Yzedin Hima: Qielli i thërmuar në dhjetra copa dhe deti atje tej
Tregim
Duke iu ngjitur asaj kodre të butë, gazetari i “Green line” u djersit pakëz. Gjelbërimi i kodrës ia përthithte shikim si magnet. Shtëpitë e mbuluara me tjegulla të kuqe prushonin nga larg. I bëri shenjë operatorit që të realizonte disa plane të fshatit të vogël. Rruga qe e shtruar me çakëll dhe kanalet në të dy anët e saj e kishin ruajtur më së miri nga përbaltja dhe erozioni i ujit. Anas rrugës shtyllat e tensionit dukej sikur ia përcillnin njera – tjetrës ekipin e televizionit kombëtar, që po hynte në fshat.
Befas u shfaq një vajzë e re që po qëndronte pranë livadhit të gardhuar me shelgje të cilët, ndonëse të ngulur anash lëndinës si thupra gardhi, kishin harbuar në gjethe. Vajza i kishte lidhur flokët korb të zinj në një gërshet të plotë dhe kur hodhi vështrimin disi të habitur drejt të ardhurve, ekipi i TV kombëtar u shastis. Sytë e saj kishin të kaltrën e butë të qiellit dhe flladitjen e ëmbël të detit. Kontrasti midis flokëve të zinj dhe shikimit të saj plot qiell e det të trazuar në kureshti të pafajshme, lëkura e lëmuar paksa e errët, i stepi sikur të kishin ndeshur një nepërke plot dekoracione në udhëkryq. Kameramanit që po regjistronte i ra kamera nga syri dhe në mënyrë instiktive filloi të fshinte syrin e vendosur në objektivin e kamerës, pastaj fshiu tjetrin të cilin e mbante mbyllur teksa xhironte dhe në fund filloi të fshinte të dy sytë, i magjepsur.
Vajza, aspak e hutuar, i pyeti se në cilën dasëm do të shkonin, sepse në fshatin e saj atë fundjave kishte dy të tilla. Gazetari i “Green line” buzëqeshi dhe i tha se nuk ishin as dasmorë as regjistrues dhe as regjisorë dasmash, por vinin nga televizioni kombëtar për të realizuar një dokumentar për fermerët dhe fermat e tyre të vogla me prodhime bio. Vajza buzëqeshi dhe bukuria e saj shkrepi si vetëtima.
– Ku mund ta gjejmë kryeplakun? – pyetën vajzën të ardhurit.
– Nuk mund ta takoni dot. Po bën një muaj që është në burg për shkak se nuk e raportoi drogën e mbjellë në parcelat e fshatit, – foli vajza.
– Po ti shkon në në shkollë?
– Jo . Kam mbaruar vetëm pesë klasë këtu në fshat para pesë vjetësh. Shkolla është poshtë në qytet dhe nuk mund të vete. Nuk ka as urban as furgon për në qytet. Fshatarët bëjnë një orë rrugë deri në asfalt dhe pastaj presin ndonjë furgon për në qytet.
– A do të na shoqërosh deri te qendra e fshatit?
– Po. Qendra e fshatit është te klubi i Fatit.
– Aty mblidhen burrat e fshatit?
– Po. Vetëm në dimër. Pastaj shkojë të gjithë në kurbet. Kthehen për pak ditë dhe ikin përsëri.
Duke ndjekur hapat e lehtë të vajzës ekipi u drejtua nga klubi në qendër të fshatit. Në anë të rrugës, pranë një shtëpie të vogël panë një shkollar që po priste dru. Kur u afruan djali uli sopatën dhe po i vërente me një buzëqeshje miqësore. Të dy burrat e TV kombëtar panë njeri – tjetrin plot habi.
– Është vëllai yt? – pyetën vajzën.
– Jo. Është fqinjë me mua.
Djali kishte flokë të çelët dhe sytë qiell e det, krejt si vajza. Burrat e TV tundën kokat dhe vazhduan më tej. Djali vazhdoi të priste dru. Vajza u tregoi me gisht klubin e fshatit, një ndërtesë e vogël e rrethuar me një shesh me bar. Ajo i përshëndeti me një “ditën e mirë” dhe buzëqeshjen plot dritë të kaltër dhe u tret në një rrugicë. Më tej, në një lëndinë të vogël, djemtë 12 – 13 – vjeçarë po luanin futboll. Kishin vendosur për porta purteka të lajthie dhe plot zhurmë e rrethuan ekipin e TV kombëtar duke i pyetur për ku po shkonin.
Të dy burrat vunë re se pothuajse të gjithë djemtë kishin sy të kaltër. Gazetari, që shquhej për humorin e tij, ia nisi nga shakatë: – Po ju të gjithë paskeni vjedhur qiellin e detin dhe e keni fshehur te sytë? Fëmijët panë njeri – tjetrin dhe nisën t’i bërtisnin shoqi – shoqit : edhe ti i paske si sytë e mi?! Nuk e kisha vënë re.
Të dy burrat e TV kombëtar u larguan edhe më të habitur. Shikonin lart qiellin e pastër dhe pastaj e hidhnin shikimin atje poshtë, në detin plot rrudha. Gazetari filloi të hamendsonte se shpesh edhe natyra lë vulën e saj te njerëzit, te tiparet e tyre. Ai filloi të sillte argumenta, ndërkohë që operatori buzëqeshte me ironi.
-Ke dëgjuar për Lumin e Verdhë në Kinë? Po për Detin e Verdhë? Ja që në të njejtin vend kemi edhe lumë dhe det të verdhë dhe për rrjedhojë kemi edhe banorë me ngjyrë të verdhë. Ndërkohë i takuan fermerët dhe regjistruan fermat e tyre bio ku punonin vetëm gratë, me të cilat realizuan intervista interesante. Duke u kthyer vazhduan bisedën e tyre deri te makina e parkuar para kanalit të pakalueshëm në mes të rrugës që lidhej me asfaltin.
-Ja, e pe vetë qiellin e kaltër dhe detin. Njerëzit rriten me qiellin dhe detin në sy në atë kodër. Kështu brez pas brezi, sikurse edhe kinezët për të cilët të fola më parë. Operatori buzëqeshte pa e kundërshtuar. Te makina e tyre panë shoferin që po tymoste me një burrë të fuqishëm si ari. Kur u afruan, shoferi i prezantoi me të.
– Ky është Shemua. Këta janë shefat e mi të televizionit- foli shoferi. Shemua zgjati dorën e tij leshtore dhe ngriti sytë duke buzëqeshur. Të dy burrat, kur ndeshën vështrimin e Shemos murmëritën disi të trembur: Zot i madh, Zot i madh!
– Jam elektriçisti i fshatit lart. Kam njëzet e pesë vjet aty. Vij çdo të enjte nga qyteti dhe kujdesem për linjën dhe lexoj edhe sahatet. Fshati i paguan deri në një faturat. Nuk ka shtëpi që të ketë ndonjë faturë të prapambetur- foli Shemua.
Pastaj, si u përshëndoshën, Shemua nisi të ngjiste shend e verë kodrën për në fshat, ndërsa makina e TV kombëtar u nis fluturimthi drejt Tiranës. Askush nuk fliste. Tani argumenti me lumin, detin dhe kinezët dukej i kotë. Në mendje u kishte mbetur vështrim i qelqtë, det e qiell bashkë, i Shemo elektriçistit.