Albspirit

Media/News/Publishing

Pas ngjarjes në Bularat, ushtarët grekë të përcillen në atdheun e tyre

Mujo Buçpapaj

Ngjarja e Bularatit ku një i vetëquajtur “ushtar i vorio epirit“ u ekzekutua ndërsa sulmoi pa asnjë shkak policinë e shtetit shqiptar, ka risjellë në vëmendje pasojat që mund të ketë në të ardhmen ekzistenca e varrezave të ushtrave grekë të rënë në jug të vendit gjatë luftës së largët italo-greke. Në fakt qysh kur marrëveshja ndërshtetërore Shqipëri-Greqi i jepte të drejtën shtetit helen të ndërtonte në mënyrë provokuese varreza kolektive në tokën shqiptare, e kemi kundërshtuar atë si një praktikë që vinte në kundërshtim me historinë, me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat që kanë rregulluar në të kaluarën çështjen e ushtarëve të rënë në luftërat botërore; Që vinte në kundërshtim me marrëdhëniet aspak miqësore mes dy vendeve, për shkak të ruajtjes së ligjit absurd të luftës nga Greqia, të pretendimeve territoriale të Greqisë dhe kërcënimeve të vazhdueshme përfshirë edhe ato të ministrit aktual të mbrojtjes, i cili nuk lë rast pa përmendur, sipas tij, “superioritetin ushtarak të Greqisë.” Është krejt e qartë se në Greqi asnjëherë nuk do të gjendet një klimë miqësore ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, por të paktën dy shtetet që përpiqen të ndërtojnë një politikë me orientim pro europian nuk duhet t’u japin shkas ekstremistëve grekë si në rastin e Bularatit që të kapin pushkët dhe të mësyjnë policinë shqiptare, duke patur si pretekst “nderimet për ushtarët e rënë.” Zgjidhja ma e mirë në këtë rast do të ishte shfuqizimi i marrëveshjes që lejoi ndërtimin e varrezave dhe nisjen e procedurave të nderimeve të fundit të ushtarëve grekë të rënë në një luftë të verbër, duke i zhvarrosur dhe çuar në atdheun e tyre, të atyre fatkëqinjve të rënë në një konflikt të ashpër që, përveçse është zhvilluar në tokën shqiptare, nuk ka asnjë lidhje me shtetin Shqiptar, as atë të kohës së mbretërisë të shfuqizuar nga pushtimi fashist, por dhe as me shtetin aktual shqiptar. Nderimi i fundit që do të duhej t’u bëhej atyre viktimave të luftës italo-greke do të ishte që me dinjitet dhe mëshirë të arkivoheshin dhe të përcilleshin në atdheun e tyre, ashtu siç parashikohet në rrugë protokollare sipas praktikës ndërkombëtare me një komision trepalësh Shqipëri-Itali-Greqi, duke u thënë se sa herë që do të vini në këtë tokë do t’i merrni siç shprehet Kadare tek “Gjenerali” në thasë najloni. Ekspertët e dinë se në nivel ndërkombëtar të gjitha çështjet e ushtarëve të rënë në Luftën e Dytë Botërore janë mbyllur dhe ushtarakët e rënë janë përcjellë në vendin e origjinës, pavarësisht se ku kanë humbur jetën, ta zëmë si ushtarët grekë në vetminë e luftës dhe frikën që i ka përcjellë në momentin e fundit, ndërsa kanë parë për herë të mbarmë tokën e huaj dhe malet e ashpra të Shqipërisë. Ka qenë dashakeqësia, pafuqia dhe frika që Greqia ka ndaj shtetit Italian që, ndërsa ndaj Romës sillet si pulë, ndaj Shqipërisë ka mbajtur për gati 80 vjet në këmbë ligjin e luftës, kërcënime, provokacione dhe të tjera shantazhe të përhershme që nuk e nderojnë shtetin fqinj grek. Nuk ka dyshim që qeveria e zotit Cipras ka patur një politikë me mirëkuptuese më Shqipërinë dhe siç thotë Pangallos, e ka kuptuar se konflikti me Shqipërinë dhe fqinjët veriorë në tërësi, e çon vendin helen në izolim dhe armiqësi rrethore prej së cilës humbet vetëm Greqia. Por siç duket grupet ekstremiste në atë vend nuk mund të jetojnë pa konflikte dhe armiqësi me shqiptarët, janë duke i fryrë zjarrit të urrejtjes dhe spekuluar me një veprim rutinë të policisë shqiptare si të çdo policie tjetër në botë, kur një person kushdo qoftë ai kërcënon jetën, pasurinë, rendin publik dhe ekzistencën e qytetarëve të tjerë, aq më tepër kur kap armët edhe ndaj Policisë së Shtetit siç bëri greko-shqiptari.

Ishte e lodhshme, rraskapitëse dhe dëshpëruese konspiracioni grek për ta përfshirë policinë shqiptare në një konflikt dhe krim me motive etnike ndaj një qytetari shqiptaro-grek. Vetëm pasi dolën videot nga qytetarë të rastësishëm, por edhe ato të regjistruara nga polica gjatë aksionit, kushdo u bind që policia shqiptare veproi si forcë e përgjegjshme profesionale, se policia shqiptare kishte konsumuar të gjitha përpjekjet e saj të parashikuara në ligj për të ndaluar, çarmatosur dhe neutralizuar paqësisht një njeri që kishte deklaruar disa ditë më parë në rrjetet sociale se ishte “ushtar i vorio-epririt” , “ja vdekje, ja Greqi”, etj.

Nëse në çdo shtet krimi dhe kriminelët nuk kanë etni, disa të mjerë në mediat greke apo qarqe të falimentuara si mbeturina të megali-idesë, akoma vijojnë të gjejnë shkaqe për një frymëzim të ri antishqiptar, siç duket për të penguar marrëveshjen e re ndërshtetërorë që do të çonte siç janë shprehur zyrtarët grekë, “në heqjen e ligjit te luftës me Shqipërinë. Kjo histeri e radhës ishte një tjetër turp.

Askush në Shqipëri nuk ka ndezur histeri antigreke edhe kur në burgjet e Greqisë janë ekzekutuar qytetarë shqiptarë që vuanin dënimet në këtë shtet, edhe kur shqiptarë, si Gramoz Palushi është vrarë vetëm pse ka festuar me flamurin kombëtar shqiptar për të kremtuar si çdo tifoz në botë fitoren e vendit të tij në një ndeshje futbolli, ndërsa përpiqen të gjejnë nacionalizmin në shtetin shqiptar. Askush në Shqipëri nuk e ka ngatërruar as nuk e ngatërron një minoritar grek kriminel, apo terrorist me gjithë komunitetin grek në Shqipëri. Për mendimin tim, me përjashtime të rralla, ata janë qytetarë besnikë të shtetit dhe shoqërisë tonë dhe janë integruar pa komplekse dhe pa paragjykime në jetën shqiptare. Në fakt, për të vetmen gjë që nuk duhet ta akuzojë askush shtetin shqiptar historikisht, por as edhe shtetin aktual, është nacionalizmi, biles as patriotizmi. Gjatë shtetit komunist, izolimi i vetëkërkuar i diktatorit Hoxha e kishte mbyllur vendin në luftën e brendshme për pushtet dhe eliminimin e armiqve të revolucionit dhe megjithëse zotërontë një arsenal ushtarak për të luftuar edhe me NATO-n, ai nuk shpenzoi asgjë, as ideologji, as armë dhe as para për të destabilizuar Greqinë dhe as ndonjë vend tjetër të rajonit. Shteti shqiptar demokratik gjatë 30 vjetëve të fundit, pavarësisht qeverive dhe ngjyrimeve politike, ka bërë çdo përpjekje për të nderuar marrëdhënie të mira me Greqinë, ndërsa ka gjetur atje politikën e kërcënimeve dhe ujdive poshtëruese të imponuara me gjakftohtësi Shqipërisë. Ndihma greke ka qenë permanente për hyrjen e Shqipërisë në NATO apo liberalizmin e vizave në zonën Shengen, por kjo ndihmë nuk ishte siç duhet të në vërtetë të jetë ndihma që vjen nga një fqinj i vogël mijëravjeçar, por si një shtet armik që përftoi nga pozita e palakmueshme e Shqipërisë në fillim të viteve 1990, dhe pastaj nga etja e Shqipërisë për të siguruar integrimin saj në NATO dhe BE, duke kërkuar favore poshtëruese për çdo ndihmë të dhënë, ndryshe nga Italia fqinje dhe sidomos nga partneri ynë strategjik SHBA-të, të cilat ndihmën e dhënë e lidhin vetëm me demokracinë dhe forcimin e saj. Si rregull Greqia duhet të ishte aleati dhe vendi më i afërt me Shqipërinë për njëmijë arsye që dihen, por politika që bën Athina ia imponon Shqipërisë që në politikën rajonale të afrohet me Turqinë, jo thjesht për arsye fetare siç i intereson dikujt ta vlerësojë, por vetëm strategjike. Ministri aktual i mbrojtjes Kamenos, disa herë gjatë viteve të fundit është parë në kufirin jugor të Shqipërisë të bëjë deklarata kërcënuese ndaj Shqipërisë duke dëshmuar sipas tij “supermacinë ushtarake” apo “ekonomike të Greqisë ndaj Shqipërisë.” Kjo është e pafalshme dhe sjell menjëherë reagimin e aleatëve ushtarakë të Shqipërisë si Turqia, ku një këshilltar Erdoganit deklaroi edhe këto ditë se “për tre-katër orë Turqia mbaron punë me Greqinë”, duke bërë edhe ky përshkrimin e potencialit superior ushtarak të vendit të tij ndaj Greqisë. Shqiptarët kanë aleat strategjik SHBA-të, dhe kaq mjafton për të kërcënuar çdo armik që sheh ëndrra vorio-epirote ndaj vendit të shqiponjave, pa llogaritur forcën shkatërruese të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon ndaj çdo agresori real apo imagjinar, si dhe rreth 3 milionë shqiptarëve që jetojnë në Greqi (pa llogaritur 1 milion emigrantë ekonomikë shqiptarë) të cilët mund ta destabilizojnë vendin Helen, sa herë që të dojë Tirana. Nuk është thjeshtë deklarata e babait të të ndjerit në Bularat që pohoi për mediat greke se i biri ra si ushtar i vorioepirit, që ai dëshironte ta bashkonte me Greqinë, por edhe shumë të tjerë në Greqi, përshirë edhe intelektualë të njohur që i kam takuar në konferenca ndërkombëtare, që mendojnë se kufijtë Shqipëri-Greqi nuk janë zgjidhur akoma! Por a mundet se incidenti tragjik i Bularatit të ishte një provë? Ka shumë mundësi. Ka shumë mundësi që kërkesa për rishqyrtimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë të këtë nxitur ekstremistët grekë që të krijojnë një platformë të njëkohshme për rishikime në jug. Në këto rrethana shtetit shqiptar i rekomandojmë:

  1. Të anulojë marrëveshjen e varrezave, të rizhvarrosë dhe të përcjellë ushtarët grek në Atdheun e tyre. Është shumë më e mirë për të dyja shtetet të zgjidhin këtë problem qoftë edhe përmes mosmarrëveshjes se sa çdo vit të gjenden para provokacioneve që janë në gjendje jo vetëm të shkatërrojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke, por edhe të nxisin një luftë të re midis vendeve.
  2. T’i bëhet e qartë Greqisë se Shqipëria do të shpallë të paligjshme paratë e dhëna, donacionet dhe investimet sekrete nga shteti grek për qëllime asimilimi, fetare, etnike etj, tek të ashtuquajturit homogjen, vorio-epirotë etj, për rekrutim individësh, mediash, politikanësh dhe rretheve mediatike me ndikim, që shkojnë në favor të helenizimit të vendit.
  3. Të detyrojë me ligj Kishën Autoqefale Ortodokse shqiptare të kryejë të gjitha predikimet fetare në gjuhën shqipe. Po kështu edhe për komunitet e tjera fetare.
  4. Të ngrijë çdo marrëveshje me Greqinë, përfshirë edhe atë të detit, pa hequr ligjin e luftës me Shqipërinë.
  5. Të përpiqet që me dialog të dyanshëm, të arrijë një marrëveshje të re të partneritet strategjik, e cila të ketë në thelb partneritetin reciprok dhe dinjitetin e secilit shtet dhe shoqërive përkatëse.
Please follow and like us: