Koço Sterjo: “ENIGMA E NJË NATE” DHE AJO E NJË SHKRIMTARI
“Enigma e një nate” është libri i parë artistik në radhë botimi i shkrimtarit Avdulla Kënaçi, dalur në qarkullim kohëve të fundit.
Nuk besoj se do të jetë i tillë edhe në radhë krijimi. Dhe kjo përbën enigmën e vetë shkrimtarit, i cili prezantohet vonë në kohë publikisht në sferën e krijimit artistik, megjithëse edhe puna e tij si gazetar dhe prodhues i dokumentarëve televizivë mbartte në vetvete magjinë e artit, kur je në gjendje dhe di ta bësh të tillë. Të presim nga sirtaret e tij, se nuk ka mundësi që ky të ishte një shpërthim rastësor i tërë talentit të tij ekzistues dhe përvojës shumë të gjatë jetësore e krijuese.
Me prozën e Avdulla Kënaçit bie në kurth qysh në titujt e saj, personazhet, rrethanat etj. Është tipi i shkrimtarit tejet intrigues, por që trillin artistik e jep mjaft natyrshëm, pa sforcim. Intriga qendron edhe në faktin se tregimi duket si rrëfenjë, si “dokumentar” dhe përfundon në trillim artistik e anasjelltas. Në këtë kuptim, do të ishte më mirë të mos kishe njohuri për jetën dhe profesionin e autorit, se gjetkë të nis e gjetkë të sos. Personazhi të duket se nis si A. K. dhe përfundon si Gurien Stroka, Besim Ndroqi apo Niko Vasili etj. Shkurt, tregimi artistik të ngjan me një tregim të jetuar dhe tregimi i jetuar plotësisht artistik. Vetëm mjeshtrat e penës mund t’i thyejnë kufinjtë përkatës.
Areali i temave është mjaft i gjerë, aq sa mund të themi se kap të gjithë njerëzit e globit dhe pikat kryesore emigruese të shqiptarëve së bashku me problemet që ata i shoqërojnë.
Gjuha e përdorur- mjeshtërore.
Frazat dhe, në tërësi, stili- mjaft të shkathta.
Nuk kam se ç’ përsërit më tepër nga parathënësia Edlira Jorgji Doko dhe autorët që ka përzgjedhur shkrimtari në fjalë për mendimin e tyre, paraqitur në kopertinën e pasme të librit, sepse ata e kanë thënë gjithçka me kompetencën profesionale.
Gjasat tregojnë se autori është në udhën e një libri tjetër me tregime, duke shpalosur realitetin shqiptar dhe atë botëror me anë të magjisë artistike. Megjithatë, ne jemi në pritje të hapjes së sirtareve…
Duke patur parasysh përvojën e tij dhjetra vjeçare në krijim dhe mosngutjen në drejtim të përshkallëzimit botues, mundet t’u tërhiqet vëmendja grafomanëve të panumurt të kohës për nxitimin e tyre…