Albspirit

Media/News/Publishing

Shkeljet e të drejtave njerëzore nga regjimi i Iranit

Shkeljet e të drejtave njerëzore në Iran janë të zakonshme dhe tetori nuk ka bërë përjashtim. Ky artikull do të flasë për natyrën ngjethëse të abuzimeve me të drejtat e njeriut në Iran gjatë tetorit, duke përfshirë ekzekutimet, ndëshkimet trupore, dhe persekutimin e minoriteteve fetare, por kjo është vetëm një përmbledhje. (Për një raport më të detajuar, klikoni këtu.) Ju lutem mbani mend se për shkak të zakonit që Regjimi Iranian ka për të fshehur abuzimet që u bën të drejtave njerëzore, numrat e cituar këtu janë, me shumë mundësi, vetëm një fraksion i numrit të vërtetë.

Ekzekutimet

Irani ka ekzekutuar 22 njerëz në burgjet e Urmia, Birjand, Qazvin, Rajaei Shahr, Shahre Kord, Isfahan, Maragheh, Ilam, Shirvan, Sirjan, Zahedan dhe Ardebil. Një nga të ekzekutuarit ishte Zeinab Sekaanvand, një viktimë e dhunës familjare dhe seksuale, e cila ishte akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj abuziv kur ishte minorene. Drejtori i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme i Amnesty International, Philip Luther ka thënë: “Ekzekutimi i saj është thellësisht i padrejtë. Fakti që dënimi i saj me vdekje erdhi pas një gjyqi plotësisht të padrejtë e bën edhe më mizor ekzekutimin e saj… Sekaanvand ka thënë se, menjëherë pasi ishte martuar në moshën 15 vjeçare, kishte kërkuar ndihmë shumë herë nga autoritetet për burrin e saj të dhunshëm dhe se ishte përdhunuar vazhdimisht nga kunati i saj. Në vend që t’i hetonin këto deklarime, autoritetet e kanë shpërfillur vazhdimisht vajzën dhe nuk i kanë dhënë asnjë mbështetje si viktimë e dhunës familjare dhe seksuale”. Ndërkohë, Irani ka kryer gjithashtu edhe 11 vrasje arbitrare të hamejve kurdë, nën pretekstin e parandalimit të kontrabandës, si dhe vrasje të Baluch-ëve.

Ndëshkimet çnjerëzore

Gjatë tetorit, Irani ka dënuar 60 njerëz me rrahje me kamzhik dhe një person me prerje të dorës. Pesëmbëdhjetë punëtorë të uzinës së prodhimit HEPCO të akuzuar për “prishje të paqes” janë dënuar me rrahje me kamzhik. Emrat e tyre janë Majid Latifi, Behrouz Hasanvand, Hamidreza Ahmadi, Amir Houshang Pour Farzanegan, Morteza Azizi, Hadi Fazeli, Abolfazl Karimi, Farid Kodani, Majid Yahyaie, Amir Fatahpour, Yaser Gholi, Amir Farid Afshar, Mehdi Abedi, Ali Maleki, dhe Berouz Valashajardi. Ndërsa studenti Pedram Pazireh është dënuar me shtatë vjet burg dhe 74 goditje me kamzhik për organizimin e një ceremonie për Ditën kombëtare të Studentëve. 11 protestues të tjerë nga kryengritja e dhjetor-janarit në Arak janë dënuar me burgim dhe me goditje me kamzhik për “prishjen e rendit publik dhe paqes duke marrë pjesë në tubime të paligjshme”.

Arrestimet

Në tetor, 2442 njerëz janë arrestuar në Iran. Nga këta, 543 arrestime kanë qenë të motivuar politikisht, 11 në bazë fetare e etnike, dhe 1888 kanë qenë arrestime arbitrare. Në fakt, grupet e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Iranin se ka ndërmarrë një fushatë “represioni” kundër minoritetit etnik arab të Ahwaz-it në provincën Khuzestan, ku përfshihen arrestime të fëmijëve. Mbi 261 shoferë kamionësh janë arrestuar për shkak të grevës dhe janë kërcënuar me dënimin me vdekje. Të paktën katër mësues janë arrestuar në lidhje me protestën e tyre dy-ditore për të drejtat e mësuesve dhe të arsimit, ndërsa një numër i panjohur mësuesish janë thirrur në zyrat e Ministrisë së Inteligjencës në Teheran, Qazvin, Bojnourd, Saqqez, Marivan, Kermanshah dhe Aligoudarz. Ndërkohë, aktivisti i të drejtave të mësuesve, Hashem Khastar mbahet nga Regjimi në një spital psikiatrik, për ta heshtur, e jo për ndonjë problem të shëndetit mendor.

Të burgosurit

Mbi 70 të burgosur politikë kanë bërë grevë për një periudhë mbi një-javore në Burgun Qendror të Urmia-s, pavarësisht presionit nga autoritetet e burgut, në protestë ndaj sulmit të autoriteteve mbi të burgosurit politikë, sulm i cili ka shkaktuar plagosje të rënda. Ndërsa Dr. Meysami, i cili u arrestua në korrik për protestimin e tij ndaj hixhabit të detyruar, po ushqehet me forcë në mënyrë intravenoze pasi kishte nisur një grevë urie më 1 gusht. Ai refuzon t’i japë fund grevës së urisë derisa ai dhe dy aktivistë të tjerë të shquar të arrestuar për protestimin ndaj hixhabit të detyrueshëm, të lirohen. Ndërkohë, tre të burgosurave politike (Golrokh Iraee, Atena Daemi dhe Maryam Akbari Monfared) po u mohohen vizitat familjare për shkak të zënies së tyre me rojat e burgut.

Please follow and like us: