Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata Kushtetuese, garanci për të gjithë jo vetëm për qeverinë

Diskutimi i fundit për çështjen e Teatrit Kombëtar, kur një ambasador i Bashkimit Europian ngre supet për kushtetueshmërinë e dyshimtë të nismave të qeverisë, rrëzon edhe garancinë e fundit, sidoqoftë efemere, se kjo kauzë do të ketë si minimum një trajtim ligjor të qartë. Sepse Teatri është kauzë tashmë, jo një zhurmë pakicash siç ka qejf ta cilësojë kryetari i Bashkisë, z. Erjon Veliaj.

Kauza mori dy dekrete të Presidentit në favor, çka e vendos qeverinë dhe mazhorancën para një fërkimi institucional që e relativizon bazën prej nga ku ajo nisi të impononte projektin e vet.

Për të kuptuar rëndësinë e institucioneve, ne duhet të shohim se çfarë prodhon inekzistenca e tyre. Sot në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, qytetarët e interesuar nuk kanë se ku të ushtrojnë të drejtën e tyre për të kërkuar një mendim të kualifikuar  nëse prishja e Teatrit Kombëtar përbën shkelje apo jo. Presidenti ishte një instancë. Por në kuptim të prerogativave kushtetuese ai nuk ka fuqi frenuese. Shikoni se çfarë ndodh kur mungojnë garancitë e sistemit.

Së fundmi ResPublica publikoi qëndrimin e palës greke për Marrëveshjen e Detit, që sipas ministrit të Jashtëm Alternativ, Katrougalos, pala shqiptare po pret plotësimin e vakancës së Gjykatës Kushtetuese për të firmosur mandej  dokumentin. Kjo është sa kërkesë e përsëritur e Presidentit të Republikës, aq edhe, madje sidomos- detyrim kushtetues. Në nenin 131 të Kushtetutës, sanksionohet qartë se

Gjykata Kushtetuese vendos për pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre

Ligjvënësit e kanë çmuar si të domosdoshëm këtë hallkë, që sot u mohohet si garanci atyre që thjesht duan një përgjigje shteruese për atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar. Qeveria dhe Bashkia janë munduar përherë ta trajtojnë protestën si çështje numrash, por parimi vlen qoftë edhe për një njeri të vetëm. Teksa shteti shqiptar, apo qeveria po pret funksionalizimin e Gjykatës për të sqaruar një kontratë që do lidhë me një shtet tjetër, ai po ia mohon këtë të drejtë dhe siguri disa qytetarëve të vet që në fund fare nuk po ngrihen për interesa strikt personale. Qeveria nuk po do të kuptojë se në debate për identitetin, apo trashëgiminë, nuk ka të vërteta finale dhe as mund të vendoset me forcë. Shqipëria e ka përjetuar këtë praktikë dhe ne shohim se asgjë e mirë nuk ka ardhur. Po kërkohet aplikimi i një të drejte, sikur vetëm kaq të donte të dëgjonte qeveria. Ndoshta Gjykata do t’i japë të drejtë, s’ka pse të dyshojë kaq shumë në kushtetueshmërinë e akteve të veta./respublica/

Please follow and like us: