Dr. Margarita Kola: Mosdekretimi i kandidaturës për Ministër të Brendshëm nga ana e Presidentit
Mosdekretimi i kandidaturës për Ministër të Brendshëm nga ana e Presidentit ka ndezur debatin politik dhe mediatik së fundmi. Palët kanë zënë pozicionet e veta dhe mbajnë fort llogoret pro dhe kundra këtij mosdekretimi. Duke tejkaluar intensitetin politik-partiak të debatit, do të ndalem në dy aspekte të asaj çfarë ka ndodhur për shkak se mendoj se jo vetëm po i mungojnë këtij ligjërimi mediatiko-politik por edhe për faktin se ky mosdekretim duhet analizuar në kompleksitetin e tij dhe jo si një precedent që duhet vlerësuar rreth po-s ose jo-s së kampeve politike.
Së pari, nga pikëpamja ligjore konstitucionaliste Presidenti ka ushtruar të drejtën e mosdekretimit, mbështetur në nenin 98/1 të Kushtetutës së Shqipërisë, që parashikon se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditëve”.
Gjithashtu në interpretimin lidhës edhe me Nenin 96 të Kushtetutës të Shqipërisë shkohet më tej deri në të drejtën e Presidentit të emërojë ministra përderisa ai emëron kryeministrin sipas Nenit 96/2 të kushtetutës.
Nga pikëpamja institucionale dhe e teorisë së shtetit Presidenti është kryetari i shtetit dhe si i tillë ai mund të ushtrojë të drejtën për të mosdekretim të një ministry, përderisa ministri i përket pushtetit ekzekutiv që është një nga pushtetet e shtetit.
Duke qenë se në përputhje me Nenin 124 të Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese ajo që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe garanton respektimin e saj kryeministri ka të drejtë në rast mosdekretimi, në bazë të Nenit 134/1/b, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese e cila bën interpretimin e aktit të mosdekretimit të nxjerrë nga presidenti në zbatim të Nenit 131/c po të Kushtetutës.
Pra në mënyrë të përmbledhur jemi në situatën që Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje dhe do të shërbejë Kushtetuta si garanti ligjor i këtij rasti precedent mosdekretimi.
Së dyti, nga pikëpamja e formës së regjimit shtetëror ky precedent për kohën kur u krijua tregon se çfarë rëndësie ka në demokracitë e brishta zgjedhja e një presidenti nga populli ose të paktën jo nga mazhoranca qeverisëse. Jemi për herë të parë në situatën e mosdekretimit sepse jemi në kushtet kur ky president nuk është pjesë e mazhorancës qeverisëse dhe kësisoj mund të marri vendime të cilat nuk shkojnë në linjën e propozimeve të kryeministrit. Kjo nuk ka se si të mos garantojë pavarësinë e institucionit të presidentit në nxjerrjen e akteve por nga ana tjetër i mundëson presidentit të dali mbi palët. Nëse kjo është sfidë apo shëndet për demokracinë tonë të brishtë ngelet për t’u diskutuar, por një gjë është e sigurtë që ky precedent shtron nevojën që nëse nuk gjendet gjuha e dialogut, të vihet në lëvizje Gjykata Kushtetuese
Gjithashtu, vënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese, e cila është pjesë e pushtetit të tretë, do të mundësonte ushtrimin e parimit kontroll dhe balancë (check and balance) parim ky që garanton ndarjen dhe njëkohësisht kontrollin e pushteteve duke kontribuar në avancimin e demokracisë në Shqipëri.
E fundit por jo më pak e rëndësishme është edhe fakti që nëse do të shkohet në një interpretim të Gjykatës Kushtetuese për mosdekretimin e Ministrit do të kemi edhe një shërbesë të kryer në drejtim të çtensionimi politik të debatit duke mos e lidhur atë me emra konkretë, por me koncepte dhe garanci kushtetuese.
Pra në pamje të parë jemi në gjendje të ravijëzojmë vetëm aspektin politik të këtij precedenti; është vetëm analiza ajo që na bën të kuptojmë thelbin institucional dhe ligjor të këtij mosdekretimi si edhe mekanizmat kushtetues për zgjidhjen e kësaj situate të krijuar. Vetëm debati analizues do të ishte i frytshëm në këtë rast.