Ilir Levonja: Pas Shqiponjës ju garantoj radhën e ka Skënderbeu
Në nëntorin e vitit 2012, plot 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane, një filantrop tetovar me emrin Lazim Destani, i bën dhuratë Tiranës një shqiponjë monumentale. Plot 6 ton çelik…, një vepër që u inagurua me pjesëmarrje të gjerë politike. Kam parasysh këtu Kosovën, Malin e Zi dhe padyshim faktorin shqiptar në Maqedoni. Qe një përvjetor historik megjithëse pati dhe firot e veta, me luftën me shkumë torte etj. Por edhe një rit sa fisnik aq edhe befasues, rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës, të të ashtuquajturit delegatë, me kuaj, drejt Vlorës. Gjestit fisnik të një filantropi, i cili midis të tjerave tha se, falënderonte Zotin që i dha mundësinë të ofronte veprën e shqiponjës, simbolin e vetëm, ai që përkundër rrjedhës së kohës, personifikon unifikimin e shqiptarëve të ndarë në pesë shtete. Pikërisht kjo vepër, një pinjolli të diktaturës së proletariatit, i duket vulgare. Kjo edhe në vazhdën e asaj politike të mbrapshtë në raport me paraardhësin. Një kulturë vrastare tashmë e rrënjosur keqas në vendin tonë, e cila po lulëzon rishtas. Për më tepër me këtë revolucionarin me atlete addidas. E mirë dhe e bukur është ajo që bëj unë dhe askush tjetër. Se ta dini, sado përfitim t’i jepte Tiranës, trafikut, një a dy korsi më shumë, rrugës hyrëse për në kryeqytetin e shqiptarëve, prapë nuk justifikonte atë aktin sublim të një filantropi duke i dhënë Tiranës më shumë nga çfarë i takon. Kam parasysh këtu, dhunën, persekutimin, a shumëzimin me zero të çështjes kombëtare nga qeveritë e saja, sidomos asaj të komunistëve. Dhe pa asnjë diskutim që cilësimi dhe cenimi i këtij simboli, është një nga ato brutalizmat histerike të etërve të diktaturës kur shëmbnin kishat dhe xhamiat më 1967-ën, kur ia hiqnin të drejtën e pronësisë çdo trashëgimtari duke e transformuar atë në një pronë shtetërore. Ndaj me të drejtë shumë njerëz sot pyesin se, po monumenti i Skënderbeut, kur e ka radhën. Dhe nuk është çudi që edhe këtë vepër, ”mëndjendrituri” ynë ta quaj po aq vulgare sa shqiponjën. Megjithatë përpos tekave janë edhe ato kostot aq dërrmuese për xhepat e qytetarëve. Po kjo është edhe kosto shpirti, frymë kombëtare. Dhe nuk e di se ndihen sot në rrugët e Tetovës, Prishtinës, Podgoricës, se në Tiranë kanë hallin e një dekreti ministri dhe nacionalistëve grekë, kur kryeministri i vendit e quan vulgare atë që shekujt ia kanë konsideruar shqiptarisë, si një kancer?! Dhe nuk e di se si pajtohen shqiptarët, a opozita që mjaftohen me ca statute FB. Aq më tepër kur ky konflikt ndodh paralelisht me protestat disa ditore të qytetarëve po në rrugën hyrëse të kryeqetit, Po u marrin shtëpitë me dhunë…, pa asnjë paralajmërim me atë pretekstin e ndërtimeve pa leje. Kur dihet që informaliteti ka kapluar thuasje 99% të urbanistikës së Kandaharit shqiptar, Tiranës së smogut dhe kaosit. Dhe nga ana tjetër për ca vota të qelbura janë lëshuar lejet me fushata gju më gju me popullin, duke i parë disa me syrin e nënës dhe disa të tjerë me syrin e njerkës ligjore.
Jam i bindur se, sikur 3 a 4 projektues të ishin mbledhur, me siguri që e do ishte gjetur një zgjidhje. Dhe ndofta është gjetur. Po, problemi nuk është zgjidhja, është mendësia e rrafshimit. E mendjeve të mbushura pavarësisht vlerës monetare dhe morale që nxjerr një komb. Pavarsisht atyre shpirtrave bujarë prej filantropi, idesë së unifikimit… dështakëve u është mbushur mëndja se historia e Romës fillon dhe mbaron me ta. Kësisoj mos u çudisni kur ndonjë mëngjes të gjeni përtokë edhe monumentin e Skënderbeut.