Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: President qesharak

 

Ashtu si ai, mendje mbushuri i fshatit, që i di dhe i bën të gjitha, Edi Rama bëri president Ilir Metën. Kjo ndodhi në një nga lokalet e pazarit të ri në Tiranë, në një darkë të bollshme me peshk dhe me ngjala. Në mos gaboj nga muaji prill i vitit 2017. Ishte koha e debateve për shtyrjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, diskutimi për një vazhdimësi koalicioni me LSI apo jo? Megjithëse përbrenda kishte plasur një luftë e ashpër, aq sa shpejt u bë tezë në fushatën e pritshme. Ato batutat me mos i fol shoferit, llokmat e tepsisë. Me një fjalë se e keqja e dështimit të mandatit të parë, qe keq qeverisja e ministrave a shefave të tjerë të partisë së Ilir Metës. Nuk ishte hera e parë që Edi Rama e shante Ilir Metën. Kjo qe një teori efikase pasi i dha Edi Ramës plot një milion vota, përfshirë këtu edhe prurjet nga skemat e kartelit të drogës dhe krimit. Një rekord që mundi edhe shifrat e pranverës demokratike të marsit 1992. Më herët e kishte quajtuar si paterica e Berishës apo pozita dhe depozita. Ose, ose, si ai m-ja që i ngjitet këpucës etj. Por atë mbrëmje ngjalash, ndodhi një sfidë, një propozim për vendin e presidentit. Aq sa ndjesia e shumë shqiptarëve qe plot keqardhje për mënyrën se si zgjidhet presidenti në vendin e tyre. Atë botë u rihap rishtas dhe me tendenca të forta ideja e zgjedhjes së presidenti nga populli. Një ide tashmë e domosdoshme për shkak edhe të krizave të njëpasnjëshme që ka ofruar zgjedhja e garantit kushtetues në këto njëzetë e tetë vite demokraci. Gjë që faktori politik e bllokon me shprehjen se nuk mund të ndodh për shkak se duhet të ndryshojë kushtetuta. Në fakt është pjesë e taktikave të asaj që Edi Rama tashmë e quan lojë shahu. Ndofta duke paralajmëruar presidentin për ato emërime që do vinë nga ai etj. Por e vërteta është se mungon vullneti politik, pasi presidenti u duhet për presion politik kundërshtarit, për kriza, mosmarrëveshje etj. Dhe jo si garant i unifikimit dhe kushtetutës së vendit. Jo si balancim pushteti etj. Pra është Edi Rama ai që ua ofroi shqiptarëve presidentin. Pasi donte të gjithë tepsinë. Dhe pavarësisht atyre deklaratave të ashpra të fushatave. Të të dy ekspontevë në fjalë… sot në pozitat e kryeministrit është tjetër gjë. Nuk mund t’i thuash shqiptarëve me kollajllëk që, kemi një president qesharak. Nuk mundesh për arsye se nuk ishin shqiptarët që e zgjodhën. Nuk ishin ata, por ti kryeministri i vendit. Mirëpo në vendin tonë…, në vendin tim e në vendin tënd, asgjë nuk është me balancë, përveç interesit politik. Sidomos kur një qeveri e tërë është e marrë nga droga karteli i saj. Ndaj sot nuk janë të rastësishme që debatet televizive apo inteligjenca e një vendi lundron në 85% të kohës mbi emra të përveçëm të politikës, denoncimit etj. Aq sa sot po ta pyesësh një qytetar shqiptar se çkuptim ka për ty emri institucion, ai të përgjigjet studio opinion. Në të vërtetë raportet tona me shtetin, ligjin, shifrat, ekonominë janë të vdekura. Për faktin e një drogimi total politik. Kështu që Edi Rama ka të drejtë ta quaj qesharak Ilir Metën. Megjithëse ta dini, kjo nuk është e drejta jonë.

Please follow and like us: