Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Riatdhesimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit – një përcjellje dinjitoze nga Nju Jorku

Të shtunën që kaloi, më 10 Nëntor, 2018, në Nju Jork, më saktësisht, në Qendrën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, u zhvillua ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit.  Ishte ky një organizim, që u bë i mundur nga një vendim, marrë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë korrikun që kaloi.  http://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-vone-por-me-mire-vone-se-kurre-kthehen-ne-atdhe-eshtrat-e-midhat-frasherit/

Qeveria shqiptare kishte vendosur që eshtrat e Midhat Frashërit, njërit prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njërit prej figurave më të dalluara të kulturës dhe letrave shqipe, të kthehen në Atdhe këtë muaj, me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe në kuadër të viti mbarëkombëtar, në kujtim të 550-vjetorit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Qeveria e Kryeministrit Edi Rama kishte marrë vendimin për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, bazuar në kërkesën e Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo” dhe kryetarit të këtij instituti, Z. Uran Butka.  Vet Z. Butka – me një delegacion nga Shqipëria, me përfaqësues nga qeveria dhe të Institutit të Studimeve Historike në Tiranë, “Lumo Skëndo”, të cilin ai e drejton -mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Qendrën “Nënë Tereza”, së bashku me shumë personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe anëtarë të familjes Frashëri. Z. Butka dhe folës të tjerë nënvizuan kontributin e madh të Mid’hat Frashërit në shumë fusha kulturore dhe politike, duke e quajtur atë shumëdimensional në aktivitetin e tij, përfshirë kontributin e madh historik si- ndër të tjera – njëri prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe si Kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip në vitin 1908, ku së bashku me At Gjergj Fishtën e të tjerë, ai mbështeti alfabetin me germa latine për shqiptarët. Organizimi i ceremonisë dhe realizimi i të gjitha miratimeve të këtij procesi nga autoritetet vendore dhe shtetërore të Shteteve të Bashkuara ishte i gjatë dhe aspak i lehtë.  Gjithë këtë aktivitet prej disa muajsh e kryesoi kryediplomatja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zonja Floreta Luli-Faber, ambasadore e Shqipërisë në Washington. Ajo u shpreh për “Zërin e Amerikës”, se realizimin e rikthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Atdhe e bënë të mundur shumë aktorë e pjesëmarrës nga komuniteti shqiptaro-amerikan, e deri tek nivelet e larta zyrtare amerikane:  “Ka qenë një punë e gjatë, ka qenë një punë bashkëpunuese me qeverinë, me institucionet amerikane, me të gjithë komunitetin shqiptar. Kemi kontaktuar një numër të madh individësh, organizatash në Nju Jork, në Uashington, në Detroit, në Boston, në mënyrë që të gjenim të gjithë informacionin e duhur për ta kthyer Mid’hatin, jo thjesht në një moment të caktuar, por ta kthenim atëherë kur festonim një nga ngjarjet më të rëndësishme, 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe menduam që kjo të ishte një nga pikat kulminante të Vitit të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.”

Ambasadorja shqiptare falënderoi të gjithë për ndihmën dhe bashkëpunimin e saj, përfshirë edhe mbesën e Mid’hat Frashërit, Zonjën Najada Petrela, e cila përshëndeti të pranishmit në emër të familjes Frashëri, ashtu siç bëri edhe Thomas Frashëri, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, njëherazi edhe kryetari i Sekretariatit për Organizimin e Vitit të Skënderbeut, i cili gjithashtu falënderoi pjesëmarrësit në këtë ceremoni në emër të qeverisë por edhe në emër të familjes Frashëri.

Mid’hat Frashëri ulur midis At Gjergj Fishtës dhe Mons. Nikoll Kaçorrit në Kongresin e Manastirit, 1908

Folësit kryesorë në ceremoninë solemne theksuan gjithashtu edhe rolin politik të Mid’hat Frashërit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, si Kryetar i Partisë Balli Kombëtar dhe si Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qendër në Nju Jork.   Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” i tha korrespondentit të “Zërit të Amerikës”, Z.Ilir Ikonomi se: “Kthimi i Mid’hat Frashërit ka rëndësi historike, jo vetëm për vlerën e tij historike dhe kulturore, por edhe për faktin se është anatemuar, është përbaltur, është quajtur kriminel, bashkëpunëtor me pushtuesit. Instituti ynë, jo vetëm që e boton veprën e tij të plotë, në 14 vëllime, por u bë edhe nismëtar për kthimin e eshtrave.   Kam qenë shumë i emocionuar mbrëmë, kur u ndodha përpara varrit të Mid’hatit, bashkëpunëtorit të ngushtë edhe të tim etj, Safet Butkës, sepse kanë qenë bashkëpunëtorë dhe luftëtarë të një ideje të madhe.” Ashtu si shumë shqiptarë, këtu dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, edhe unë e kam mirëpritur dhe e kam përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për të riatdhesuar eshtrat e Mid’hat Frashërit, një vendim, i cili më në fund do të bëhet realitet, ditën e mërkurë, më 14 Nëntor, dita kur eshtrat e tij do të prehen për gjithmonë në tokën e Shqipërisë, Shërbestar i të cilës ishte.  Pjesë e delegacionit të ardhur nga Shqipëria për të marrë pjesë në ceremoninë, që u mbajt të shtunën në Qendrën “Nënë Tereza” në Nju Jork,për rikthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Atdhe, gjendej edhe Thomas Frashëri, si përfaqësues i qeverisë shqiptare, njëherazi edhe kryetari Sekretariatit për Organizimin e Vitit të Skënderbeut, dhe pinjoll i fisit Frashëri.   “Në Tiranë do të ketë banesën e fundit një nga shtetarët e mëdhenj shqiptarë”, u tha ai të pranishmëve. “Kthehet, dhe këmbëngul këtu, jo vetëm Kryetari i Kongresit të Manastirit, por edhe shpirti i Lëvizjes nacionaliste shqiptare, Kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë dhe ideatori i Ballit Kombëtar. Kthehet publicisti, historiani, poeti, filantropi dhe albanologu, kthehet një shërbestar i Kombit”, u shpreh zyrtari shqiptar në vlerësimin e figurës shumë dimensionale të Mid’hat Frashërit, gjatë ceremonisë në Nju Jork për përcjelljen e eshtrave të tij në Atdhe.

Ambasadorja e Shqipërisë në Washington, Floreta Faber në mes, Z. Uran Butka në të majtë dhe mbesa e Mid’hat Frashërit, Najada Petrela në të djathtë të ambasadores

Unë falënderoj Ambasadën e Shqipërisë në Uashington për ftesën, për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Si shumë të tjerë, mora pjesë me kënaqësinë më të madhe dhe me shumë emocione dhe kujtime. Por, për më shumë se për veten,u ndodha aty në emër të disa bashkëkombësve të mi, dikur bashkëpunëtorë të ngushtë të Mid’hat Frashërit, “djemtë e tij” i kishte quajtur ai –të cilët nuk janë më – por që i kam njohur dhe me disa prej tyre kam pasur fatin e mirë, që në rininë time të punoja me ta tek “Zëri i Amerikës”, gjatë viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80.  Besoj se po të ishin gjallë, do kishin qenë të pranishëm aty në Qendrën “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork për të përshëndetur riatdhesimin e eshtrave të udhëheqësit të tyre shpirtëror dhe politik dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit udhëheqësit të tyre, aty në frymë shpirtërore me Nënë Terezën dhe para portretit të madh në atë sallë të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbe, në këtë 550-vjetor të vdekjes. Besoj se ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Qendrën “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” – ku morën pjesë udhëheqësit e të gjitha feve të shqiptarëve si dhe përfaqësues politikë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, pa dallim – mund të konsiderohet si e jashtëzakonshme, deri diku, për komunitetin tonë këtu.  Ndoshta është herët të thuhet nëse kjo ceremoni në Qendrën “Nënë Tereza” mund të ketë përbërë hapin e parë drejtë një pajtimi kombëtar, sado pak simbolik, në radhët e shqiptarëve këtu dhe në trojet shqiptare.  Besoj se ai vet sot, po të mund të fliste, Mid’hat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha tanimë për të“ përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtu që më fund shqiptarët të bashkëpunojnë për të zgjidhur sfidat dhe për të fituar betejat që e presin kombin për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhshëm. Ka ardhur koha që t’u themi mjaftë propagandës dhe sjelljeve anti-kombëtare që u janë bërë gjatë komunizmit dhe vazhdohet t’u bëhet patriotëve si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta! Fatkeqësisht, regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shlyer madje edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga kujtesa e historisë. Por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin!  Përveç se lutemi që riatdhesimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit të mërkurën në Tiranë, shpresojmë gjithashtu që vendimi i qeverisë shqiptare të shënojë njëherazi edhe fillimin e një rishikimi të historisë dhe rivlerësimin serioz të kontributit që kanë dhënë për Kombin e vet patriotët shqiptarë si Mid’hat Frashëri dhe At Gjergj Fishta. Është një vendim i mirëpritur për të gjithë shqiptarët vullnet mirë kudo, për të gjithë ata shqiptarë pa dallim feje, krahine ose rrymash politike, ideali i të cilëve, sipas Mid’hat Frasherit duhej të ishte,“Madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm”. Pushoftë në paqe!

Please follow and like us: