Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipërinë nuk e rrezikon ekstremizmi grek, por babëzia kryeministrit tonë që shitet si patriot!

 

Enver Bytyçi

Në Bularat të Dropullit pardje u vra një minoritar e njëkohësisht shtetas grek. Kishin ardhur me qindra grekë, ndër ta ministra, deputetë, shkrimtarë, gazetarë, të cilët po përkujtonin 28 tetorin, atë që ata e quajnë ditën e luftës italo-greke, të zhvilluar në territorin e shqiptarëve. Përkujtuan të vrarët e asaj kohe, eshtrat e të cilëve askush nuk i di se të kujt janë. Flamujt e panumërt grekë në territorin shqiptar, parullat për ‘Vorioepirin’, atmosfera dhe fjalimet e shumta në këtë ditë përkujtimore shihen si një lloj agresioni kundër integritetit territorial të Shqipërisë.

Por grekët e dijnë se kurrë nuk do të mund të marrin territor tokësor të Shqipërisë. E shumta Edi Rama për hesapet e veta të makutërisë politike do t’u falë atyre një sipërfaqe të konsiderueshme deti. Kjo pamunësi për territore shqiptare i bën shumë grekë, përfshirë politikanë, deputetë, ministra dhe drejtues të lartë të shtetit armiqësorë me shqiptarët. Pafuqia që ndjejnë në shpirt i detyron ata të sillen kësisoj me ne. Dhe sa më shumë kohë kalon, aq më të pafuqishëm ndjehen këto forca ekstremiste ultranacionaliste në Athinë e gjetkë. Prandaj thërrasin dhe bëjnë incidente si ajo e përdorimit të armëve kundër policisë shqiptare ditën e djeshme.

Kjo sjellje është produkt i fobisë antishqiptare. Ndërkohë në veri të gadishullit fobia antishqiptare e ekstremistëve serbë na shfaqet si babëzi për të zgjeruar sa më shumë territore tokësore. Në ndryshim nga Athina, Beogradi nuk resht së vepruari për ta realizuar Serbinë e Madhe. Babëzia e ‘Naçertianies’ shfaqet ende sot me të njëjtën frymë si atëherë kur u hartua (1844), ose si në vitin 1889, kur Mbreti i Serbisë donte të festonte 500 vjetorin e Betejës së Fushë-Kosovës, megjithëse Kosova asokohe nuk ishte pjesë e Serbisë. Ose si në periudhën e Luftrave Ballkanike kur ushtria serbe asgjësoi 25-30 mijë shqiptarë. Si në periudhën midis Luftrave Botërore, kur qeveria e Serbisë shpërnguli qindra-mijë shqiptarë të tjerë. Njësoj edhe si babëzia e viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur u asgjësuan nga çetnikët serbë 30 mijë shqiptarë të tjerë. Ose si në periudhën e Rankoviçit e më së fundi në periudhën e Milosheviçit.

Babëzia serbe për territore aktualisht duartrokitet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit po luan patriotin e flaktë këto dy ditë që pas vrasjes së ekstremistit grek, Kostandinos Kaçifas. Kryeministri shqiptar e trajton ngjarjen me ngjyra të theksuara nacionaliste, ndërkohë që askush nuk beson se ai të jetë vërtet i tillë. Një kryeministër që në fshehtësi i bashkohet babëzisë serbe për territoret e Kosovës dhe babëzisë greke për hapësirën detare shqiptare, vështirë të besohet se është i sinqertë në diskursin nacionalist që përdor. Ndërkaq është më afër logjikës të thuhet se diskursi nacionalist i Edi Ramës fsheh aktet antishqiptare të tij, deri në tjetërsimin e territorit. Ujdia e tij me kryeministrin grek për detin dhe me presidentin serb e atë kosovar për veriun e Kosovës e zbulon faktin se Edi Rama e keqpërdor vrasjen e ekstemistit grek në Bularat të Dropullit. Përveç kësaj ai përpiqet që me këtë vrasje të fitojë pak kohë me shpresë se do t’i kapercejë problemet e shumta me të cilat ballafaqohet.

Vrasja e një njeriu, qoftë ky dhe terrorist, kur përdoret nga kryeministri shqiptar për të mbuluar vrasjen e shuarjen e kombit të vet, relativizohet si akt. Shitja e kësaj vrasjeje si rrezik më i madh sesa makutëria kriminale e kryeministrit është vepër shumë herë më e dëshme sesa shfaqja qoftë dhe me armë e një ekstremisti grek. Kjo babëzi e Rilindjes po e zhbën Shqipërinë.

Qindramijë shqiptarë emigrojnë jashtë vendit, sepse kanë një kryeministër të babëzitur. Të babëzitur për pasuri, për dhunë, për lavdi, për ego, për pushtet, për mizori ndaj qytetarëve të vet. Por ajo që e bën këtë babëzi neveritëse është propaganda fallco e kryeministrit tonë. Vetëm një fakt: Dje pagova 13.000 lekë të reja për një letër format A4 që ma dha kompania “Shpresa” në Kamëz për një shërbim automjeti. Para gjashtë muajsh kjo letër A4 jepej te drejtoria rajonale e patentave me 700 lekë të reja. Në gjashtë muaj qytetari nxjerr nga xhepi 20 herë më shumë para për një shërbim që kryeministri ynë i babëzitur e ka dhënë me koncension. Dhe del e thotë “Joooo! Shpifje! Ne i kemi ulur taksat për 97 përqind të popullsisë!”.

Babëzia kryeministrore na vjedh çdo ditë, na grabit çdo orë, na vret çdo minutë, na poshtëron çdo sekondë! Dhe të gjitha këto i babëzituri kryeministër i vendit tim kërkon t’i mbulojë me “patriotizmin” e tij të rremë! Mbi të gjitha ai, me vrasjen e një ekstremisti grek, kërkon të mbulojë marrëveshjen e fshehtë me Vuçiqin për tjetërsimin e territorit të Kosovës si dhe marrëveshjen me Tciprasin për faljen e detit Greqisë!

Tirane, 30.10.2018

Please follow and like us: