Albspirit

Media/News/Publishing

Një libër i ri i studiuesit Qerim Vrioni

 

 

 

Para disa ditësh doli në qarkullim në libraritë e  Tiranës libri studimor “Pikëllim në një foto të vjetër” me autorësinë e studiuesit të fotografisë, Qerim Vrioni. Ky libër analizon në këndvështrim dokumentar, historik, etnografik dhe estetik foton “Gjon Pali dhe e bija”të realizuar në vitin 1913 në Shkodër nga fotografi Kolë Maca (1882-1945).

Periudha e realizmit të fotos i takon gjashtë muajve (tetor 1912-prill 1913) të Rrethimit të Shkodrës (që atëherë ndodhej nën administrimin ushtarak turk) nga ushtria e Malit të Zi. Qyteti u dorëzua në prill 1913, po vetëm për 2-3 javë sepse me ndërhyrjen e trupave ndërkombëtare, Shkodra i kaloi sërish Shqipërisë dhe në të u ngrit Flamuri Kuq e Zi.

Kjo foto është botuar sëpari në një gazetë italiane (La Domenica del Corriere”) të datës 25 maj-1 qershor 1913, në një artikull redaksional me titull: “La fine della Guerra Balcanica”, (Fundi i Luftës Ballkanike). Pak ditë më pas, në qershor 1913, fotoja u botua sërish në Itali, në ballinë dhe në brendësi të librit “L’assedio di Scutari”, (Rrethimi i Shkodrës) të gazetarit italian Gino Berri, korespondent  shtypi në Shkodër gjatë rrethimit të qytetit.

Gjatë kësaj periudhe në qytet e rrethina pati luftime të ashpra midis sulmuesve dhe mbrojtësve të qytetit me shumë të vrarë e plagosur nga të dy krahët. Njeri prej tyre, sipas shënimeve të gazetës është edhe i plagosuri që paraqitet në foto. Ai është dëmtuar rëndë në kokë e në dorë dhe pranë i qëndron e bija, ndoshta në çastet e fundit të jetës së tij, (siç e përcakton libri i Berri-t).

Autori i librit “Pikëllim në një foto të vjetër” ka hulumtuar gjatë mbi këtë foto, ai ka gjetur, ndër të tjera, emrin e të plagosurit (Gjon Pali) si dhe fshatin nga është ai (Shllak), por edhe paraqitjen e saj në 2-3 botime të tjera. Po ashtu studiuesi e analizon foton edhe nga ana estetike, duke e vendosur atë në një vend nderi në historinë e fotografisë shqiptare.

Në fund të librit autori ka paraqitur edhe një album të vogël me foto të zgjedhura nga krijimtaria e Kolë Macës që ngërthejnë gjini të ndryshme të fotografisë, një pjesë të botuara për herë të parë. Libri dallohet edhe për gjuhë të pastër e të pasur shqipe dhe është botim i Shtëpisë Botuese EMAL.

Bashkëpuntorë të afërt të autorit për librin janë: konsulent është Dr.Zef Paci, redaktor është shkrimtari Pandeli Koçi, ndërsa ballina u realizua nga Dr.Shpend Bengu.

Ky është libri i katërt i këtij studiuesi, pas “Fotografia-një grusht diell” (2005), “150 vjet Fotografi Shqiptare”(2009) dhe “Fjalor i Fotografisë“(2013).

 

 

Please follow and like us: