Albspirit

Media/News/Publishing

Si do të ndikojnë sanksionit e Iranit mbi protestat e vazhdueshme?

SHBA ka vendosur tashmë mbi Iranin sanksionet më të ashpra se kurrë ndonjëherë, sipas Sekretarit të Thesarit Steven Mnuchin dhe Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, ku shënjestrat kryesore janë individët, avionët, anijet, dhe organizatat e lidhura me sektorin e energjisë.

Të premten, ata u thanë reporterëve: “SHBA do të shtojë 700 individë e kompani në një listë entitetesh të bllokuara, 400 prej të cilave nuk kanë qenë të sanksionuara përpara paktit bërthamor me Iranin.”

Pavarësisht gjithë kësaj, udhëheqësit iranianë po vazhdojnë me sjelljet e tyre të liga, të cilat përfshijnë kryesisht vjedhjen e pasurisë së popullit iranian dhe përdorimin e atyre parave të grabitura për abuzime ndaj të drejtave njerëzore, ndërhyrje në rajon, dhe për të mbështetur grupet terroriste.

Vetëm javën e shkuar, autoritetet daneze e akuzuan Iranin se kishte komplotuar për të vrarë një lider arab që jeton në Danimarkë, i cili është kundër Regjimit, ndërkohë që raportet nga brenda Iranit tregonin se ekonomia e vendit ishte në rënie që përpara rivendosjes së sanksioneve amerikane.

Media shtetërore në Iran raporton se shumë kompani po falimentojnë dhe, ose i pushojnë në masë punëtorët, ose refuzojnë t’ua japin rrogat. Sipas raporteve, mbi 500 fabrika janë në krizë. Dhe këto probleme ekonomike kanë qenë një nga shkaqet kryesore të protestave të mëdha që zhvillohen në Iran.

Të premten, raundi i katërt i grevës mbarëkombëtare të shoferëve të kamionëve hyri në ditën e tretë, me grevistët që kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre nga grevat e mëparshme si dhe lirimin e kolegëve të tyre të arrestuar. Greva vazhdon pavarësisht kërcënimeve e shtypjes nga Regjimi. Në fakt, raportet tregojnë se një numër shoferësh janë thirrur në zyrat e gjykatave të tyre vendore për t’u marrë në pyetje në lidhje me grevat.

Grevat e mëparshme të shoferëve janë bërë në qershor, gusht, dhe tetor, për të protestuar kushtet e rënda të jetesës, tarifat e ulëta të ngarkimit me mallra, kostot e larta të pjesëve të këmbimit, kushtet e ashpra të sigurimeve, e shumë të tjera. Raundi i tretë i grevës së tyre zgjati 21 ditë.

Një grup tjetër grevistësh në Iran janë fermerët në Isfahan. Ata protestojnë kundër keqmenaxhimit të rëndë të ujit nga Regjimi në një kohë kur, sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Agrikulturën, Irani po përballet me thatësirën më të zgjatur e më të rëndë në mbi 30 vjet.

Please follow and like us: