Kumbaro nis nga Kukësi maratonën e leximeve
“Martiri i fundit i poezisë Havzi Nela, u var në litar në qytetin e Kukësit, vetëm pse shkroi një poezi. 30 vite më vonë nisim nga Kukësi Lëvizjen kombëtare për Lexim, sepse ky qytet, edhe në kohërat më të errta ka prodhuar tokë pjellore për shpirtrat letrarë”- me këto fjalë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro shpalli platformën e Lëvizjes Kombëtarë për Lexim nga qyteti i Kukësit.
Në një takim me nxënës të Gjimnazi ” Havzi Nela ” Kukes , qytetarë dhe fëmijë me libra në duar, Kumbaro diskutoi për politikat e Ministrisë së Kulturës në fushën e librit, për fushatën e suksesshme #TakohemiPërNjëLibër, nisur dy vjet më parë, ku “Klubet e leximit dhe të rinjtë e Kukësit janë një potencial i çmuar për librin dhe të ardhmen e tij, me mbështetjen e pakursyer dhe të vyer të shkrimtarit Petrit Palushi. Jam e bindur se kjo lëvizje, që sot nis nga Kukësi shumë shpejt do të përfshijë të gjithë Shqipërinë në muajin nëntor”- ndau me të pranishmit Ministrja Kumbaro.
Teksa diskutoi me të pranishmit politikat e Ministrisë së Kulturës në fushën e librit, Kumbaro tha me humor se ajo do të ishte gati që udhëhiqte nga Kukësi një protestë lirike për librin.
INSTAT publikoi disa muaj më parë një të dhënë dramatike për statistikat kulturore, ku më shumë se 1/3-ta e shoqërisë shqiptare nuk ka lexuar asnjë libër vitin e kaluar. Pra, rreth 1 milion shqiptarë s’kishin lexuar asnjë libër gjatë vitit 2017.
Duke marrë shkas nga kjo, por edhe si vijim i fushatës ‘Takohemi për një Libër”, nis Lëvizja Kombëtare për Lexim.