Albspirit

Media/News/Publishing

Polonia dhe Shqipëria: të bashkuara nga e njëjta frymë lirie

 

 

Polonia është një mbështetëse e patundur e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ky nuk është një pozicion i ri. Polonia ka qenë një mbështetëse e fortë e integrimit euro-atlantik për të gjithë vendet të cilat dëshirojnë t’i bashkohen BE dhe plotësojnë kërkesat. Ruajtja e një politike me dyer të hapura të BE dhe NATO ka qenë një prej shtyllave kryesore të politikës sonë të jashtme. Gjatë vizitës së saj në Shqipëri dhjetorin e shkuar, Kryeministrja e Polonisë, Beata Szydło konfirmoi mbështetjen permanente të Polonisë për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kryeministrja cilësoi se Polonia ka mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE dhe do të vijojë ta mbështesë, por ka një nevojë që Tirana zyrtare të përmbushë kriteret.

Polonia i përkrah përpjekjet e autoriteteve shqiptare përsa i përket përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe të Komisionit Europian (themelimin e një administrate profesionale dhe të depolitizuar; rritjen e paanshmërisë në sistemin gjyqësor; përforcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; garantimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut). Arritja e konsensusit për reformën e drejtësisë dhe ndryshimet e nevojitura në Kushtetutën e vitit të shkuar shërbejnë si baza e këtyre prioriteteve dhe janë çelësi për t’i hapur derën avancimit të mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e BE. Implementimi i reformave të ndryshme nga BE është në të mirën e shoqërisë shqiptare në tërësi. Reforma e sistemit gjyqësor, përfshi këtu rezultatet e besueshme në zbatimin e ligjit të vetingut, duhet të jenë arsye të forta për ta shtyrë përpara procesin e hapjes së negociatave. Megjithatë në këtë rrugë është thelbësore që të na ndihmoni t’ju ndihmojmë. Implementimi i procesit të vetingut – një gurthemel për reformën në drejtësi, i ashtuquajturi ligj i dekriminalizimit, lufta me korrupsionin, prodhimi dhe trafikimi i drogave, plus zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të jenë të suksesshme nëse ju – populli shqiptar i bëni të suksesshme. Nuk mjafton të shprehen pikëpamje pro-europiane, është koha për të vepruar dhe për rezultate. Politikanët shqiptarë nga të gjitha anët e skenës politike treguan vitin e shkuar që në çështje kyçe dhe të ndjeshme, si reforma në drejtësi, ata mund të arrijnë në konsensus dhe janë të aftë të ndryshojnë një pjesë të madhe të Kushtetutës. Ata kanë dëshmuar që për ta asgjë nuk është e pamundur, përsa kohë ka vullnet. Mirënjohje duhet të shkojë edhe për përpjekjet e autoriteteve shqiptare në implementimin e reformës së administratës vendore, përfshirë reduktimin e njësive të qeverisjes vendore nga 365 në 61. Këto janë shembuj konkretë të konsolidimit të forcës politike në Shqipëri drejt një qëllimi të përbashkët dhe jo një përralle.

Unë e cilësoj thelbësore që gjatë mandatit tim si Ambasador në Shqipëri, bashkëpunimi dypalësh mes vendeve tona të zgjerohet në të gjitha nivelet dhe fushat e mundshme. Themelet janë hedhur tashmë – mbetet ta ndërtojmë! Në maj 2017 në Tiranë erdhi për vizitë ministri i Mbrojtjes Antoni Macierewicz, në maj në Varshavë u mblodh sesioni VI i Komisionit të Përbashkët Ekonomik Polako-Shqiptar, për të kulmuar me vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Varshavë më 6 dhjetor 2017. Kam bindjen se në vitet pasardhëse, do të jemi dëshmitarë të vijimit të kontakteve në nivel të lartë, përfshirë këtu kontaktet dhe mbledhjet parlamentare në nivele të ndryshme të institucioneve të ndryshme shtetërore, autoriteteve vendore, bizneseve dhe njerëzve, si dhe rritjen e numrit të marrëveshjeve dypalëshe të nënshkruara.

Megjithatë, roli i një Ambasadori nuk kufizohet vetëm në kuadrin politik. Ne përpiqemi gjithashtu të rrisim praninë e kulturës polake, muzikës, artit, filmit polak, dhe veçanërisht letërsisë polake në Shqipëri. Ne e mirëpresim interesin në rritje të lexuesve shqiptarë për poezinë dhe prozën polake. Ambasada jonë në Tiranë kujdeset të mbajë lidhje të ngushta me qarqet letrare dhe botuesit. Në Dhjetorin e shkuar doli nga shtypi volumi i dytë i Almanakut të letërsisë polake në gjuhën shqipe, i përgatitur nga Ambasada jonë në bashkëpunim me shtëpinë botuese Aleph. Në të përfshihet një seksion me përkthimet më të mira në shqip, të cilat janë botuar në vitet e fundit. Një komponent i rëndësishëm i Almanakut janë esetë dhe reflektimet nga kritikë të shquar letrarë shqiptarë, për çështje që lidhen me letërsinë polake. Interesi nuk është vetëm i njëanshëm. Në universitetet polake ka departamente aktive të studimeve ballkanike, që ofrojnë ndër të tjera, specializim në studimet shqiptare gjithashtu. Studentë polakë me interes të veçantë, mësojnë për gjuhën, historinë dhe kulturën e një vendi kaq interesant sa Shqipëria. Ne gjithashtu ruajmë kontakte të ngushta me të diplomuarit nga shkollat dhe universitetet polake. Nëpërmjet  Shoqatës së miqësisë shqiptaro-polake ne arrijmë të ruajmë kontakte të ngushta me ta dhe shoqata na ndihmon të promovojmë kulturën polake në Shqipëri. Kur flasim për kulturën, vlen të përmendet dhe shoqata Chopin në Shqipëri e cila na ndihmon të promovojmë muzikën e Chopin dhe kompozitorëve të tjerë të famshëm në Shqipëri. Të gjithë këta njerëz – të diplomuar, muzikantë, përkthyes dhe dashamirës të Polonisë të cilët janë të dedikuar në punën e tyre, janë një aset i çmueshëm për punën e Ambasadës dhe ata janë ambasadorët e vërtetë të kulturës polake.

Por nuk mjaftojnë vetëm njerëzit për të promovuar kulturën e një vendi – nevojiten gjithashtu dhe mundësi të mëdha financiare për t’i mbështetur këto nisma. Dëshiroj të theksoj nevojën për të zgjeruar kontaktet e bizneseve ndërmjet të dy vendeve tona. Në vitet e fundit, tregtia dypalëshe është duke u rritur ngadalë por me ritëm konstant, ndonëse nuk është ende në dimensione të kënaqshme për të dyja palët, potenciali ekziston. Ambasada ndihmon në vendosjen e kontakteve midis institucioneve ekonomike dhe bizneseve-me-bizneset. Në mënyrë për të nxitur interesin e investitorëve polakë, Ambasada ka hartuar një guidë të veçantë për kompanitë polake me qëllim informimin e tyre mbi bërjen e biznesit në Shqipëri.

Mjaft pozitiv është fluksi i turistëve polakë në Shqipëri. Këto vitet e fundit, Shqipëria renditet ndërmjet dhjetë destinacioneve më të frekuentuara për bashkë-atdhetarët e mi. Numri i turistëve polakë vjen në rritje çdo vit. Sipas vlerësimeve tona paraprake, në vitin 2016 rreth 70 mijë turistë polakë vizituan vendin tuaj, ndërsa nga janari deri në tetor 2017 numri shkoi deri në 115 mijë, çka përbën rritjen më të madhe në përqindje mes të huajve- 75% krahasuar me një vit më parë. Ata nxiten nga mikpritja e sinqertë e shqiptarëve, klima e shkëlqyer, deti i mrekullueshëm, plazhet ranore, malet dhe pamjet mbresëlënëse dhe shumë vlera natyrore dhe historike të vendit tuaj. Polakët e kanë patur githnjë përzemër detin Adriatik dhe Jon. Numri i turistëve polakë mund të shumëfishohet por për ta arritur këtë gjë, nevojitet infrastrukturë e mirë. Nuk i referohem këtu vetëm infrastrukturës rrugore, detare apo ajrore, por infrastrukturës turistike që përfshin hotelet, motelet, hostelet, fushat e kampimit, restorantet, plazhet e pastra, jahtet dhe barkat me qira, etj. Ju nuk mund ta ndërmerrni të vetëm këtë hap modernizimi. Të paktë janë ato vende që munden. Për ta arritur këtë qëllim, ju duhet të hapeni edhe më shumë kundrejt investimeve të huaja të cilat do ta pasurojnë vendin në rang kombëtar, rajonal dhe më gjerë.

Unë shpresoj gjithashtu që Shqiptarët të zbulojnë më shumë nga bukuritë e vendit tim – monumentet historike, malet dhe resortet e skive, detin, mijëra liqenet, pyjet dhe jetën e egër, si dhe mikpritjen e polakëve ndaj të huajve.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë një fuqi të jashtëzakonshme jetike dhe gëzojnë të gjitha mundësitë për një zhvillim të suksesshëm të vendit dhe të secilit prej jush. Falë këtij potenciali kombëtar, Shqipëria ka përparuar pozitivisht në fusha të ndryshme gjatë çerek-shekullit të shkuar. Është në dorën tuaj se cilën rrugë do të zgjidhni të ndiqni në të ardhmen – nëse do të jetë me gurë, e shtruar, autostradë apo rrugë dytësore – kjo varet vetëm nga ju dhe nga askush tjetër. Ju jeni trashëgimtarët e kulturës së mikpritjes, solidaritetit, vlerave që ju kanë bërë të quheni shqiptarë ndër shekuj me radhë… dhe jeni ju përgjegjës për të ardhmen tuaj.

 


 

Nga Andrzej Stawarz

11 nëntori 1918 përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Polonisë. Është simbol i i rifitimit të mëvetësisë pas 123 vitesh copëtime. Me këtë akt nis procesi i vështirë dhe i ndërlikuar i hedhjes së  themeleve të shtetit të rilindur polak.

Juzef Pillsudski (Józef Piłsudski), teksa kujton orët e para të pavarësisë dhe peshën e vendimeve para të cilave qëndronte vjeshtën e vitit 1918, shkruante:  “Më 10 nëntor u ktheva nga Magdenburgu.  Tentativat e mija qysh në fillim ishin të zbehta.  I trembesha asaj që do të gjeja dhe do të doja- e pranoj- më e kobshmja ishte të arratiseshe nga Varshava. Atje gjeta atë që në mendje e quaja bashkëjetesë me pushtuesin, konkubinat, në të cilin zaptuesi është përherë më i fortë se Polonia. Ndërsa gjeta këtë gjendje kaosi- gjysmë revolucion, gjysmë- nuk e di çfarë- qysh të nesërmen doja t,ia mbathja nga Varshava.  Me këtë  do të demonstroja po atë mosdëshirë për të qeverisur (…) sikundër gjithë të tjerët që asaj kohe orvateshin  të qeverisnin (…)

Pas bisedimeve me anëtarët e Këshillit të Regjencës dhe konsultimeve me përfaqësues të  shumë partive politike, Juzef Piullsudski  mori përsipër barrën e përgjegjësisë për shtetin që po i avitej mëvetësisë. Mori përsipër sfidën për ta nxjerrë Poloninë nga kaosi dhe ta shpëtonte atë nga  revolucioni komunist.

I gjithë pushteti në duart e Pillsudskit

Më 11 nëntor  Këshilli i Regjencës  mori vendimin për t’ia kaluar pushtetin ushtarak Juzef Pillsudskit.

Në  kushtet e  kanosjes së brendshme dhe të jashtme, me qëllimin për të  unifikuar të gjitha formacionet ushtarake dhe për të ruajtur rendin në vend, Këshilli i Regjencës ia transmeton  pushtetin ushtarak dhe  komandën supreme të  ushtrisë polake,  komandantit Juzef Pillsudski.

Pas krijimit të  Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar, Këshilli i Regjencës, në përputhje me  deklaratat e veta të mëparshme, i dorëzon pushtetin qeverisës Juzef Pillsudskit  ndërkohë që pak më parë i kishte dorëzuar edhe pushtetin ushtarak , çka konfirmohet me nënshkrimin në thirrjen përkatëse.

