të shijova unë, as bishat nuk shijuan gjakun·
puthje pas puthjeje pushtova kurmin tënd,
në zjarrminë e shpirtit tënd u përflaka, ëndërrova·
nëpër jermin tënd shkova tej për tej edhe kalova,
përmbi drithërimin tënd fort u tkurra, e u harkova
edhe humba në humnerën që ti hape, tok me ty.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, shkurt 2013.
Llambros Porfyras: Qyteti i tubulluar
Mё ndodh nga herё qё mbrёmjeve, njё orё tё pikёlluar,
kur kthehem me rёndesё nё shpirt, e nё mendime zhytur,
shpesh mё fanitet n’ humbёtirё njё pamje e turbulluar,
e njё qytet i pa zakontё si nё tymnajё, i mbytur.
Nё tё, shtёpi tё mbyllura, gёrmadha. E me shkurre
qё kryet ngrenё nёpёr avlli plot me mjerim qarkuar,
nё pragje bari jeshilon zvarritet nёpёr mure
edhe çatitё me myk tё blertё janё veshur e mbuluar.
Tamam ashtu. Ca i kam parё, mё duket, nё kurbete,
tё tjera k’ tu nё fshatin tim, e shumё nё udhёtime,
më shumё nё vitet lumturorё gjatë bredhjeve nё dete,
tё gjith’ ato, tёrё ky pejsazh mё flet pёr jetёn time.
Ah! Tek hedh hapin nё rrugicё, n’ atё sokak tё shtrёmbёt,
asnjёri dorёn nuk mё shtrin, kurrkush mё s’ mё takon,
unё jam i vetmi udhёtar, i fundmi qё hedh kёmbёt˙
sa zё kujtoj gjithё nostalgji˙ nis drita e perёndon˙
Shuhet ngadalё e tёrёsisht. Qyteti i mjegulluar
nё heshtje tretet tok me tё e ikёn, mё largohet,
i krrusur kthehem. Vaj medet! tek mbetem i rrethuar,
nga nata sterrё e pis e zezё dhe brenga qё s’ tregohet.
Shqipёroi Arqile Garo, Janinё, gusht 2013.