Reshat Kripa: Jeta ime
Jeta ime pikë loti, pikë loti e mbuluar,
Gjithë brenga, gjithë plagë, plot me ëndrra e kapluar,
Sa kam dashur, sa kam vuajtur, jetën time ta ndërtoj,
Një demon më thosh gjithmonë, unë do të shkatërroj!
Kur i vogël isha unë, ndonjëherë luaja teatër,
Ish pasioni im i parë, pasion si një qiell i kaltër,
Por në qiell qëlloi rrufeja, nxiu tokë e nxiu det,
Seç më mbylli në kafaz, shkatërroi, më nxiu jetë.
Kur u bëra djalë i rritur. prap fillova me tregime,
Shkrova disa poezi, shkrova edhe jetën time,
Por demoni prapë u shfaq, si një gjëmë e mallkuar,
Më sulmoi si përbindësh, ëndrrën për ta shkatërruar.
Çfarë të bëja unë i ngrati, s’mund të rrija duarlidhur,
Zemra ime flakë e zjarrtë, zemra ime çoroditur,
Seç më shtynte drejt përpara, thoshte asgjë mos të ndali,
Dua që të jesh në ballë, dua që të jesh i pari!
E dëgjova zemrën time, bëra si më tha ajo,
Ferra, gjëmba para rrugës dhe të tjera si këto,
I vërvita në humnerë dhe demonin tim të zi,
E përplasa në skëterrë, prap u bëra djalë i ri.
Dhe tani që jam i thinjur, luftën nuk e kam pushuar,
Kundër çdo padrejtësie, dita ditës kam luftuar,
Dita ditës kam luftuar, do luftoj unë ditë e natë,
Të fitojë drejtësia, brenga ime më e gjatë!
Tiranë, nëntor 2004