Ylli Xhaferri: GOZHDË NASTRADINI
Një lugë çorbë gëlltitur dikur diku, në Sheshin ‘Omonia’, zyra partiake në qendër të Tiranës, prapa kangjellave të ndonjë konsullate periferike, administrate ambasade, selie kishtare në kryeqytet, apo qelat e mykura të manastireve në Malin e Atosit dhe bodrumet gisht në sy të partisë ‘Agimi i Artë’ në Athinë, i detyron disa pseudo-shqiptarë ta hedhin vallen si palikarë të antishqiptarizmës, të mohojnë qumështin e nënës, gjakun dhe gjuhën e pastër shqipe, të shpallin mbi shenjtërinë e ligjit dhe Kushtetutës së vendit të tyre disa priftërinj që pasi kanë trafikuar nderin dhe shpirtin, tashmë trafikojnë protestues me mëditje e mendje të egërsuar që të turbullojnë djepin e Frashërlinjve, trekëndëshin e Bermudës së atdhedashurisë, Abdylit-Naimit-Samiut, Himarën dhe Dhërmiun, altarin e atdhetarit dhe shkrimtarit elitar, Petro Marko, ku kërkojnë të gjejnë shesh për të bërë përsheshin e dëshiruar nga lakmia e vorio-epirit imagjinar, yshtur nga ca euro të pista, duke demonstruar para botës së qytetëruar një spektakël tragji-komik të panatyrshëm për moralin shqiptar dhe filozofinë e bashkëjetesës shembullore të besimeve në Shqipëri që nga agimet e historisë, para të cilës bota demokratike përkulet me respekt.
Të gjitha këto më ngjallin shijen e keqe të anekdotës për Nastradinin, që kërkoi nga i zoti i një shtëpie në ndërtim të ngulte një gozhdë, thjeshtë e vetëm një gozhdë. Në atë gozhdë ai do të varte justifikimin e së nesërmes për të varur xhaketën, për të bërë vend, për të pakësuar hisen e diellit të të tjerëve, për t’ia behur kohë e pa kohë, në mes të vapës apo pikë të natës acareve të dimrit. Ndihmat nga kisha greke dhe emërimi i Z.Janullatos në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare, pikërisht këtë rol ka luajtur, pse jo vazhdon të luaj edhe sot, por për fat të keq premton ta heqë zvarrë në të ardhmen, po qe se morali i shëndoshë fetarë shqiptar nuk do ta korrigjojë gabimin e pafalshëm dhe të frenojë disa priftërinj ortodoksë që janë gati të bëjnë pakt me djallin për të përfituar disa euro të qelbëta. Këtyre kasnecëve të djallit, mefistofelëve shqiptar u them, më shumë nga çdo gjë njeriun e ul gënjeshtra, ky ves i vrazhdë, ves i poshtër, ves i përbuzur, ves i skllevërve, spiunëve, maskarenjve, ves që i ka dalë kallaji shpejt, shumë para se ta nisnin ato këtë zeje të zezë.
Gjithë këto histori në numër të pambarimtë protestash me klerikë, shoqata ishësh, intelektualësh të (pa)varur, OJF-sh të klonuara, me pallate kulture, sheshe ndërtimesh, qendrash industriale, ndërtimesh pa leje, vendgrumbullimi plehrash, rrugësh dhe infrastrukture, shtëpi oficerësh me protestues të porositur prej politikës, të bëjnë për të vjellë. Dikush mund të thotë dhe me të drejtë, se, mos vallë, qytetet që i kanë këto pallate kulture i shfrytëzojnë, bosh dhe kafaze kotësish janë kthyer, ku vegjetojnë të paaftët e bashkive dhe nuk bëhet as edhe një shfaqje e vetme kulturore gjatë gjithë vitit. Shtëpitë e oficerëve janë edhe më keq dhe për dreq, qoka, qofte, dasma, përkujtimore për graduatët e lartë të ish-nomenklaturës së kuqe dhe histori bëmash komisarësh, trimërish të oficerëve të lavdishëm që fati kurrë s’u ngjiti përgjatë socializmit ngadhënjimtarë që na la si delen e zezë të Evropës me të vetmen pasuri ogurzezë, telat me gjemba, brezin e butë dhe bunkerët që ngjajnë sot si çibanë mbi trupin e bukur të Atdheut, që nuk shkëlqyen as kundër NATO-s dhe as kundër Traktatit të Varshavës, shkurt s’u krisi pushka kurrkund, por që kanë qenë, mbeten dhe do të jenë forca vitale e së majtës socialiste, detashmentet e saj gjoja për të ruajtur votën, të cilës tashmë i kërkojnë haraçin ose respektimin e aleancës, përmbushjen e kontratës elektorale. Për të qarë dhe për të qeshur, ne nuk kemi ushtri dhe oficerë, çka e tregon shkërmoqja si kështjelle rëre e reparteve ushtarake më shumë se sa një herë gjatë tranzicionit troshitës, lëre pastaj të kemi nevojë për shtëpi oficerësh. Farsa vazhdon më komike dhe denigruese edhe me shtëpitë e pushimit të oficerëve në bregdet, ku mbi treçereku i pushuesve janë civilë, pra kanë humbur funksionin e tyre. Por t’i kthehemi stuhisë në gotë që kërkuan ta ngrenë tallaz disa klerikë të spikatur në artin e mashtrimit, disa kryqtarë të vonuar dhe demode. Prifti Vasil Thomollari, ky anti-përmetar me të kaluar të dyshimtë, si dhe qatipi minoritar me emrin Odise, plagjiaturë e keqe e Odisut antik, organizuan sjelljen me autobus të “formacioneve” militare-orthodhokse nga qytete të tjera të Shqipërisë për të marrë me dhunë një godinë të kulturës civile e turbulluar qetësinë shekullore të qytetit të luleve.(!)
Pikërisht këta shkelës me porosi dhe përsëritës të ligjeve shqiptare janë figurat qendrore të skandalit të eshtrave në Kosinë, ku për të mbushur varret bosh të memorialit të ngritur ilegalisht në Këlcyrë, hapën varre dhe nxorën eshtrat e banorëve tradicionalë. Një fjalë e urtë thotë se shumë nga ata që kryejnë vepra të turpshme, mbajnë fjalime të shkëlqyera. Mos harrojmë që Kanonet e Kishës dënojnë në mënyrë shembullore si vrasësit, ashtu dhe ata që hapin varre apo trazojnë eshtrat. Arbëreshi shembullor, Gavril Dara, do t’i këshillonte këta atdhemohues: “Lër’ të vdekurit në vend!” Persona të veçantë mund të zvetënohen moralisht, por krahina, qytete dhe populli kurrë. Prandaj nuk duhet heshtur, as bërë sehir, se për një goditje që pret sot rrënjët e së keqes, duhen nesër një mijë të tjera mbi degët e saj. Kryepeshkopi Janullatos ka propozuar mundësinë se kisha me zemërgjerësinë (!) e saj është në gjendje të financojë ndërtimin e një objekti tjetër që mund të përdoret si shtëpi kulture. Pra Hirësia me dorë në zemër kërkon të qetësoj shpirtrat e qytetarëve për objektin e zënë në mënyrë të paligjshme. Ajo çka të habit është fakti, se në qoftë se aty ka qenë vërtet kisha, pavarësisht se ç’mund të jetë ndërtuar më vonë, ai truall mbetet i shenjtë si shenjtëri në thelb, jo se i përket si pronë kishës, priftërinjve apo administratës kishtare, por si vend e shenjtëri për besimtarët e Përmetit, popullit të urtë të këtij qyteti emblemë të harmonisë dhe bashkëjetesës.
Në traditën shqiptare shenjtërinë nuk e ka objekti, por vendi, si Mali i Baba Tomorri, Mali i Krujës së Sarisalltikut, Mali i Ballenjës tek Teqja, Alipostivani, fshati i Frashrit, Buzëmadha në Kukës, e sa e sa të tjera. Kjo që ndodhi në Përmet është, hajde baba të të tregoj arat. Vjen Janullatosi (porositur prej dikujt) nga ana e anës, madje në mënyrë të paligjshme përpara Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare, që e pagëzoi Fan Stilian Noli që në vitet 20 dhe të tregon vendet e shenjta për Përmetarët dhe shqiptarët, moshatarë të diellit dhe hënës, themeluesit mitikë të Tempullit të Dodonës. Janullatosi nuk mungon madje të ndajë kufijtë në metra dhe centimetra, kjo duhet dhe kjo s’duhet, bekon dhe mallkon, kjo ortodokse kjo e të paudhit? Shihni dhe dëgjoni, madje dhe kufijtë i tregon në gjuhën greke, kryefetari që nuk di gjuhën e grigjës së tij. (!)
Çudi, njëzet e ca vjet nuk i mjaftuan këtij njeriu të Perëndisë, këtij akademiku, këtij shkencëtari, këtij udhëheqësi shpirtëror, që thjeshtë e për respekt të grigjës shqiptare ku ushtron detyrën e shenjtë, ta mësonte deri në shterim gjuhën e tyre të perëndishme!? Apo është diçka tjetër që e shpon përbrenda për të mos e folur, por ta përtypur me dhëmbë dhe dhëmballë si paraardhësit e tij kur vrisnin, digjnin dhe helmonin korifenjtë e shqiptarizmës, Papa Kristo Negovanin me shokë? Është po ky bari i grigjës që të gjithë orthodhoksët i quan grekë, që shpik vende të shenjta, shenjtërira të stisura si obelisku në Boboshticë, varrezat e Kosinës, e sa e sa provokime të neveritshme që nuk janë gjë tjetër, por gozhda e Nastradinit që lë pas.
Ku ishin dhe janë sot shoqatat me numër të madh të kryeqytetit, që çirren me të madhe se Xhamia e Re e Tiranës po prish urbanistikën, gjelbërimin, qytetarinë, në një kohë kur ajo po ndërtohet mbi truallin e saj, në të drejtën e Zotit? Përse iu ngjiret zëri këtyre palikarëve të (pa)angazhuar kur flitet për orthodhoksët e importuar dhe padrejtësitë e tyre kur kërkojnë ta kthejnë Shqipërinë në plasdarm të betejave fetare? Përse protestojnë, luftojnë dhe përbetohen me dy standarde këto kalorës të asgjësë, një për xhaminë dhe një për kishat!? Ku ishin gjer dje këta ithtar të mjedisit kur kishat zinin lulishtet mu në qendër të Tiranës!? Apo zëri tyre meket dhe shurdhërohet nga buzukët e sirenave!? Këto trima të pas betejës janë kacafytur me Policinë e Shtetit duke bërë gripin për një plep, për një akacie, për një gur, kurse heshtin tani për turpin e vetes për një shesh, në qendër të të cilit ngrihet shtatorja e bilbilit të gjuhës shqipe, ndryhen në memecllëk, ulokëzohen para ca klakerëve fanatikë të ortodoksisë, kur i vihet llozi shtëpisë së kulturës që mban emrin simbol të kombëtarisë, Naim Frashërit!? A janë patriotë, intelektualë, apo politikanë me suflerë në vesh, që kthehen nga të fryjë temjani i eurove!? Petro Marko për ta hedhur poshtë me neveri këtë maskaradë që po ringjallet sot e sponsorizuar nga qarqe antishqiptare, tek autobiografia e tij “Retë dhe gurët”, shkruan: “…Gjatë kohës së Zogut fshatarët u ndanë në dy parti: pendëkuqtë dhe pendëbardhët. Të parët ishin me Tiranën, të dytët me Athinën. Të parët kishin shkolla shqipe, të dytët shkolla greke. Dhe çudia ishte se një vëlla ishte pendëkuq dhe tjetri pendëbardhë. Familja Markaj ishte e tëra pendëkuqe, me Tiranën, mbanin në ballkonet dhe në dhoma flamurin e Shqipërisë. Për propagandën greke mund të flitet shumë, po këtë le ta bëjnë historianët.
Himara nuk është greke…
Që gjithçka ndjell shijen e keqe të gozhdës së Nastradinit u duk qëruar, kur një prift i shkurtër në trup por me fytyrë të egërsuar nga një urrejtje e madhe, sigurisht e parapaguar, (thua të kishte gjak shqiptari në deje!?) shfrynte para Pallatit të Kulturës së Përmetit, pak pasi e kishin pushtuar me paramilitarë, se kjo ndodhi pasi censusi që organizuan institucionet legjitime të Shtetit Shqiptar, nxori pak minoritarë, d.m.th grekë, kur defterët e pensioneve në zyrat e Athinës ishin mbushur me grekë që origjinën e kishin nga Kavaja, Kukësi, Mirdita, etj. Shihni e dëgjoni, e gjitha luhet në Përmet, një qytet me tradita të mëdha kulturore, bashkëjetesë fetare, me histori që lidhet me fqinjin jugor përgjatë Luftës Italo-Greke, luftë që mbolli shumë varre ushtarësh që sot janë grupuar në varrezën e Këlcyrës, me sa duket ngritur për të luajtur nesër rolin e gozhdës së Nastradinit. Magister dihit, Zoti Janullatos foli. Foli në gjuhën greke për të mbrojtur shqiptarët dhe kishën e tyre? Çuditërisht foli, pasi foli Qeveria Greke. Foli kur iu vunë piketat!? Po ku ishte dhe është Z. Janullatos që e do Shqipërinë dhe e ka në zemër, çka na kujton dashurinë e madhe të Duçes gjatë kohës së fashizmit? Si nuk foli një herë të vetme për martirizimin e Çamërisë, për kthimet e fëmijëve në kufi, për dëbimin e priftit nga shtëpia e zotit në Himarë, altarin e së cilës e uzurpuan nazistët e Agimit të Artë? Pra, jo Zoti, por djalli vetë. I drejti bari i grigjës njerëzore, patriarku i ardhur nga Mali i Atosit, nuk tha as dhe një fjalë të vetme se sheshet e Xhamisë së Përmetit shumëfish më të mëdha se sa mini-kishëza ishin zënë me ndërtime civile, por myslimanët dhe hoxhallarët kurrë nuk ishin ngritur për t’i pushtuar, se ato i shërbejnë qytetit, pavarëshisht në janë ortodoksë apo myslimanë. Z. Janullatos i fryu zjarrit keq, bëri insinuata të frikshme dhe të rrezikshme, me Kuran dhe Muhamed, pse jo gati luajti urët e zjarrit të një lufte mes “popullit ortodoks” dhe “popullit mysliman” të Përmetit.(!?) Mbase ky ishte, është dhe do të jetë misioni i tij.!? Përmetarët e ndershëm gajasen së qeshuri me atë grusht besimtarësh ortodoksë që mblidhen me komandë, ato janë të qetë, Përmeti dhe përmetarët, ortodoksët dhe myslimanët kanë qenë, janë dhe do të jenë vëllezër, zotër në trojet e tyre para dhe pas Janullatosit, që çdo ditë e më tepër nëpërkëmb shenjtërinë me lodrat e djallit. Prandaj sot më tepër se kurrë më duket vërtetë e besueshme thënia e shkrimtarit amerikan Birs: “Prifti është një njeri që merr përsipër të drejtojë punët tona shpirtërore me qëllim që të ndreqë punët e tij tokësore”.