Albspirit

Media/News/Publishing

Inva Mula, drejtore artistike e Festivalit të 57-të në RTSH

Sopranoja shqiptare me fame nderkombetare Inva Mula do të jetë Drejtorja Artistike e edicionit të 57-të të Festivalit të Këngës në Radio televizionin Shqiptare. Mula do të punojë në krah të drejtorit të Festivalit Martin Leka, producent muzikor Sokol Marsi, skenarist Pandi Laço dhe regjisor Bledar Laço.

“Objektiv është që ta rikthejmë freskinë, entuziazmin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion drejt një publiku, i cili ndoshta për arsye të shumta është shkëputur. Ne duam që ai ta kthejë vështrimin dhe të ketë dëshirën si dikur ta ndjekë festivalin dhe ndoshta të mërmërisi këngët më të bukura të tij.

Për këtë arsye në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të krijohet një grup me nxënësit më të mirë të 15 shkollave të mesme të Tiranës, të cilët do të ndjekin nga afër dhe do jenë një juri ekstra, që do të vlerësojë këngën më të mirë”, tha Mula. Këngët do të prezantohen në dy net, nata e parë në 20 dhjetor, ku 22 këngëtarët do të këndojnë live me Orkestrën Simfonike të RTSH.

Nata e dytë do të jetë Nata e Eurovizion, ku po të 22 këngët do të vijnë të interpretuara live, por pa orkestër, ato do të shoqërohen nga elementë spektakli. Dhe në natën e tretë këngët do të konkurrojnë për vendin e parë. “Prezenca e Inva Mulës si drejtore e këtij festivali, që do të sjellë një eksperiencë ndryshe dhe inovatore në këtë edicion, ndërsa dyshja Laço rikonfirmon bashkëpunimet e suksesshme që kemi pasur deri më tani” u shpreh Drejtori i Festivalit Leka.

Nata e Eurovizionit vjen risi në festivalin e RTSH dhe sipas producentit muzikor Sokol Marsi kjo ka qenë një ide dhe vite më parë. “Nata e Eurovizionit sivjet vjen si risi në festival. E kemi pasur këtë ide edhe vite të tjera, por për arsye kohe nuk e implementuam dot.

Festivali përveçse këtë vit bën 57 vjeç, në të njëjtën kohë na përfaqëson me fituesin edhe në Eurovizion, ndaj kishte ardhur koha që materialet muzikore në një natë të vetme të shoqëroheshin edhe me performanca artistike. Pra skema do të jetë e tillë: Nata e parë 22 këngë të shoqëruar me Orkestrën Simfonike, nata e dytë 22 këngë në versionin Eurovizion me perfomanca artistike, dhe nata e tretë ose nata finale do të përzgjidhen 14 këngët më të mira nga ku do të dal edhe fituesi”, tha Marsi.

Nga 54 këngë, 22 prej tyre janë në konkurrim në netët e festivalit të këngës në RTSH. Festivalit të 57 në RTSH nuk do ti ndryshojë mënyrën e votimit. Juria profesioniste do të jetë ajo që do të votojë këngën fituese, që do të çojë Shqipërinë në Festivalin Europian. Producenti muzikor Sokol Marsi tha se synimi ka qenë që edhe ky vit të vazhdojë rrugën e suksesshme që ka nisur festivali.

Please follow and like us: