Cikël poetik nga Eli Kanina
Në oqeanin e kohës
Vozitem, mbijetuese, e trishtë
Shtresëzohem prej vlerash që më rrisin
E humbur, pikëpyes për çdo ditë…
Koha nuk është më e vlerave
A vlerat e mija s’i rrinë kësaj kohe?
Ndoshta, jam një varkë Noe…
Mëdyshem
Kjo kohë po më ndryshk
Nga mosdashja e vlerave apo indiferenca
Zë myshk
Në thellësi të oqeanit të kohës
Përpiqem të cek sipërfaqen, e vetme t’ia dal
Më sfidojnë klane e korale
Dhe gjithçfarë kokolepsjesh,që fundin e kanë destin
Tulatem, mrekullinë të ndodhë pres
Për atë që jap, kërkoj, vëmendje e interes
Pres polumbarët të më zbulojnë
Më kot!
Qëkur Titaniku u fundos
Njerëzimit s’i duhen më thellësitë
Universit i janë qepur, planeteve bredhin
Hapësirave, testojnë dashuritë.
Uroj të kem fat të përfundoj në barkun e një peshku
Që i pafatë, nga peshkimi të bjerë në ndonjë rrjetë
Me mua bashkë, si guackë a perlë
Në vëmendjen e njerëzve, mjaft të më risjellë
Gjithsesi do më ndihë
Që mos mbetem përfund kohe
Që kohës prej meje diç ti ngelet
Fundja
Nëse kohën s’e kanë vlerat
Nëse kohën s’e bëjnë njerëzit…
Le të më gëlltisin peshqit!
Nëse ju thoni…
Unë kurrë s’do ta bërtas vetveten!
Për gjithçka tkurrem a bymehem
Nën aromën e kafesë, supës, pjeshkës, pusetës
Flegrat kur më lozin me ajrin e passhiut
Për lojën e ngjyrave në retinën e syrit
Nga përflakja e një gjetheje, një reje, një qoshku të trishtë shpirti
Veten më ndryshon përthyerja e rrezes
Për drithërimat e dallimit mes të bardhës e të zezës
Çdo nuancë që më ngjyros çastet e përcjell ndjesi
Tingujt që më buisin përbrenda e mbushin plot gjoksin
Kur jehojnë nga brinja në brinjë, e më brofin
Mbajnë hovin në grykë dhe në buzë ngecin
Ato pak që shkruajta dhe më dini
Për të pathënat, që lexoni përtej rreshtave
Të pashkrojturat që me mua do vdesin
Komplikim u bëra prej të thjeshtave…
Nuk do ta bërtas vetveten!
Jo për zërin tim të pamjaftueshëm
Po për veshët e paveshë, të kësaj bote të papërsosur
Pa timpan, një hinkë zhurmash nga mëngjesi në darkë
Veshë të shndërruar në llapë…
Unë jam më shumë
Nëse ti je i dashuruar me mua
dhe fjalët të rrjedhin si ndjesi lumë
E pafjalë ndonëse ndihem para teje
Dije: -Unë jam edhe më shumë!
Nëse ti më vjen çdo herë si llavë
energjinë ma shndërron në varg, produkt a punë
I kënaqur e pozitiv të ndihesh për veten
Dije: – Unë jam edhe më shumë!
Nëse ti ikën i trishtuar nga mua
s’të mjafton a s’të pëlqen ç’dua unë
Sepse s’të shoh dot të lënduar
Dije: – Unë jam edhe më shumë!
Nëse ti përpiqesh të mirkuptosh më tepër
Kur unë ty të dua, thjesht si unë
i pranuar të ndihesh, të japësh e të marrësh
Dije: – Unë jam edhe më shumë!
Nëse dashuria për ne është stil lirie
përcillet ndryshe tek ty, ndryshe tek unë
Pavarsisht profilit, pa kufij kërkon të jesh
Dije: – Unë jam edhe më shumë!
Më ftoi im bir në vallëzim
Më ftoi im bir në vallëzim
gazin e buzës e fsheha në shpirt
të mos i rëndoja hapat e tij të pasigurtë
që ritmonin me tinguj zemre…
Nuk e preka dyshemenë ato çaste
si tollumbace e etertë në ajër
vallëzoja drejt shandanëve llamburitës në tavan
pa kuptuar kush e ndriste më tepër sallën
unë apo ata ?
Mbretëreshë e Tokës dhe Qiellit
atë çast jam ndier
me djalin tim kavaljer.
Ligavec
Nuk t’i kam dashur kurrë jargët
As guackën e kërmilltë
Labirinth i gënjeshtërt për naivët
Duke pritur mbretërimin e passhiut
Tulatja jote në vapë të mbyt
Dorëzohesh
Ndonëse vesa dhe bari
Janë luksi yt…
Nëse ndonjëherë të imitoj
Gjakun e ftohtë të hapave të tua
Zili ta kam shpejtësinë
Si ty dua të ngjaj në ecje
Drejt terminalit vdekje…
Gjyshja ime e mirë…
Në fillim isha unë fëmijë
picirruke tekanjoze, kureshtare
me gatime e përralla më rriti gjyshja
ajo, fjalëmjaltëza ime, e duruara…
Më pas u bë gjyshja fëmijë
grinjare, jetëlodhur, fjalëpafolur
shpirtmunduar, e pangopur me jetë
me shpjegime doja t’ia lehtësoja dhimbjet
unë fjalëpagjetura e mjeksisë -mrekulli.
Unë dhe gjyshja e bëmë bashkë një copë udhë
ajo më mëkoi e rriti siç deshi vetë
unë, mjekja, më kot u përpoqa
nuk munda ta mbaj në këtë jetë….
Tani jam vetëm unë, që qaj
pengun tim dhe amanetin e saj…