Albspirit

Media/News/Publishing

Historiku i marrëdhënieve shqiptaro-polake


Prof. Genci Luarasi

Në gazetën “Kurier Warszawski” (Lajmëtari i Varshavës), në prill të vitit 1938 u botua një artikull me titull “Pas 500 vitesh”, i autorit Dr. Henryk Batowski (lektor në Universitetin e Krakovit dhe në Shkollën e Shkencave Politike të atij qyteti), ku ai dëshmon fakte historike të lidhjes së shqiptarëve me polakët. Psh, ai sjell rastin kur princi Adam Czartoryski u angazhua për hartimin e një marrëveshje në mes të shqiptarëve dhe malazezëve. Në vitin 1884 u botua romani “Derdhje gjaku”, shkruar prej Sahi Bey, pseudonim i WaclawWozodsko ish-inxhinier polak në shërbim të Perandorisë Otomane. Nga ana tjetër ballkanologu Jan Grzegorzewski botoi në revistën “Udhëheqje Shkencore dhe Liberale” një seri studimesh mbi historinë dhe etnogjenezën shqipe. Por ai që i evokon më mirë këto lidhje është shkrimtari i njohur, Jez Milkoëski, i cili në romanin me tre vëllime të titulluar “Kalorësi Kristian”, i botuar ne 1890, shkruan jo vetëm për popullaritetin e madh të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, por edhe për lidhjet dhe marrëveshjet e tij direkte me mbretin e Polonisë së asaj kohe, Vladislavin. Në qershor 1444, mbreti i Polonisë i dërgoi një letër Skënderbeut për veprime të përbashkëta kundër shkelësit të Evropës, otomanëve turq. Lufta e planifikuar të zhvillohej në Varna, nuk u kurorëzua me sukses, pasi forcat shqiptare u penguan nga serbët për të mos kaluar në territorin e tyre. Fati i luftës mund të ishte shumë i ndryshëm po qe se forcat polako-hungareze dhe shqiptare do të kishin  arritur të bashkëvepronin në atë betejë. Faktin e kësaj lidhjeje të hershme e pohon edhe kryetari i Shtetit të Polonisë, kur i dërgon Ministrin e tij Fuqiplotë Mbretit të Shqiptarëve, duke i thënë se këto marrëdhënie të prerë prej 5 shekujsh rilidhen përsëri.

Pas krijimit të shtetit polak në 1918, edhe duke mos patur marrëdhënie diplomatike, Shqipërinë e kanë vizituar polakë me profesion gjeologë, gazetarë, ushtarakë të fuqive të mëdha, kryesisht për të njohur këtë vend ekzotik. Qysh para 1939 në vendin tonë jetonin një numër tejet i kufizuar polakë si, gjeologët Jan Strzetelski (1878-1943), Stanislaw Zuber (1893-1947), gra të martuara me shqiptarë intelektualë të shkolluar në Europë. Në vitin 1949, në Tiranë në familjen e diplomatit polak Micel, lindi gazetarja e ardhshme polake, Jolanda Micel-Thor.

Në arkivat përkatëse disponohen dokumentet e përpjekjeve të vendosjes së tyre me Mbretërinë Shqiptare me një dokument që u hartua më datën 10 prill 1938, nënshkruar nga Presidenti i  Presidenti i Republikës së Polonisë, Ignjac Moscicki dhe kundërfirmuar nga ministri i saj i Jashtëm, Josef Beck. Diplomati polak, që do të përfaqësojë vendin e tij në Mbretërinë e Shqipërisë ka qenë Wladislaw-Guenther Schwarzburg.

Në fakt ambasada e Polonisë në Shqipëri nuk arriti të hapej, së pari: për arsye se  ai mbajti edhe postin e Ambasadorit në Athinë dhe, së dyti: qeveria shqiptare e kohës nuk arriti të krijonte mundësitë logjistike, pasi një vit më vonë, më 7 prill 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Nga ana tjetër edhe Shqipëria me pamundësitë e vazhdueshme financiare nuk arriti të hapë një seli në Poloni, që e arriti vetëm në vitin1946, por si mundësi që ambasadori i Parë i Shqipërisë në Moskë të ishte edhe diplomat i qeverisë shqiptarë në Poloni, detyrë që në atë kohë e kreu Koço Tashko.

Megjithatë, marrëdhëniet në mes dy vendeve edhe pas viteve 1946 nuk ishin kurdoherë të njëtrajtshme. Duke qenë brenda suazës socialiste, KNER, Traktatit të Varshavës deri në vitin 1961, ato u zhvilluan sipas linjës së vendosur nga Moska. Më vonë pas prishjes me Moskën këto marrëdhënie u prishën, për t’u rivendosur në vitin 1992 kur të dy vendet, të shkëputur nga sistemi socialist dhe sidomos hapjes ndaj Evropës, i rivlerësuan këto marrëdhënie me rihapjen e ambasadave të tyre. Kështu, u ngritën përsëri nivelet e marrëdhënieve të ngrira duke dhënë nje hov reciprok marrëveshjeve të ndryshme, sidomos për arsimimin e specialisteve, këmbimeve kulturore–artistike, shkëmbime përvojash, në fushat e organizimit të shtetit studimeve shkencore etj.

Please follow and like us: