Bedri Blloshmi: TERRORI NË FERRIN E SPAÇIT MBAS 1973 (4)
REFIK BEQO
Ka lindur në fshatin Sutaj të Rrajcës, rrethi i Librazhdit. Prindrit e Refikut ishin Zenel dhe Pashako Beqo. Arsimin fillor e bëri në fshatin e lindjes. Historia e tij ësht disi e çuditshme: Në 10 tetor 1957 kalon kufirin me Greqinë, qëndron pak kohë aty, dhe pastaj vendoset në Francë. Mbas disa kohe, kontakton Legatën Shqiptare në Paris dhe kthehet në Shqipëri ndofta nga malli i prindëve. Por me gjëndjn e keqe që gjeti në Shqipëri, i mbushet mendja të arratiset përsëri. (Ai kishte përfituar nga disa rrethana lehtësuese për të mos u dënuar). Kur mendonte se e kishte kaluar kufirin, thërret me zë të lartë për tu takuar me ushtarët jugosllavë, por në vend të tyre , i dalin ushtarët e postës së Rrajcës dhe e kapin.
Më poshtë dokumentat e dënimit të tij.
Vendim
Në emër të popullit
Këshilli gjyqësor i kolegjit ushtarak i Gjykatës së Lartë i formuar nën kryesinë e:
Shuaip Panariti…………………Kryetar i gjykatës së lartë
Kolonel Sotir Spiro……. ………Antarë i gjykatës së lartë
N/kolonel Hilmi Telegrafi……..Antarë i gjykatës së lartë
Në seancë gjyqesore të datës 17-vI-1961 mori në shqyrtim çështjen me nr. 50 që i përket Refik Beqos. Këshilli Gjyqesor i Kolegjit ushtarake të Gjykates së Lartë, mbasi degjoj relacionin e antarit N/Kolonel Hilmi Telegrafi, mbasi degjoj mendimin e prokurorit Kolonel Kosta Karanxha, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit dhe mbasi shqyrtoi çeshtjen në tërësi.
VËREN
I gjykuari Refik Beqo ka tentuar të arratiset jashtë shtetit vepër kjo që parashikohet si krim nga neni 64-10 të K.P. nga provat e administruara, gjatë gjykimit del se I pandehuri veprën e ka kryer në këto rrethana. I gjykuari Refik në datën 10 tetor të vitit 1960 niset nga vendbanimi I tij katundi Sutaj për në drejtim të kufirit shtetëror të republikës popullore të shqipërisë në Jugosllavi. Ai mbasi ka hecur për një kohë, rreth orës 21 të datës të përmendur ka mbërritur në afërsi të postës kufitare të Rrajcës. I gjykuari duke kujtuar se ndodheshe tej kufirit të Shqipërisë ka vërshëllyer disa herë me qëllim që të takohej me forcat e kufirit Jugosllav, por papritur ai u kap nga rojet shqiptare. Gjyqsisht është vërtetuar se i gjykuari Refik Beqo ka dashur të arratiset jashtë shtetit meqë ishte i pakënaqur ndaj pushtetit popullor d.m.th. të tradhtonte atdheun. Fajsia e të gjykuarit është provuar me vetë thëniet e tij të bëra para gjyqit dhe në hetuesi. Me thëniet e dëshmitarve Myftar Marku e Hysni Zhuzhi të cilët kanë kapur të gjykuarin në afërsi të postës kufitare të Rrajces dhe në procesverbalin e mbajtur në vëndin e kapjes së tij. Gjykata ushtarake e Tiranës, drejt ka cilsuar veprën dhe personalitetin e tij. I gjykuari me kërkesën e tij ankimore, kërkon ndryshimin e vendimit për sa i përket masës së dënimit. I gjykuari Refik Beqo me interesimin e legatës Shqiptare në Paris të Francës, u kthye nga jasht shteti ku qëndronte i arratisur që nga viti 1957. Kundër tij për efekt të amnistitsë nuk u mor ndonjë masë ligjore për krimin e kryer ndaj atdheut (tradhti ndaj atdheut) më parë. Si gjithë shtetasit e tjerë të gjykuarit iu sigurua punë nga ana e pushtetit…
Në këto rrethana vendimi i gjykatës ushtarake të Tiranës është I drejtë.
Për këto arsye:
Këshilli Gjyqsor i Kolegjit Ushtarak të gjykatës së lartë, në mbështetje të nenit 313 pika e parë të K.Pr.P.
V e n d o s i:
Lënien në fuqi të vendimit nr 59 datë 28.4.1961, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me funksione në Librazhd.
Tiranë , më 17.6.1961
Tani vjen vazhdimi i historisë së Refik Beqos në burg. Në vitin 1973 duke qënë në burg Refiku arrestohet përsëri. Kjo ndodhi në kampin e Spaçit, dhe shkak u bë revolta e 21-23 Majit. Në proçesin gjyqësor të zhvilluar në grupin e 4-t me 15 prej të arrestuarve Refiku merr pafajsinë. Në vitin 1975 lirohet nga burgu i Spaçit dhe internohet në qëndër të Librazhdit. Mbas një viti arrestohet përsëri mbasi shkon të takojë të vetmen motër të martuar në Rrajcë (prinderit i kishin vdekur). Sapo zbriti nga treni e priste gazi i degës punëve të brendshme. E prangosin dhe këtë rradhë e dënojnë me 12 vjet burg, duke e sjellë sërish në Spaç. Unë që isha atje e prita Refikun dhe biseduam gjerë e gjatë. Ishte shume i tronditur nga ky fat që e kishte zënë. Gjatë bisedës më thotë:
“Bedri, vetëm ty po t‘a shpreh se mbase lirohesh. Po të ra rasti me nipat e mi rrëfejua fundin tim” – E kuptova qëllimin e tij. I them: “Refik mos e mendo ta bësh një gjë të tillë, ti je shumë më i vuajtur dhe i kalitur, duhet ti të më japësh mua kurajo, jo unë ty. – Po, po Bedri, por une s’kam më njeri, burgun e kam filluar qysh me babain tënd dhe po e vazhdoj me ty, unë e kam vendosur do t‘i jap fund jetës, nuk rrihet gjithmonë me shpresë si zvarranik. Kjo ishte biseda e fundit me Refik Beqon dhe nje natë qershori saktësisht më 12 qershor 1979, kur ishim turni i dytë të dy tek 20-ta e vjetër, Refiku iku nga puna në zonën e 4 me birgadier Zef Nishin, kaloi rrethimin pranë truprojës së ushtarit te kapanoni i tyre. Krisi një batare mitralozi duke e bërë shoshë me plumba. Të nesërmen kur shkuam në punë tek 20-ta e vjetër, midis rrethimeve pamë Refikun të shtrirë , mbuluar me pak gjethe fieri. Kufoma nuk u lëviz deri të nesërmen në drekë, derisa erdhi prokurori i rrethit për të bërë formalitetin.
Refik Beqo më pas u gropos në Shpal të Mirditës për të kalbur dalngadalë ato kocka të shumvuajtura. Jam interesuar për Refikun tek nipërit e tij që jetojnë në Rrajcë dhe më treguan se e kishin tërhequr nga groposja në Shpal të Mirditës dhe e vendosën pranë prindërve të tij në fshatin Sutaj.
Si e përjetoi turni i dytë ku bëja pjesë.
Refiku punonte në zonën e katërt në brigadën e Zef Nishit. Unë punoja në zonën e dytë në pirit. Mesa mbaj mend në këtë ditë dolëm shpejt nga galeria dhe të gjitha brigadat bashkoheshin në zonën e katërt për tu nisur për në kamp. Në brigadën e Zef Nishit mungonte një i dënuar. Bëhet apeli dhe mungonte Refik Beqoja. Në çast dëgjohet ulërima e mitralozit. Të nesërmen ishim në punë turni i dytë, dhe pranë galerisë 21, shumë afër truprojës ishte akoma kufoma e Refikut, i cili kishte kaluar dy rrethime. E kishin mbuluar me disa gjethe fieri deri sa të vinte prokuroria për të bërë formalitetin e zakonshëm, dhe pas saj skuadra e groposjes me në krye kapterrin Preng Rrapi. Siç ishte zakoni, e dërguan kufomën në vend – grumbullimin e të vrarve të tjerë në Shpal të Mirditës.
Republika Popullore Socialiste e Shqiperise sekret
Ministria e punve të brendëshme ekzemplar nr 2
Komanda e repartit nr 303 e përkohshme 2 vjet
Nr 223 prot Spaç më 13.6,1979
Lënda: Mbi vrasjen e të dënuarit Refik Beqo
Dega e punve të brendshme
Librazhd
Ju njoftojme se në datën 12 .6.1979 ora 01 në repartin e riedukimit 303 Spaç u vra nga rojet e rrethimit të jashtëm i cili tentoi të arratiset nga rrethimi i dënuari për krime kundër shtetit Refik Beqo, i biri i zenelit dhe i Pashkës, i datlindjes 1940 lindur dhe banues në Rrajcë të rrethit Librazhd, me arsim 4 klasë me profesion punëtor, me shtetësi dhe kombësi shqiptare dhe me origjinë shoqërore fshatar i varfër dhe me gjendje punëtor , i arrestuar me datën 20.7.1977 i dënuar me 12 vjet heqje të lirisë, me vendim nr.4 datë 2.2.1978 të Gjykates së Rrethit Librazhd për krimin e agjitacion dhe propagandë dhe largim nga vendi i internimit në bazë të nenit 73/1.7 K.P
Vrasja e tij nga rojet e jashtëm u vërtetua nga organet e hetuesisë dhe mjeku ligjor siç tregohet në proces verbalin e bashkangjitur. Lutemi të njoftoni zyrën e gjëndjes civile përkatëse dhe degën ushtarake për t‘a hequr nga evidenca. Lajmëroni gjithashtu të afërmit e tij mbi ngjarjen e ndodhur dhe porosisni njëkohësisht të paraqiten në këtë repart për të tërhequr sendet personale të tij sipas iventarit që iu bashkangjitet.
Komsiar i Repartit Komandanti i repartit
Pjetër Cara Meto Kondi.
HYSEN MERDARI
Hyseni kishte lindur në vitin 1946 në fshatin Pobrat të Beratit, ishte i biri i Mediut dhe i Hyries. Duke qënë nga natyra mjaft pesimist, e shikonte të ardhmen e tij të zymtë, prandaj përpiqeshe për një zgjidhje. Nuk duronte dot kushtet tepër të mjera të burg dhe stërmundimin nga puna me shumë pak përfitime. E kuptonte se sistemi përher i kontrolluar nga të tjerët , pra i papërshtatshem për një jetë familjare normale , nuk pati deshirë të krijonte familje dhe nuk u martua kurrë. Lëvizte nga një rreth në tjetrin, përpiqej të mbante veten ndryshe nga të tjerët. Këto lëvizje e mënyra komunikimi regjimi nuk i pranonte. Një ditë prej ditësh vendosi me vehten e tij pa e biseduar me askënd të largohet nga Shqipëria për të provuar fatin diku, dhe ashtu bëri. Përgatit një kamardare dhe niset për në Sarandë me mendimin të kalonte detin me not e me ndihmën e kamardares drejt Korfuzit. Atë natë vendoset në një hotel të Sarandës. Në mëngjes të datës 30 gusht 1976 del një xhiro në bregdet , për të parë se ku ishte vendi më i favorshëm nga të kalonte. Vendosi që pika e duhur ishte tek kanali i Çukës. Hyn në det, mirpo erërat e forta dhe rrymat e ujit e penguan, i humbën drejtimin dhe e çorientuan. Hyseni bie në dorë të rojeve kufitare. I prangosur turisti i pafat përfundon në degën e punëve të brendëshme të Sarandës, ku e akuzojnë për tradhëti ndaj Atdheut me nenin 64 e 10 të K.Penal. Pasi i japin 12 vjet heqje lirie, e çojnë në Spaç për të vuajtur dënimin. Nga atje Hysen Merdari nuk u kthye më i gjallë në fshatin e lindjes, por në arkivol, 15 vjet më von, në vitin 1992.
Këtu kini vendimin qe dënoi 31vjeçarin dhe raportin për vrasjen e tij nga roja. Të dy dokumentat japin hollësisht rrethanat, duke na informuar se përveçse dashnor i udhtimeve, Hyseni ishte dhe shumë i hapur me njerzit, pra ato nxjerrin edhe emrat e spiunëve, emrin e vrasësit dhe eprorit të tij që bashkëpunoi në vrasje, natyrisht të dekoruar dhe të lavdëruar, sidhe dispozitën që mbas vdekjes Merdari humbi edhe të drejtën për të votuar bashkë me 99.99% të popullit për partinë e prangave, kampeve dhe burgjeve.
Republika popullore e shqiperisë nr 27
Gjyakata popullore nr __25__vendimit
Sarandë
VENDIM
N’emër të popullit
Gjykata popullore e Sarandës e përbërë prej:
Kryetari i seancës gjyqësore: Stathi Masko
Nd/gjyqtarë i seancës gjyqësore: Leonora Pagoni
Nd/gjyqtarë i seances gjyqësore: Saraç Saraçi
T’asistuar prej sekretares Pasho Nasipi, mbi pjesemarrjen e me prokurorin (e palex.) në datën 7.3.1977 shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale nr. 27 që i përket të pandehurit:
Hysen Merdari i biri i Mediut dhe Hyjries me datlindje 1946. Lindur në Pobrat të Beratit dhe banues në Fier, beqar, i dënuar njëher për largim nga reparti pa leje, pa parti, me arsim 7 vjeçar i pa dekoruar, me origjine fshatar i mesem dhe I arrestuar në datën 27.8.1976. I akuzuar: Për tradhëti ndaj atdheut me anën e arratisjes mbetur në tentativë, duke kryer krimin e parashikuar nga neni 64 e 10 të K.P. Gjykata pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e marra gjatë gjykimit, pasi dëgjoi prokurorin i cili kërkoi deklarimin e të pandehurit fajtor dhe dënimin e tij me 12 vjet heqje lirie dhe me heqjen e të drejtave elektorale dhe pasi dëgjoji fjalën e fundit të pandehurit:
V ë r e n:
Gjatë gjykimit u provua se i pandehuri Hysen Merdari në datën 30.8.1976 ka dashur të arratisej jashtë shtetit, po për shkaqe të pa varura nga ai, këtë krim nuk e realizoi dot. Në lidhje me këtë gjatë gjykimit u vërtetua sa më poshtë: I pandehuri Hysen Merdari karakterizohet si njeri i çrregullt në jetë dhe në (e palex.) të theksuara rrugaçërie dhe parazitore, të cilat e çuan atë që të vihet në pozitë armiqësore me pushtetin në atë shkallë sa të tentojë të arratiset jashtë shtetit. Siç u provua gjatë gjykimit i pandehuri Hysen Merdari është larguar nga fshati i tij Pobrat dhe është vendosur në Fier ku ka punuar në disa ndërmarrje nga të cilat shpesh herë largohej e duke u shoqëruar me njerëz të degjeneruar bridhte poshtë e lart në shumë qytete të vendit tonë, si në Vlore, Himarë, qytetin Stalin, Lushnja, Durrës, Tiranë etj. Pa arsye dhe me një fjalë ky degjenerim moral e çoi dhe në degjenerimin politik, duke vendosur që të tradhetojë Atdheun për t‘u arratisur jashtë shtetit. Për të realizuar këtë veper kriminale. I pandehuri Hysen pasi pregatiti një kamardare me rripa në datën 29.8.76 niset nga Fieri dhe vjen në qytetin e Sarandës, ku në mbrëmje të kësaj date fle në hotelin e këtij qyteti. Në 30.8.76 në mëngjes pasi del nga hoteli kontrollon buzë detit gjer afer kanalit të Çukës dhe në mbremje të kësaj date, shkon në kanalin e Çukes, zhvesh rrobat, i fsheh ato në shkurre, fryn kamardaren dhe pasi lidhet edhe me rripa pregatitet, hidhet në det dhe drejtohet për në Korfuz. Me anën e lundrimit në drejtim të Korfuzit arriti gjer në kanalin e Korfuzit, por nuk mundi të shkoje më tej, jo se nuk deshi por sepse rrymat e detit dhe era e fortë që frynte në atë kohë I ndryshoi drejtimin duke e nxjerre në vendin Kapo Qefal në orët e para të mëngjesit të datës 31.8.1976 ku u kap nga rojet tona kufitare. Faktet e mësipërme u pohuan me pohimet e pjesshme të të pandehurit, I cili pranon se ka ardhur nga Fieri në Sarandë me komardare, ka lundruar natën në drejtim të Korfuzit, ka arritur gjer në kanalin e Korfuzit, me thëniet e dëshmitarit Xhemal Selimi, I cili veç të tjerave, ka vënë në dukje me hollesira se vet i pandehuri i ka thënë se kishte vendosur të arratisej jashtë shtetit e të tjera hollësi që kanë lidhje me krimin me të dhënat meteorologjike të marra nga stacioni hidrometereologjik në lidhje me kohën dhe me spjegimin që kanë dhënë në hetuesi ekspertet Veli Xheli dhe Agim Selenica, të cilët në rraportin e tyre kanë vënë në dukje se të dhënat e flotës kufitare janë të sakta në lidhje me motin, erërat dhe rrymat datë për datë 30-31.8.1976 si dhe të dhëna të tjera që kanë në dosje të cilat flasin me qartësi për personalitetin e të pandehurit. Me këto veprime i pandehuri Hysen Merdari ka kryer krimin e tradhëtisë ndaj atdheut me anë të arratisjes, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 64 e 10 të K.P. Gjykata në caktimin e masës së dënimit të parashikuar në ligj, ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të krimit dhe të pandehurit si dhe qëndrimin që ai ka mbajtur si në hetuesi ashtu dhe në gjyq. P.K.A
Trupi gjykues duke u bazuar në nenin 278- 279 të K.P.P. vendosi:
Të deklarojë fajtor të pandehurin Hysen Merdari për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut me anë të arratisjes jashtë shtetit mbetur në tentativë dhe në bazë të nenit 64 në lidhje me nenin 10 të K.P.P. e dënon me 12 (dymbedhjetë) vjet heqje të lirisë dhe me heqjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë dhe me kofiskimin e pasurise të tij të luajteshme dhe të paluajtshme.
Ekzekutimi i vendimit fillon nga data 31.8.76 që është arrestuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Lartë brenda afatit ligjor.
Sarandë, 7.3.1977
Hysen Merdari drejt vdekjes
Kur Hyseni arriti në kampin e Spaçit për të vuajtur dënimin, dhuna e paimagjinushme për të dhe puna shumë e rëndë në galeri e dëshpëruan keqas . Atje edhe pse kishin kaluar 5 vjet nga shpërthimi I revoltës së 21-23 Majit 1973, egërsia e komandës s‘kishte ndryshuar. Këtë e tregonin ata të burgosur që ishin aty qysh atëhere. Kësaj praktike çnjerëzore të saj në atë kamp çfarosjeje, jo të gjithë mund t‘i bënin ballë. Një numur të madh prej tyre i çonte në pesimizëm ekstrem. Ndaj nuk ishte rasti i parë apo i fundit ajo që i ndodhi Hysen Merdarit në këtë ferr. Një mbrëmje, data nuk më kujtohet, ndaj të ngrysur binte një shi i hollë i ftohtë, dhe e tërë lugina ishte e mbuluar me një mjegull të dendur. Të burgosurit ishin në fjetore, të mbuluar ngaqë bënte shumë ftohtë, por kishte dhe nga ata që vinin vërdallë me duar në xhepa brenda në dhomë duke pritur të binte çanga për t’u rreshtuar të parët nën thirrjen e tellallit: “Bëhuni gati për në mencë”. (Në atë grykë të keqe, të ftohtit ishte jashtzakonisht i hidhur për të dënuarin, prej kokës së qethur zero, prej këmbëve të lagura, dhe më e keqja, nga uria që nuk ngopej kurrë me atë ushqim ndofta qëllimisht të varfër me protein etj. Prandaj jo më kot quhej kamp i çfarosjes). Në këtë cast, në vënd që të binte çanga u dëgjua një tjetër ulërimë, një zhurmë vdekjeje. Mitrolozi dhe thirrja e ushtarit “ndal kush kalon se do qëlloj” na dha të kuptonim se dikush nga të denuarit i kishte dhënë fund mundimeve. Në çast ja behu policia, jo një polic por me dyzinë, që ulërisnin: “Futuni brënda! Asnjë jashtë dhome”. Ne qëndronim në mesin e dhomës si të ngrirë,shikonim nga dritaret andej nga erdhi zhurma e mitrolozit vrasës . Pas më shumë se 4 orë e gjysëm u desh të mbërrinte prokurori i cili urdhëroi të merrej kufoma e cila rrinte e varur në rrethimin me tela me gjemba.U mor vesh se i vrari ishte Hysen Merdari nga Berati. Të nesërmen me në krye policin që merrej me groposjen e të dënuarve që vriteshin në galeri apo si raste të tilla, kur i dënuari preferonte plumbin e shpejtë të rojës, ndaj mundimit të gjatë të vagonit, Hyseni i shkretë, u dërgua në vendin e quajtur Shpal të gjejë nën dhé shokët e tjerë të tij nga gjithë anët e Shqipërisë, të kapur nga çargu I ferrit shqiptar komunist.
Informacioni i komandës që bëhej në të tilla raste kur një i dënuar vritej nga ushtari i cili bën roje në karakoll. Të tilla informacione komanda e repartit bënte edhe kur të dënuarit vriteshin në galeri gjatë punës të stërmundimshme. Në minierën e vdekjes ja seç thuhet për të vrarin Hysen Merdari. Sa janë dekoruar, sa kanë marrë fletë lavdërimi dhe angazhime për të vrarë armiq. Lavdërime morën oficer operativi dhe nën oficerët.
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë Sekret
Ministria e Punëve të Brendshme ekzemplar nr.2
Komanda e rrepartit 303 e përkohshme 5 vjet nr 394- prot Dhe gr. III-t ë
Spaç, më 20.10.1982
Informacion
Mbi asgjesimin e të pandehurit Hysen Mehdi Merdari që tentoi të arratisej nga rajoni banimit të repartit 303.
Ministrisë Punve Brendshme
Drejtoria e zbatim vendimeve penale
Tiranë
Dega e Punve të Brendshme
Mirditë
Me datën 19.10.1982 rreth orës 19:30 ushtar Dhori Nesti Qirja, Viti i dytë i shërbimit, efektiv i togës së parë të sigurimit të jashtëm, gjatë kohës që kryente shërbmin në vëndrojen nr.1, diktoi të dënuarin për K.K.SH. Hysen Mehdi Merdari I datëlindjes 1946 lindur në Berat dhe banues në Fier, arsim 7 vjecar, i pamartuar, i dënuar me 12 vjet heqje lirie për tentative arratisje në vitin 1976 nga gjyakat e rrethit Sarandë, i cili me dashje ndërmori tentativën për tu arratisur nga rajoni i banimit në repartin tonë. Veprimet e ushtarit për mbajtjen nën kontroll të sektorit që i ishte caktuar dhe për asgjesimin e këtij të dënuari, janë plotësisht të rregullta dhe konform rregullores së repartit të riedukimit paragrafi 162 f. 64, mbasi qëllimi i të dënuarit ishte të arratisej me çdo kusht nga reparti 303. Ky i dënuar rreth orës 19 e 30 shkëputet nga të dënuarit e tjerë në rajoni e banimit i afrohet rrethimit të parë në të majtë të rrojtores së të dënuarve, hipën mbi tela dhe e kalon rrethimin mbi portën e parë, që ishte mbyllur, ku dalin të dënuarit dhe hidhet në zonën e ndaluar, një metër afër tabelës “Ndalim Kalimi”. Në ktë kohë kur ai ishte mbi tela ushtar Dhori Qirja nga vendroja e paralajmëron me thirrjen ‘’Ndal’’, por ky i dënuar nuk iu bind urrdhrit të rojes por pasi zbret në tokë vazhdon rrugën drejt portës së dytë të rrethimit të dytë, e hap atë dhe hipën mbi rrethimin e dytë , e kalon atë dhe zbret poshtë. Gjatë këtyre veprimeve të këtij të dënuari në distancën që pëshkruam, roja e ka paralajmëruar disa herë me thirrjen “ndal se do të qëlloj”, por ai nuk është bindur dhe ka vazhduar të ecë drejt pengesës ratikulet, ku pasi ka hipur në pengesë afër rrethimit të tretë roja ka hapur zjarr me një breshëri të shkurtër me 2 fishekë të mitralozit të lehtë duke e goditur të dënuarin me 2 plumba në pjesën e poshtme të trupit dhe duke bërë të mundur prevenimin e plotë të kësaj tentative arratisjeje. Komanda mori masa të menjëherëshme për t’i dhënë ndihmën e parë duke e tërhequr në infermierinë e repartit dhe duke e dërguar në spitalin e Rrëshenit ku ai vdiq nën kujdesin e mjekëve. Gjatë analizes që i bëmë kësaj ngjarjeje komanda vëren se efektivi i repartit në përgjithsi u karakterizua nga fryma e mobilizimit, vigjilences dhe gadishmëria e lartë duke kryer veprime të shpejta për mbylljen e drejtimeve dhe marjen e masave të menjëhershme për forcimin e rregjimit në rrajonin e banimit dhe frontet e punës, ndaj të dënuarve për krime kundër shtetit. Kështu ushtar Dhori Qirja menjëherë sapo i dënuari hipi mbi rrethimin e parë, dukë qënë vigjilent e në krye të detyrës, e diktoi të dënuarin dhe pasi e paralajmëron në bazë të rregullores njofton oficerin e rojes dhe komandantin e togës së tij për situatën e krijuar. Oficeri i rojës Shyqyri Toska menjëherë e udhzon e i vë detyrë ushtarit për të mbajur nën kontroll veprimet e të dënuarve dhe në të njëjtën kohë njofton të gjithë rojet e sigurimit të jashtëm e të brendshëm për të rritur vigjilencën dhe gadishmërinë për situatën e krijuar vë në dieni komandën e rrepartit dhe me urdhrin e tyre e ngre në alarm efektivin e repartit, duke njoftuar menjëherë degën e punve të brendshme Mirditë dhe M.P.Br njëkohësisht komandanti i togës së parë të sigurimit të jashtëm oficer Agron Ahmeti, me të marrë njoftim nga roja ushtar Dhori Qirja, i jep atij udhëzim, përforcon shërbimin dhe u nis të shkonte në vendin e ngjarjes. Gjithashtu veprimet e efektivit të togës së policisë ishin të plota, të shpejta dhe konform rregullores për sigurimin e brendshëm të elementit armik në ruajtje. Ky rezultat që u arrit për sigurimin e elementit armik është rrjedhim i punës që po bën organizata bazë e partisë me efektivin për kuptimin e drejtë të matrialeve të pleniumit të fundit të K.Q. të partisë dhe të fjalimeve programatike të shokut Enver Hoxha për zbulimin dhe shpartallimin e veprimtarisë armiqsore të kompllotistve Mehmet Shehu me suitën e tij. Njëkohësisht kjo ngjarje na evidenton dhe njëherë me force porosinë e partisë dhe të udhëheqjes së ministrisë, se veprimtaria e armikut të klasës është intesifikuar e bërë më e mprehtë, prandaj ky sukses nuk na deh, por na bën të thellohemi akoma në punët tona për të marrë masa të plota e të gjithanshme që të rrisim e ngremë në një shkalle më të lartë vigjilencën e gadishmërinë e efektivit të repartit tonë që të sigurojë pa ndërprerje elementin armik që kemi në ruajtje. Komanda duke marrë edhe mendimin e efektivit propozon që ushtar Dhori Nesti Qirja të dekorohet nga presidumi i kuvendit popullor për vigjilencën dhe gadishmërinë e lartë që tregoi asgjesimin e elementit armik që tentoi të arratisej ndërsa për veprimet e shpejta dhe të plota dhe masat që morën për gadishmërinë që treguan mendojmë të stimulohen me fletë lavdërimi dhe zv. Ministri efektivi i togës së parë të sigurimit të jashtëm dhe oficerit Shyqyri Toska e Agron Ahmeti dhe komanda e repartit falenderon para efektivit policët Ndue Ndreca, Lazer Marku, Ndrec Gjoka, Ndue Prenga, Ibrahim Myrto e Mark Menga dhe oficerët Aleksandër Marku e Sazan Bllaca
Komisari i repartit Komandant repartit
Pjetër Cara Myftar Myftari
Rreth Hysenit
Më vonë mbas disa vjetësh u interesova, për këtë rast më thanë se e kishin tërhequr nga Shpali dhe e kishin varrosur pranë prindërve të tij. E motra e cila banon në qytetin e Fierit nuk harron në çdo përvjetor të shkojë tek varrezat për t‘i qarë të tre bashkë, babanë, nënën dhe vëllanë. Vendos në çdo varr nga një buqetë me lule, shtrëngon fort nën gushë shamin e zezë, kap djalin me një dorë e me tjetrën fshin lotët që rrjedhin pa pushim. E me hapa të lehtë e shikim mbrapa, largohet me fëmijën prej dore i cili e pyet vazhdimisht; “mami pse qan? Kush janë këta që vendose lule? Hë mami më thuaj mu pergjigj, mjaft qave. Pse vijmë gjithmonë këtu? Kush janë këta që ti vjen e qan vazhdimisht? Ajo atëherë i flet djalit: hajde bir të ikim, se u bë vonë, po errësohet; kur të rritesh edhe ca, do të ta shpjegojë mami pse vimë këtu e vendosim lule. Jo, jo, mami më trego. Koha e vrenjtur e me bubullima, nënë e bir ecin të heshtur e të lagur tani nga shiu e lotët, nxitojnë të zbrisnin në rrugë. Mbase ndonjë shofer i vonuar do vejë dorën në zemër e i merr për ku t‘i thonë. Ajo vazhdon të pëshpërisë me vete, Do vij prapë vëlla të të shoh, mos u mërzit, je bashke me prindërit, nuk je vetëm. Qëndroni pranë njeri-tjetrit pa u trazuar nga askush…
GJELOSH DEDA
Gjelosh Deda lindur në fshatin Kllogjër të rrethit Shkodër, ishte djali i Kolës dhe Zades. I martuar me 4 femijë, punonte në kooperativën buqësore. Babanë dhe vëllanë Gjeloshi i ka pasë të dënuar për agjitacion e propagandë neni 73/1, për gjoja minimin, dobësimin dhe rrëzimin e pushtetit. Në vitin 1977 Gjelosh Deda arrestohet edhe ky për agjitacion e propagandë me po nenin 73/1 dhe dënohet nga Gjykata e Rrethit me 9 vite heqje lirie dhe dërgohet në burgun e Spaçit për të vuajtur dënimin. Në datën 17-5-1978 Gjelosh Deda arrestohet përsëri dhe dërgohet në rrethin e Pukës. Aty sigurimi krijon një grup me të arrestuar dhe me vendimin e datës 21-11-1978 Gjykata e Rrethit Pukë e deklaron fajtor për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 të Kodit Penal e dënon me vdekje (pushkatim). Gjykata e lartë aprovon vendimin e Gjykatës së Rrethit Pukë të datës 21-11-1978.
VENDOSI
Lënien në fuqi të vendimit Nr. 62 datë 21 nëntor 1978 të Gjykatës Popullore të rrethit të Pukës. Ky vendim për Gjelosh Kol Dedën në bazë të nenit 349 të KP.P nuk do të vihet në ekzekutim deri sa të shqyrtohet kërkesa për falje jete nga presidiumi i kuvendit popullor.
Tiranë ,më 9 – 10 – 1978
Antari Antari Kryesuesi
L.Gjoliku M. Hoxha L.Resnja
NJOHJA DHE NDARJA ME GJELOSH DEDËN NË SPAÇ
Siç e kam shkruar dhe herë tjetër, mbas dënimit tim nga Gjykata e rrethit Librazhd, aty nga fundi i korrikut me sa më kujtohet më plasën në burgun e Spaçit. Të nesërmen më caktuan në një brigade në zonën e dytë në mineral pirit. Në brigadën tonë të binte në sy një djalë i bëshëm,trup të lidhur dhe i qetë, Gjelosh Deda. Ky kishte dhe një vëlla të dënuar edhe ai për agjitacion e propagandë, i cili punonte në zonën e tretë. Kur e njoha Gjeloshin në zonën e dytë, krijuam besim me njëri-tjetrin dhe flisnim hapur. Ishte mjaft I komunikueshëm, dhe shpesh shkëmbenim cigare, mbasi punonim jo shumë larg njeri tjetrit. Në orën 11.00 të ditës sipas proçesit të punës hiqej minerali i prodhuar nga plasja e turnit paraardhes, armatosej fronti me trupa druri ose betony dhe më pas minatori do të bente birat në ballë të frontit sa të kishte kërkuar fugina (zjarrmëtari i minave). Një ditë sapo pregatita martelin, dhe fillova të bëj birat në pirit, papritur ajri i kompresorëve mu ndërpre dhe marteli u fik. I nervozuar duke sharë e mallkuar me vete xhelatët e komunizmit, u nisa të dal e të interesohem për ajrin e kompresorëve. Disa hapa më tej, mes tymit e pluhurit të frontit, shikoj se tubogoma e martelit ishte përthyer. E kishte përthyer Gjeloshi. Mendova se mos i duhej ndonjë vegël pune apo vaj për martelin, (kështu bënim gjithmonë njëri me tjetrin kur na duhej ndonjë vegël apo na thyhej baromina).
“Hë Gjelosh, i them, çfarë të duhet? vaj për martelin apo ndonjë barominë? Sa ti mbaroj birat e frontit, vi e të ndihmoj. Largohu, mos rri në këtë pluhur.” Gjeloshi nuk foli fare, vetëm më shikonte i mërzitur pa mi hequr sytë.
-Hë i them ! Çfare ke Gjelosh fol, si e ke hallin?
-Bedri më thotë, nuk është punë pune po…
-Hë i them, fol ,më thuaj ke bërë fjalë me ndonje të lirë, brigadierin, fuginën apo policin ?
-Jo Jo, Bedri ti e di unë nuk bëj fjalë me njeri por tjetër gjë është dhe po ta them.
Më njoftuan të dal jashtë dhe unë po iki, hajde mirupafshim.
-Gjelosh, a mund të ma thuash çfarë ka ndodhur?
Janë arrestuar disa shokët e mij në Pukë.
Ai nxori qesen e duhanit më drodhi një cigare, drodhi dhe një për vete dhe vazhdoi i shqetsuar:
-Bedri nama dorën dhe bafti i Zotit, por… zor se shihemi më.
Mënyra se si u ndamë më vuri në mendime. Fillova të pyes veten ç’të ketë ndodhur me Gjeloshin.
Ishte shumë i shqetsuar, e përcolla disa hapa nëpër galeri pa shkëmbyer asnjë fjalë. U largua disa hapa u kthye përsëri dhe më përshëndeti duke ngritur dorën që mbante llambën e karbitit që dukeshe si shkëndijë në fikje. Qëndrova ashtu i shtangur duke thithur cigaren e duke vështruar dritën e kandilit e cila lëkundej sipas hapave që hidhte, deri sa mu zhduk nga sytë tek kthesa e galerisë, duke lënë mbrapa errësirën dhe heshtjen.
U ktheva në frontin e punës u ula në cepin e galerise vendosa kokën midis dy duarve dhe krejt i përhumbur po mendoja për çfarë t’i kishte ndodhur Gjeloshit.
Kaluan disa muaj dhe asnjë haber nga Gjeloshi. Një ditë i vëllai mbasi bëri takim me familjen, vjen e më takon në dhomë ku flija dhe sipas rregullave të burgut, kur ndonjeri bënte takim me familjarët ndante cigare, dhe pinte ndonjë kafe me shokët.Familjarët ja kishin dhënë lajmin kobëzi.
-Bedri – më tha duke më zgjatur paketën, merre se pata takim.
-Zgjata dorën mora cigaren, dhe e pyes, – Si ishin, ndonjë haber për Gjeloshin ka?
-Po Bedri, Gjeloshi nuk jeton më, kaq më thanë.
Kaq ishte njohja ime me Gjeloshin, babanë e katër fëmijve, njeri i mirë dhe i gjendur .As lutjet e prindrëve, as lotët e fëmijve, as mendimi se po linin katër fëmij jetimë nuk i ndalën kriminelët e Tiranës. Ata nuk e njohin dhimbjen, nuk e dinë çdo të thotë të hedhësh një familje në zi pa asnjë faj . Banditët s‘mund të kenë ndjenja. Këta vrasës kanë gur në vënd të zemrës , dinë veç të hapin gropa të varrosin njerëz të pafajshëm, ata jetojnë me kënaqësinë e të thithurit vetëm gjak njeriu.
Ata nuk e dinë se sa peshon një shami e zezë e lidhur nën gushë. U shtua edhe një nënë që qan për djalin e saj të zhdukur. Ikën si e marrë duke ulëritur zbathur, kërkon përrenjëve djalin e saj të groposur kushedi se ku. Por ata sadistë as këtë nuk ia lejojnë, urdhri i parë i tyre mbas dënimit është të mos lihet asnjë gjurmë mbas ekzekutimit. Kjo ka qënë deviza e tyre makabre: Pushkato,gropos dhe zhduk në gropa të tjera mijra shqiptarë. Kam kërkuar, kam shumë informacion për disa të pushkatuar. Midis këtyre kam informacion dhe për të ndjerin Gjelosh Deda i cili është groposur në vendin e quajtur “Livadhi i Hamzës” në Pukë. Por këto veprime nuk është e mundur të bëhen privatisht, po nuk ndërhyri dhe shteti, i cili nuk ka dëshirë ta hapë këtë kapitull.
Hasan Blloshmi
Hasan Blloshmi lindi në fshatin Bërzeshtë nga prindër Selman dhe Xhere Blloshmi, në Tetor të vitit 1926.Hasani kishte tre vëllezër të tjerë Samiun, Bukuroshin dhe Eshrefin. Kishte edhe një vëlla tjetër prej babe Aziz Blloshmin, oficer ushtarak me gradën major mbaruar shkollën në Gracë të Austrisë, të cilin e pushkatuan komunistët në 26 Tetor të vitit 1944 në Tiranë.
Hasani shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes Bërzeshtë. Ishte i martuar më të bijën e Malkë Xvarishtit dhe pati dy djem, Hysninë e Hamdinë. Në vitin 1952 në 10 qershor arrestohet nga forcat e sigurimit, me akuzën “takim dhe strehim diversantësh” (fjala ishte për dajën e tij Bardho Leka i arratisur në vitin 1950 në Jugosllavi). Mbas disa muaj torturash në hetuesi e nxjerrin në gjyq dhe e dënojne me 20 vjet heqje lirie e sekuestrim të pasurisë së tundshme e të patundshme. Në korrik të vitit 1965 lirohet nga burgu i Burrelit. Në vitin 1977 mbas dënimit të nipërve të tij Vilsonit me pushkatim dhe Bedriut me 25 vjet heqje lirie si dhe djalit të dajës së tij Genc Leka të pushkatuar bashkë me Vilsonin në një natë, dhe të hedhur në një gropë te vendi i quajtur “Përroi i Firarit”, e gjithë familja e Hasanit internohet me 25 korrik të 1977 në Polis të Librazhdit.Sapo mbërrijnë në vendin e internimit xhaxhanë (Hasanin)e thërrasin në zyrën e këshillit në fshat. Në Polis i ndanë vëllezërit në katër vënde të ndryshme dhe nuk i lejojnë të takoheshin me njëri-tjetrin. Atje priste operativi bashkë me kryetarin e degës së punëve të brendëshme Merdar Hasa. Me shprehjen e zakonshme e bajate të sigurimit i drejtohen Hasanit “Në emër të popullit arrestohesh”. I hedhin prangat e ngjeshin në gazin 59 (si e quanin ata) dhe plasin në Librazhd në birucën nr.3, aty ku kishte qënë nipi i tij Vilsoni për muaj rrjesht i izoluar e nën tortura. Në qelitë e Librazhdit të cilat kanë tavanin rrafsh me tokën dhe ku vetëm nga një vrimë në formë dritareje e mbërthyer me shufra hekuri futej një rreze drite, Xhaxhai rrinte shtrirë me dite të tëra lidhur duar e këmbe siç më tregoi kur erdhi në burgun e Spaçit.Shefi i hetuesise Selim Caka dhe hetuesi Lulo Ymeri nga Vlora ishin dy xhelatët që përpiqeshin ta detyronin Hasanin të depononte ato që i kërkonin. Kjo kur mungonte xhelati tjetër Merdar Hasa. Një gjëndje e tillë, e padurueshme vazhdoi për disa muaj rresht deri sa vendosën ta nxirrnin në gjyq me akuzën për agjitacion e propagandë dhe minim të pushtetit popullor, faj i parashikuar nga neni 73/1 i kodit penal.E akuzonin se kishte shprehur pakënaqësi, sikur paskësh thënë se Gencin e Vilsonin dhe Bedriun i morën më qafë kot. Vilsoni dhe Genci vetëm se studionin, krijonin, lexonin e përkthenin autorë të huaj, ky ishte “faji” i tyre. Përfundimisht e dënojnë me 10 vjet heqje lirie e pas ca kohe e sjellin në burgun e Spaçit mbas 15 viteve të Burrelit. Jetuam bashkë deri në korrikun e 1982, por në këtë kohë xhaxhai sëmuret. Doktori i dënuar bindi komandën se Hasan Blloshmi i ka orët e numëruara, prandaj vendosën ta dërgojnë në spital në Tiranë. E nisën aty nga ora 2 mbas mesnate. Pas dy tri ditësh më njoftoi komanda se xhaxhai kishte ndërruar jetë. Data duhet të këtë qënë 11 korrik 1982. Arrestimi i xhaxhait në muajin qershor të vitit 1952 ishte bërë me akuzën se kish takuar dhe strehuar “diversantët” e arratisur në Jugosllavi. Në fakt në vitin 1950 daja i Hasanit, Bardho Leka ishte arratisur në Jugosllavi bashkë me dajën tim Sabri Debrova dhe me Dervish Bojkën nga fshati Stravaj. Me këto akuza Hasan Blloshmi u dënua me 20 vjet burg të rëndë dhe me sekuestrim të gjithë pasurisë dhe vdiq në spitalin e tyre, nuk dihet në çfarë kushte.
Aprovohet Model Nr.1
Ministri i Puneve të Brendëshme Sanksionon arrestimin
Gjeneral Leitnant Prok.Përgj.Rep.Pop.Shqiperise
P/Mehmet Shehu P/Siri Çarçani
Firma Firma
URDHERESë
(Për arrest)
Unë Punëtori Operativ i Degës P.Brëndëshme Elbasan, Aspirat Kurtali Mendalliu në shikimet që i bëra Hasan Blloshmit, i biri i Selmanit dhe i Xheres, i datëlindjes 1922, lindur dhe banues në katundin Bërzeshtë të lokalitetit Qukës, me origjinë shoqërore fshatar i pasur (kulak) me profesion bujk , me shtetësi dhe kombësi shqipëtare, pa parti, ka 4 klasë shkollë fillore, i pa dënuar.
GJETA
Hasan Selman Blloshmi gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, ka marrë pjesë me Ballin Kombëtar, bashkë me dajën e tij Bardho Lekën, sot i arratisur në Jugosllavi. Më vonë kur pa se Lëvizja Nacional Çlirimtare po fitonte është hedhur në rreshtat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare në kohën afër çlirimit dhe ka qëndruar në komandën e vendit deri në fillim të vitit 1946. Pastaj është transferuar në Mbrojtjen e Popullit dhe në vitin1949 është liruar. Gjatë kohës që ka qëndruar në ushtri ka zhvilluar aktivitet armik duke paraqitur frymë ç’mobilizimi me njerëz kundër pushtetit dhe pasi u lirua erdhi në shtëpi, ku duke parë familjen e tij të goditur nga ligjet e pushtetit,filloi aktivitetin kundërshtar duke hedhur parulla dhe duke biseduar me njerëz armiq. Në qershor të vitit 1951 u arratis daja i tij Bardho Leka nga katundi Bërzhetë në Jugosllavi dhe gjatë kohës që diversanti Bardho Leka qëndronte i arratisur dhe ka hyrë e ka dale brenda shtetit Hasanin e ka patur bazë kryesore për t’u strehuar dhe për ta përdorur si korier për punët e tij, dhe kohet e fundit ka dashur të arratisej në Jugosllavi.
VENDOSA
Arestimin dhe kontrollin e Hasan Selman Blloshmit nga Katundi Bërzhetë
PELQEHET
Punëtori operativ Me aut. Kryetari i Degës P Brënd
(Kurtali Mendaliu) Zv. Kryetari i Degës
Firma Kapiten I- rë
Stavri Madhi
Firma
PËLQEHET
Komandant Repartit Nr.4111
Major
(Rexhep Kolli)
Firma
Urdhëresa u komunikua më date 10 Qershor 1952.
Aprovohet
Ministri i Punëve të Brendeshme Sanksion arrestimin
Gjeneral Leitant Prok.Pergj.Rep.Pop.Shqiperise
P/Mehmet Shehu P/Siri Çarçani.
Republika Popullore e Shqipërise V.F.L.P.
Gjykata Ushtarake Territoriale Nr.108 Vendimit
“ KORÇËS” Date 21.x.1952
Nr.116 Regj.Them.
VENDIM
NE EMER TE POPULLIT
Gjykata Ushtarake Territoriale e Korcës me funksion në Elbasan e formuar në Këshille prej:
Toger Gaqo Katro Kryetar këshillI nd. Gjyqtar
Kapiten Panajot Thanati nd. Gjyqtar
Toger Mehmet Kokolara nd. Gjyqtar
Duke u ndodhur gati Prokurori Ushtarak n/toger Ramadan Kanina si dhe Sekretar i Gjykates Taqo Sterjo, sot në datën 21.10.1952 dha këtë:
VENDIM
Në padijen penale të regjistruar nën nr. 116 të radhorit themeltar të çështjeve penale të vitit në vazhdim kundër të pandehurit: Hasan Blloshmit, Selman, Xheres,1926, lindur dhe banues në katundin Bërzhetë, Lok. Qukës, Rreti Elbasan, me profesion bujk, i martuar me dy femijë me arsim 5 klasë fillore, me origjinë shqërore fshatar i pasur, me gjëndje shoqërore fshatar i pasuri i cilësuar kulak, i pa dënuar, i paorganizuar, me shtetësi shqiptare, i besimit mysliman, i rreshtuar më 8 qershor 1952, i akuzuar sipas nenit 3 pika 7, dhe nenit 8 i ligjit Nr. 372 datë 12/12/1946 si dhe nenit 10 i D.L. 1168 mbi armët. I akuzuar me akt akuzën e Prokurorisë Ushtarake të Korçës të Korçës me Nr. 0378 datë 12.10.1952 në bazë të nenit 3 pika 7 dhe nenit 8 i ligjit Nr.372, datë 12.12.1946 si dhe nenit 3 pika 7 dhe nga neni 10 i D.L. 1168 mbi armët “se ka bashkëpunuar me diversantët Bardho Leka etj., ka mbajtur materiale prapagandistikë siç është rasti i gazetës “Flamuri i Lirisë” që ju kap në xhep, ka mbajtur dhe revolver pa leje”. Në përfundim të gjykimit të zhvilluar faqe të pandehurit në séance publike dhe në asistencën e mbrojtësit të tij z. Filip Bizhgës, prokurori kërkoji që i pandehuri të deklarohet fajtor dhe të denohet me 20 vjet burgim, humbjen e të drejtës civile për 5 vjet kohë si dhe konfiskimin e pasurisë së tij në tërësi.
KONSTATON
Nga gjykimi i çështjes kundër të pandehurit Hasan Selman Blloshmi u vërtetua plotësisht se ka kryer këto krime:
- Ka bashkëpunuar e propaganduar me bandë të armatosur
- Ka agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor
- Ka mbajtur armë pa leje
Konkretisht: I pandehuri duke qënë prej një familje e farefis me ballin ku me armë në dorë ka luftuar për kundër L.N.Ç ku për këtë janë pushkatuar, arratisur dhe me çlirimin e Shqipërisë janë prekur nga reformat e pushtetit popullor, ku në vitin 1952 është cilësuar kulak. Duke patur të gjitha këto në muajin Tetor të vitit 1951, një ditë i vjen në shtëpi në orët e mbrëmjes e shoqja e diversantit Bardho Leka dhe pasi i ka propozuar për të ardhur në shtëpi diversanti I sipërpërmëndur i cili është daja i të pandehurit, ai pranon po atë natë në shtëpi diversantët Feim Çela dhe Dervish Bojku të kryesuar nga diversanti Bardho Leka ku pasi i strehon dhe i furnizon pranon të bashkëpunojë me diversantët për të plotësuar dëshirat e tyre karshi titistëve jugosllavë në dëm të pushtetit popullorë. Në këtë kohë diversantët i tregojnë materialin propagandistk për kundër pushtetit popullor me qëllim që ti përhapte këto lajme në njerëz të tjerë.
VENDOSI
Deklaron fajtor Hasan Blloshmin për krimin e bashkëpunimit me bandat e armatosura dhe e dënon me 15 vjet burgim, humbjen e të drejtave për 5(pesë) vjet kohë sipas gërmës a, b, c, ç të nenit 27 të K.P. si dhe konfiskimin e pasurisë së tij në tërësi. Për krimin e agjitacionit dhe të prapagandës dhe e dënon me 5 vjet burgim. Për krimin e mbajtjes së armës pa leje dhe dënon me 5 vjet burg. Duke bërë bashkimin e krimeve sipas nenit 48 të K.P., përfundimisht e dënon me 20 (njëzetë) vjet burg, humbjen e të drejtave për 5(pesë) vjet sipas gërms a, b, c, ç të nenit 27 K. P. si dhe konfiskimin e pasurisë në tërësi. Ky vendim u shpall sot më datën 21/10/1952 dhe u dha me të drejtë rekurs ankimi në Gjykatën e Lartë brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes së vendimit.
Vuajtja e ndëshkimit i fillon prej datës 8 Qershor 1952.
Elbasan më 21/10/1952
Sekretari Nd/Gjyqtari Nd/Gjyqtari Kryetari
DËNIMI I DYTË
Hasan Blloshmi arrestohet për të dytën herë në korrik të 1977. Dënohet me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Në korrikun e vitit 1982 ndërron jetë në spitalin e burgut në Tiranë në moshën 56 vjeçare.
MIRATOI ARRESTIMIN
PROKURORI I PERGJITHSHEM
RRAPI MINO
FIRMA
VULA
TIRANE ME 26.7.1977
VENDIM
“Arresti”
Në Tiranë me 26.7.1977
Unë, hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme Besnik Halili, pasi studiova materialet në ngarkim të Hasan Blloshmit i biri i Selmanit dhe Xheres i dt.1925, lindur dhe banues në katundin Berzeshtë të rrethit Librazhd, me arsim 7 vjecar, me kombësi e shtetësi Shqiptare i pa org. me profesion bujk i dënuar 15 vjet për strehim bandash rrjedh nga një familje e pasur fshatare aktualisht kulak:
KONSTATOVA
Se i larte përmenduri në kohë e vënde të ndryshme si dhe me persona të ndryshëm,ka agjituar e propaganduar për minimin e dobësimin e pushtetit popullor,duke konsumuar plotësisht elemente të figurës së krimit të parashikuar nga neni 73/1 i Kodit Penal.Veprimtaria e personit në fjalë vërtetohen me materiale që i bashkangjiten këtij vendimi. Duke marë parasysh se lënia e lire e tij mund të shkaktoje shmangie ndaj organeve të hetimit dhe atyre gjyqesore si edhe i udhehequr nga nenet 145 e 157 të Kodit të Procedures Penale.
VENDOSA
Të kërkoj nga Prokurori i Përgjithshëm, miratimin e arrestimit të Hasan Blloshmit për krimin e parashikuar nga neni 73/1i kodit Penal Vendimi mu komunikua sot me dt.27.7.1977
BESNIK HALILI
FIRMA
MIRATOHET
PROKURORI I RRETHIT
QANI LAVDARI
FIRMA
VULA\
AKT – AKUZE
Kundër të pandehurit
- Hasan Blloshmi i akuzuar për krimin dhe agjitacionin kundër pushtetit popullor i parashikuar nga neni 73/i i K.P. Me DT.27.korrik të vitit 1977 organet e hetusise se D.P.B. Librazhd kanë filluar ndjekjen penale në ngarkim të pandehurit Hasan Blloshmi për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor i parashikuar nga neni 73/i i K.P.Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se: I Pandehuri Hasan Blloshmi, si njeri me prejardhje e qëndrim aktual të keq,gjatë gjithë kohës së ekzistencës së pushtetit popullor ka qenë i armiqsuar me të,qëndrim në të cilin e ka shprehur kohë pas kohe. Në aktivitetin e tij armiqsor ky i pandehur ka aktivizuar strehimin e banditit të rrezikshëm, spiunit të U.D.B.Jugosllave, kriminelit Bardho Leka për të cilën ai është dënuar për 3 vjet heqje lirie ndonëse dënohet nga ligjet e pushtetit popullor, për këtë krim të kryer i pandehuri Hasan Blloshmi në vend se të përmisoje sjelljen e tij vazhdon me konseguence armiqsore rrugën e tij, e cila që ajo e goditjes së pushtetit popullor.Në propagandën armiqësore që ka zhvilluar Hasan Blloshmi ka goditur politikën e partisë në ngritjen e nivelit të jetesës duke i shtremëruar faktet e jetës sonë socialiste. Kështu deshmitarit Aqif Leka ai i është shprehur “Shikoji gratë si janë bërë që nuk ju vjen era për grua. Punojnë 16 orë në ditë e mezi marrin 8 lekë në ditë. Po kështu është bërë sot, si grate dhe burrat janë bërë si ushtare dhe do të bëjmë ashtu si na thonë sepse sot kjo kohe ka ardhur”.
AKUZOHET SE:
Ka kryer krimin e agjitacionit dhe prapagandës kundër pushtetit popullor, parashikuar nga neni73/1 K.P.. Kjo akt akuzë u përpilua sot me datë 24.10.1977 dhe së bashku me aktet e dosjes i dërgohet Prokurorisë së Rethit Librazhd për miratim të kalimit në gjyq.
Hetuesi
/SELIM CAKA/
Biografi e Hasan Blloshmit
Hasan Blloshmi është i biri i Selmanit dhe i Xheres, i datëlindjes 1926, lindur e banues në katundin Bërzeshtë të rrethit Librazhd, me arsim shtatvjecar, i martuar me fëmijë, me kombësi e shtetësi shqiptare, i pa organizuar, me profesion bujk, idënuar 15 vjet për strehim bandash, rrjedh nga shtresë e pasur fshatare aktualisht kulak. Qëndrimi politik gjatë regjimit të zogut si i familjes dhe të afërmve të tij nuk ka qënë i mirë. Babai i tij Selmani ka shfrytëzuar punën e të tjerve duke ju marrë të tretën, xhaxhai Hajdar Blloshmi ka qënë deputet i regjimit të zogut, kushëriri I-rë Selahudin Blloshmi ka qënë kolonel i oborrit mbretëror, Haki Blloshmi kryetar komuneje dhe dajua Bardho Leka ka qënë oficer kurse vetë Hasani në atë kohë ka qënë në moshë të vogël. Qëndrimi politik gjatë okupacionit fashist ka qënë i keq pasi e kanë përkrahur atë dhe me daljen në skenë të organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar lidhen ngushtësisht me të e luftojnë me armë në dorë të lëvizjes N.ÇL. Kushëriri i parë i Haki Blloshmit u bë komandant i Ballit për gjithë zonën e Quksit, po ashtu dajua, Bardho Leka u bë komadat i çetës balliste për fshatin Berzeshtë e Gurrë. Në këtë u inkuadrua dhe Hasan Blloshmi, kushëriri tjetër Xhevdet Blloshmi ka qënë komandant i çetës balliste të fshatrave Stravaj dhe Farret. Nga fundi i vitit 1944 Hasani inkuadrohet si partizan dhe qëndron në komandën e vendit deri në çlirimin e vendit e mbas ksaj lirohet nga rreshtat e ushtrisë e vjen në fshatin e tij Bërzeshtë pranë familjes. Fillimisht mban qëndrim të mirë por më vonë hidhet në aktivitet armiqsor. Në vitin 1951-1953 Hasani ka strehuar e bashkpunuar me bandën që kryesohej nga dajua i tij i arratisur Bardho Leka. Për këtë arrestohet e dënohet me 15 vjet. Mbasi del nga burgu vjen në fshatin e tij Bërzeshtë e përsëri nuk mban qëndrim të mirë politik duke agjituar e propaganduar kundër pushtetit popullor. Vëllai i Hasanit, Samiu në vitin 1963 arrestohet e dënohet me 7 vjet heqje lirie për krimin e agjitacionit e propagandës. Në vitin 1976 nipi i Hasanit, Vilson Blloshmi arrestohet e dënohet me pushkatim për krimin e sabotimit si pjestar aktiv i grupit armiqsor sabotues të fshatit Bërzeshtë. Për krime të luftës ka të pushkatuar kushërinjt e II-të, Haki Blloshmin e Shefqet Blloshmin si dhe të arratisurin Xhevdet Blloshmin, po ashtu dajoja i tij Bardho Leka ka vdekur në arrati ndërsa Genci Bardho Leka është dënuar me pushkatim si pjestar i grupit sabotues të fshatit Bërzeshtë, ndërsa nipi tjetër i tij Bedri Blloshmi në vitin 1976 arrestohet dhe dënohet ne 25 vjet për sabotim.
Librazhd 9.7.1977 Kryetari i degës punve brendshme
Merdar Hasa
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
GJYKATA POPULLORE E RRETHIT LIBRAZHD
Nr. 82 i Rregjistrit Themel.
Nr. 79 i Vendimit
VENDIM
N’EMËR TË POPULLIT
Gjykata e rrethit te Librazhdit, e përbërë prej:
Sybi Sulçe Gjyqtar
Qamile Allkja Nd.Gjyqtare
Shyqyri Xhani Nd.Gjyqtar
t’asistuar prej sekretares Luljeta Shatro, me pjesëmarrjen e Prokurorit Pavël Shuteriqi, në seancë gjyqësore të hapët, me datën 2.11.1977 mori në shqyrtim çështjen penale me Nr.82 që i përket të pandehurit HASAN BLLOSHMI
I AKUZUAR SE:
Ka agjituar dhe prapaganduar kundër shtetit. d.m.th. ka kryer krimin e prashikuar nga neni 73/1 i K.P.
———————————
Gjykata pasi administroi provat e nevojshme dëgjoi prokurorin Pavël Shuteriqi, i cili shfaqi mendimin që të deklarohet fajtor i pandehuri Hasan Blloshmi dhe në bazë të nenit 73/1 të kodit Penal të dënohet me 10 vjet heqje lirie
Ndarja me Xhaxhanë në Spaç më 5 korrik 1982
E kam thënë edhe herë tjetër se me xhaxhain u ndamë separi më 1 prill1976, kur më thirrën në degën ushtarake, me pretekstin se nuk kisha kryer zborin ushtarak. Qysh atë ditë e deri sa u bashkuam në burgun e Spaçit, në kokë me qarkullonin të gjitha porositë që më dha, pasi xhaxhai e kishte kuptuar se kjo nuk ishte punë zbori. “Bedri kujdes se do të të arrestojnë këta kriminelë”. U takuam mbas një viti e gjysëm, në fundin e 1977, dhe jetuam gati 5 vjet bashkë në një rrethim telash me gjëmba dhe me torturën e të ftohtit të hidhur të asaj humnere. Por edhe aty na ndanë përsëri për t’mos u takuar më në të gjallë… Ndodhi kështu. Sapo u ktheva nga turni i dytë, vrapova brenda në fjetore për të marrë tasin e u drejtova për në mencë. I dënuari Besim Albrahimi më bën zë përpara infermierisë. Bedri hajde këtu, xhaxha Hasani është shumë sëmurë. Me të shpejtë kalova kangjellat dhe u futa në dhomën e infermierisë. Xhaxhai ishte shtrirë në krevat dhe syte i mbante mbyllur. Barku ishte disi i fryrë, fytyrën e kishte të mbuluar nga djersa. Shenja të keqia. Rënkonte shumë dobët sa mezi dëgjohej. Për rreth krevatit kishte miq e shokë, kishte edhe nga ata që kishin qënë bashkë në burgun e parë. Asnjë nuk fliste, të gjithë shikonin xhaxhain tim mendueshëm. Ashtu të përhumbur, më dukej sikur as ata vetë s‘e dinin se ku ndodheshin. U vinte keq për shokun e mikun e tyre që merrte frymë me vështiresi, tundnin kokën duke mbledhur buzët. Zoti bëftë ymër më thoshin. Dilnin jashtë dhomës për të mos iu dorëzuar ngashërimit për shokun e tyre në ato kushte të pashpresë.
-Xhaxha si je? – theva heshtjen, – jam Bedriu. I vendosa dorën mbi ballin e djersitur dhe tjetrën mbi barkun e fryrë.
– Xhaxha si je, ç’të dhemb? Hapi sytë xhaxha, a më dëgjon?
Buzët ishin gati të thara, paksa në ngjyrë të zbardhur. I fola përsëri duke ja fërkuar kokën. Asnjë përgjigje, vetëm rënkonte.
– Xhaxha hapi sytë, më thuaj si je? Mos u bëj merak do bëhesh mirë, më tha doktori, do të kalojë.
Me shumë mundim i hapi sytë gati përgjysëm, duke bëlbëzuar; donte t’më thoshte diçka por nuk i dilte zëri. Kishte vështirësi në frymëmarrje. Djersët sa vinin e shtoheshin. Dukej qartë që kishte siklet të madh. Besimi solli një gotë ujë, ja lagu buzët duke i thënë:
– Pi pak xha Hasan, lage gurmazin, të bën mirë. Më bëri shënjë që ta ngrija pak nga pas që të mbështetej te jastëku që i vendosëm mbas kokës. Sado përpiqej të mos e jepte veten prap se prap rënkonte nga dhimbjet e mëdha.
– Hë i them si je tani, më mirë xhaxha? Çfarë ndien? Ç’të dhëmb?
Me shumë vështirësi i nxirrte fjalët, të cilat dukeshin sikur vinin nga një thellësi. Sa herë që mundohej të nxirrte një fjalë lëvizte kokën sa majtas djathtas, ndërsa buzët sapo ja njomnim thaheshim menjëherë.
– Mirë jam Bedri, – belbëzoi me vështirësi,
– Më dhëmb pak barku, po do kalojë, mos u bëj merak për mua.
Ti si ja kalove sot? U lodhe shumë në punë?
– Jo, jo i them, nuk jam lodhur. Tek dera e dhomes qëndronte polici, (roja i brendëshëm). Nuk fliste fare vetëm shikonte. Komandant të lutem i them, ke njoftuar komandën se është rëndë duhet nisur për Tiranë, në spital.
Ne i kemi marrë masat më tha, presim nga çasti në çast të vijë ambulanca. Doktori i dënuar erdhi me nxitim nga zyra e tij e më thotë:
– Hë Bedri ç’pret? E bëtë gati të sëmurin, se do e nisim në Tiranë, po vjen ambulanca. Polici iku lart në komandë, ndërsa doktori duke dalë nga dhoma më bëri shenjë hajde pak në zyrë. Bëra mbas tij, sapo hyra në zyrë e pyeta:
– Doktor si duket xhaxhai? Çfare ka sipas teje?
– Bedri, me thotë ai, Hasani ka ngatërrim zorrësh, nuk e di, a do e përballojë operacionin se kjo është hera e dytë që operohet. Është dhe pak i dobët nuk di ç’të them, vetëm Zoti e bëftë mirë. Shkova në depo mora dy palë ndërresa, disa paketa cigare,një pako sheqer e dy pako kafe të bluar. Me të shpejtë vajta në infermieri ku e ndërruam të sëmurin i cili ishte bërë qull në djersë. Prisnim urdhërin e policit për ta nxjerrë sipër tek porta kryesore. Pas pak vjen polici duke thirrur:
– Hajde shpejt merrni të sëmurin se erdhi ambulanca. Bedri shpejt se s’ka kohë. E ngrita ndër duar si të qe fëmijë. Bashkë me shokët e tjerë po ecnim ngadalë se ishte malore e pak errësirë. Ora duhet të kishte kaluar nga një e natës. Tek porta e brendëshme (porta e vogël e quanin) polici thirri :
– Po ju ku po shkoni, vetëm Bedriu ta sjellë të sëmurin të tjerët të kthehen poshtë. Polici përpara e unë mbrapa me të sëmurin ndër duar i cili vetëm rënkonte mbërritëm përballë portës së jashtme.
– Lëre aty në tokë, më ulëriti polici e zbrit poshtë, mos më shiko ashtu si guhak. Tani do hipim në ambulancë. Hajd ik poshtë po të them.
Me ngadalë e ula xhaxhanë në tokë e po qëndroja ulur pranë tij. Xhaxhai
lëvizi dorën për nga xhaketa e tij me shumë vështirësi. Futi dorën në xhepin e brëndshëm dhe nxorri çakmakun i cili kishte të varur dhe një cope zinxhir.
– Bedri më thotë: Merre çakmakun e mbaje se mos më humbi deri sa të kthehem nga spitali. Kujdes se ti e di kush ma ka dhënë zinxhirin, e kemi kujtim. E ke amanet, të lutem mos e nënvlerso, vëre në një vend të sigurtë. Si do që të ndodhë, mos e humb. Dhe një fjalë tjetër kam, ule pak kokën, afroje veshin.
– Xhaxha, i them unë, pse po më porosit ti do vish shpejt, ç’janë këto porosi? E shumta dy javë dhe do vish prapë.
– Bedri ule pak kokën, dëgjo me policinë nuk ja del dot dhëmb për dhëmb, me të urtë le të shajnë e le të rrahin, se shteti t’i bën të gjitha, duroji se s’ke ç’i bën, vetëm të dalësh e të shkosh në shtëpi. Ata ty të presin, një e pushkatuan, por ti të dalësh gjallë!” Më shikoi gjatë në sy dhe pëshpëriti: “Dëgjoje xhaxhanë”.
Ndërkohë nga porta midis pallateve të komandës jashtë rrethimit u duk një dritë makine që po afrohej.
– Hajde,- tha polici, – ik se erdhi ambulanca, zhduku të them!
– Të lutem ore komandant vetëm ta hip të sëmurin në ambulance, pa do t‘iki. Ky nuk mundet të lëvizë e jo të ngjitet në ambulancë.
– Ore do më qërohesh ti nga sytë, apo ke qejf të shkosh në birucë, si e ke hallin?
E lashë xhaxhanë të shtrirë në tokë duke rënkuar e po largohesha për në fjetore me shikim nga mbrapa.Ndërkohë u hap porta, policët ja lidhën duart me pranga e morën si të qe një thes çimento e hodhën brënda. Zbrita poshtë, shkova në dhomë u shtriva në krevat e në kokë më përsëriteshin fjalët e xhaxhait. “Ki kujdes, ule kokën, më i qetë me policinë, mos e humb çakmakun.Kujdes zinxhirin se e kam kujtim nga Vili”.
Pse mi tha këto fjalë? Sigurisht parandjen fundin xhaxhai i ngratë. Veshët më gumëzhinin porositë e tij. O Zot ç‘është kështu edhe këtu në burg s’na le të jetojmë bashkë. Pse na ndan kështu o Perëndi? Isha i tronditur që po humbnja edhe të afërtin e fundit që kisha pranë dhe i gëzohesha ta takoja mbasi delja nga miniera. Por dishka më bënte të shpresoja duke menduar për moshën e tij ende të re. Ai nuk është shumë i vjetër edhe pse ka vuajtur shumë, 56 vjet po sa i mbushi. Ashtu i shtrirë mbuluar me batanie përpiqesha të bëja një sy gjumë por qe e pamundur. Lloj-lloj mendimesh më vinin në kokë. Përpiqesha duke i zënë veshët për të larguar fjalët që gumëzhinin më dukeshin pikërisht porositë që lë njeriu që gatitet ndarjes përfundimtare, ishin tamam fjalë të dala nga shpirti. “Do bësh ca burg po do dalësh gjallë, vetëm kujdes, bëhu më i durushëm, tregohu më i përmbajtur”. Me këto mendime që më fusnin në një gjendje s‘di ta them sa të vajtueshme, u dëgjua goditja e çangës që s‘pushonte bashkë me zërin e tellallit të kampit.
– Hajde zgjimi i turnit të parë, shpejt në mensë.
Ndërkohë roja i brëndshëm ulëriti te dera duke e shkelmuar me sa fuqi kishte.
– Hë more pse nuk ngrihi apo prisni çangë tjetër ju? A mos prisni të vijmë e t’iu kapim prej krahësh e t’iu lutemi të ngriheni? Ç’prisni?
Mblodha veten edhe pse isha turni i dytë, u ngrita, dola në ballkonin e ngushtë e të gjatë. U mblodhën disa të burgosur po ashtu edhe ca miq të familjes edhe të cilët kishin qënë me xhaxhanë e babanë në burg. Ata mundoheshin t’më qetësonin se tek e fundit ne s’kishim gjë në dorë. Ishte në dorën e Zotit fati i xhaxhait. Të gjithë kështu mundoheshin të më qetësonin. U ngrita, kërkova një kopje telegrami (përgjigje e paguar) e i shkruaj familjes në internim “Xhaxhai është shumë i sëmurë, mbrëmë mbas mes natës është nisur me ambulancë në spitalin e burgut në Tiranë.Bëni çmos të shkoni sa më parë ,më njoftoni gjëndjen shëndetësore sa më shpejt. Bedriu”.
Mbas dy apo tre ditësh (saktësisht nuk e mbaj mend) tellalli I burgut tek lexonte letrat e telegramet e të bugosurve që vinin nga familjet, u dëgjua emëri im .Shkoj me nxitim tek tellalli i cili më dha një telegram, e lexoj: “Ishim në Tiranë, takuam xhaxhanë, është operuar, është mirë me shëndet, mos ki asnjë merak. Po na dhanë leje do vinë në takim. Hysniu e Selmani”. Fluturova nga gëzimi, të gjithë shokët u gëzuan më shumë se unë. Ndava karamele e llokume të gjithë atyre që më erdhën tek krevati.Isha bërë me krahë e po çmëndesha nga gëzimi.Prisja me padurim të dilte nga spitali e të vinte. Mbas shtatë tetë ditëve për koiçidencë isha prap turni i dytë dhe koha që do shkonim në mencë e pastaj në punë, duke ngjitur shkallët për tu rreshtuar në fushë, magazineri më ndalon e më thotë: “Bedri pasi të hash drekë më dorëzo teshat e xha Hasanit se mbas spitalit e kanë transferuar në burgun e Ballshit sepse është klima më e mirë e më butë për ata që operohen”. Gati sa s’më ra të fikët, u shkreva në të qarë, ndjeva se diçka e keqe kishte ndodhur. Atëherë shumë nga shokët që e dinin të vërtetën e nuk ma thoshin dot, më kapën për krahësh, se nuk më bënin këmbët të ecnja e u nisëm për në dhomë. I pari që mu afrua ishte magazinieri dhe më shtriu dorën duke më thënë: Bedri të rroni vetë, xha Hasani ka ndërruar jetë. Bëju i forte s’ke ç’i bën, ky qe fati i tij, por unë s’ta thosha dot drejt për drejt. Të gjithë sa ishin në oborrin e burgut më ngushlluan sapo e morën vesh. Gati i gjithë kampi u shkul për të më ngushullur tek krevati. Atë ditë më lanë pushim. Të nesërmen më thotë brigadieri i dënuar: “Bedri, rri dhe sot pushim se të vijnë njerëz për ngushëllim, merr vehten e qetësohu, me kryetarin e zyrës teknike kam folur”. Sapo doli turni i dytë në punë unë prisja njerzit në dhomë për ngushëllim, dëgjoj tellallin që po ulërinte:
“Bedri Blloshmi tek porta e vogël”. U shqetësova shumë se e dija që do më futnin në birucë. Shokët që ishin në atë moment pranë më thanë: “Shko e mos e hap gojën fare le të thonë çfarë të duan se ke për të pritur njerëz. Hajde ik si të porositëm”. Sa po dola tek porta e vogël polici më thotë: “Kalo tek porta e madhe se të kërkon oficeri i rojes”.
Pa arritur mirë tek porta e jashtme priste oficeri i rojes i cili uluriti: -Ore i dënuar pse nuk ke dalë në punë, pse ke kundërshtuar!
-Zoti oficer më la pushim brigadieri, ka biseduar dhe me kryetarin e zyrës teknike, unë për këto ditë që më latë pushim normën do ta realizoj të jap fjalën.
-Mbylle gojën mos ta dëgjoj zërin. E dimë kush je ti, vetëm vrer vjell nga goja, tani bën si i sjellshëm. Merre!-urdhëroi policin,- Çoje në birucë e lidhe kokë e këmbë, qëromu nga sytë. Kundërshto dhe një herë po deshe.
E pashë që s’mund t`i shpëtoja birucës, hera e pare që nuk u grinda e as thashë një fjalë sepse prisja ngushëllimet për xhaxhanë. Mendova se nuk do më futnin në izolim. Polici më zuri për krahu dhe më lidhën me duar prapa. Atëhere e kuptova që nuk i shpëtova izolimit dhe thirra me sa kisha në kokë duke harruar porositë e xhaxhait:
“Ju jeni kriminelë, jeni grabitqarë, jeni terrorista o komunista të fëlliqur, ju nuk keni gjak shqiptari”. Ndërsa policët më terhiqnin zvarrë duke më qëlluar me grushta e shkelma, nga mbrapa ngriheshe një re tymi e pluhuri. Më mbyllën në qeli, më lanë lidhur, shtrirë në çimento. Lotët më rridhnin pa pushim nga inati e nga dhimbja për xhaxhanë bashkë. Në darkë kur sollën latyrën për të ngrënë bashkë me fletë arrestin (dënimin) ku shkruhej: “Dënohet me 5 (pesë) ditë izolim, sepse ka kundërshtuar të dalë në punë”.
Më pas më trasferuan në Qafë Bari. Nga atje, mbas revoltës së 22 majit 1984, më sollën përsëri në Spaç. Me vdekjen e diktatorit më 11 prill 1985 më arrestuan se kisha folur e isha gëzuar për këtë vdekje. Nuk më ridënuan, po frynte një e erë më e butë, tani që monstra u kishte lënë hijen; më nxorën vetëm para të dënuarve në kamp, më kritikuan e më mbyllën në burgun e Burelit.
Më 29 Mars 1991 më erdhi më në fund dita e lirisë, dëshira e xhaxhait që të delja gjallë ishte përmbushur, Zoti ia kishte dëgjuar lutjen. Ndërsa delnja nga burgu i Burrelit, në mendjen time vërtiteshin shumë gjëra. Detyrë kryesore ishte gjetja e vend- groposjes së Gencit, Vilsonit dhe xhaxhait. Pas gati dy vjetësh kërkimesh në përrenj e humbëtira, më në fund i gjeta Gencin e Vilsonin, vëllezërit e mij të dashur. I kishin hedhur bishat njërin përmbi tjetrin në një përrua. Mbasi i vendosëm të dy në varret e tyre ,krah njeri tjetrit fillova kërkimin e xhaxhait, duke u interesuar tek spitali i burgut nr.2. Ata më orientuan për në Tufinë.Atje takova zyrtarët, ju thashë emrin e vitin, hapën një regjistër të vjetër e lexuan Hasan Blloshmi, parcela 36 rreshti 11 varri nr.7. U nisëm bashkë me një nga këta të zyrës. Diku u ndal, ja këtu duhet të jetë po paska shumë ferra. I premë me lopatë dhe i shkelëm sa mundëm me këmbë.Më në fund u duk një pllakë betoni e nxirë me mbishkrimin Hasan Blloshmi,vdekur më 1982.
E rrëmbeva pllakën, mbështeta në gjoks, duke e fërkuar e folur me vehte “Xhaxha erdha të gjeta, u ndamë për t’mos u takuar më, por unë të gjeta, edhe pse të vdekur, ne u takuam. Mos ki merak, nuk do të tretesh këtu i veçuar; do të ngremë ,do pushosh pranë babait tënd, që kur dha shpirt, ti s`munde t`i hidhje një lopatë dhé se ishe në hapsanën e mallkuar të kriminelëve. Me nënën tënde ndryshe, erdhe e gjete gjallë dhe jetove dy vjet me të. Edhe pse në mjerim e terror e varrose vetë me 27 korrik 1967. Vëllai yt nuk e pa nënën e tij kur dha shpirt se dergjej në hapsanë. Megjithatë ti xhaxha varrose nënën ndërsa Samiu
varrosi babanë”.
E çuditshme si i ndan punët Zoti. “Pastrova ca ferra e barishte mbi varrin e gjetur. U bëra gati për të ikur duke i folur shpirtit të xhaxhait: Shumë shpejt do vijmë të gjithë xhaxha të të ngremë e të të vendosim në Bërzeshtë pranë varrezave familjare.Tani që të gjeta nuk kam merak se nuk do thotë askush që Hasani është pa varr. Isha vërtet i kënaqur, si çdo njeri i vërtetë, si çdo shqiptar që respekton të vdekurin, qoftë dhe hasëm, dhe jo si gjakprishurit komunistë që përmbysën çdo zakon njerzorU largova me shikim nga mbrapa duke i thënë Hasanit tim të pafat: Mirë xhaxha, unë po shkoj të njoftoj në familje. Kur u thashë në Bërzeshtë se e kam gjetur varrin e xhaxhait të gjithë u përlotën,mbetën të habitur se jo atëhere por edhe sot, gjetja e eshtrave mbetet e vështirë, mbasi punën e mbrapësht kriminelët e kanë bërë me themel; s’pushonin me pyetjet që më bënin, e s` dija kujt t’i përgjigjesha më parë. Mbasi i sqarova sesi kisha vepruar të gjithë u qetësuan dhe këmgulën për të ikur në Tufinë. Eshtë detyra jonë më thanë, që ta marrim xhaxhanë. Të gjithë folën një zëri, që nesër do nisemi.Jo, jo tha babai të njoftojmë miqtë e shokët. U mblodhëm miq, shokë e dashamirës. Mbaj mend që ishin disa makina të vogla e dy autobuzë plot, që morën rrugën për në Tufinë.Hapëm varrin e mbuluar me pllaka betoni,hoqëm kapakun e doli skeleti komplet, i shtrire. Në fund tek mendoheshe se kishin qënë këmbët (këtë e vërtetonin kockat e gishtrinjëve) ishin dhe nje palë këpucë meshini të pa prishura. Nga poshtë shojeve kishin inicialet H.B.(për të mos u ngatërruar në burg këpucve u vendosnim nga poshtë inicalet e emrit). I vendosëm një nga një eshtrat e skeletit në arkivol.Në fshat mbërritëm me ditë. Varri qe gati por siç thonë të moshuarit , është mirë që arkivoli duhet të rrijë një natë në shtëpi. Të nesërmen me arkivolin që mbaheshe dorë më dorë hecnim të heshtur, ku përpara ecte hoxha i ardhur nga larg. U dëgjua zeri i hoxhës: Tani kapeni arkivolin e vendoseni. Xhaxha Hasani tani pushon i qetë pranë prindërve të tij, karshi shtëpisë ku lindi e u rrit. Tani kjo kullë duket e heshur e ftohte me një pamje të hidhur si të ndonjë varreze. Ky trishtim si në dimër, në ditë të acarta me thëllim e erë të fortë që futet nëpërmes dritareve apo dyerve të shqyera gojëhapur. Ashtu dhe në verë e në ditët me diell ku kanë çelur pemët me lloj lloj lulesh po të afrohesh dëgjon vetëm zhukatjen që dukej më shumë një rënkim i bletëve apo fluturave e insekte të tjera që duke fluturuar lule më lule e prishin atë vetmi e qetësi varri. Të jepet përshtypja se këtu ka kaluar ndonjë stuhi e sëmurë që ka fshirë çdo gjë duke ja lënë vendin vetmisë e shkretëtirës. Kjo shtëpi dy katëshe me dritare e xhama të mbuluar me pezhishka e disa të thyer fusin një ndriçim të turbullt. Dikur me zëra fëmijësh të cilët loznin e zhurmonin me britmat e tyre duke lojtur kuka mshefti dhe me vrap sipër gati të rëzonin njëritjetrin. Tani nuk ka asnjë zhurmë as në vapën përvëluese as në dimrin me dëborë. Aty nuk duket asnjë burrë, grua apo fëmij, çdo gjë e mbetur shkretë. Vetëm çezma me ujin e ftohtë dëgjohet që rrjedh papushim. Çatia vende vende e zbuluar ngaqë janë thyer tjegullat nga gurët e femijëve të hedhur mbi to. Po ashtu dritaret gjysëm të hapura e xhama të coptuar duket se presin dikë për tu ankuar për këtë shkatërrim. Lart mbi çati duken oxhakët e nxirë nga tymi dhe tani qëndrojnë të heshtur dhe her pas here dëgjohet shpendi që me zërin e tij duket se vajton mbi ta. Po ç’ka ndodhur mbi këtë shtëpi? Ku janë ata që jetonin brenda? Asnjë e lehur qeni nuk ka asnjë blegërimë bagëtie, asgjë nuk dëgjohet, as dhe një mjaullitje maceje. Po ata miq e shokë që dikur thërrisnin në oborrin e shtëpisë ku janë? Shkretëtirën e këtij oborri e shtojnë edhe më shumë laraskat që shpesh zbresin nga maja e oxhakëve apo çatisë me krahë hapur pa u ndjerë dhe shëtisin mbi gurët e kalldrëmit pa u trembur, siç mund të shëtisin në një varrezë të braktisur. Mbremja dhe ca më shumë nata e errët e mbulon me dëshpërim dhe trishtim këtë shtëpi. Askush nuk thotë asgje se çfarë ka ndodhur. Dikur këtu kanë jetuar 20 vetë bashkë në harmoninë e një familje të rregullt. Ashtu si të parët e tyre, burra të dëgjuar me tarafe të mëdha, zyrtarë e nëpunsa, mësuesë e deputetë, njerëz që punuan me mish e me shpirt për pavarsi e përhapjen e gjuhës shqipe. E gjithë kjo shtëpi ishte futur në rreth të kuq nga regjimi gjakatar i diktatorit. Duke pushkatur, burgosur e internuar e shkatërruar përfundimisht këtë familje. Në atë shtëpi nuk guxon të shkelë asnjë antar mbasi ndjen forcën e sigurimit të shtetit e cila la gjurmë të pashlyeshme frike dhe terrori brez pas brezi. Hysniu i cili banon në Librazhd shpesh merr rrugën për në Bërzeshtë tek shtëpia dykatëshe. Tani qëndron bosh e me dyer të kyçura. Mbasi takohet me Hamdiun, Saminë e Nazmiun bëjnë një xhiro përreth kullës, kujtojnë ditët e tmerrshme të 1976 kur më arrestuan mua e mbas 5 muajsh Vilsonin dhe në korrik arrestuan xhaxhain. 18 anëtarët e familjes i degdisën në përrenjtë e Polisit. Këta më pas nisen drejt varrezave ne juglindje të fshatit nën hijen e një zabeli ku ndrisin varret e mermerta. Kujtojnë me dhimbje Vilsonin e kontrollet e shumta të banesës nga sigurimi. E kështu, me këto kujtimet që po bëhen dita ditës thuajse të pabesueshme, kthehen në shtëpitë e tyre.