PDIU thirrje Presidentit Meta: Mblidh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dje shteti shqiptar ra
Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i bën thirrje presidentit Meta të thërrasë këshillin e Sigurisë Kombëtare, pasi dje në Bularat shteti pushoi së ekzistuari.
“Në këto kushte PDIU dhe shoqata Çamëria kërkojmë me forcë të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të vënë në alarm institucionet e sigurisë kombëtare, SHISH, SHIU, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, por dhe për çështjen e financimeve greke për një pjesë të mediave dhe bizneseve,” u shpreh Idrizi në një deklaratë për median nga selia e PDIU-së.
“Është e papranueshme dhe indinjuese për çdo shqiptar – tha më tej Idrizi- të shohim rënien e shtetit shqiptar në jugun e Shqipërisë.”
“Ngjarje të tilla shqiptarët i kanë parë në vitin 1914, 1940 dhe në vitin 1997 por kurrë ne nuk mund ti pranojmë ti shohim të përsëritura në vitin 2018. I drejtohem shtetit shqiptar me forcë. Nëse nuk e vendosni dot me forcë autoritetin e shtetit për garantimin e integritetit territorial të Shqipërisë, detyrë që rrjedh nga Kushtetuta, na e thoni se do e mbrojmë ne vete shqiptarët” e mbylli deklaratën Idrizi.