Ylli Pango: Diktatura shformësoi tipare të shqiptarëve
Është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, libri me titull “Psikologji shqiptare” me autor Ylli Pango, një botim i UET-Press. Libri vjen sot si domosdoshmëri dhe plotësim i një boshllëku në fushën e shkencave sociale. Kjo sepse, siç dihet, nuk ka pasur deri sot libra me studime të mirëfillta të psikologjisë së shqiptarëve si popull. Ky është libri i parë me fokus njohjen dhe analizën psikologjike të shqiptarëve, kryesisht në aspektin e raporteve të tyre sociale, me të tjerët, por edhe me veten. Në vend të tij deri më sot kemi pasur, për rreth gjysmë shekulli, shkrime të ideologjizuara të sistemit që ra e artikuj të shkëputur të pas viteve ‘90. Analiza psikologjike e shqiptarëve është me interes jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt, pasi Shqipëria paraqet veçori dhe kuriozitet për të njohur pasojat psikologjike që mund të lërë një izolim i gjatë dhe i plotë.
Profesor kanë shkruar kaq shumë për shqiptarët, kryesisht të huajt. Çfarë nuk është thënë ende për shqiptarë?
Në fakt edhe autorë tanët kanë shkruar. Unë i kam përmendur në libër, është Konica, Fan Noli, Sami Frashëri, Eqrem Bej Vlora, kanë dhënë konstatime interesante, por në prizmin e dijetarit, shkrimtarit sesa të psikologut. Ka ende shumë për të thënë, pasi ne kemi një histori shumë të lashtë, gjatë jetës së këtij kombi ka pasur shumë valë, dallgë, tërmete. E të gjitha këto kanë ndikuar në psikologjinë e shqiptarit, aq sa unë mund t’u them se ishte një libër i nevojshëm, qoftë edhe për të bërë një përmbledhje të atyre çfarë dimë, e çfarë duhet të dimë për ne si komb, si psikologji populli, në dallim nga psikologjia e popujve të tjerë. Shqiptarët janë mësuar të mos flasin për vete. Ky libër është dhe një lloj provokimi për shqiptarët, tu tregosh atyre të metat…
Shqiptarët s’para i pranojnë të metat…?
Në fakt në hyrje të librit unë kam shkruar jo vetëm të metat, por edhe anët pozitive. Në çfarë sensi të metat? Në sensin që po nuk i njohe plagët, ku i ke nuk i shëron. Duhet një lloj diagnostikimi. E nëse ky lloj diagnostikimi, pretendoj se është bërë disi, atëherë i bie që ne ta vëmë gishtin mbi plagë, e të dimë se çfarë duhet ta kemi ndryshe. Por, që flasim për veten flasim. Disa herë e ngremë veten shumë lart, disa herë e nënvlerësojmë veten. Të dyja këto hasen ndër ne edhe kompleks superioriteti edhe inferioriteti. Gati gjysmë shekulli komunizëm.
Cilët janë pasojat që komunizmi u ka lënë shqiptarëve?
Kjo është baza që mund ta bëjë librin interesant. Madje po të kemi parasysh si kemi qenë, duke marrë për bazë përshkrimet e Nolit, Eqrem Bej Vlorës, Konicës shohim që kemi pasur disa tipare që ndër shekuj nuk kanë ndryshuar shumë. Por kemi pasi edhe tipare të tjera që janë shformësuar, nën ndikimin e diktaturës, sistemeve, njerëzve që na kanë komanduar, apo drejtuar më shumë. Në këtë sens i bie që pjesa e diktaturës duke qenë gjysmë shekullore, ka një ndikim shumë të madh.
A janë shqiptarët një popull i nënshtruar?
Ndoshta ky element i nënshtrimit është reminishencë e 50 viteve diktaturë, se po ta shohësh më herët shqiptarët kanë pasur ndofta kryenetsinë tipar bazë, dëshirën për të qenë gjithmonë ata të parët. Por nga ana tjetër, ka një lloj kontradiksioni, pasi po ky popull ra në një ndrydhje e shtypje 50 vjeçare që e bëri të nënshtrohej shumë. Aq sa brenda familjes kanë ndodhur ngjarje të tilla si vëllai që spiunonte vëllain apo gruaja burrin etj. Por ne kemi pasur dhe pjesën e kryenensisë dikur por edhe atë që është një lloj nënshtrimi për një kohë të gjatë, por që unë mendoj se reminishencat e asaj periudhe janë ende prezente sot.
Të ligjve…armiqve të mi që me ligësitë e tyre më bënë të ndjehem më i fortë por edhe ta njoh më mirë psikologjinë e shqiptarëve shkruani ju në dedikimin e faqes së parë të këtij libri…?
Unë e kam thënë edhe në një promovim tjetër që e kam pasur me thepa jetën. Por janë pjesë e jetës. Ka një shprehje të bukur Çërçilli, i cili thotë se: Nëse jeta nuk do të ishte me mjaft probleme e të papritura do ti vinte fundi shumë shpejt. Në këtë sens e them që armiqtë të ndihmojnë. E para njeriu mëson ta dallojë më mirë të mirën nga e keqja, mëson t’i rezistojë së keqes. Nëse unë jam goditur dhe fizikisht, edhe shpirtërisht në mjaft raste, mund të ketë pasur ndonjë njeri që më ka rekomanduar të iki nga ky vend, flas miq apo i afërm. Por rrugën e gjeta duke ndenjur këtu e duke vazhduar përpjekjet e mia duke pasur edhe miq edhe armiq gjë që është e natyrshme për këdo. Por ndonjëherë kur armiqtë janë shumë të egër, mund të të marrin edhe jetën apo të shkatërrojnë shpirtërisht. Të paktën unë mbijetova.