Të nesërmen  Juzef Pillsudski lëshoi  urdhërin e parë drejtuar forcave të tija ushtarake. Në të shkruante: “ Ushtarë!  Marr komandën në një kohë kur zemra e çdo Polaku rreh më fortë dhe më gjallërisht, në një kohë kur fëmijët tanë po shohin diellin e lirisë në  shndritjen e tij të plotë. Bashkë me Ju po përjetoj emocionin e kësaj ore historike, bashkë me Ju po i jap kuptim jetës duke u betuar se gjakun tim do ta derdh në të mirë të Atdheut dhe begatisë së qytetarëve të tij”.

Këtu zë fill procesi i hedhjes së themeleve të  shtetit të pavarur. Në shumë qytete të ish-Mbretërisë Polake pushteti okupator gjerman ia la vendin  autoritetev të administratës polake. Paraleleisht Juzef Pillsudski nisi bisedimet me  përfaqësuesit e Këshillit Ushatarak gjerman, të cilat synonin që  ushtritë gjermane të dorëzoheshin, të linin armatimin dhe të evakuoheshin në  Gjermani.

Diçka më herët, më 16 tetor,  ishte formuar Këshilli Kombëtar i Principatës së Çieshinit, kurse më vonë, më 30 tetor 1918 në Krakov, ishte konstituuar Komisioni Polak i Likuidimit, i cili  rrufeshëm po merrte atë çka kishte mbetur nga copëtimet austriake në qarkun e Mallopolskës Perëndimore.

Njëkohësisht, më 1 nëntor në Lvuv shpërthen  konflikt i armatosur polako-ukrainas i nxitur nga Vjena, zgjidhja e të cilit do të  vendoste mbi përkatësinë shtetërore të Mallopolskës Lindore.

Po niste kësisoj formësimi i  kufijve të Polonisë së pavarur.  Ky proces, për shkak të disa kryengritjeve dhe dy luftrave si dhe plebisihiteve, përfundoi vetëm në vitin 1922. Integriteti territorial i  Republikës  u garantua me dy traktate: me Gjermaninë, në kuadër të  traktatatit ndërkombëtar të Versajës të datës 28 qershor 1919 si dhe me Rusinë sovjetike dhe Republikën Socialiste të Ukrainës në kuadër të  traktatit të Rigës të 21 marsit 1921.

Më 14 nëntor shpërndahet Këshilli i Regjencës duke ia kaluar  Juzef Pillsudskit pushtetin më të lartë civil. Dy ditë më vonë Pillsudski nënshkruan deklaratën që shënon  lindjen e shtetit polak, deklaratë, që tri ditë më vonë iu dërgua me radiogram presidentit të Shteteve të Basdhkuara,  qeverisë mbretërore angleze, qeverive të Francës, Italisë, Japonisë, Gjermanisë si dhe qeverive të të gjitha “shteteve në luftë ose neutrale”.

Pas tentativës së pasuksesshme të krjimit të Këshillit të Ministrave më 14 nëntor me Ignacy Daszyński, katër ditë më vonë Juzef Piullsudski  krijoi Qeverinë e Përkohshme Popullore të  Republikës së Polonisë, në krye të së cilës ishte  Jędrzej Moraczewski. Më 22 nëntor 1918 qeveris e parë e  Republikës së pavarur miratoi dekretin  mbi pushtetin me të lartë përfaqësues të Republikës së Polonisë, sipas të cilit Juzef Pillsudski deri në krijimin e Parlamentit ligjvënës do të gëzonte atributet e Kreut të Përkohshëm të Shtetit.

Juzef Pillsudski, në cilësinë e Kryetarit të Përkohshëm të Shtetit, duke pasur mbështettjen e forcave më të rëndësishme politike, hyri faktikisht në  rolin e diktatorit. Gjatë muajve të parë të ushtrimit të pushtetit më të lartë në shtet, nënshkroi shumë dekrete me rëndësi bazike për  shtetin dhe shoqërinë.  Si Kryekomandant lëshoi një sërë  urdhërash të domosdoshëm për unifikimin e  ushtrisë. Ajo që është më e rëndësishme dekretoi zgjedhjet për në Parlament bazuar në ligjin me pesë elementë (zgjedhjet duhet të ishin të përgjithshme, të barabarta, të drejtpërdrejta, proporcionale dhe të fshehta) që  përmbanin edhe të drejtën e votimit për gratë.

Ideja për një Poloni të pavarur, demokratike dhe moderne, për çka kishte luftuar në vite Juzef Pillsudski, kishte nisur të materializohej.

Prej sa kohësh ekziston shteti polak?

Në gjysmën e nëntorit 1924, marshall Juzef Pillsudski në Teatrin e Vjetër të Krakovit mbajti një fjalim me titull: “Ditët e para të Republikës polake”. Në të paraqiti pikëpamjet e tij mbi  datën  e shënuar historike, çka donte të thoshte se  Republika ekziston, sepse të gjitha urdhëresat e deriatëhershme kishin depërtuar në gjithë Poloninë dhe vazhdonin të ishin në fuqi.  Gjykonte se  periudha e krijimit përfundimtar të  shtetit ishin datat 22-28 nëntor 1918. Pikërisht në këtë periudhë ai kishte miratuar tre dekrete: Mbi pushtetin suprem përfaqësues të Republikës së Polonisë, Mbi zhvillimin e zgjedhjeve Parlamentare, Mbi  ligjin e zgjedhjeve parlamentare. Dekretin e fundit e konsideronte më të rëndësishmin. E pat nënshkruar mbrëmjen e 28 duke u gdhirë 29 nëntori 1918- do të thotë në përvjetorin e shpërthimit të kryengritjes së  nëntorit të nisur me  sulmin e kryengritësve në drejtim të Belvederit,  selisë të atëhershme të  autoriteteve pushtuese sovjetike. Pillsudski, jo rastësisht, hyri atje saktësisht 88 vjet më vonë. Në fjalën e tij nënvizoi, se përmasat historike të kësaj ngjarjeje ishin më të rëndësishme sesa marrja prej tij e funksionit të  Komandantit Suprem, apo nënshkrimi i deklaratës së pavarësisë, ose lëshimi i  dekretit të qeverisë së Jędrzej Moraczewskit që i jepte atij  postin e Kreut të Përkohshëm të Shtetit.

Juzef Pillsudski nuk i kushtonte ndonjë vëmendje të posaçme rëndësisë së datës 11 nëntor 1918, duke e trajtuar  atë si  moment të nisjes së procesit të rindërtimit të Republikës. E megjithatë merrte pjesë shpesh në kremtimet e rifitimit të mëvetësisë pikëprisht në datën 11, çka i kujtonte atij  ditën kur ishte bërë njeriu më me peshë në Poloni.

Më 20 shkurt 1919 Pillsudski e dorëzoi dinjitetin e Kreut të Përkohshëm të Shtetit me qëllim që më vonë, me vendimin e deputetëve të Parlamentit Ligjvënës- të merrte funksionin e Kryetarit  të Shtetit. Emërtimi i institucionit lidhet drejtpërdrejt me  funksionin e Kryetarit, të cilin  gjatë kryengritjes së vitit 1794 e kishte kryer Tadeusz Kościuszko. Si trashëgimtar  i Republikës së Pavarur Juzef Pillsudski mori unazën me portretin e Kośczuszko-s. Pak kohë më vonë pat thënë: ” Për nder dhe lavdi më dhanë një titull, të cilin tek ne edhe fëmija që sapo ka nisur të belbëzojë në polonisht e përmend me nderim- më dhanë  emrin e Komandantit, një emër që shkakton lot, emrin e njeriut, që megjithëse i vdekur,  vazhdon të jetojë në përjetësi, emrin e madh të Kościuszko. Është emri i Kryetarit të shtetit që po rilind.

Festa e Pavarësisë

Në të gjallë të Juzef Pillsudskit nuk u arrit  që dita e 11 nëntorit të vendosej si festa zyrtare kombëtare e pavarësisë. Parlamenti  e bëri, me një ligj të posaçëm, më 23 prill 1937.

Në vitet 1919-1936 përvjetorët e pavarësisë përkujtoheshin  në Varshavë në formën e paradave ushtarake. Si rregull ato organizoheshin  të dielën e parë pas 11 nëntorit, me përjashtim të rasteve kur përvjetori, 11 nëntori, binte pikërisht e dielë. Në vitin 1919 situata nuk ishte e favorshme për të kremtuar përvjetorin e parë të pavarësisë ngaqë  vazhdonin luftrat për përcaktimin e kufijve të Republikës.

Për herë të parë pavarësia u kremtua plotësisht dhe solemnisht më 14 nëntor 1920.  Me atë rast Juzef Pillsudski  u nderua si Komandant Suprem në luftën polako-bolshevike, duke i dorëzuar spektrin e marshallit. Programin e ceremonisë  e plotësuan me meshën në Sheshin e Kështjellës, të shtënat e artilerisë, me paradën ushtarake në Krakovskie Przedmieście, me sesion jubilar si dhe mbrëmje gala me praninë e Marshallit në Teatrin e Madh.

Përvjetorin e radhës të Pavarësisë, në vitin 1921,  e lidhën me rifreskimin e domethënies së Urdhërit të Shqiponjës së Bardhë. Një vit më pas ky urdhër iu dha presidentit të Shteteve të Bashkuara, Thomas Wilson. Nga ky moment u bë normë  nderimi me dekorata shtetërore i  personave me kontribute për Poloninë ditët e kremtimit të përvjetorëve të Pavarësisë më 11 nëntor.

Duke nisur nga viti 1923 përvjetorët e radhës jorrallë u injoruan  nga Demokracia Kombëtare, grupimet e majta dhe  një pjesë e atyre të djathta, të cilat  përgjithësisht  nuk merrnin pjesë në  festimet zyrtare ose propagandonin  përkujtimin e ngjarjeve të tjera të nëntorit të vitit 1918, për shembull të 7 nëntorit, krijimit të qeverisë të Lublinit, kryesuar nga Ignacy Daszyński.

Pas grushtit të shtetit në maj 1926, kremtimeve zyrtare të  përvjetorit të 11 nëntorit u bënë përpjekje për t’i dhënë karakterin e festës kombëtare. Deri në vitin 1926 Juzef Pillsudski nuk ishte posaçërisht  i lidhur me idenë për të festuar 11 nëntorin si ditë që simbolizonte  mëvetësinë e Polonisë. Megjithatë duke nisur nga vitit 1926, pas grushtit të majit, u investua fuqishëm  në përkujtimin e kësaj date simbol për të forcuar jo vetëm  pushtetin e tij, por para së gjithash për të forcuar qëndrimet proshtet në shoqëri. 

Në të njëjtin vit në shehshin Saski u organizua për herë të parë një paradë ushtarake.  Ngjajshëm u kremtua  pavarësia edhe në vitin 1927 kur Marshalli përshëndeti  për herë të fundit paradën ushtarake në Ksztanka. Një vit më vonë, në 10 vjetorin e Pavarësisë, Juzef Pillsudski përshëndeti paradën në Pole Mokotowskie në Varshavë.

Ashpërsimi i situatës politike prej vitit 1929, plus radikalizimi i qëndrimeve të shoqërisë shkaktuar nga thellimi i krizës ekonomike, nuk favorizonin organizimin e  ceremonive shtetërore, të cilat do të mund të bashkonin me efikasitet përkrahësit e  të gjitha forcave të rëndësishme politike. Grupimet ekstreme majtiste (komunistët) si edhe ato të djathta ose nënvleftësonin  çdo formë kremtimi të pavarësisë, ose shkaktonin  incidente gjatë festimeve, siç bënte për shembull Liga e Rinisë Mbarëpolake kundër çifutëve.

Prej 1926 festimet kryesore të përvjetorëve të pavarësisë i shërbyen  konsolidimit të kultit të Juzef Pillsudskit si dhe popullarizimit të  legjendës legjionare.  U bë  gjithashtu zakon që mysafirët e huaj t’i  jepnin  Marshallit  dhurata okazionale ( të tipit shpata), ose diploma nderi, por edhe ta dekoronin me medalje të shteteve të tyre.  Pas këtij viti gjithnjë  e  më shpesh në kremtimet e përvjetorëve merrnin pjesë  organizata proshtet, organizata rinore në shumë qytete në gjithë vendin.

Juzef Pillsudski  mori pjesë për herë të fundit në kremtimet e Festës së Pavarësisë në vitin 1934. Ishte atëbotë shumë i sëmurë, ndaj dhe gjatë paradës ushtarake në një çast  i duhej të ulej në karrige dhe të merrte ndihmën e adjutantit.

Pas vdekjes së Marshallit, në vitin 1935, përkujtimi i përvjetorëve të Pavarësisë i  shërbeu në vijimësi  propagandës së kampit sanacian, para së gjithash në trajtën e  demonstrimit të trashëgimisë mbrojtëse të shtetit.

Më 1936, në vigjilje të festimeve të përvjetorit të 18 të Pavarësisë, Presidenti i Republikës Ignacy Mościcki i dorëzoi solemnisht spektrin e marshallit Edward Śmigły-Rydz-it, pasuesit të Pillsudskit në postin e  Kryeinspektorit të  Forcave të Armatosura.  Më 11 nëntor, gjatë paradës ushtarake në Pole Mokotowskie, në krah të  Marshallit të sapo pagëzuar dhe ushtarakëve të lartë të Ushtrisë Polake, në llozhën e nderit u ulën edhe dy vajzat e Pillsudskit- Wanda dhe Jadwiga. Në vitet 1937 dhe 1938  Festa e Pavarësisë, e sanksionuar tashmë zyrtarisht, u festua në klimën e rritjes së aftësive mbrojtëse të Republikës.

Përktheu Astrit Beqiraj


 

 

Nga Mariusz Wołos

Juzef Pillsudski  zë vend qendror në panteonin kombëtar të polakëve.  Vend ky tërësisht i merituar, sepse buron nga lufta konsekuente për pavarësinë e atdheut, çka përbënte qëllimin kryesor të jetës së tij.  Pas rifitimit të shtetit qëllim kryesor u bë  forcimi dhe konsolidimi i tij në hartën e Evropës në kohët e vështira të diktatorëve që e shihnin Poloninë me sy jo të mirë  dhe që synonin ta nënshtronin, pse jo, edhe ta asgjësonin. Monumentet e Pillsudskit janë ngritur sot në çdo qytet të madh polak. Sheshet dhe rrugët që mbajnë emrin e tij gjenden edhe në qendra të vogla urbane. Kush ishte, pra, ky njeri me energji të pashtershme që krijonte përqark një ndikim të pamohueshëm, që u bënte magji kundërshtarëve politikë apo të huajve që takonte, që ishte në gjendje të grumbullonte rreth vetes numër jo të vogël  përkrahësish për të cilët përherë ishte një perëndi. Kush ishte ky njeri me legjendën e të cilit regjimi komunist  luftoi për shumë dekada duke e humbur me turp këtë luftë ngaqë kulti i Pillsudskit për rrjedhojë veç u forcua edhe më shumë.

Pillsudski është lindur më 5 dhjetor 1867 në një familje të kamur latifondiste në Zulow na krahinën e Vilnusit.  Erdhi në jetë  vetëm disa vjet pas shtypjes së  Kryengritjes së Janarit (1863-1864),  njërës prej përpjekjeve të dështuara të polakëve kundër Rusisë.  Shumë vite më vonë thonte se i  përkiste grupit bene nati et possessionati. Në familjen e tij  kultivoheshin  idealet e  luftës së armatosur  për pavarësinë e atdheut, të humbur tashmë për shkak të  copëtimeve që i ishin bërë në fund të shekullit XVIII. Si fajtore kryesore e disfatës së atdheut dhe burim i gjithë fatkeqësive të polakëve konsiderohej Rusia.  Një rol të veçantë, siç ndodhte rëndom në  familjet patriotike polake, në formimin e botëkuptimit të  fëmijëve, e luante nëna- Maria Pillsudka nga dera e Bileviçëve. Babai i heroit të ardhshëm kombëtar polak, që mbante të njëjtin emër, Juzef,  kishte marrë pjesë aktive në Kryengritjen e Janarit. Nuk kishte pasur  as aftësi, as fat për të administruar  trojet e shumta.  Familja Pillsudski  u varfërua dhe u detyrua kësisoj të  zhvendosej për në Vilnus, i cili për heroin tonë do të mbetej përgjithmonë atdheu i vogël dhe qytet i zemrës.  Jo rastësisht  kërkoi që pikërisht atje, në varrin e nënës, të groposej zemra e tij.

Krahina e Vilnusit, ku Pillsudski i vogël bashkë me vëllezërit dhe motrat të shumtë në numër, kaloi fëmijërinë dhe rininë, gjendej brenda kufijve të  perandorisë së madhe ruse.  Për polakët që banonin atje do të mbetej përherë pjesë e mëmëdheut, pjesë e Republikës, trashëgimia e të cilës nuk mund të harrohej.  Këtë rajon ata e quanin kufijtë Verioro-Lindorë. Kjo trashëgimi  nuk i përkiste vetëm borgjezisë polake.  Ajo ishte e tillë edhe për përfaqësuesit e kombësive të tjera që popullonin krahinën- lituanët, bjellorusët, çifutët. Vetëm rusët shiheshin si intruzë dhe uzurpatorë. Vetë Pillsudski thonte për veten se është Lituan, por jo në konceptin e ngushtë nacionalist, por në  kuptimin e trashëgimisë së pasur  të Republikës së të dy popujve para copëtimit, do të thotë të banorëve të  Mbretërisë Polake dhe Principatës së Madhe Lituane, elita kalorsiake e të cilës, qysh nga kohët e mesjetës, iu nënshtrua vullnetarisht procesit të polonizimit. Nga ana tjetër krahina e Vilnusit për rusët ishte  pjesë e  gubernave perëndimore të perandorisë, tokë që  u hapte atyre rrugën drejt Detit Balltik dhe më tej në perëndim të Evropës.  Këto këndvështrime të ndryshme,  përbënin rryma të kundërta që përjashtonin njëra-tjetrën.  Diçka e tillë duhet të çonte medeomos në përplasje, në konflikte dhe ballafaqime të ashpra, për rrjedhojë në gjakderdhje. Jo pa rëndësi ishte  edhe kjo që polakët dhe rusët i  ndante jo vetëm  e shkuara,  politika e kohës, por edhe besimi. Për përfaqësuesit e kishës ortodokse sllavët romano-katolikë nën varësinë e Vatikanit ishin deviatorë të besimit të shenjtë.  Ortodoksia ndërkaq  në Rusi ishte fé sunduese dhe zyrtare.

Në kuadër të represionit pas Kryengritjes së Janarit rusët  kishin nisur aksionin e  luftës kundër çdo  shfaqjeje të polonizmës dhe rusifikimit të dhunshëm.  Instrument që i shërbente realizimit të këtyre synimeve ishte bërë shkolla.  Pillsudski shkonte në gjimnazin rus në Vilnus. Atje nuk kishte shkolla polake.  Në gjimnaz luftohej gjithçka polake. Një nga biografët e Pillsudskit jo  pa arsye shkruante se nga një shkollë e tillë  mund të dilje ose oportunist ose rebel.  Heroi ynë bënte pjesë në grupin e dytë. Si një vëzhgues  vigjilent, njëherësh edhe viktimë e dështuar e  sistemit rusifkues të edukimit, nxirrte mësimet e tij, njihte aparatin  shtetoror rus, qëndrimin e mësuesve dhe  nëpunësve të  perandorisë ruse ndaj polakëve.  Deri në fund të jetës, më parë Rusëve dhe më vonë Sovjetëve, nuk u besoi kurrë dhe i konsideronte  armiqtë kryesorë të polakëve dhe të cilët  synonin me çdo mjet të shtypnin çdo lloj kundërshtimi. Pushteti rus për Pillsudskin ngjante me një fuqi që  kishte për qëllim të asgjësonte gjithçka çka ishte për të e shtrenjtë e trashëguar nga familja. Një vështrim i tillë për  botën që e rrethonte e frymëzonte të luftonte kundër carizmit dhe shtetit rus.  Përbënte motivin kryesor të ndërmerrte këtë rrugë të  gjatë dhe të vështirë, fundi i të cilës do të ishte shteti i pavarur polak. Përmbushjes së këtij qëllimi i vuri gjithçka.

Në vitin 1887, Pillsudski gati njëzetvjeçar, student i mjekësisë në Harkov, u  angazhua në përgatitjen e atentatit mbi perandorin rus Aleksandër III Romanov. Kompozitorët e rinj, si polakë, ashtu edhe rusë, mendonin ndoshta shumë naivisht, se vdekja e carit do t’i hapte rrugën  ndryshimeve të mëdha në  çështjet sociale, politike dhe kombëtare.  Komploti u zbulua.  Dënimet ishin shumë të rënda, ngaqë në Petersburg nuk ishte harruar ende atentati i dështuar ndaj perandorit Aleksander II në vitin 1881 dhe që qysh atëherë  ishin  shtypur qysh në embrion  të gjitha shfaqet e veprimtarisë konspirative kundër dinjitarëve shtetërorë.  Komplotistët më të angazhuar u dënuan me vdekje.  Mes tyre ishte edhe  vëllai i madh i Vladimir Leninit- Aleksander Uljanov.  Fijet e konsipracionit i çuan hetuesit edhe tek vëllezërit Pillsudski- vëllai i madh Bronjisllav dhe Juzefin më të ri.  I pari fillimisht u dënua me  vdekje që më pas u kthye në 15 vite internim në ishullin Sahalin, do të thotë  në ekstremin lindor të  perandorisë ruse, ku bëri studime etnografike mbi popullatat e para, posaçërisht Ajnamët, që banonin në këto zona.  Juzefi,  roli i të cilit në komplot ishte simbolik, u dënua me  5 vjet internim në Siberinë Lindore.  Ato vite i kaloi në rrethinat i Irkuckut, ku pati rastin të takonte  pjesëmarrës më të vjetër se ai në moshë të Kryengritjes së Janarit. Siberia u shndërrua për të në shkollën e pjekurisë politike. Siç ndodh zakonisht me shlyrjet e dënimit, qëndrimi në pjesën aziatike të Rusisë  i forcoi atij edhe më shumë bindjen  mbi domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës për pavarësinë e Polonisë dhe i lejoi në të njëjtën kohë  të kuptonte më thellë thelbin e sistemit rus të pushtetit.

Pas kthimit nga internimi Pillsudski u angazhua në partinë e krijuar pak më herët  PPS (Partia Polake Socialiste), ku pas pak do të bëhej lider i saj. Socializimi polak i pavarësisë, sepse kështu është përcaktuar në historiografinë polake,  ndryshonte shumë nga  socializmi i atyre kohëve në Evropën Perëndimore.  Qëllimi kryesor i patjetërsueshëm për mbështetësit e tij  ishte lufta për pavarësinë e atdheut dhe vetëm pas saj edhe ndryshimet sociale.  Nuk është se këto të dytat anashkaloheshin, por ekzistonte vullneti që ato transofrmime të bëheshin në atdheun e lirë.  Socialistët e pavarësisë, që në një masë jo të vogël vinin nga familjet fisnike ecnin në rrugët e çelura më herët nga paraardhësit e tyre- demokratët fisnikë të shekullit XIX, të cilët ishin ngritur në luftë kundër copëtuesve, në radhë të parë kundër Rusisë në shekujt XVIII dhe XIX.  Fisnikët demokratë e shihnin suksesin e  kryengritjeve kombëtare të radhës në lidhjen e luftës kundër zaptuesve të një numri sa më të madh të fshatarësisë polake, të drejtat e të cilës nuk i harronin.  Këto përpjekje, për  shkaqe të ndryshme, në shumicën e rasteve përfunduan pa sukses, çka , nga ana tjetër ndikoi fort edhe në disfatën e  të gjitha kryengritjeve. Ndërkaq socialistët e pavarësisë nuk i kishin sytë nga fshatarët, por nga punëtorët, gjithnjë e më të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe gjithnjë e më të gatshëm për të luftuar kundër pushtetit të  shtetit zaptues.  Në kapërcyellin e shekujve XIX dhe XX pikërisht punëtorët përbënin  detonatorin kryesor të  rendit të vjetër.  Kjo po u jepte shanse socialistëve të pavarësisë për të gjetur në radhët e tyre aleatë në luftën  kundër carizmit.  Në këtë frymë  Pillsudski  drejtonte  organin kryesor të shtypit të PPS Robotnik. Si lider partie ishte i përgjuar  nga  policia politike ruse Ochrana. Pillsudski vepronte  kryesisht në tokën  e copëtimit rus, do të thotë në  Mbretërinë e dikurshme Polake, të cilën rusët e kishin pagëzuar me  Priwislinskij Kraj. Pillsudski udhëtonte sakaq edhe në Evropën Perëndimore, ku në kushte emigrimi vepronin socialistët polakë.  Vizitoi Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Zvicrën,  Italinë, Austro-Hungarinë.  Në vitin 1900 u arrestua në Lluxh nga rusët.  I shpëtoi mrekullisht një dënimi të ashpër, duke realizuar një vit më vonë një arratisje të guximshme nga spitali i Petërsburgut, Mikollaj Çudibërësi. Falë mbështetjes të mjekëve polakë dhe rusë si dhe anëtarëve të tjerë të partisë u shtir si i marrë që kishte neveri për njerëzit me uniformë.

