Gjukanoviq: Bisedimet për territore, me efekt domino për rajonin
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, konsideron se përparimi në gjithë Ballkanin Perëndimor është i rrezikuar dhe se “nervozizëm të veçantë” krijojnë, sipas tij, negociatat e reja midis presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për gazetën franceze Le Figaro, Gjukanoviq thotë se shkëmbimi eventual i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është një risi e plotë, andaj, shton ai, duhet pasur kujdes që të mos krijohet ndonjë precedent që do të nxiste efektin domino në rajon.
“Kjo temë për kohë të gjatë ka qenë tabu, sepse na i ka kujtuar përvojat e këqija nga vitet ’90. Pas përfundimit të luftërave, në rajon është folur më shumë për multikulturalizmin dhe demokracinë multientike. Është e vërtetë që disa kryeqytete perëndimore e kanë ndryshuar mendjen e tyre”, thotë Gjukanoviq.
Ai e sheh si kërcënim për Ballkanin edhe përkeqësimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kroacisë.
“Kam frikë se një zhvillim i tillë i situatës u hap rrugë mbështetësve të ‘Serbisë së madhe’. Disa prej tyre përsëri kanë nisur të vënë në dyshim pavarësinë e Malit të Zi, duke pretenduar se Serbia ka të drejtë natyrore mbi Malin e Zi. Kjo retorikë është e rrezikshme në kohë të paqëndrueshmërisë, gjë që është dëshmuar edhe në vitet ’90”, thotë Gjukanoviq.
Ideja për shkëmbim territoresh është proklamuar nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis dy vendeve.
Ajo ka hasur në reagime për dhe kundër në Kosovë dhe Serbi, por edhe te komuniteti ndërkombëtar.