Albspirit

Media/News/Publishing

Hyjnë në fuqi të gjitha sanksionet e SHBA ndaj Iranit

Të hënën, Shtetet e Bashkuara rivendosën sanksionet ndaj industrisë së naftës dhe sektorit financiar të Iranit, bazuar tek premtimi i Presidentit Donald Trump për të ndaluar ndihmën që Teherani ka marrë si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare për të kufizuar programin e tij bërthamor. Vendimi rikthen ndalimin e blerjes së naftës iraniane tek e cila mbështetet pjesa më e madhe e ekonomisë së vendit. Sanksionet synojnë gjithashtu Bankën Qendrore të Iranit dhe sektorët e ndërtimit të anijeve dhe të transportit.

Sanksionet e reja, të ashpëra amerikane ndaj Iranit hynë në fuqi të hënën, por tetë importues të mëdhenj të naftës iraniane nuk janë përfshirë tani për tani në këto masa.

Sanksionet prekin sektorët e energjisë, financiarë dhe të transportit të Iranit dhe ato synojnë dobësimin e ekonomisë së këtij vendi, pas tërheqjes së Presidentit Donald Trump nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Masat e fundit risjellin në fuqi të gjitha sanksionet amerikane që më parë ishin hequr, bazuar tek marrëveshja, që i dha Iranit përfitime financiare prej miliarda dollarësh pas heqjes së sanksioneve, në këmbim të heqjes dorë nga Teherani nga programi bërthamor.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pasurive në Shtetet e Bashkuara të personave që preken nga sanksionet dhe moslejimin që amerikanët të kenë aktivitet biznesi me ata. Sanksionet gjithashtu prekin kompanitë jo-iraniane që kanë marrëveshje biznesi me firmat dhe zyrtarët iraninë të përfshirë në sanskione.

Shtetet e Bashkuara thonë se sanksionet e reja ndaj Iranit janë më të mëdhatë që Departamenti amerikan i Thesarit ndërmerr ndaj këtij vendi: ato përfshijnë 700 individë, entitete, avionë dhe anije iraniane, apo me lidhje me Teheranin. Sanksionet e çojnë në 900 numrin e objektivave iraniane dhe me lidhje me Iranin ndaj të cilave vihen sanksione nga administrata Trump, brenda një periudhe prej më pak se dy vjetësh.

Zoti Trump e ka dënuar vazhdimisht marrëveshjen e vitit 2015, një prej arritjeve më të mëdha diplomatike të Presidentit Barack Obama, si “më të keqen” që kanë negociuar ndonjëherë Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ajo i ka dhënë shumë përfitime Iranit, në këmbim të një numri të vogël arritjesh.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo komenton për sanksionet ndaj Iranit

Gjatë një interviste të transmetuar në rrjetin televiziv Fox News të dielën, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo parashikoi suksesin e sanksioneve.

“Sanksionet e kanë patur tashmë një ndikim të madh. Ndërkohë janë ulur eksportet e naftës së papërpunuar nga Irani me më shumë se një milion fuçi në ditë. Kjo shifër do të bjerë edhe më tej. Ka disa vende që kanë bërë ulje të konsiderueshme në importet e tyre të naftës, por u nevojitet pak më shumë kohë për ta ndalur plotësisht dhe ne do t’ua japim atë kohë”- tha ai.

Në një fjalim televiziv të mbajtur të hënën Presidenti iranian Hassan Rohani tha se Teherani do t’i thyejë sanksionet amerikane dhe do të vazhdojë të shesë naftë.

Të premten nëpërmjet një deklarate Presidenti amerikan Trump tha se qëllimi i sanksioneve është që të detyrojë udhëheqësit iranianë të zgjedhin ose të braktisin atë që ai e quan “sjellje shkatërrimtare” ose të “vazhdojnë rrugën drejt një katastrofe ekonomike”.

Presidenti amerikan e braktisi marrëveshjen bërthamore në muajin maj, duke akuzuar Iranin për shkelje të saj.

Ai tha se Teherani po vijon me programin e armëve bërthamore dhe se zbutja e sanksioneve i siguroi këtij vendi para, për të kryer aktivitete destabilizuese në Lindjen e Mesme.

Teherani mohon që programi i tij bërthamor të ketë patur si qëllim prodhimin e armëve bërthamore. Agjencia Kombeve të Bashkuara për Energjinë Atomike e ngarkuar me monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, ka vërtetuar në raporte të shumta se Irani i është përmbajtur marrëveshjes. Të gjitha vendet e tjera nënshkruese të saj kanë argumentuar se marrëveshja është mënyra më e mirë për të siguruar që Irani nuk do të prodhojë armë bërthamore. Zyrtarët iranianë kanë premtuar të mbeten pjesë e marrëveshjes për sa kohë palë të tjera, përveç Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojnë ta zbatojnë atë./VOA/

Please follow and like us: