Kleves Bitro: Veliaj, metamorfoza e një “Mjaftisti” në “Bunkerist”
Ajo që po ndodh sot me banorët e “Astirit” dhe mënyrën si po sillet Erion Veliaj me ta është shumë normale, nëse shohim pak në retrospektivë si është sjellë lloji i tipit të njeriut që për herë të parë në jetën e vet firmosi bordero pune si Ministër e tani si Kryebashkiak me kategorinë e qytetarëve të zonave pak më larg ish-Bllokut nga rrjedh gjaku i kuq i gjoja rilindasve të sotëm. Kujtoni se si menjëherë pasi Veliaj u votua për kryebashkiak, Kamza dhe Paskuqani ishin zonat e para të hakmarrjes së tij. Të gjithë duhet të kujtojnë se si “Burri i Xhemiles” ishte kthyer në një personazh joserioz dhe qesharak për denoncimet e tij në Prokurori me justifikimin e gjoja dhënies së ndihmës ekonomike në mënyrë abuzive në shumë njësi vendore.
Veliaj vazhdoi për shumë kohë fushatën hakmarrëse politike që Rama kishte ndërmarrë ndaj kryebashkiakut të Kamzës. Në ndihmë të Ramës dhe Veliajt në atë kohë ishte edhe sekti i spiunëve të “Top Channel” që kishte stisur skenarin e paligjshmërisë. Ishte një sjellje e turpshme në fakt e Ramës me Xhelal Mziun dhe banorët e Kamzës. Shumë prej qytetarëve të Kamzës janë paguar me dhjetë mijë lekë apo njëzet mijë lekë të vjetra në muaj nga fondi i ndihmës ekonomike. Tashmë varfërisë së tyre i është shtuar edhe telashi i përballjes me hakmarrjen politike të Ramës dhe Erion Velisë. Këta qytetarë me paratë e ndihmës ekonomike do të duhet të paguajnë prokurorët që të mos gjejnë belanë me varfërinë e tyre.
Ministri Veliaj në atë kohë, para se të bëhej kryebashkiak pohonte se shumë qytetarë të Kamzës, me mijëra prej tyre, kanë përfituar në mënyrë të padrejtë ndihmën ekonomike. Ndërkaq nuk u bë kurrë publike as lista dhe as shumat e përfituara padrejtësisht nga çdo banor dhe as përbërja e tyre familjare apo kushtet specifike që janë shkelur. Është hera e parë në fakt që u dënuan publikisht e masivisht njerëz që të vetmin krim që kanë bërë është se i janë drejtuar bashkisë së tyre për ndihmë. Nëse kjo nuk ishte një marrëzi, atëherë kemi të bëjmë me siguri me një ndjenjë hakmarrjeje ndaj një popullsie dhe një kryetari që ka votuar tradicionalisht të djathtën. Flasim për një popullsi me shumë probleme me legalizimet, me kushtet e punësimit, me arsimin, me strehimin dhe shumë probleme të tjera të mprehta sociale.
Kalojmë tek një episod tjetër që ndoshta e keni harruar, kur në një fshat kufitar të zonës së Devollit me Greqinë, ku dy kryefamiljarë u vranë në rrethana të dyshimta me argumentimin e palës helene se ishin trafikantë dhe qëlluan policinë brenda kufirit grek me armë dhe kështu u mbyll historia e trishtë e atyre njerëzve. Në atë kohë, Erion Veliaj, Ministër i të papunëve nuk dërgoi asnjë specialist të shërbimit social.
Heshtje tallëse dhe ironi për ata njerëz që kanë votuar rilindasit që t’i shpëtojnë nga varfëria dhe vdekja. Askush nuk u kujtua nga Ministria e Veliajt që të shkonte e t’u tregonte këtyre familjeve të varfëra dhe që ishin dhe janë në prag të rrënimit pas vdekjes së meshkujve që ushqenin fëmijët dhe gratë se meritojnë ndonjë ndihmë a ndonjë fond për të mbijetuar.
Askush nga shteti nuk u interesua që viktimat të respektoheshin gjatë rrugës deri në shtëpitë e tyre, askush nuk flet për ndonjë lek që duhet të kishin këta njerëz për t’i varrosur të paktën. Ministria e Erion Velisë kishte detyrimin ligjor që në situata të tilla të ndihmonte financiarisht familjet. Ai mbante përgjegjësi për lehtësimin social të dhimbjes së familjeve që humbën burrat e shtëpisë në kufirin me Greqinë. Dhe deri më sot askush nuk denjoi të merrej me atë se cfarë ndodhi përgjatë vijës kufitare ku faktet e fundit nxjerrin në pah mundësinë që viktimat të kenë qenë brenda territorit shqiptar kur janë vrarë.
Kjo tallje me varfërinë dhe pamundësinë e shqiptarëve për të reaguar kundrejt atyre që i votuan për t’i qeverisur më mirë, ka kaluar kufijtë e imagjinatës. Qytetarët në atë fshat të varfër kufitar të zonës së Devollit apo kudo që janë presin ndëshkimin e kobshëm të vdekjes në çdo veprim që bëjnë. Ata nuk ka kush t’i mbrojë, vdekjen nuk e parandalon askush nga qeveritarët, shkaqet që cojnë tek ajo nuk u intresojnë as Veliajt dhe as Ramës.
Episodi i tretë, Veliaj denoncoi në Prokurori rreth 650 qytetarë të Paskuqanit si përfitues të padrejtë të ndihmës sociale pas denoncimeve në bashkinë e Kamzës. Për herë të parë pamë denoncim masiv për qytetarët e thjeshtë. Dhe Ministria e të papunëve në atë kohë në vend që të merrej me lehtësimin e këtyre kushteve, u shton varfërisë ekstreme të banorëve edhe ndëshkimin kolektiv. Në komunën e Paskuqanit edhe energjia elektrike është klandestine dhe nuk ka një statistikë të saktë mbi numrin e familjeve që marrin ushqime me lista apo vlerën monetare të përgjithshme që banorët kanë borxh tek bashkëqytetarët e tyre.
Episodi i katërt.
Veliaj duhej të kthehej në vëmendjen e opinionit publik si mbrojtës i të varfërve dhe të pamundurve, por sa herë e bën shfaqet si zhbërës real i kësaj vlere. Nëse ndokush do të nxirrte statistikat e vdekjeve të puntorëve të minierës, ka me dhjetëra raste të vdekjes së minatorëve, pavarësisht se zotimi i mashtruesve serialël (siç rezulton tani) ishte se do të mbronin jetët e puntorëve të nëntokës. Dhe për të bërë sa më shumë propogandë bajate se kishte qenë qeveria e Sali Berishës që nuk ishte kujdesur për minatorët dhe se “rilindasit” do të prishnin të gjitha konçensionet e mëparshme si fajtore për gjendjen, nuk lanë ditë pa u mburrur se do ndryshonin gjithshka.
Fakti është se siguria në miniera është njësoj e keqe dhe se gjendja e papunësisë skandaloze në sektorin minerar. Dhe që minatorët të mos kenë dyshime për mashtrimet pa kufi të “rilindasve” të mjerimit u kujtojmë se Veliaj dhe Rama nuk kishin kohë të merreshin me ta, sepse ishin të zënë me aferën qindramilionëshe me sfond vizitën e Papës në Shqipëri. Për arsye korruptive në Shqipëri për shumë kohë nuk funskionon sistemi on-line i prokurimeve publike, ndërsa metoda e jashtëligjshme e prokurimit të drejtpërdrejtë u bë dhe është bërë instrumenti kryesor i kthimit të Edi Ramës në bashkëpronar të të gjitha firmave që marrin pjesë nga fondet publike. Është e njëjta skemë me lejet e ndërtimit kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, por tani në vend të ndërtimeve përdor shërbimet e ngjarjeve të ndryshme që organizon qeveria. E ndërsa në korridoret e Kryeministrisë ndahen paratë e fitimit, në galeritë e Munellës, edhe një minator më shumë, kryefamiljar, që kishte në kurriz ushqyerjen e të gjithë familjes humbi jetën për shkak të mungesës së sigurisë në punë.
Vdekja, e disata gjatë kësaj kohe të qeverisjes së të majtëve, nxjerr lakuriq propogandën e pështirë të “Velinës së Ramës” për garantimin e jetës të minatorëve dhe përmirësimin kushteve të tyre të punës me ardhjen në pushtet të të majtëve. Por e vërteta është se Veliaj ishte pjesë e kabinetit të papërgjeshëm të Ramës që del vetëm në televizor dhe nuk di të bëjë gjë tjetër ndaj edhe vdekjet e njerëzve të thjeshtë i përndjekin ministrat e majtë. Saimir Tahirin me dhjetëra të vrarë nga tritolet, dhjetëra të ekzekutuar nga killerat, qindra të vrarë nga aksidentet e me radhë. Ramën e përndjekin vdekjet e miqve të tij si Artan Santo, ndërsa Veliajn vdekjet e minatorëve të Munellës në Pukë, apo në Bulqizë, të cilëve u premtoi se do kujdesej për jetën e tyre përmes standarteve të sigurisë dhe shëndetit në punë. Mashtrime kaq flagrante nuk i gjen as në historitë e supermashtruesve që kanë lënë gjurmët e tyre në zhvillimin shoqëror.
Episodi i pestë me mashtrimet e Veliajt me fëmijët, me emigrantët dhe punësimin. Pavarësisht se vëmendja e opinionit publik në Shqipëri vazhdon të jetë e gllabëruar nga skandale të njëpasnjëshme të qeverisë, nuk duhet të harrojmë se si Erion Veliaj, ia ka dalë që të mashtrojë sërish shqiptarët me çështjet sociale. Kujtoni se çfarë u tha emigrantëve shqiptarë kur ai vizitoi Italinë duke propoganduar se ishte atje për të zgjidhur çështjen e njohjes së kontributeve shoqërore për shqiptarët që jetojën e punojnë në Itali. Ky pretendim është fals, sepse pala italiane prej kohësh, që në qeverisjen e demokratëve, ka konfirmuar njohjen e periudhës kontributive të emigrantëve shqiptarë dhe për këtë ka marrëveshje konkrete. Ajo që pala italiane nuk ka pranuar atëherë dhe nuk ka pranuar as tani pas vizitës së famshme të ish- Ministrit Veliaj është njohja e kontributeve shëndetësore të emigrantëve tanë atje për arsye komplekse të brendshme të shtetit italian që kryesisht lidhen edhe me kostot financiare që do rëndonin mbi Italinë në rast të kësaj njohjeje. Dihet që kostoja e shërbimeve shëndetësore në Itali është shumë më e lartë se kostoja e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri dhe pala italiane këtë e ka theksuar qartë edhe në vizitën e fundit që Veliaj ka bërë në Itali.
Pavarësisht propogandës së tij pa kuptim, italianët e kanë refuzuar formulën e bashkimit të njohjes së sigurimeve shëndetësore nga paketa e njohjes së periudhave kontributive për efekt pensioni të emigrantëve shqiptarë. Gjendja më e rëndë është edhe me Greqinë ku Veliaj nuk ka pati asnjë takim me homologun e tij grek të Punës që për më tepër ishte edhe përfaqësues i “PASOK”-ut në atë kohë në koalicionin mes ‘Nea Demokracisë’ dhe të majtëve në ekzekutivin grek. Greqia nuk ka pranuar që të njohë as periudhat kontributive të sigurimeve shoqërore dhe për këtë shkak sot nuk kemi asnjë fitore për qeverinë shqiptare për sa i përket shërbimit të qytetarëve tanë që me shumicë gjenden në Greqi dhe Itali. Kjo është panorama e pamundur për Veliajn që sido që të dojë të zbukurojë realitetin ai është evident dhe e vuajnë në kurriz qytetarët shqiptarë.
Për sa i përket çështjes së fëmijëve të rrugës dhe masat që duhet të marrë qeveria për të eleminuar fenomenin, Veliaj nuk ka bërë asnjë përparim dhe asnjë punë, madje nuk ka rregjistruar asnjë aksion konkret për të larguar fëmijët e rrugës.
Ndërsa për çështjen e punësimit nuk duhet shumë investigim që të kuptosh se qeveria ka dështuar tërësisht të kthejë zyrat e punës të lyera nga e para në pik-takim të zgjidhjes së problemit të papunësisë duke nxjerrë shumë shpejt jashtë loje cdo lloj përpjekje propogandistike për të paraqitur hapjen e zyrave të punës si vende që do të zgjidhnin problemin e papunësisë. Por të gjitha këto tashmë nuk bëjnë më përshtypje pasi nga moment që ekzekutivi gjendet nën akuzë për bashkëpunim me narkotrafikun ndërkombëtar, askush nuk do të besojë se Veliaj kishte dhe ka ndonjë shans për të qenë administrator i vërtetë i situatës së mjerueshme ekonomiko-sociale që po përjeton Tirana dhe vendi.
E gjithë ecuria e Veliajt që nga dasma me paratë e nënës dhe deri tek përdorimi i kështjellave për t’u mburrur para të pamundurve dhe të varfërve të këtij vendi nuk mund të kishin kuptim tjetër për ata njerëz të dëshpëruar tashmë të zonës së ‘Astirit’ që jo vetëm i kanë kënduar nëpër fushata, por edhe e kanë votuar me shpresën se diçka e re mund të ishte më e vlefshme se diçka e vjetër. Por sigurisht që banorët e ‘Astirit’ as e kanë patur kohën dhe as mundësinë që ta shihnin Veliajn siç është në të vërtetë, sepse propaganda e njeriut të “Mjaft” që gjoja i dhimbseshin fëmijët romë që sëmureshin paçka se ata lypin ende rrugëve të administruara nga Erioni dhe për të cilët nuk ka zgjidhje, ka mashtruar burra e gra më të ngeshëm e më të lexuar se ata luftëtarë të nxjerrjes së bukës së përditshme. Ndaj sot Erioni nuk është asgjë më shumë se karikatura e “burrit të Xhemiles” që veshur me fustan të bardhë para Kryeministrisë së Nanos i nxitur nga Rama për t’i marrë partinë Fatosit, po jeton metamorfozën e njeriut llafeshumë të pushtetshëm që nuk ka rrugë tjetër veçse të braktisë imazhin e të pafajshmit të fiqve e të mbyllet brenda bunkerit bashkiak duke u bërë mazokisti me kamxhik që fshikullon pa mëshirë qytetarët që e votuan me ndëshkime “shembullore”, me asgjësimin e strehës familjare dhe të dinjitetit njerëzor.