Albspirit

Media/News/Publishing

Ermal Mulosmani: Kërkohet një Kryeministër për Kadriun

 

Pak ditë më parë e pashë Kryeministrin në një autovideo…Kishte konstatuar një zënkë krejt të rëndomtë mes dy personave në FB, ku njëri e mbronte e tjetri e shante Rilindjen. Ishte situate perfekte për ndërhyrjen e tij. Sidomos nga emri i sharësit të Rilindjes, Kadriut!

Përpara se të merrem me këtë cështje, duhet të kthehem pak kohë mbrapa. Kryeministri ynë është një gaztor i madh. Më ka qëlluar të jem, rrallëherë, nëpër ambiente ku ka qenë edhe ai, të kem dëgjuar batuta të tij e të jem gajasur edhe vetë. Cilësia më e poshtër e batutave të tij është poshtërimi i bashkëfolësit. Mund të qëllojë shoku i tij më i ngushtë por edhe roja i Kryeministrisë, nuk ka rëndësi. Ai vdes të rrethohet nga viktima. Mundësisht me publik. Cilësia më e dobët e batutave të tij është formalizmi. Vini re, ka arritur të ketë sukses duke poshtëruar me fjalë të huazuara nga turqishtja si kazan, ball kazani, tepsi, sahan, mexhlis etj etj. Pra, duke gjetur një cilësor kaq démodé, arrin të marrë vëmendjen e njerëzve të etur për batuta.

Në këtë kontekst, po përpiqem të spjegoj se nuk ishte e rëndësishme ajo çfarë thoshte Kadriu. Absolutisht jo! As ajo që thoshte kundërshtarja e Kadriut, përkrahësja e Rilindjes. E rëndësishme është që sharësi e kishte emrin Kadri, ndërsa rilindësja e kishte Domenika! Ja kjo ishte gjëja më e rëndësishme!

Dhe pasi e mori këtë “kryeargument”, ai iu fut asaj që më së miri di të bëjë! Një gojështhurësi me kryefjalë Kadriun, kadrizmin, kadrinjtë dhe çdo lloj zgjedhimi të fjalës ‘kadri’ deri sa e quan Kadriun edhe “rrotë kadri”. Pra, jo “rrotë kadriu” por “rrotë kadri”.
E përqas emrin e Kadriut me gazetarë opozitarë që, edhe aty thekson emrat Nikollë dhe Qimi me një zgërdhirje karakteristike e denjë për një rrugaç lagjeje.

Ndërkohë, merr në mbrojtje të dlirën Domenikë, rilindasen që nuk duhet të ndikohet nga kadrinjtë. Ja kaq ishte. Kadriu është opozita, Domenika është Rilindja. Kaq i madh është dallimi!

Meqë i hyra kësaj pune, po e vazhdoj edhe pak. Besoj shumicës prej nesh na ka rënë rasti të shohim ceremonitë e pështira që zhvillohen në mes fshatrave me karrike ku Kryeministri ndan tapitë e tokave të uzurpuara pa leje. Ai i thërret emrin e fshatarit dhe, sapo gjen ndonjë emër siç don ai, fillon batutat: “Hajde këtu hajde se qenke me PD-në ti. Dukesh që nga larg”. Dhe gajaset shpura kryeministore me batutën krejt pa kripë.
Kur hapet plani shihet një burrë i shkurtër, me mustaqe por edhe i parruar, me flokë të rëna, me bluzë të shqyer e të palarë, me pantallona si bojaxhi që buzëqesh i tensionuar dhe na jep të shohim edhe dy dhëmbët e vetëm që i kanë mbetur. Mundësisht është edhe i pirë. Në përgjithësi nga veriu!

Kjo është PD-ja! – duket sikur thotë Kryeministri.

Unë nuk e kuptoj sesi dikush nga opozita nuk e ka denoncuar këtë racizëm të bërë botërisht ndaj saj. Nëse kjo çështje do shkonte në Gjykatë… Oh, më falni, harrova se gjykatat…

Jam i trishtuar. Ky Kryeministër duhet të kuptojë që është edhe Kryeministër i Kadriut, Sadriut, Bedriut. Jo vetëm i Domenikës, Desantilës, Desdemonës. Këta jemi ne, zoti Kryeministër.

Ose ndaje Shqipërinë dhe jepu edhe kadrinjve një Kryeministër. Nuk janë pak kadrinjtë. Që të mos bëhesh pis zotrote.

Harrova të them.

Kadriu e kishte mbiemrin Veseli.

Please follow and like us: