Albspirit

Media/News/Publishing

AUTORITETI DHE PROFESIONALIZMI I MËSUESIT RRIT FORCIMIN CILËSOR NË SHKOLLË

Martin Malota

Mësues pensionist

Lezhë

 

 

  

 

 

 

Mësuesi është figura individuale e mësimit si proces  i përvetësimit të dijeve dhe i shkollës si institucion i edukimit qytetar të nxënësve. Pozicioni i privilegjuar i mësuesit, vendosja graduale e tij në qëndër  të mësimit dhe edukimit, është i lidhur me rolin, misionin dhe detyrën e veçantë  që ai ka në procesin e mësimit dhe të shkollës. Pozicioni aktual i mësuesit në shkollë dhe roli i tij mësimdhënës  dhe edukues  është i lidhur me disa cilësi intelektuale volitive, emocionale dhe morale të përsonalitetit të tij që konsiderohen si kusht i domosdoshëm  që t’i bëjnë ata të quhen mësues  me autoritet e profesionalizëm të përkyer. Dhe mësuesi pa autoritet ose me autoritet të kufizuar, është një nga pengesat në mos, sipas mendimit tim, më kryesori, që pengon shkollën tonë në rrugën e saj të shpejtë të progresit profesional e demokratik.

Është e rëndësishme  të flitet për një etikë të mësimdhënies, mbasi mësuesi “bëhet ligj” në  drejtimin e veprimeve të nxënësve veçanërisht të moshave  të vogla ku akoma nuk është formuar plotësisht arsyja. Rastis shpesh që të dëgjojmë një fëmijë të vogël të thotë mbi një argument “e ka thënë mësuesi” dhe është i gatshëm të mbrojë mendimin e mësuesit dhe nëse babai ose nëna mund të thotë të kundërtën.  Kjo ndodh nëse mësuesi bëhet domethënës për fëmijën dhe ka autoritet mbi të. Njoha me nxënësin është hapi  i parë që çdo mësues duhet të bëjë. Këtu kujtoj një thënie të pedagogut  Martin Buber “Është e vërtetë  që më duhet të hap librat dhe të lexoj, por e bëj e bëj këtë vetëm në qoftë se,  sapo të mbyll librin e ngre sytë, para meje ndodhet personi të cilin duhet ta edukoj”. Detyrimisht lind nevoja e qëndrimit dialogues që duhet të mbajmë me brezat që na janë besuar t’i mësojmë  e edukojmë. Në këtë rast edukimi nuk është i njëanshëm, por i dyanshëm: edukuesi dhe i edukuari, pra nxënësi dhe mësuesi.

Kështu mësuesi lirohet nga gjithëpushtetësia që mund ta karakterizojë kur mendon se ai duhet të edukohet. Në qëndër është nxënësi, pikënisja është nxënësi dhe qëllimi final është përsëri nxënësi, ai bëhet aktiv në këtë proces.

Do të ishte një mësim dhe edukim i varfër  nëse mësuesi do të  merrej vetëm me transmetimin e dijeve informative dhe të lërë mënjanë  pyetjen e madhe rreth të vërtetës, të asaj të vërtete që mund të jetë udhëheqje në jetë.

Në çdo lloj profesioni është e rëndësishme që të bësh pyetje reflektive, por është po aq e rëndësishme edhe në një sipërmarrje morale. Ajo s’është thjesht një set aftësish teknike për t’u përcjellë nxënësve njohuritë. Mësimdhënia përfshin profesionalizmin  dhe kujdesin e pandërprerë të nxënësve dhe të qënit i përgjegjshëm për zhvillimin e tyre në një shoqëri komplekse demokratike. Me fjalë të tjera, mësuesit duhet të mendojnë jo vetëm për ‘mjetet” që përdorin në procesin mësimor, por edhe për qëllimin e mësimdhënies . Kjo në vetvete rrit obligimet  e mësuesve të përfshirë në këtë proces , veçanërisht  të atyre mësuesve që japin mësim në shkollat publike, ku nxënësit janë të detyruar të ndjekin  mësimin. Njërëzit në një shoqëri demokratike kanë të drejtë të besojnë  se shkollat udhëhiqen nga disa parime themelor siç drejtësia, paanshmëria e trajtimit, ndershmëria, liria, barazia në shpërndarjen e burimeve  dhe respektimi i diferencave.

Si mësues dhe edukatorë marrim çdo ditë vendime. Dhe këto vendime mbartin  ngarkesa të mëdha morale e psikologjike për nxënësit tanë. Si e ndajmë ne kohën dhe vëmendjen midis nxënësve në klasë? Cilin mbështesim apo injorojmë, inkurajojmë apo dekurajojmë në bashkëveprimin tonë në klasë? Cilat njohuri zgjidhim për të theksuar apo anashkaluar? Secila nga këto pyetje përbën një çështje në vetvete dhe ështe në besimin dhe përkushtimin e mësuesve. Shumë mësues të sotëm po ingranohen jo me fjalë, por me një autoritet dhe profesionalizëm të dukshëm, kështu që në shumë shkolla të rajonit të Lezhës ka cilësi dhe efektivitet të lartë në mësidhenie e mësimnxënie. Ka ardhur përfundimisht koha t’i largohemi tradicionalizmit në mësimdhënie e të bazimit mbi hamendësime të drejtuesve për mësimdhënien e mësuesve. Procesi ynë demokratizues  tashmë sfidon disa nga hamëndjet dhe konkluzionet e drejtuesve të shkollave për mësimdhënien e mirë të disa mësuesve.

Njësia matëse themelore  e një mësuesi të mirë është sigurisht përparimi akademik i fëmijëve e jo nëse ata pëlqehen apo jo. Nuk është qëllimi të gjykosh mësuesit, por të hapësh biseda të shumllojshme me ta në gjetjen e rrugëve më të mira të mësuarit në klasë .

Prandaj çdo ndihmë e kontroll kërkohet të ngjallë një bashkëbisedim reflektues, ku drejtuesi të flasë e të diskutojë për ato që ka parë e dëgjuar në orët e mësimit. Me informacionin e duhur dhe me reagimet e vlefshme drejtori është në gjëndje të përmirësojë veprimtarinë ditore të punës  së tij mësimore.

Mënyra se si i vlerëson mësuesi nxënësit, si vlerësohen ata me notë etj., tregon profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë që mban dhe që shfaqet dukshëm, nëse është i suksesshëm, në arritjen e treguesve dhe në përgaditjen e nxënësve. Në fund të fundit, detyra e drejtuesit është t’u shërbejë mësuesve në fushën e kërkimit shkencor, që këta të fundit t’u shërbejnë fëmijëve. Mësuesi është njeriu që ka për detyrë  të ndihmojë të tjerët të mësojnë të sillen në një mënyrë të re dhe të ndryshme nga më parë.

Disa dhjetëvjeçarë më parë, mësuesit  nuk kishin ndonjë përgaditje të madhe arsimore, por ishte pasioni e përkushtimi i tyre për t’u dhënë maksimalisht dije e kulturë brezave. Sot mësuesit janë shumë më tepër të arsimuar, trajtohen më mirë dhe respektohen më shumë nga shteti e shoqëria në krahasim me homologët e tyre të mëparshëm.

Shoqëria shqiptare kërkon që mësuesit e saj të kenë arsim universitar dhe një përgaditje të veçantë si mësimdhënës. Kjo rritje në nivelin arsimor të mësuesve bazohet ne lehtësimin e formimit shoqëror vetjak, intelektual të nxënësve të tij. Ka ardhur koha për mësues të suksesshëm që të jenë në gjëndje të realizojnë qëllimet dhe objektivat e programit, që vërtetojnë aftësitë e tyre për të realizuar rezultatet e planifkuara.

Në jetën tonë të përditshme ne shpesh përdorim termin “mësues i suksesshëm”. Dhe një mësues i tillë e merr këtë emërtim kur është në gjëndje të realizojë  me sukses qëllimet dhe objektivat e programit  dhe mbi të gjitha aftësinë e tij për të realizuar rezultatet që i ka planifikuar vetes. Një mësues me autoritet e profesionalizëm e shoqëron gjithnjë përkushtimi për nxënësit, të qënët i përgjegjshëm për profesionin, i drejtë, i kuptueshëm në shpjegim, i matur dhe mbi të gjitha me besim në vetvete. Ka mësues që u mungon autoriteti e profesionalizmi, i shoqërojnë gjithnjë rezultatet e dobëta, shprehin ashpërsi, paraqiten të ngurtë dhe të mërzitshëm me nxënësit, janë të shpërndarë e të pasigurtë, shprehin veprime inatçore  dhe  gabime shkencore në orët e mësimit. Ka mësues që nuk e kanë zgjidhur mirë destinacionin e tyre profesional; edhe pse punojnë e lodhen nuk kanë efektivitet në punë.

Kopetentët duhet të mendojnë se çdo bëhet me këtë kategori mësuesish fiktivë. Me fjalë të tjera, duhen forcuar lidhjet midis mësuesve, jo në kuptimin pasiv dhe mekanik, por si një lidhje e brendshme, frymëzuar nga profesioni si qëllim dhe mision themelor i njeriut modern,  në mënyrë që të zhvillohet kultura  e solidaritit profesional midis mësuesve të suksesshëm dhe atyre me rezultate të dobëta. Natyrisht kjo i takon  drejtorit të shkollës, që ta ndërtojë dhe kombinojë punën bazuar mbi një koncept modern, në një platformë më të gjërë  sociale e profesionale.

Dihet tashmë se personaliteti i mësuesit  të sotëm  është më koherent dhe i integruar si i besueshëm  për mendimet dhe ndjenjat që shfaq  në profesion. Me kalimin e viteve në mësuesi zvogëlohen konsideratat dhe mospërputhjet, bëhen më të thjeshta dhe në këtë mënyrë arrijnë  përfundimisht individin e integruar. Kur një mësues s’ka autoritet, duhet të dalë në pah dhe të merren masa  që të mos ketë raste të tilla të përsëritura  në kolektiva mësuesish, pasi kjo ndikon  në formimin e nivelit të sjelljes   që presim nga nxënësit dhe tipin e mësimdhënies  që dëshiron të vendosë mësuesi. Në qoftë se  ndodh ndryshe, mësuesi do të shkatërrojë autoritetin e tij dhe ushtrimin e kontrollit drejtues në marrëdhëniet me nxënësit. Ndaj roli i mësuesit të sotëm  është të drejtojë dhe kuptojë mendimin e të dëgjojë me kujdes idetë e nxënësve. Duke vepruar kështu,  nxënësit bëhen mësues dhe klasa bëhet një komunitet i fuqishëm  i të nxënit.

Përvoja e shkollave  të rajonit të Lezhës, po tregon se kur mësimdhënien e respektojnë si një veprimtari intelektuale serioze për vlerat që u mësojnë nxënësve, kuptohet që luajnë rol të madh në trasnformimin  e institucionit shkollor. Kur secili respektohet  si një koleg intelektual, ‘tarafet’ kalojnë në sfond dhe gradualisht shuhen, deomos vjen debati  që përqëndrohet te idetë. Studimet e sotme, tregojnë se mësuesit e suksesshëm , janë të drejtë, të përgjegjshëm të kuptueshëm, të dashur, nxitës, origjinalë, tërheqës, të ekuilibruar, të matur dhe me besim në vetvete. Më këto risi, bëhet e mundur që nxënësit të jenë  perceptues  dhe marrës të mirë të emocioneve që transmeton mësuesi, dhe shpesh ato kanë  kurajën  të reagojnë ndaj tyre. Një mësues  që është entuziast për lëndën që e tregon edhe përmes  shprehjeve të fytyrës, ka më shumë të ngjarë të mbajë të përqëndruar vëmendjen e nxënësve, se sa një që  nuk i ka këto cilësi. Fukuyoma ka thënë  me të drejtë se “Qëllimi i vetëshpallur i arsimit modern është t’i lirojë  njerëzit nga paragjykimet  dhe format tradicionale të autoritetit”. Ndaj, do të thosha  se në drejtim të shkollave duhet të përzgjedhim më të zotët e më të aftët në mësuesi dhe  jo me ata mësues  e drejtues  shkollash, që arsimin e shohin si vend punësimi. Krejt ndryshe ndodh kur dy palët drejtori dhe mësues paraqiten si kolektiv solid, aty s’ndjehen shqetësime dhe s’dalin kurrë probleme.

Natyrisht që në rajonin e Lezhës  ka plot misionarë që meritojnë vërtet vlerësimin maksimal, falë kontributit të tyre të madh ndër vite. E parë këtë këndvështrim ato duhet të vlerësohen e të respektohen, pasi respekti ndaj tyre është respekt i kontributit të tyre për shoqërinë në përgjithësi dhe arsimin tonë në veçanti.

Nëse duam që shkollës  t’i japim përfundimisht  vendin që meriton , do të ishte udhës  që të gërshetojmë më mirë mësimin tonë pedagogjik me atë social-edukativ. Janë të gjitha mundësitë,që rajoni i Lezhës  të plotësojë këtë imperativë të shkollës sonë moderne.

 

 

Please follow and like us: