Yzedin Hima: Miti i Sizifit në letërsinë e penguar
(Dikush shkroi se kjo foto tregon variantin shqiptar të Mitit të Sizifit)
Miti i Sizifit është ndër mitet më të njohura të Greqisë së lashtë. Sizifi qe dënuar nga perënditë të ngjiste pa pushim në majë të malit një shkëmb të madh. Kur arrinte në majë, shkëmbi rrokullisej vetiu dhe përfundonte në këmbët e malit. Sizifi niste sërish ngjitjen e shkëmbit nga këmbët e malit drejt majës. Perënditë i kishin caktuar Sizifit ndëshkimin më të rëndë, atë të një pune të detyruar, të pafrytshme dhe të pashpresë, të cilën ai e përballon me stoicizëm.
Në “Letërsinë e penguar” Miti i Sizifit takohet në disa forma, por që kanë të përbashkët pikërisht ndëshkimin nga perënditë, (diktatura) për shkaqe politike të personave, të cilëve u duhet të kryejnë punët më të rënda, të kalojnë mes vështirësish të panumërta dhe, kur ia dalin t’i përballojnë ato, shohin se u duhet t’ia nisin nga e para, për shkak të ndëshkimit permanent dhe të pafund.
Shkrimtari i njohur frëng Albert Camus, fitues i Çmimit “Nobel” për letërisinë, shkroi një ese, ku ka në themel të veprës Mitin e Sizifit. Vepra e famshme e Albert Camus “Miti i Sizifit” tregon për sfidën krenare të njeriut ndaj universit të dhunës së pakuptimte që ai e emërton me emrin “absurd”. Edhe në “Letërsine e penguar” gjen mjaft tekste, ku njeriu për shkaqe absurde ndëshkohet të kryejë punë të rënda pa fryt, të burgoset po për shkaqe absurde dhe dënohet të kryejë për ditë, muaj e vite, të njëjtin proces që kryente Sizifi. Gjen personazhe të cilët me një krenari sizifiane e kryejnë ritualin e përditshëm të mbartjes së shkëmbit pa u thyer, pa u ligështuar, pa u tjetërsuar, duke u përballur dhe duke e përballuar dhunën.
Në librin “Rrugët e ferrit” të shkrimtarit Visar Zhiti gjendet një dialog absurd. Për të kuptuar këtë dialog duhet të njohësh absurdin e diktaturës shqiptare dhe të burgjeve të saj. I burgosuri politik në Shqipërinë e diktaturës qe një Sizif. Këtë e shpjegon më së miri pikërisht dialogu që vijon:
– Sa vjet je dënuar ti? – pyeti oficeri.
-7.
– Sa ke bërë?
– 12.
– Dhe sa ke?
– 25. Sa t’jesi Partia.
Në këtë dialog midis një të dënuari dhe një oficeri në burgun e Spaçit ka një mospërputhje logjike. I burgosuri është dënuar me 7 vjet dhe ka bërë 12, ndërkohë që është ende në burg dhe i kanë mbetur për të bërë edhe 25 vjet. Për të shpjeguar këtë absurd na vjen në ndihmë Miti i Sizifit. Sizifi vërtetë që e çonte shkëmbin në majë të malit, por ai rrokullisej përsëri. Edhe Xhafa i Lumës, vërtetë i kishte kryer 7 vjetët e burgut, por sapo afroi dita e lirimit, qe dënuar përsëri. “Shkëmbi” kishte rënë sërish atje poshtë në ferr dhe ai e kishte mbërthyer dhe qe ngjitur përpjetë malit. Kur i qe afruar prapë dita e lirimit, Xhafën e Lumës e kishin dënuar sërish. Ai kishte edhe 25 vjet burg për të bërë dhe, duke e ditur se praktika e ridënimeve ishte praktikë e zakonshme në burgje, me ironi përgjigjet: “Sa t’jesi Partia”.
Miti i Sizifit ndeshet në të gjithë tekstet e “Letërsisë së penguar” me temë nga burgu, po ashtu edhe në tekstet e ashtuquajtura burgologji, tekste me kujtime e përshkrime të burgut.
Të burgosurit ngjitin vagonët nga thellësitë e minierës deri lart në dritë të diellit, për ditë të tëra, për muaj të tërë, për vite të tëra. Në një fragment nga teksti i poezisë së Visar Zhitit “Mozaik keq i pambaruar” thuhet:
Edhe në ëndërr
mbushim vagonat me dhe,
Gjumi rrjedh nga sytë tanë
si dy shina të zeza… shtyj vagonat
plot me gurët e Sizifit.
Thonë se njeriu kur mbytet dhe është në pragun e kalimit në jetën tjetër, sheh endrra të bukura, sikur vrapon në lëndina plot lule e aroma, ndërsa në këtë tekst vuajtja nuk ka fund, ajo vazhdon edhe në gjumë, ku njeriu shtyn vagonat e mineralit. Puna është është pa fryt, sepse frytet e saj i marrin të tjerët. Mundimi është pa shpresë, sepse në ditën që do të lirohesh të thërrasin në komandë dhe të njoftojnë se je dënuar edhe dhjetë, ose pesëmbëdhjetë vjet të tjera për agjitacion e propagandë kundër shtetit. I burgosuri, sikurse Sizifi është i vetdijshëm për pafrytshmërinë e punës së tij. Dhuna është absurde dhe pakuptimtë, sepse i burgosuri politik nuk ka kryer kurrfarë propagande dhe dëshmitarët e gjyqit farsë janë të rremë.
Në tekstin e romanit të Fatos Lubonjës “Ridënimi” tregohet me realizëm i gjithë mekanizmi i ridënimeve në burgjet shqiptare. Autori, që e pësoi edhe vetë nga ky mekanizëm, ka kurajon e shenjuar të shkrimtarit që të sjellë me emrat e tyre të gjithë ato vegla të verbëra të mekanizmit të dhunës.
Miti i Sizifit ndeshet edhe në tekstet e poezisë së poetit Bilal Xhaferri. Bien në sy se ky mit është i pranishëm jo vetëm në tekstet e shkruara në mërgim, por edhe në tekstet e shkruara para se të arratisej nga Shqipëria. Në tekstin e poezisë “Motiv fushe” thuhet:
…Prashita me shat në fushën e paanë
tërë verës
e mbajta diellin mbi kurrizin tim
mbi kurrizin tim të djersitur, të bronxtë
dhe sikur e rrokullisja çdo ditë
me shpatullat e mia
Nga Lindja në Perëndim
nga horizonti në horizont.
Natyrisht, nuk mund të gjejmë te teksti i kësaj poezie asnjë aludim për Sizifin dhe Mitin e tij. Poezia është shkruar gjatë viteve të diktaturës. Madje bie në sy se, ashtu si Sizifi qe i miqësuar me Gurin e tij, edhe uni poetik në këtë tekst është në harmoni me “gurin” e tij, diellin. Metafora e mbajtjes së diellit mbi supe dhe krahasimi ‘sikur e rrokullisja çdo ditë me shpatullat e mia’, janë mjaft të gjetura. Po të kihet parasysh se si paguhej puna në fushë gjatë kohës së diktaturës, atëherë krahasimi me Mitin e Sizifit bëhet më i qartë. Të mbaje diellin 16 orë mbi supe, ta përcillje atë nga lindja në perëndim, nga horizonti në horizont, nga dita në ditë, gjatë gjithë verës, gjatë gjithë vitit, edhe verën dhe vitin tjetër dhe për këtë të merrje një pagë sa për të ngrënë bukë thatë, ishe vërtetë një ndëshim i madh, një ndëshkim prej Sizifi.