Emil Asdurian: DEMOGRAFIA E TREGUT POETIK
(Sot, Vdekja, të vdekurit dhe të gjallet)
Pjesa e Dytë
Nëse do të mendoja se një shkrim do të dëshëronte më shumë një hyrje, do të ishte ky! Sidomos me këtë titull që m’është sjelle në mendje pa bërë ende zë, ku përveç fjalëve në nën-titull, ka një gjeografi të çuditëshme, nga New Yorku, a diku n’Amerikë, në Shqiperi dhe Iran. Pamundësisht të pakrahësueshme në kulturë, ekonomi, përbërje shoqërore, por ndoshta, ndoshta jo dhe aq në mendësi, dhe thuajse as fare, në lidhje me poezinë, ithtar i të cilës mbetem, besnik, pa ndonjë përbetim të mirëfilltë mjeshtëror. Ashtu siç nuk ka ndryshuar thuajse asgjë, n’atë histori të letrave njerëzore, ku qysh dhe para se të lindëte gjuha, njerëzit iu kthyhen sic kthehen, të shkuarëve, të vdekurve. S’ish rastësi q’Uliksi, Eneja dhe Dantja, ca ushtarë e ca shkrimtarë, dhe as çudi, që përgjigjet e gjezave të tyre i kërkuan tek ata nën dhe, sikur të shkonin në një klub poezie. Po ashtu, dhe të urtët dhe të mençurit botues, ende s’u ndahen të vdekurve, se e dinë, se të gjallët do jenë të parët t’i ndjekin nga pas, aq më tepër, kur nuk kanë pse t’i paguajnë para, siç quhen me zhargonin letrar ndërkombëtar, “royalty”, haraçi i të zotit, mbretit. Por dhe më shumë të tjera, me bëmat e tyre do na flasin të zbulojmë të ardhmen para se të nisemi për udhëtim … me a pa qëllim … Kaq sa për hyrje!
Rubaji 21, Hafez:
“Mos më lër të bie në dashuri m’atë hir fytyre.
Mos lër dehjen përqafimin e çdo shitësi vere.
Sufi, ritmin e këtij shtegu ti e njeh.
Të dashuruarit dhe kush u deh s’turpërojnë.”**
Hafez, poeti Persian i shekullit 14-të edhe sot, eshte ndërgjejgja e kombit të vet. Sa thuhet: “Në Iran në çdo shtëpi ka dy libra, Kurani dhe Hafezi. Njeri lexohet, tjetri jo.” Të dy shkruar në vargje. Se kush, tregohet nga festat dhe vizitat tek varrezat. Se midis të tjerave magjepës ishte, mënyra e shkëlqyer se si i përdor metaforat në gjuhën amtare, farsi, që bashkoi dhe bashkon, pamvarësisht se kush mbret a klerik partiak është në pushtet, një komb të tërë brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë, kudo që flitet kënd më kënd. Por mbase, në këtë kohëkeqe, (jo vetëm me shi trishtimi), si në të gjitha, poezia shërben dhe si shprehje e mosbindjes civile, kundërshtim, disidencë ndaj një pushteti shtypës, i cili shtrëngon në grusht çdo kundërshtar apo mendim te sapo krijuar. Ashtu siç bëjnë magjepshëm shallet, që duhet të mbulojnë kokën dhe fytyrën e grave, me më shumë ngjyra pranvere se kurrë, plot art dhe vegime fluturimi, që thuajse nuk mbulojnë aspak çka duhet në baze të ligjit, por valëviten, bien madhërisht dhe tinëzisht mbi supe, të zbulojne.
Vdekja e Shpallur
Ishte viti 1991. Po, po i njejti vit, kur më së fundi filloi të rrëzohet, jo plotësisht, Muri i Berlinit në Tiranë. Mos më thoni, se nuk kishte poezi, aq sa dhe dikë(dëshirë e përvëluar), në thirrjet e studentëve që zbrisnin si lumej të shkrirë n’atë fund dimri, kur në perëndimin e endërruar u shpall vdekja e poezisë. Profecia erdhi nga disa artikuj të botuar në periodikë të ndryshëm Amerikanë, por m’e keqja ish se vdekja ish diagnostikuar plotësisht me të gjitha analizat e nevojëshme, të vëzhguara dhe nuhatura për vite e vite me radhë dhe po aq e padurueshme, si ajo gjysëm buzëqeshje që thoshte ftohte “as iu thashë do ndodhte kështu, por s’më dëgjuat”.
Shënjat dhe simptomat ishin të tilla, e bukur kjo, pse duhen ato kur dhe qeni që nuk ka aq mend sa të gjykojë, ashtu si dhe prifti që vjen për të dhënë uratën e kuptojnë vetiu pa hyrë në prag të derës, ku s’dëgjohen grahmat, ishin:
• Kthimi i poezisë ne një zhanër fare të ngushtë, nën-kulturë, lezues të zgjedhur, thuajse vetëm për itelektualët universitarë, elitën. Tragjikisht, poetët lexojnë njeri tjetrin.
• Tkurja e saj, sikur t’i ishin tretur kockat nga e pangrëna, mbetur në lëmin lirik, (si duket dashuria është e fundit q’ikën kur afrohet vdekja, nga trimëria apo shpresa?), kur më parë ajo shtrihej thuajse kudo në tregim, satirë, dramë, histori si dhe mendimin shkencor, duke humbur bazën e saj të gjerë shoqërore.
• Mungesa e antologjive të vërteta poetike, përmbledhjeve serioze të poezisë nëpërmjet kriteresh estetike të përcaktuara qartë. Gazetat e përditëshme nuk flasin më për të as në ndonjë rreckë humbur diku në faqen kulturore. Dhe më rallë dëgjohet të flitet për to, si për ogur morti.
• Mungesa e një kritike të denjë letrare, për çka vlere, dhe jo ajo servile, miqësore lavdëruese siç vazhdon të ndodhë, në shumicën e rasteve, kthyer në rubrika vetëlavdërimi dhe nxitjeje apo dhe pak, si përkrahje e autorëve fqinjë ose atyre q’i paguajnë dhe u “falin” fonde.
• Për rrjedhojë poetëve u ka ndryshuar përkatësia shoqërore, (jo klasore), nga bohemë, bujq a zejtarë që jetonin me artin e tyre, në mësonjëtorë të shkruari nëpër universitete (ende jo në Shqipëri) apo burokratë gazetash dhe revistash duke fituar bukën e gojës me çdo tjetër, por jo, me mjeshtërinë e fituar me aq mund.
Sipas mendimit tim, dhe ndryshimi rrënjësor në formë i vetë poezisë, nga rimat e ngurta tek “ vargjet e lira”, të lehta në dukje, i ofruan mundësi të shkruajë çdokujt, por, nga ana tjetër ish pikërisht kjo “lehtësi” me tejshtrirjen e saj, q’e bën të vështirë, ose thuajse të pamundur, njohjen e poezisë me vlera, ndërthurur me ritme të brendëshme, rrjedhëshmëri mendimi, idesh dhe të metaforave, thyerjet e veçanta në varg dhe mundësitë e tjera në rritje të shprehjes poetike, si pushimet (pauzat) e përdorura si duhen dhe ku duhen, për të theksuar bukurinë e shprehur përballë a të nënkuptuar, si dhe poetetsi poetë. Sa sot, ajo e gjorë mbetur e braktisur s’është tashmë, pjesë e kulturës së gjërë kombëtare dhe ndërkombëtare. “Vanity Publishing” (Botimi Kotësisë) sigurisht q’është dhe do të vazhdojë të jetë, si pjesë e personalitetit njerëzor, pasojë e unit të shtypur, që kërkon të dalë në pah, për 15 minuta famë.
Në vitin 1992, (vit i keq dhe ky), 17% e Amerikaneve kishin lexuar një herë në vit, një liber me poezi. Njëzet vjet më vonë më pak se 6.7% (të dhëna nga Studimi Kombëtar i Pjesmarrjes së Popullsisë në Arte (SPPA) dhe se numri i lexuesve nga viti 2002 është tkurrur më shumë se 45% dhe vazhdon deri në frymë të fundit, pa shenja se po ndalet. Më 2004 kërkimet në Google për fjalën kyçe “poezi” pati rënë rrëmbyeshëm, tek një e pesta (1/5) e volumit të përgjithëshëm të dhjetë vjetëve më parë.
Orakujt ishin të nderçëm, me emër të pacënuar, me fakte statistike të dhimbëshme si të çara thike, si Edmund Wilson (1934) me shkrimin “Është Vargu një Teknikë që po Vdes?”, Joseph Epstein “Kush e Vrau Poezinë” dhe disa të tjerë si këta, nga Delmore Schwartz-i tek Christopher Clausen-i, parashikonin dhe prisnin pas dere të mbaronte, por si për inat të tyre, poetë të tjerë, të keq-paguar dhe nënvleftësuar, në grup kundërshtuan, me arsye, kritikën “miqësore” dhe pragmatike, sollën vepra të arrira, vendosën kanunet e poezisë bashkëkohore, parimet e zbërthimit të vargut të ri dhe njësuan gjeneratën e re të poetëve Amerikanë të gjysmës së fundme të shekullit të njëzetë (Lowell, Roethke, Bishop, Berryman e tjerë) të mbizotërojnë dhe sot në ndërgjegjen letrare, duke sjellë kështu atë që thuajse u quajt “rilindje”.
Ringjallje
Qoftë me kujtimin e bëmave dhe vargjet e tyre, të shkuarit, ndajnë me ne nëpërmjet ndërgjegjes së përbashkët, mbitrurin njerëzor, vezë apo pulë e gjuhës, që çuditërisht dhe me kokëfortësi ruhet brenda nesh dhe brezave që do vinë, jo vetëm kënaqësine e të gëzuarit e jetës, por dhe shumë, dhe më thellë, si vargjet shekspiriane nxisin trurin të shpërthejë, na bëjnë të kthehemi të vështrojmë dhe të mesojmë duke ndryshuar nga vetëvetja.
Ç’ndodhi këto dy vitet e fundit?
Ç’ishte kjo dukuri Llazar, që nisi t’ecë të dalë nga hija në dritë të diellit?
Sipas Rebecca Watts, në esenë e saj kontradiktore “Kulti i Amatorit Fisnik”, publikuar në Dhjetor 2017, në vajtimin e saj fajëson “budallallepsen” e autorëve dhe lexuesve të poezisë dhe “flakjen e mjeshtërisë” dhe në veçanti lindjen e të ashtuquajturve “poetë të personalitetit”, si ajo e poetit Rupi Kaur, me të njohurit mes tyre, vargjet e të cilit u gjeten fillimisht në Instagram dhe YouTub e q’u pasuan pasketaj nga milliona ndjekës besnikë. Arsye politike. Politike?! Shpërthimi, i paparë në historinë e SHBA, pas zgjedhjeve të 2016-tës, atë që Gardiani (The Guardian) e quajti “poemat kundërpërgjigje për humbjen e presidencisë”, shkëndinë që ndezi kashtën (pozia hymni i politikës dhe i betejave, përsëri i shërbeu njerëzimit me trumpetën e saj zëlartë). Por asgjëkundi s’del qartë se si paguhen këta poetë fatlumë, sigurisht jo nga shtëpitë botuese, ndërsa Watts ngul këmbë, se e gjithë kjo zhurmë veçse vërteton teorine e saj, që “poezia pa art, shitet”. Por m’e vështirë mbet sot, të shesësh ndershmërisht poezi, si Homeri kur recitonte në treg për sandalle, me vlerat e saj të verteta, risitë që bie në formë a përmbajtje, kthjelltësia e ndjenjës dhe e mendimit, pastërtia dhe gojëtaria e gjuhës e të tjera si këto. NEA (National Endowment for the Arts) Ndihma Kombëtare për Artet më 2017, njoftoi se numri i të vetë-shpallurve lexues të poezisë në SHBA ishte pothuajse dyfishuar nga 2012 dhe se leximi i poezisë në të gjitha grupet demografike, duke përfshirë ato qytetare dhe fshatare, të moshuarit dhe të rinjtë, ata me rritjen më të madhe dhe më të shpejtë, sidomos në grupmoshat 18 -24 ish dyfishuar, nga 8.2% me 2012 ne 17.5% me 2017. Ishin gratë dhe popullsitë me ngjyrë, shtresat më të privuara, q’e shtynë këtë rritje. Për jo tjetër, por se në këtë kohë, qe s’ka kohë, në valën e stërmadhe të informacionit, poezia është e vetmja, si shprehja më e përqëndruar estetikisht, m’e deshëruara, thuajse e njëjtë, per nga forca me perfytyrimin viziv, per t’u përdorur nga të gjithë. Pesë vjet më parë 19% lexonin poezi në telefon, tani më shumë se 40%. Ndaj, sipas Megan Garber “Poezia s’mund të vdesë, se ajri dhe uji s’mund të kenë fund, sepse poezia në sensin më të gjerë s’është ngushtësisht “poezi”. Ajo është depërtuese; është vlerë; dhe fatmirësisht shumë e madhe për të vdekur”. Si pjesë e pandarë e psykologjisë, si mace katërshpirtrash mbahet fort në jetë: nga ritmi i rregullt si dhe çrregullsia guximtare e saj; në kufijtë e së mundurës dhe përtej; nga dëndësia e mendimit dhe ndjenjës, fjalë me shumë kuptime, histori mes vargjeve, ku çdo herë gjen dicka të re; nga subjekte aq të ndryshme, që rrjedhin qoftë dhe nga një fjalë a dëshirë e vetme; gjuha, ajo, që veten thurr magjishëm, me e rëndësishme se rëndesa, liri, “sa ata që humbasin aftësinë e formimit, vlerësimit dhe të kuptuarit e forces së saj, kthehen në skllevër të atyre që e kanë, – qofshin këta politikanë, predikues, autorë, apo drejtues periodikësh”. Se nëse rrënohet letërsia, kombi vyshket dhe tretet. Si ka thënë George Orwell: ”Duhet ta pranojmë që kaosi i sotëm politik është i lidhur me kalbëzimin e gjuhës…”, guxoj të them, edhe prej saj.
Pa dyshim, faktori ekonomik, tregu, luan rol, kudo dhe kurdo. Sot, më shumë se kurrë librat, dhe ata me poezi, kushtojnë lirë, dhe më pak, vit pas viti. Statistikat e NEA-s flasin dhe një herë, kur shpjegojnë matematikisht, rritjen e bashkëngjitur poezisë, pjesëmarrjen në festivalet apo aktivitetet muzikore jashtë në natyrë: nga 20.8 % në 2008 dhe 2012-tën ne 24.2 % në 2017-tën, si rritja në leximin e dramave (kush e mendonte dhe këtë) ku çmimi i biletave është simbolik. Apo ndoshta e ardhmja qëndron në hibridët pozi-dramë, poezi-pikturë, poezi-muzikë, ashtu si dikur në komeditë e Molierit, apo në subjektet përralla, si Harry Potter dhe Djali i Mallkuar. Kush e di se nga?
Ndërsa qiellit fillon dhe i zbehet drita në Shiraz, mbi vorrezat në rrethinat e qytetit, ajri përreth bëhet më i gëzueshëm, njerzit fillojnë të recitojnë poezi, shumë prej të cilave janë gdhendur në ato gurëkoke q’i ka pushtuar, por jo fshirë, një myshk i argjendë, q’ende ndrin me yjet, që poshtë varen mbi to për të dëgjuar atë gumëzhitje të veçantë poezie …
“Një libër pashë me fjalë kristali
Pashë një fletë letre me pranverë
Një muzè larg nga një fushë bari,
Një xhami nga uji larg.
Mbi shtratin e një dijetari të dëshpëruar, nje bucele pashë me pyetje plot.” *
… e dikush do mendojë, (si unë), ç’la pa përmendur?
EA 10/7/2018 all the rights and copyrights are protected
*Seferi poet bashkëkohës Iranian)
** poezitë janë përkthyer nga autori i shkrimit