Ndeshja e socialistëve me rusët ndodhi në tokat e Mbretërisë Polake  në kohën e revolucionieve të viteve 1905-1907, në kohën kur  shteti rus, dobësuar  nga lufta e humbur me Japoninë, po përjetonte turbulenca serioze. Në vitin 1904 Pillsudski shkoi në Tokio në kërkim të aleatëve në luftën kundër perandorisë së carëve.  Këto  përpjekje nuk sollën ndonjë rezultat kushedi se çfarë, megjithatë japonezët e mbajtën mend mirë qëndrimin e Pillsudskit, çka u përkthye në bashkëpunim të mirë  midis Polonisë dhe Japonisë, veçanërisht në kuadër të zbulimit kundër  Bashkimit Sovjetik, në periudhën midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Rezultatet e  betejave të luftëtarëve të Organizatës Luftarake PPS, të mbledhur rreth Pillsudskit në kohën e revolucioneve të përmendura, nuk  sollën efektet e dëshiruara.  Atentatet ndaj zyrtarëve të lartë caristë, policiëve dhe spiunëve, aksionet për rrëmbin prone, qëllimi i të cilave ishte sigurimi i mjeteve financiare për veprimtari të mëtejshme, shkaktimi i trazirave- nuk po rezultonte rrugë e thjeshtë për të shkuar tek pavarësia. Perandoria ruse po lëkundej, por nuk po binte. Ç’ishte më e keqe në radhët e socialistëve polakë ndodhi  çarje serioze. Përkundër Pillsudskit dhe  mbështetësve të tij, grupi i të rinjve nxori në vend të parë  parullat për ndryshime shoqërore dhe kërkesa klasore, duke e shtyrë në një plan të dytë  çështjen e pavarësisë së Polonisë. Pillsudski u vu në krye të  shumicës së përçarë të grupuar rreth PPS-Fraksioni Revolucionar. Në konceptin e tij fjala revolucion ishte e njëjtë me fjalën kryengritje.

Pas arratisjes nga spitali i Petersburgut Pillsudski  e zhvendosi aktivitetin e tij në Galici, e cila ishte në përbërje të Austro-Hungarisë dhe gëzonte autonomi të gjerë për banorët polakë.  Prej vitit 1908 Galicia kishte nisur  ndërtimin e strukturave ushtarake, do të thotë të armatës së ardhshme polake.  Kjo gjë ishte rezultat i një kalkulimi të mirëmenduar dhe besimit tek lufta që po afrohej midis zaptuesve që tani  radhiteshin në krahë të kundërt- Gjermania dhe Austro-Hungaria me shtetet e qendrës, kurse Rusia me  shtetet e Antantës. Që të mund të  ngrinte formacionet paraushtarake vullnetare Pillsduski  duhej të siguronte  pëlqimin e autoriteteve  austriake dhe të bënte me to kompromis. Dhe kompromisi u gjet- do të bashkëpunonte me zbulimin e Austro-Hungarisë. Viktimë e këtij bashkëpunimi  duhej të ishte Rusia- për Pillsudskin  kundërshtari më i fuqishëm dhe më i rrezikshëm për polakët.  Ky akt i shkonte shumë sfondit të konfliktit ruso-austriak, manifestuar dukshëm veçanërisht në Ballkan. Për pasojë Pillsudski dhe mbështetësit e tij në kryeqendrën e Galicisë, në Lvov, krijuan ilegalisht  në vitin 1908 Ligën e Luftës Aktive, ndërsa prej vitit 1910  nisën të krijonin  organizata të hapura ushtarake – Bashkimi i Qitësve. Me kohë rrjeti  bëhej përherë e më i gjerë duke përfshirë gjithnjë e më shumë të rinj patriotë.  Përveç se në Galici formacione të tilla  u krijuan në Mbretërinë Polake, në thellësi të  perandorisë ruse dhe në qendrat akademike në Francë, Belgjikë, Zvicër, Austri. Po bëheshin, me fjalë të tjera,  përgatitje për një ndeshje të re me Rusinë.

Besonte ende vallë Pillsudski në shpërthimin e një kryengritjeje polake kundër Rusisë pas përvojës së  revolucionit të parë rus? Me siguri që nuk i kishte humbur ende shpresat, megjithatë prioritare për momentin ishte bërë krijimi i  forcave ushtarake kombëtare. Pillsudski i bënte llogaritë me mendje të kthjellët.  Një popull pa shtet dhe qeveri duhej të kishte më së paku ushtrinë e vet, e cila do të bëhej  forcë kompromisi në momentin e shpërthimit të  konfliktit të shteteve zaptuese.  Për më tepër që përplasja e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë nga njëra anë me Rusinë në anën tjetër do të ndodhte pikërisht në tokat e banuara  nga polakët.  Atje do të kalonte më vonë  fronti lindor i Luftës së Madhe. Armata kombëtare mund të shndërrohej në instrument të ekspozimit të çështjes polake në mesin e pushtuesve, por edhe një argument i rëndësishëm  që Vjena, Berlini dhe Petersburgu të bënin lëshime ndaj polakëve, të cilët secila nga palët  do të donte t’i kishte në krahun e vet.

Me shpërthimin  e Luftëls I Botërore qitësit e Pillsudskit si vullnetarë në luftën  kundër Rusisë në anën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë hynë në Mbretërinë Polake, do të thotë në tokat e perandorisë së carëve.  Kryengritje megjithatë nuk pati. Pillsudski nuk kishte hequr dorë nga  armata polake.  Kishte dhënë pëlqimin  për konceptin e  ndërtimit të Legjioneve Polake, të cilat bënin pjesë në  armatën austriake  duke ruajtur gjithsesi  veçantinë kombëtare.  Si një ushtarak autodidakt për më shumë se dy vjet udhëhoqi Brigadën I të Legjioneve, nga radhët e të cilës më vonë dolën  mbështetësit më të zjarrtë, që e quanin komandantin e tyre të dashur thjesht Gjyshi.  Pillsudski e ngriti shumë lart me mençuri stekën e çështjes polake.  Gjermanët jo pa shkak  i quajtën legjionistët polakë Heldenbande (bandë heronjsh). Rrjedha fatsjellëse e  ngjarjeve ndërkombëtare, dobësimi i Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë si dhe shpërthimi i revolucionit në Rusi më 1917, e ndërkombëtarizoi çështjen polake.  Qysh në vitin 1916 Gjermania dhe Austria  kishin shpallur krijimin e Mbretërisë Polake  si shtet aleat të tyre.  Kishin vënë në dukje  vlerat e ushtarit polak.  Disa muaj më vonë, në mars 1917, Qeveria e Përkohshme Ruse shpallte  krijimin e shpejtë të Polonisë së lirë. Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë së Madhe  dhe Italisë  ishin shprehur në të njëjtën frymë.  Pillsudski tentoi që Legjioneve, si armatë polake, t’u jepte atributet e  pushtetit politik polak të formuar me pëlqimin e Gjermanëve në Varshavë në formën e Këshillit të Përkohshëm të Shtetit.  Mirëpo pa sukses.  Në verë të vitit 1917 Pillsudski u shkëput  përfundimisht nga shtetet qendrore dhe u arrestua nga gjermanët, më pas u dërgua në Magdenburg.  Në tokat polake, në kushtet e shpërbërjes së  perandorisë ruse, e rriti aktivitetin e  vet  Organizata Ushtarake Polake, themeluar në fshehtësi nga Pillsudski, e cila në  momentin e përfundimit të veprimeve të luftës në nëntor 1918 ishte e aftë të  çarmatoste  ushtarët gjermanë dhe austriakë të dislokuar në tokat polake- me fjalë të tjera, t’i jepte rang pushtetit që në ato ditë të shënuara ishte me të vërtetë nëpër rrugë.

Për shkak të ngjarjeve revolucionare në Gjermani Pillsudski  u lirua dhe në nëntor 1918 u kthye në Varshavë. Atëherë u përshëndet njëherë e përgjithmonë me socializmin.  Qysh atëherë ishte i mbështjellë  nga bashkatdhetarët me aureolën e madhështisë.  Në personin e tij shihnin  themeluesin e  pavarësisë që po lindte, por edhe të njeriut, që fillimisht kishte luftuar kundër Rusisë e më pas  u ishte kundërvënë gjermanëve dhe austriakëve, do të thoshte gjithë pushtuesve.  Në jetën e Pillsudskit tanimë po niste periudha e  ndërtimit intensiv të  themeleve të shtetit të rifituar si dhe luftës së armatosur dhe asaj diplomatike për  kufijtë e shtetit.  Në këtë tablo kishte rivalë të shquar, por njëherësh edhe partnerë si Roman Dmowski, udhëheqës i  lëvizjes nacionaliste polake dhe Ignacy Pederewski, patriot i madh dhe pianist i famshëm.  Të tre këta polakë të shquar, në  periudhën e përmbysjes së madhe  në historinë e kombit ishin në gjendje të gjenin gjuhën e përbashkët, sepse ishin të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës.  Roli i Pillsudskit si kryetar shteti dhe  komandant i përgjithshëm  në vitet 1918-1922 është i vështirë për t’u vlerësuar.  Në një periudhë të shkurtër kohe  ai arriti të  ndërtonte shtetin e pavarur nën rrënojat e  fuqive zaptuese.  Pati suskes edhe në  unifikimin e shtetit të ndarë.  Krijoi parlamentin, miratoi kushtetutën, kodifikoi ligjin, ngriti ushtrinë dhe çdo institucion tjetër të shtetit, u ringrit industria kombëtare, u krye reforma në bujqësi.  Ndërkaq prioritet i Pillsudskit mbetej  pikërisht forcimi i brendshëm dhe i jashtëm i  shtetit të rilindur, i cili kishte për t’u bërë  partner i barabartë dhe jo  klient për fqinjët apo fuqitë e asaj kohe.

Në vitet 1918-1921 Polonia e pavarur zhvillonte luftime për kufijtë pothuaj me të gjithë fqinjët.  Lufta më serioze dhe që shkaktoi numrin më të madh të viktimave ishte ajo kundër  shtetit sovjetik me Leninin në krye. Për polakët ky ishte konflikt për gjithçka- për pavarësinë, mbijetesën e shtetit të sapokrijuar, për kufirin lindor, për një vend në Evropë për zmbrapsjen e komunizmit konsideruar si patinë idelogjike  që fshihte  imperializmin e vjetër rus.  Me Poloninë si viktimë bolshevikët tentonin të ndiznin revolucionin në Perëndim të Evropës, në radhë të parë në Gjermani. Polonia  ishte bërë pengesë në këtë rrugë, pengesë që duhej shkallmuar.  Ndërkaq Pillsudski  donte të ndërtonte në lindje të Polonisë një sistem të shteteve të pavarura (Finlandë, Estoni, Letoni si edhe Lituani, Bjellorusi, Ukrainë në një federatë me Republikën), këto shtete do ta shkëpusnin Poloninë nga  Rusia përherë e rrezikshme. Polakët kishin për të mbështetur energjikisht  përpjekjet e fqinjëve të vet lindorë në këtë aspekt. Megjithatë kjo gjë nuk solli ndonjë gjë të madhe për shkak se lituanët, bjellorusët apo edhe ukrainasit nuk kishin fort besim tek polakët, më konkretisht u trembeshin  dominimit të tyre, kështu që po  synonin pavarësinë me rrugët e tyre. Koncepti i Polonisë  ishte shumë i avancuar për kohën. Duke iu larguar ndjeshëm rrjedhës së ngjarjeve mund të konstatohet se në klushte  krejtësisht të tjera kjo ide  ngjizi pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Mbi fatin e luftës polako-sovjetike të viteve 1919-1921 vendosi manovra fenomenale e ushtrisë polake  nën udhëheqjen e Pillsudskit në gusht të vitit 1920 në jug dhe lindje të Varshavës, mbrojtja e të cilës para Ushtrisë së Kuqe në mësymje rezultoi me rëndësi kyçe për triumfin.  Pillsudski u dha edhe një goditje të ndjeshme bolshevikëve në  betejat mbi Niemn në shtator 1920. Lufta u fitua, pavarësia u shpëtua.  Pillsudski, i emëruar marshall përgjatë saj, u bë prijës fitues. Si i vetmi në histori mundi ushtarakisht Sovjetët. Paqja e nënshkruar në Riga në mars 1920 nuk përmbushte  ëndrrat polake, megjithatë për një farë kohe  garantonte pavarësinë jo vetëm të Republikës, por edhe të shteteve në kufirin perëndimor me Bashkimin Sovjetik. Traktati i Rigës për Lindjen europiane ishte  plotësim i rendit të vendosur në Versajë pas Luftës I Botërore.

Në vitin 1922 përfundoi procesi i përcaktimit të kufijve të shtetit të rilindur polak. Shteti me zor fitoi një dalje të kufizuar në Detin Balltik. Gdanjsku, megjithë përpjekjet e diplomacisë polake mbeti me statusin e Qytetit të Lirë nën kujdestarinë e Lidhjes së Kombeve.  Republika kishte kufij të gjerë me Gjermaninë dhe Sovjetët, çka nuk ishte e favorshme as për stabilitetin politik, as nuk parashikonte asgjë të mirë për të ardhmen, për më tepër që si bolshevikët, ashtu edhe gjermanët, nuk kishin hequr dorë nga  synimet rivendikuese. Pillsudski ishte i vetëdijshëm për pozitën tragjike të vendit të tij, andaj edhe përpunoi një politikë të jashtë të tillë që të mundësonte  ndërtimin e forcës së tretë në Evropë midis  Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, çfarë do të thoshte  përqendrim i shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore rreth Polonisë.  Në gjysmën e parë të viteve ‘30 u hodhën gjithashtu bazat e politikës së  barazlargimit me Berlinin dhe Moskën, thelbi i të cilës ishte nënshkrimi i  traktateve të mossulmimit me Sovjetët dhe Rajhun e Tretë, por edhe provë e largimit të tundimit të ndonjë superafrimi me njërin nga fqinjët. Por a mund të veprohej dot ndryshe duke qenë midis Josif Stalinit dhe Adolf Hitlerit? Pavarësisht aleancës me Francën dhe synimit për t’u lidhur me Britaninë e Madhe, Pillsudski nuk kishte besim  te fuqitë perëndimore që e trajtonin Poloninë si një territor periferik më pak i qenësishëm, nga ana tjetër nuk është se kishte ndonjë besim të madh tek veprimet e Lidhjes së Kombeve.  I trembej ngaherë  diktatit të fuqive në kurriz të Polonisë.  Me skepticizëm shprehej  edhe për konceptet llojlloj  mbi sigurinë kolektive.  E dinte  se me rritjen e fuqisë së Bashkimit Sovjetik dhe Rajhut të Tretë, roli, pesha dhe mundësitë reale të Polonisë do të binin. Pikërisht për arsye gjeostrategjike periudha e midisluftrave për polakët ishte periudhë e pavarësisë tragjike.

Në vitet 1923-1926 Pillsudski u tërhoq nga  jeta aktive politike për t’u qetësuar në Sulejuvkë, në afërsi të Varshavës. Në radhë të  parë këtë gjë e diktoi vrasja nga dora e një fanatiku e presidentit të parë të Republikës, Gabriel Narutowicz, të cilit Marshalli i kishte besuar detyrën e kreut të shtetit.  Nuk mund të duronte faktin që në qeveri kishin hyrë njerëz, të cilët moralisht i akuzonte për krimin e sipërpërmendur.  Vdekja e presidentit e  uli ndjeshëm besimin e Pillsudskit te demokracia polake dhe po e detyronte sidokudo të shihte të ardhmen me skepticizëm edhe më të madh. Në maj 1926 Marshalli u kthye në pushtet, këtë radhë me grusht shtetit të armatosur. Fillimisht kishte menduar ta rimerrte pushtetin  duke u bërë presion qeveritarëve, mirëpo  demonstrimi i forcës  përmes një parade të formacioneve ushtarake besnike të Pillsudskit, nuk solli dot kapitullimin e kundërshtarëve politikë. U desh, pra, të shkohej tek armët.  Tërheqja do të ishte shenjë dobësie dhe do të sillte pashmangshmërisht  margjinalizimin e tij në skenën politike, në mos po  dënimin me burg apo me vdekje. Vlerësimi i grushtit të shtetit, si rezultat i të cilit humbën jetën 400 vetë dhe mënyrës së rikthimit të Pillsudskit në pushtet i ndan edhe sot e gjithë ditën polakët.  Sipas mbështetësve të Marshallit para grushtit shteti ndodhej në  zgrip të humnerës  për shkak të  situatës së brendshme të pastabilizuar, brishtësisë së pushtetit ekzekutiv në raport me atë legjislativ, por edhe për shkak të kushtetutës së papërsosur. Të gjithë kësaj i duhet shtuar edhe  pozicioni i tij në arenën ndërkombëtare, i cili në muajt para grushtit të shtetit të majit ishte dobësuar  në mënyrë dramatike për shkak të  shthurrjes së  aleancës me Francën dhe rritjes së ndikimit të Gjermanisë. Ndërsa sipas kundërshtarëve të Pillsudskit si frymëzim për grushtin e shtetit në radhë të parë ishin prirjet e tij diktatoriale,  dëshira e tij për të thyer shtyllën kurrizore të parlamentit dhe në përgjithësi të demokracisë së brishtë polake dhe si faktor të fundit japin  bindjen  e tij për pagabueshmëri.

Deri në frymën e fundit, maj 1935, Pillsudski faktikisht  ushtroi në Poloni një pushtet diktatorial, ndonëse formalisht mbante postet realativisht modeste të  ministrit për çështjet ushtarake dhe kryeinspektorit të forcave të armatosura.  Nuk u bë kurrë president, ndërsa funksionin e kryeministrit  e ushtroi për një periudhë të shkurtër në vitet 1926-1928, për së dyti  në gjysmën e dytë të vitit 1930. Gjithsesi të gjitha vendimet më të rëndësishme i merrte vetë, ose të konsultuara veç me të.  Veprimet e tij  shkonin në drejtim të forcimit të pushtetit ekzekutiv në  dëm të  pushtetit legjislativ si dhe në drejtim të evidentimit të rëndësisë së ushtrisë në strukturat e shtetit.  Ushtria mbeti gjatë gjithë kohës meraku numër një i Pillsudskit.  Kjo gjë u pasqyrua  edhe në kushtetutën që hyri në fuqi në prill 1935, do të thotë pak kohë para vdekjes së tij.  Në fund të viteve ‘20 dhe në fillim të viteve ‘30 ai u soll brutalisht me opozitën e qendrës së majtë. Në shtator 1930 urdhëroi shpërndarjen e parlamentit dhe arrestimin e  udhëheqësve të qendrës së majtë. Luftonte ndërkohë edhe  opozitën e djathtë, duke shpërndarë, në fillim të viteve ‘30,  Kampin e Polonisë së Madhe, krijuar nga Dmowski.  I pamëshirshëm u tregua edhe në llogaritë me manifestimet antishtet të pakicave kombëtare, veçanërisht të ukrainasve dhe bjellorusëve.  Nuk ishte megjithatë asnjë ditë të vetme antisemit në një kohë kur  në mesin e legjionistëve dhe  mbështetësve të  qeverive të Pillsudskit  nuk mungonin çifutë polakë.  Për Pillsudskin çdo  veprim kundër shtetit konsiderohej në kategorinë e  bëmave që meritonin ndëshkimin maksimal. Në vitet ‘20 të shekullit të shkuar Polonia po ecte në një rrugë shumë tipike për shumicën e shteteve të  Evropës Qendrore dhe Lindore- nga demokracia në sistemin autoritar. Për shkak të situatës së brendshme, pavarësisht sukseseve të padyshimta ekonomike dhe unifikimit të suksesshëm të vendit, pavarësia e Polonisë në  periudhën e midisluftrave me siguri nuk ishte gjë e lehtë.

Juzef Pillsudski vdiq në Varshavë nga kanceri më 12 maj 1935. U varros në Krakov, në Wawel, ku prehen mbretërit e Polonisë, heronjtë kombëtarë, prijësat e shquar dhe poetët më të famshëm.

Pillsudski, përkundër çdo lloj kontroversialiteti rreth  personalitetit të tij, akteve dhe jetës, nuk mund të kornizohet në shablone.  Ky konstatim me siguri  prek shumicën , në mos të gjitha  figurat e mëdha historike. Për bashkatdhetarët e mi emri i Marshallit  fqinjëron para së gjithash me fjalën pavarësi.  Fqinjëron me fjalën liri dhe me çmimin që duhet paguar për të.


Nga Tomasz Stańczyk

Në nëntor 1918, për të shpëtuar Poloninë nga rreziku i revolucionit komunist, Juzef Pillsudski  ua dha pushtetin socialistëve.

Adam Koc, komandant i  Organizatës Ushtarake Polake, ndoshta do të  ketë brofur nga gjumi në të gdhirë të datës 10 nëntor kur mori lajmin se Juzef Pillsudski ishte lënë i lirë nga kalaja e Magdenburgut dhe do të mbërrinte në mëngjes herët drejt e në Varshavë.  Me siguri Koc duhet të ketë qenë i ngashëryer dhe i trazuar.  Duheshin njoftuar bashkëpunëtorët më të afërt të Pillsudskit. Atij i duhej siguruar edhe strehë. Megjithatë e gjitha kjo nuk justifikon një neglizhencë fatale.  Koc nuk  bëri kujdes që kthimi i Pillsudskit në Varshavë të përjetësohej në ndonjë fotografi. Sepse qysh atëherë dihej që kjo kishte për të qenë një ngjarje e madhe. Dhe shumë shpejt  rezultoi të ishte- historike.

Është nga ato momente, për të cilat të vjen keq që nuk u gjend një fotoreporter. Gjithsesi diçka e tillë edhe mund të rikuperohet. Për vite të tëra  fotografitë e Pillsudskit në stacionin e trenit, të bëra në dhjetor 1916, u shfaqën në shtyp dhe libra me nënshkrimin: 10 nëntor 1918. Fillimisht ky ishte me gjasë gabim i bërë me qëllim, i cili më vonë u përhap joqëllimshëm. Si ishte e mundur? Të mos ekzistonte foto për një ngjarje epokale!

Për atë çka mund të kishte menduar Pillsudski në trenin drejt Varshavës, nuk dimë gjë. Mund të mendohet megjithatë se sillte nëpër mend një ditë para arrestimit nga Gjermania në vitin 1917. Kishte parashikuar atëbotë se  do t’i merrnin lirinë, por vetëm për pak kohë. Dhe ja tani po kthehej në Varshavë në një rol tjetër. Pyetjes, në ç’rol, iu përgjigj buzagaz- në rolin e diktatorit.

Në fund të tetorit 1918, në Mbretërinë Polake, shtet jo i mëvetësuar, pa kufij të përcaktuar, u krijua qeveria e Juzef Świerzyński-t. Qeveria e parë pa aprovimin e Gjermanisë. Vendi i ministrit të luftës ishte rezervuar për Juzef Pillsudskin. Świerzyński kërkoi për këtë arsye lirimin e tij nga burgu.

Mirëpo  ndërsa Pillsudski udhëtonte drejt Varshavës, qeveria e Świerzyński-t kishte rënë. Świerzyński kishte dalë kundër Këshillit të Regjencës dhe kishte parashikuar  krijimin e një qeverie kombëtare koalicioni dhe bash për këtë arsye Këshilli e rrëzoi. Ekzistonte megjithatë Qeveria Popullore e Përkohshme e Republikës së Polonisë, krijuar më 7 tetor në Lublin nga socialisti Ignacy Daszyński. Në përbërje të saj kishte shumë bashkëpunëtorë të Pillsudskit nga radhët e  PPS, ndër ta edhe Edward Rydz-Śmigły, i cili deri pak kohë më parë kishte qenë oficer i Brigadës I.

 

Sa mirë që po vjen Pillsudski!

Në vagon Pillsudski ndoshta ka sjellë ndër mend edhe një bisedë të gati dy viteve më parë. Kishte shkuar në Varshavë në dhjetor 1916. E patën përshendetur turma mbështetësish, me ç’rast nuk kishte munguar as fotografi. Princ, ne të dy mund ta marrim Poloninë në dorë– i pat propozuar atëbotë Zdzisław Lubomirski-t, anëtar i Këshillit të Regjencës. Si përgjigje kishte dëgjuar: Zoti Komandant, bashkë mund të bëjmë gjithçka, mirëpo për bashkëpunim duhet të kemi besim të pathyeshëm tek njëri-tjetri.  Ti mund të kesh besim tek unë,  mirëpo bindja ime që ti mbahesh për socialist, më bën të hezitoj.

Atë mëngjes, më 10 nëntor 1918, Zdzisław Lubomirski ishte duke pritur trenin që vinte  nga Berlini. Adam Koc do të kujtonte me këtë rast që princi pat thënë  Oh sa mirë që po vjen Komandanti! Lubomirski nuk kishte iluzione se  Pillsudski do të përsëriste propozimin e bërë vite më parë.  Nuk është se priste këtë gjë. Shpresonte që Pillsudski do t’i dilte për zot situatës dhe i vetëm  do ta kapte Poloninë për brirësh.

Disa vjet më vonë në një fjalim në hotelin Bristol në Varshavë Pillsudski shtroi çështjen  për ç’arsye, në  nëntor 1918, gjithë pushteti,  pa orvajtjen më të vogël, mbeti në duart e tij. Dhe dha këtë përgjigje: ndodhi kështu ngaqë ishte komandant i Brigadës I dhe i burgosur nga zaptuesit. Realisht kishte aureolën e  komandantit të pamposhtur  që e manifestonte hapur pavarësinë nga Austriakët, që kërkonte prej tyre njohjen e Legjioneve ushtarake polake si dhe të shpreheshin  lidhur me shtetformimin polak.  Pillsudski ishte i rrethuar edhe me legjendën e  një pothuaj martiri, ngaqë ishte burgosur në kalanë e Magdenburgut. Gjithsesi  gjithë e vërteta ishte disi ndryshe.

Juzef Pillsudski qëndronte në peronin e stacionit hekurudhor të Varshavës një muaj  pas kushtrimit të Këshillit të Regjencës të datës 7 tetor. Kushtrimi në fjalë  në thelb ishte deklarim i pavarësisë. Disa ditë më vonë Këshilli kishte marrë kontrollin  mbi ushtrinë, që deri atëherë ishte në duart e  gjeneralit gjerman Beseler. Kishte emëruar qeverinë e Świerzyński-t, pa pyetur fare për reagimin e gjermanëve. Ishte megjithatë evident fakti që anëtarët e  Këshillit të Regjencës të nominuar nga  pushtuesit, edhe pse i kishin bërë shumë të mira Polonisë, duke hedhur themelet e shtetit- nuk mund të miratoheshin nga shoqëria si përfaqësues të  atdheut të lirë dhe të pavarur.

Por nuk ishte vetëm kjo. Kryepeshkopi, princi dhe konti nuk ishin  rekomandimet më të mira në ato kohëra të stuhishme.  Në Rusi sundonin bolshevikët, kurse në Gjermani kishte shpërthyer rebelimi socialist. Midis këtyre dy vendeve gjendej Polonia që po rilindte, me  qeverinë e majtë të Daszyński-t. Ai ndërkaq urdhëroi largimin e menjëhershëm nga skena të Këshillit të Regjencës, i cili, e qartë, nuk kishte vullnet t’ua dorëzonte pushtetin  socialistëve dhe  radikalëve të djathtë.

Princi Lubomirski  me siguri shpresonte që Pillsudski, i cili për të  mbahej për socialist, kurse në të vërtetë nuk ishte i tillë, gjithsesi  do të arrinte të frenonte  planet radikale të  miqve dhe kolegëve të tij në qeverinë e Lublinit. Para së gjithash do të arrinte të ndalte komunistët.

Ditë të vrullshme në Varshavë

Në datat 10 dhe 11 nëntor gjermanët u çarmatosën, por jo pa incidente të përgjakshme. Ushtarët polakë, nën komandën e  toger Przeworski-t morën Belveder-in, që pas pak kohe do të shndërrohej në seli  të Juzef Pillsudskit si kryetar shteti.

Në stacionin e trenit në lagjen Praga, banorët e Varshavës kishin nisur çarmatosjen e ushtarëve gjermanë. Në veprime e sipër dikush shtiu mbi gjermanët. Ata u kundërpërgjigjën me zjarr.  Disa persona mbeten të plagosur. Në një incident në tramvaj teksa  u kërkohej ushtarëve gjermanë të hiqnin kapat, vdiq punëtori Majchrzak.  Më 11 nëntor për shkak të shkëmbimit të zjarrit pranë Citadelës mbetën të vdekur apo të plagosur dhjetëra vetë.

Për çarmatosjen e gjermanëve kishte aq pak forca saqë koloneli Minkiewicz u detyrua të kërkonte ndihmën e të arrestuarve dhe të burgosurve hajdutë dhe banditë. Pas daljes nga qelitë u pajisën me armë.  Pas përmbushjes së detyrës në mbrëmje të gjithë ktheheshin  në burg- do të shkruante një dëshmitar i ngjarjeve, piktori Jan Skotnicki.

Ndalja e gjakderdhjes ishte imperativi i parë i Pillsudskit.  U bënte thirrje gjermanëve të mos provokonin polakët, ndërsa  polakët i këshillonte që të mos u dorëzoheshin  ndjenjave të urrjetjes dhe hakmarrjes.

Më 10 mars, në kohën kur Pillsudski  bisedonte me princin në pallatin e tij  në Frascati, po ndodhnin edhe ngjarje të tjera.

Ditën e djeshme Varshava e përjetoi me emocion dhe ethe.  Në thelb manifestimi çifuto-bolshevik, armiqtë dhe formacionet e tyre kundër Polonisë, kundër ushtarëve polakë- po e tulatnin shoqërinë, gjë që duhej pritur– shkruante për  incidentet e një dite më parë “Kurier Warszawski”.

Ata, çifuto-bolshevikët, u kishin bërë atentat ushtarëve polakë në rrugën  Królewska duke hapur zjarr. Në ndjekje të atyre që ia mbathnin ushtarët vranë Jankiel Friedman. Një diplomat bolshevik nga Rusia bërtiste rrugëve të Varshavës “Poshtë Polonia! Rroftë Lenini!” Rebelimi komunist po përgatitej edhe në  zonën Dąbrowski dhe në Lluxh.

“Kurier Warszawski” ngjarjet e Varshavës i shihte si shfaqje të komunizmit çifut. E njëjta gazetë të nesërmen  botoi thirrjen e anëtarëve të organizatës hebreje “Żagiew”. Sot nuk ka thirrje më të fortë në Poloni- të gjithë nën armë! Atdheu në rrezik! Atdheu thërret gjithë ata që në  shpirt mbartin emrin e tij, Atdheu ju thërret për ta mbrojtur. T’i lëmë mënjanë  dasitë dhe konfliktet, t’i fshijmë antagonizmat fetare. Trimëria e gjakut të derdhur për Mëmëdhe do të jetë vula, me të cilën  do të  përjetësoni  harmoninë dhe bashkimin e gjithë banorëve të Polonisë.

Me të tilla thirrje dolën  patriotët çifuto-polakë, të cilët nuk kishin munguar asnjëherë- 10%  të ushtarëve të Legjioneve  e përbënin pikërisht të tillët, por që nga ana tjetër përfaqësonin vetëm një pjesë të pallogaritshme të komunitetit hebre.

Më 14  nëntor Këshilli i Regjencës u shkri, duke ia kaluar pushtetin civil Pillsudskit, tri ditë pasi i kishte dorëzuar komandën e ushtrisë.  Pillsudski me këtë mund të thonte me plot gojën se profecia ishte përmbushur.  Ishte kthyer për t’u bërë diktator.

Më 11 nëntor  Pillsudski përmendi  krizën e betimit që e kishte shkaktuar vetë  në verën e vitit 1917.  Në qoftë se legjionistët  do ta kishin dëgjuar dhe do të shkonin pranë  telave me gjëmba të kampeve në Beniaminow dhe Szczypiorna- ndërkohë që do të nevojiteshin edhe të tjerë-  atëherë gjenerali Beseler  do të kishte krijuar repartet e armatosura të Mbretërisë Polake.  Në çdo rast ato do të ishin më të vogla në numër krahasuar me atë çka kishte tani në dispozicion Pillsudski.

Boshtin e Forcave të Armatosura të Polonisë e përbënin legjionistët (ata ishin edhe me stazh më të gjatë), të cilët kishin rënë dakord të  betoheshin për besnikëri dhe aleancë me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë.

Shkaktimi i  krizës së betimit  politikisht  ishte një hap i goditur.  Pillsudski  po shkëputej nga  shtetet qendrore, të cilat po shkisnin drejt disfatës duke  konsideruar me të drejtë se  armiku numër një i pavarësisë tani ishte Gjermania dhe jo Rusia e zhytur në kaos.  Gjithsesi një vendim i tillë do të ishte një goditje e konceptit mbi të cilin ai pat punuar me vite- krijimin e një armate polake.

Në nëntor Pillsudski  nxori edhe një as nga mënga. Kishte  në dispozicion  50 mijë anëtarë të  Organizatës Ushtarake Polake, përbërë nga njerëz idealistë dhe çka ishte më e rëndësishme- të palodhur nga lufta. I mobilizoi tek Armata Polake.  Gjithsesi ishin ende pak për të siguruar dhe mbrojtur pavarësinë.  Prandaj një nga vendimet e para të nëntorit të Pillsudskit ishte telegrami drejtuar marshallit Foch për t’ia bashkëngjitur armatës së vet  ushtrinë polake të krijuar në Francë nën komandën e  Juzef Haller-it, ish-oficer i Legjioneve.

 

Kundër eksperimentit bolshevik

Më 14 nëntor Pillsudski i besoi Ignacy Daszyński-t, të cilin e njihte mirë nga kohët galiciane dhe i cili ishte me gjasë miku i tij i fundit me të cilin fliste me ti. Kjo megjithatë nuk është se kishte ndonjë rëndësi të madhe.

Ndërsa argumentonte  zgjedhjen e socialistit Daszyński Pillsudski shkruante:  merren në konsideratë  rrymat e forta që po triumfojnë sdot në Perëndim dhe Lindje. Pillsudski donte që Polonia të evitonte  fatin e Rusisë dhe Gjermanisë të tronditura nga konvulsione revolucionare.

Włodzimierz Suleja në biografinë w Marshallit shkruante: Vendosi bindja se  qeveria me në krye një socialist do të ishte antidotumi më i efektshëm  që do ta mbronte Poloninë nga eksperimentet sociale në stil bolshevik.

Përzgjedhja e Daszyński-t si kryeministër gjithsesi nuk do të thoshte se Pillsudski  një qeveri të përbërë vetëm nga socialistë dhe radikalë popullorë.  Shpresonte se në të do të hynin edhe të djathtë.  Daszyński pati bisedime me ta, por që përfunduan me dështim.

Mbështetësi i Pillsudskit, Bogusław Miedziński në kujtimet e tij fajëson në të njëjtën shkallë të majtën propavarësisë dhe të djathtën për faktin që nuk u krijua dot një qeveri koalicioni.  E djathta nuk aprovonte vendin modest në përbërje të qeverisë që i propozoi Daszyński si dhe refuzimin që i ishte bërë asaj për të pasur ministrinë e  punëve të brendshme dhe atyre të jashtme.  Nuk kishte ndërmend, dhe këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur, të luante rolin e figurantit, për më tepër të një figuranti që aprovonte programin socialist të qeverisë.  E djathta u tërhoq nga bisedimet për krijimin e qeverisë, mirëpo bëri që edhe Daszyński të dorëhiqej nga misioni i tij.

Pillsudski nuk mund të gëzohej me këtë gjë.  Ankohej se “Ignac” e kërcënon me urrejtjen popullore dhe ngritjen e barrikadave, se është kokëfortë dhe i vështirë në bashkëpunim. Nga ana tjetër  situata ishte e favorshme jo vetëm për Pillsudskin.  Rivaliteti i dy individualiteteve  tepër të forta pa dyshim që nuk ishte i mirë në momentin e krijimit të shtetit të pavarur.

Bashkëpunimi me kandidatin pasues për kryeministër parashikohej si shumë më i suksesshëm.  Pillsudski kishte përzgjedhur Jędrzej Moraczewski-n.  Edhe ai socialist dhe anëtar i qeverisë së Lublinit, por, çka nuk ishte pa rëndësi,  nënkomandantin e vet në Brigadën I. Pillsudski e thirri dhe i tha, siç kujton vetë, për çdo rast të ishte vigjilent duke i besuar misionin e formimit të qeverisë.

Kabineti i formuar nga Moraczewski në thelb ishte vazhdim i qeverisë lublinase të Daszyński-t. Në përbërje të saj hyri pjesa më e madhe e anëtarëve të asaj qeverie, gjashtë socialistë dhe pillsudskianë.

 

Reformat në përshtatje me frymën e kohës

Më 17 nëntor , në vigjilje të  krijimit të qeverisë së Moraczewski-t, nëpër rrugët e Varshavës e djathta organizoi një manifestim të madh. Megjithatë kjo ishte gjithçka çka ishte në gjendje të bënte në luftën për pushtet.

Tadeusz Holówko, anëtar i PPS dhe pillsudskian, shkruante hidhur tek “Robotnik” për acarimin e të djathtës: Me të vërtetë gjykoja që  borgjezia jonë ishte pak më e mençur. Mendoja se  aksidentet në Rusi  i kishin mësuar asaj ndonjë gjë, që ajo i frikësohet vërtet  bolshevizmit, për të cilin flitet kaq shumë.  Në realitet megjithatë ajo  dëshiron, e do me çmim  bolshevizmin në tokën polake.

Dëshmia më e mirë e efikasitetit të  vendimit të Pillsudskit për t’ia besuar qeverinë të majtës ishte reagimi i PPS dhe SDKPiL. Këto parti, plotësisht me të drejtë,  deklaronin se  kabineti i Moraczewski-t u krijua për të larguar masat punonjëse nga revolucioni dhe për të pamundësuar instalimin e diktaturës së proletariatit. Pak pas kësaj, në dhjetor 1918, u bënë bashkë për të krijuar partinë komuniste të  varur nga Rusia bolshevike.

Qeveria e Moraczewski-t nuk ishte më pak radikale se qeveria lublinase. Njësoj si ekipi i Daszyński-t programonte  shpronësimin  e pronarëve të mëdhenj dhe të mesëm të tokave, shtetëzimin e pyjeve, minierave,  industrisë së naftës dhe pjesës më të madhe të industrisë, por edhe futjen e  shkollës laike.

Reforma të tilla, sikundër deklaronte Moraczewski,  janë në përshtatje me frymën e kohës dhe diktohen nga përmbysja. Përsëriste qëndrimin e Pillsudskit se ato mund t’i kryente vetëm parlamenti.

Pa e pritur fare parlamentin, qeveria e Moraczewski-t miratoi ligjin për greva, ditën tetëorëshe të punës, siguracionin e detyrueshëm në rast sëmundjeje, ligjin mbi inspektoriatin e punës dhe mbrojtjen e të papunëve nga shpronësimi.

 

Të gjithë thërrasin se kanë shumicën

Në bisedimet e para pas mbërritjes në Varshavë Pillsudski orvatej të  orientohej cila parti dominonte në shoqëri.  Dhe konstatoi: të gjithë thërrasin se janë shumicë. Natyrisht asaj kohe nuk kishte  sondazhe dhe  studime të opinionit publik. Zgjidhjen do ta sillnin zgjedhjet e 28 nëntorit 1918. Pillsudski në cilësinë e  Kryetarit të Përkohshëm të Shtetit  nënshkroi dekretin mbi organizimin e zgjedhjeve.

Dhe pikërisht këtë ditë Pillsduski e  propozoi si datë simbolike kur merr udhë ekzistenca e Polonisë së pavarur. Edhe pse ishte i vetëdijshëm për rolin e madh që kishte luajtur në lindjen e Republikës II, nuk e lidhi  datën e pavarësisë me marrjen e komandës së ushtrisë dhe pushtetit civil.  Nuk e përmendte po ashtu  radiogramin  dërguar shumë shteteve të botës për t’i njoftuar ekzistencën e Polonisë së pavarur.

Në argumentimin e propozimit për datën 28 nëntor Pillsudski thoshte, se shteti  nis të ekzistojë  atëherë kur dekretet dhe ligjet e qeverisë  mbërrijnë tek qytetarët dhe dekreti i tij  mbi organizimin e zgjedhjeve parlamentare pati shtrirjen më të gjerë të mundshme.  Votimi tregoi  se në thelb asnjëra nga partitë nuk kishte shumicën.  E djathta dhe e majta morën numër pothuaj të barabartë votash.  Është gjë tjetër që në vitin 1919 e majta e humbi pushtetin duke mos pasur madje përfaqësues në qeveri.

Bogusław Miedziński shkruante se vendimi nëntorian i Pillsudskit për krijimin e  një qeverie të majtë, çka e quante e keqja më e vogël, i dha mundësinë të shmangte luftën civile dhe gjakderdhjen. Ai vendim megjithatë solli  shumë pasoja negative. E djathta, e cila ndjehej tmerrësisht e  dëmtuar nga fakti që ia kishin hequr qeverinë, po përgjigjej me një opozitë të çmendur dhe të papërmbajtur, ndërtuar mbi thashtheme, insinuata dhe akuza për tradhti.  Kjo lloj opoztite  drejtohej kundër  qeverisë së Moraczewski-t, por akoma më tepër kundër Juzef Pillsudskit, kreut të shtetit.  Po përftohej një zakon fatal i nëpërkëmbjes dhe diskreditimit të autoritetit të pushtetit më të lartë të shtetit të rilindur.

Për fat të keq ky zakon i keq vazhdoi deri në kohët e sotme.

 

 

 


Nga Prof. Ass. Dr. Genc Luarasi

Sivjet mbushen 80 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Polonisë dhe Mbretërisë Shqiptare. Në fakt, nga dokumentet e të dy shteteve del se këto marrëdhënie u rikrijuan pasi Shqipëria shpalli pavarësinë dhe u shkëput nga Perandoria Osmane më 1912. Shqipëria, pas shumë përpjekjesh shekullore, ishte shteti i fundit në Ballkan që fitoi pavarësinë në vitin 1912 dhe nisi ndërtimin e shtetit të pavarur shqiptar, por kjo gjë u bë e pamundur si rezultat i luftërave ballkanike dhe Luftës I Botërore, kur Shqipëria u kthye në shesh lufte. Pas Kongresit të Lushnjës, në janar 1920, Shqipëria nisi rrugëtimin e saj europian fillimisht si një republikë parlamentare dhe pas vitit 1928 si mbretëri e trashëgueshme me mbretin Ahmet Zogu I. Gjendja ekonomike e sociale e vendit ishte e mjerueshme, por edhe shteti shqiptar ishte mjaft i dobët, i porsakrijuar. Vendosja e stabilitetit dhe ndërtimi i shtetit ishin detyra parësore. Shteti i ri kishte nevojë për një legjislacion të mirëfilltë dhe një zbatim rigoroz të ligjeve. Nga ana tjetër, shteti i ri kishte nevojë për njohje ndërkombëtare dhe në fushën diplomatike, Mbretëria Shqiptare duhej të realizonte lidhjen e marrëdhënieve me shtetet e huaja, që shteti i ri të ruante qëndrueshmërinë e vet. Në historinë e diplomacisë së atëhershme shqiptare shikojmë përpjekjet e mëdha për t’u përligjur, duke aktivizuar intelektualë jo thjesht nga prejardhja sociale, por edhe të përgatitur në shkollat e huaja. Vetë koha solli që në Turqi dhe Europë të ishin shkolluar mjaft personalitete të devotshëm, të cilët u përfshinë në realizimin e një politike të vëmendshme dhe realiste ndaj shteteve europiane, krahas atyre të Ballkanit. Në përgjithësi, në vitet 1935-1937 u përpunua një strategji për t’u afruar me vendet e Europës Veriore e Qendrore si Hungaria, Belgjika, Polonia, Gjermania, duke pasur parasysh që të shfrytëzoheshin edhe kushtet ekonomike që kishin lidhje me vendet e Ballkanit. U arrit krijimi i lidhjeve me Belgjikën, Spanjën, Hungarinë, Çekinë dhe së fundi me Poloninë.

Pas krijimit të shtetit polak më 1918, edhe kur nuk kishte marrëdhënie diplomatike, Shqipërinë e kanë vizituar polakë me profesion gjeologë, gazetarë, ushtarakë të fuqive të mëdha, kryesisht për ta njohur këtë vend ekzotik. Para vitit 1939, në vendin tonë jetonin një numër tejet i kufizuar polakësh, si gjeologët Jan Strzetelski (1878-1943), Stanislaw Zuber (1893-1947), si edhe gra të martuara me intelektualë shqiptarë, të shkolluar në Europë. Në vitin 1949, në Tiranë, në familjen e diplomatit polak Micel, lindi gazetarja e ardhshme polake Jolanta Micel-Thor.

 

Ndërkohë, në përvjetorin e 80 të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Polonisë, është interesant të njihet korrespondenca diplomatike e dy vendeve tona, të shkëputura që nga koha e Skënderbeut. Në arkivat përkatëse disponohen dokumentet e përpjekjeve të vendosjes së këtyre marrëdhënieve me Mbretërinë Shqiptare. Kështu më 28 Mars 1938 me shkresën Nr. 174/I Rez. me titull: “Guverna Poloneze dëshëron t’akreditojë Zotin Władysław-Guenther Schwarzburg si Ministër Fuqiplotë pranë Oborrit Mbretëror të Shqipërisë”, një përmbledhje që Z. Tahir Shtylla, drejtues i Legatës sonë ne Belgrad ia njofton Z. Ekrem Libohova, Ministër i Punëve të Jashtme, thuhet se atë e ka vizituar Z. Debicki (Dembinski), Ministër Fuqiplotë i Polonisë në Belgrad, i cili në emër të Qeverisë Polake, paraqet kërkesën e saj që Sovrani të miratojë ambasadorin e Polonisë në Athinë, si ambasador pranë oborrit Mbretëror, i cili do të kryeje më së miri detyrat e tij si një diplomat karriere i kualifikuar. Për vetë rëndësinë e propozimit, figurës së diplomatit polak, kjo përmbledhje na paraqitet si një dokument zyrtar në dy faqe, shoqëruar edhe me një tok shënimesh mbi figurën e diplomatit në fjalë. Nga ana saj Qeveria Polake shpreh kënaqësinë e akreditimit në Poloni të një diplomati shqiptar të një rangu të njëjtë. Njëkohësisht, me shkresën Nr. 159 të datës 29 mars 1938, Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Shqipërisë Z. Ekrem Libohova njoftohet nga i ngarkuari me punë i Legatës së Mbretërisë Shqiptare në Athinë se zoti Schwarzburg iu lut atij që kur të jepet dokumenti i përfaqësimit të tij ta vërë në dijeni që të rregullojë punët e tij në Athinë për t’u paraqitur në Tiranë para datës 27 prill për dorëzimin e tyre, që të marrë pjesë në ceremoninë e martesës mbretërore, gjithashtu të porositet një dhomë në hotelin “Kontinental”. Po më 6 prill 1938, me shkresën Nr. 174/II Rez. dërguar nga z. Tahir Shtylla nga Legata shqiptare në Belgrad, shprehet dëshira e Qeverisë Polake për paraqitjen e letrave kredenciale të Ambasadorit Polak para datës së martesës së Madhërisë së Tij, Sovranit tonë August, ndaj i kërkon asaj ministrie një përgjigje urgjente. Interesant është dokumenti i Letrave Kredenciale për Ministrin Fuqiplotë Z. Wladislaw-Guenther Schwarzburg, drejtuar nga Presidenti i Republikës së Polonisë Madhërisë së Tij Zog I, Mbret i Shqiptarëve, të cilin ai e vlerëson si mik të madh dhe shumë të nderuar. Kjo letër, në gjuhën frënge, nga përmbajtja dhe me një kaligrafi shumë të bukur, që mund të vlerësohet nga specialistët e marrëdhënieve ndërkombëtare, u hartua më datën 10 prill 1938 dhe është nënshkruar nga Presidenti i Republikës Polake Ignacy Mościcki dhe me kundërfirmën e ministrit të saj të jashtëm, Josef Beck. Këto janë lidhjet e para për ripërtëritjen e marrëdhënieve midis këtyre shteteve. Por, cili ishte diplomati polak, që do të përfaqësonte vendin e tij në Mbretërinë e Shqipërisë?

Nga të dhënat e njohura, Zoti Władysław-Guenther Schwarzburg ka lindur në vitin 1885, në rajonin e Polonisë së Jugut dhe ka përfunduar Universitetin e Sorbonës në lëmin e filologjisë me titullin Doktor (1908). Në shërbimin diplomatik ai u përfshi në vitin 1918, në shtetin tashmë të pavarur polak, me një karrierë të pasur, të nisur në Pragë më 1919, vazhduar në Ankara më 1926, në Itali më 1927, në Beograd më 1931, në Athinë më 1936 dhe së fundi në Shqipëri më 1938. Pas vitit 1939, Europa u përfshi në zjarrin e Luftës së II Botërore, kështu që pas vitit 1941 ai vijoi në Angli me Qeverinë e Emigracionit në poste diplomatike dhe së fundi doli nga karriera e vazhdoi të punonte në Universitetin Polak të Emigracionit në lëmin e gjuhës e letërsisë polake. Ai vdiq në Londër në vitin 1974. Gjatë karrierës së tij ai u nderua me 14 urdhra dhe dekorata të shkallëve të ndryshme.

Në fakt, Ambasada e Polonisë në Shqipëri nuk arriti të hapej së pari, për arsye se ai mbajti edhe postin e ambasadorit në Athinë dhe së dyti, se qeveria shqiptare e kohës nuk arriti dot të krijonte mundësitë logjistike, pasi një vit më vonë, më 7 prill 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia Fashiste, kurse Polonia në shtator 1939 nga Gjermania naziste. Nga ana tjetër, edhe Shqipëria me pamundësitë e vazhdueshme financiare nuk arriti të hapë një seli në Poloni, që e arriti vetëm më 1946, por si mundësi që Ambasadori i parë i Shqipërisë në Moskë të ishte edhe diplomat i Qeverisë shqiptare në Poloni, detyrë që në atë kohë e kreu KoçoTashko.

 

Ndërkohë më datën 27 prill 1938, në gazetën “Kurier Warszawski” (Lajmëtari i Varshavës) u botua artikulli me titull “Pas 500 vitesh” i autorit Dr. Henryk Batowski (lektor në Universitetin e Krakovit dhe në Shkollën e Shkencave Politike të atij qyteti) Z. Leonard Zisi, Kryetar Nderi i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni, ka shkruar për këtë personalitet. Zoti Batowski shprehet në atë artikull se “kishte njëfarë pakënaqësie që Polonia kishte marrëdhënie diplomatike me shumë shtete të Europës, por nuk kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me Mbretërinë Shqiptare, ndërkohë që Shqipëria me shumë vende të Europës dhe të Ballkanit i kishte këto marrëdhënie, ndër ta edhe me shtete më të vegjël se Polonia, si Çekia, e cila qysh para 10 vitesh kishte vendosur lidhje pavarësisht se nuk mund të ishte aq aktive sa Polonia.” Ndërkohë, siç thekson autori, Shqipërinë e kanë vizituar funksionarë të Ministrisë së Jashtme, si Dr. T. Lubaczewski, gjeologu i njohur, Profesori Zuber de Lwow, për të njohur pasuritë minerale, si edhe mjekë për t’u njohur me kushtet shëndetësore në atë vend. Por ne mes nesh kemi shumë pika kontakti edhe në të kaluarën, si p.sh Princi Adam Czartoryski, që u angazhua për hartimin e një marrëveshje në mes të shqiptarëve dhe malazezëve. Në letërsi, në vitin 1884 u botua romani “Derdhje gjaku” shkruar prej Sahi Bey, pseudonim i Wacław Wozodsko ish-inxhinier polak në shërbim të Perandorisë Otomane. Nga ana tjetër, ballkanologu Jan Grzegorzewski botoi në revistën “Udhëheqje Shkencore dhe Liberale” një seri studimesh mbi historinë dhe etnogjenezën shqipe dhe së fundmi romanin me tre vëllime të shkrimtarit të njohur Jez Milkowski me titull “Kalorësi Kristian” i botuar në 1890, lidhur me heroin kombëtar shqiptar, Skënderbeun, personazh që në sajë të luftërave të tij pati një popullaritet të madh në Europë. Pikërisht me këtë hero u arrit edhe lidhja në mes të polakëve dhe shqiptarëve nëpërmjet dy mbretërve, Mbretit të Polonisë Vlladisllav (Władysław) dhe të Shqipërisë Skënderbe. Në qershor 1444 mbreti i Polonisë i dërgoi një letër Skënderbeut për veprime të përbashkëta kundër shkelësve të Europës – kundër otomanëve. Lufta e planifikuar të zhvillohej në Varna, nuk u kurorëzua me sukses pasi forcat shqiptare u penguan nga serbët për të mos kaluar në territorin  e tyre. Fati i luftës mund të ishte shumë i ndryshëm po qe se forcat polako-hungareze dhe shqiptare do të kishin arritur të bashkëvepronin në atë betejë.

Më në fund, Kryetari i Shtetit të Polonisë e dërgon Ministrin e tij Fuqiplotë te Mbreti i Shqiptarëve, duke lidhur kështu marrëdhëniet e prera 5 shekuj përpara”, përfundon artikullin e tij Dr. Batowski.

Pas vitit 1946, marrëdhëniet mes të dy vendeve nuk ishin kurdoherë të njëtrajtshme. Duke qenë brenda suazës socialiste, KNER, Traktatit të Varshavës ato u zhvilluan sipas linjës së vendosur nga Moska, sigurisht me specifikat e secilit. Shqipëria pati në fushën e ekonomisë një marrëveshje këmbimi mallrash e pajisjesh, ndërsa Polonia përfitoi nga turizmi dhe këmbimi ekonomik e tekniko-kulturor, por që u ndërpre pas viteve 1967. Ndikim në to pati dhe një ngjarje politike në mes dy shteteve, në vitin 1966 kur në Shqipëri erdhi ilegalisht një nga eksponentët e Partisë Komuniste polake Kazimierz Mijal, i cili për gati dhjetë vjet gjeti strehim politik duke kryer nëpërmjet radios shqiptare një politikë anti-polake dhe kundër bllokut socialist, pro politikës së Mao Ce Dunit. Më 1977 ai u largua nga Shqipëria në Kinë, por edhe aty nuk gjeti terren politik dhe u kthye në atdhe, ku u arrestua më 1984. Por strehimi i tij në Shqipëri pati ndikime mbi mjaft familje me përbërje polake, pasi u përndoqën dhe disa prej tyre madje u burgosën me shumë vite.

Në vitin 1992, të dy vendet e shkëputura nga sistemi socialist dhe pas hapjes ndaj Europës i rivlerësuan këto marrëdhënie me rihapjen e ambasadave të tyre, duke e ngritur nivelin e përfaqësimit. Kështu, u ngritën përsëri nivelet e marrëdhënieve të ngrira duke dhënë një hov reciprok marrëveshjeve të ndryshme sidomos për shkëmbimin e specialistëve, këmbimeve kulturore–artistike, shkëmbime përvojash, në fushat e organizimit të shtetit si të Kontrollit të Shtetit, Avokatit të Popullit, studimeve shkencore sidomos në arkeologji, botimeve të letërsisë, riaktivizimit e organizimit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni, përkthimeve me nivel të letërsisë polake nga z. A. Beqiraj etj., paraqitjes së filmave në qendrën “Marubi”, aktiviteteve koncertore, të Shoqatës “Frederik Shopen” ekspozitave tematike, pjesëmarrjes në boten shpirtërore të përfaqësuesve të besimit katolik dhe motrave në shembullin e Nënë Terezës. Sot, në Shqipëri banojnë e punojnë si të përhershëm rreth 50 nënshtetas polakë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare të dy vendet janë në partneritet në NATO dhe Polonia, anëtare e BE-së, e ndihmon Shqipërinë për t’u përgatitur që të anëtarësohet në BE. Polonia është aktive edhe në Kosovë në kuadrin e detyrave ndërkombëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Me rastin e këtij përvjetori jubilar u organizua Seminari përkujtimor i 80 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona në të cilin morën pjesë Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Polonisë në Shqipëri, Z. Karol Bachura dhe studiues, që me fjalët e tyre, vlerësuan momentet historike si dhe arritjet e deritanishme.


4 maj 2017

Një çerekshekulli pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri dhe Poloni, marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë më të mira se kurrë. Kontaktet polako-shqiptare datojnë shekuj më parë, por ato nuk janë shumë të njohura për publikun shqiptar.

Profesori polak Tadeusz Czekalski nga Universiteti Jagellonian i Krakovit dhe profesori shqiptar, Gjergj Sinani, dhanë dy prezantime mbi aspektet historike të marrëdhënieve polako-shqiptare në një event të organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare dhe Ambasada polake në Tiranë.

Prezantimi i profesor Gjergj Sinanit u fokusua në ngjashmëritë ndërmjet dy popujve, shqiptarëve dhe polakëve, veçanërisht në dëshirat e tyre dhe luftërat për liri. « Kjo frymë lirie, cilësoi ai, do të vijojë t’i japë jetë bëmave të kombeve tona. » Ai citoi Niçen duke thënë që vetëm ata njerëz të cilët kanë vuajtur mungesën e lirisë janë të aftë për ta kuptuar njëri-tjetrin. Populli polak ka zgjedhur gjithmonë lirinë dhe jo paqen despotike, tha ai. « Periudha komuniste dhe izolimi i Shqipërisë nga bota e jashtme ka qenë episodi më tragjik për marrëdhëniet shqiptaro-polake », tha profesor Sinani. Ai dha rastin e gjeologut polak, Stanislav Zuber, i cili vdiq në burgjet shqiptare komuniste.

Profesori polak Czekalski tha se pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në 1949, Shqipëria përfaqësohej në Poloni nga Jugosllavia. Në dekadën pas vitit 1949 dhe deri në fillim të viteve ‘60, pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, marrëdhëniet midis dy vendeve ishin të mira dhe u bënë mjaft përpjekje dhe aktivitete me qëllim për të njohur më mirë njëri-tjetrin. Në vitet 1950 pati një javë të miqësisë shqiptaro-polake me aktivitete në të dyja vendet. Radioja në Shqipëri transmetonte muzikë polake dhe fliste për Poloninë.

Romani i parë shqiptar i publikuar në Poloni ishte “Ata nuk ishin vetëm” i Sterjo Spasses, i përkthyer nga rusishtja. Mendohet gjithashtu që gjatë viteve ‘50 dhe ‘60 kishte rreth 100 studentë shqiptarë në Poloni, në Varshavë, Krakov dhe Luzh. Profesor Czekalski tha se pas rënies së komunizmit ata ishin të njëjtët studentë të cilët ringjallën marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Polonisë, duke themeluar Shoqatën e Miqësisë Shqiptaro-Polake.

Kontaktet e para ndërmjet shqiptarëve dhe polakëve ndodhën gjatë mesjetës, kur Vladislavi i Tretë, mbreti i Polonisë, i dërgoi një letër miqësie Skënderbeut. Gjatë shekujve që pasuan, Skënderbeu u njoh nga fisnikëria polake si kalorës i krishtërimit dhe me mijëra libra u botuan për të në Poloni, që në fillim të shekullit të 16. Polaku i parë që e vizitoi Shqipërinë në periudhën moderne ishte Alexander Sapieha, në 1802, në Veri të Shqipërisë dhe gjithashtu pati edhe disa polakë në ushtrinë austro-hungareze në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore.

Gjithashtu linja e parë telegrafike nga Stambolli në Shqipërinë e Veriut u ndërtua nga një polak. Po kështu, edhe linja telegrafike nga Veriu i Shqipërisë në Manastir (sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë). Profesor Czekalski tha se gjatë viteve të para të regjimit komunist në Shqipëri, një sërë pilotësh polakë morën pjesë në aktivitete anti-komuniste të organizuara nga emigrantët shqiptarë.

Vitin e shkuar Kryeministrja polake Beata Szydlo vizitoi Tiranë ku mori pjesë në krah të kryeministrit Edi Rama në forumin e parë ekonomik midis dy vendeve./europa/

Please follow and like us: