Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: “Katovica” e Servet Pëllumbit dhe dosja nr.30

Në vitin 1998 në një shtëpi në Tiranë, me nivel shumë të ulët gjuhësor u shkrua një tekst mbi gjoja strategjinë e “Katovicës” në Shqipëri, e cila pretendohej se ishte thënë nga Ramiz Alia në një mbledhje pa datë në tetor 1989. Këtë tekst fals, i dallueshëm qysh në pamje, pa origjinë, e mori përsipër ta ligjërojë Servet Pëllumbi, madje t’i japë edhe “referenca arkivore” në librin “Përmbysja e Komunizmit”. Për arsye që nuk i njoh, Pëllumbi tekstin e vitit 1998 kërkon ta paraqesë si “burim arkivor”, një gjë krejtësisht e gënjeshtërt. Është pretenduar se në vitin 1986 në Katovicë të Polonisë janë mbledhur krerët e partive komuniste të lindjes komuniste dhe aty kanë vendosur të ardhmen politike të vendeve të tyre. Deri më sot, nuk njihet asnjë e dhënë rreth kësaj mbledhje, por vetëm supozime, aq më tepër që Partia e Punës nuk kishte asnjë lidhje me partitë pjesëmarrëse. Të gjithë këta harrojnë se faktori nr.1 për ndryshimet në lindjen komuniste, ka qenë ai amerikan, i cili bëri që edhe Shqipëria, një vend ku në masën 60-70% të popullit nuk kërkonte ndryshime (prandaj enverizmi mbetet i thellë edhe në ditët tona, ndikues në të gjitha votimet që bëhen), pavarësisht dështimit spektakolar të regjimit, të përfshihej në këto ndryshime. Një ndër argumentet e përdorur në vite nga ata që e besojnë dhe pëlqejnë këtë tekst, ka qenë se çështja e pronës lidhet me këtë copë letër, në një kohë që njihet fakti se e gjithë lindja komuniste e ka zgjidhur çështjen e pronës në favor të pronarëve. Të besosh se “Katovica” qenka sajuar vetëm për çështjen e pronës në Shqipëri është vërtetë guxim i madh.
Servet Pëllumbi në librin e tij citoi shtrembër një referencë arkivore, duke bërë gabimet e një fillestari. Këtë gabim e bëjnë të gjitha ata që duan të duken studiues, por që nuk shkelin kurrë në arkiva. Ai pretendoi se të ashtuquajturin fjalim të Ramiz Alisë sipas porosive të Gorbaçovit e gjejmë në referencën AQSH, 1989, dosja nr.30. Pëllumbi nuk e ka idenë se duhet përmendur, fondi përkatës, struktura, etj, sepse në AQSH nuk ka vetëm një dosje me numër 30 të vitit 1989. Nga sa kuptohet, pretendimi i tij është për referencën AQSH, F.14/AP ou, V.1989, D.30. Kjo dosje (shih kapakun të fotografuar) i takon mbledhjeve të sekretariatit të KQ të PPSH-së dhe jo mbledhjeve të Byrosë Politike, përbëhet nga 84 fletë, përmban këto takime:
-13 tetor 1989 (data që pretendon Servet Pëllumbi), diskutim mbi vendimet e plenumit të 8-të, për kursimin e lëndës së drurit, etj.
-24 tetor 1989, diskutim mbi romanin “Thikat”.
-31 tetor 1989, diskutim mbi agrumet e ullinjtë.
-3 nëntor 1989, mbi ekonominë e propagandën.
-25 nëntor 1989, mbi nivelin e propagandës kundër revizionizmit.
-4 dhjetor 1989, roli i masave e forcimi i tyre.
-5 dhjetor 1989, drejtimet e punës së partisë.
-12 dhjetor 1989, mbi bashkimet Profesionale.
-25 dhjetor 1989, mbi furnizimin në Tiranë.
-27 dhjetor 1989, mbi rendimentin në punë.
Mbase te kursimi i lëndës drusore mund të gjejë mesazhe të “Katovicës” Servet Pëllumbi.

Fotografia e Kastriot Dervishi

Please follow and like us: