Vuçiq thotë se u ndje i fyer nga “trajtimi” që iu bë në Paris
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është fyer nga trajtimi që i është bërë gjatë ceremonive për 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore në Francë.
Ceremonitë përkujtimore mblodhën në fundjavë në Paris liderë nga vende të shumta, të prekura nga konflikti.
Gazetat publikuan fotografi të liderëve duke shikuar ceremonitë, përfshirë Vuçiqin dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi ka qenë i ulur pas udhëheqësve të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe SHBA-së, ndërsa Vuçiq ka qenë i ulur në anën përballë.
“Mund të imagjinoni se si jam ndjerë”, cituan mediat serbe Vuçiqin.
“Nuk mund të besoja çfarë po shoh para meje, duke ditur sakrificën që populli serb ka bërë në Luftën e Parë Botërore”, tha Vuçiq, transmeton AFP.
Historianët thonë se Serbia, në krahasim me numrin e popullsisë, ka pësuar më shumë viktima se çdo vend tjetër gjatë Luftës së Parë Botërore.