Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Mirëserdhe, Mid’hat Bej Frashëri!

Në ditën e kthimit të eshtrave në atdhe

 

Kishim vite që të prisnim Mid’hat Bej. Ishim ne, nacionalistët që të prisnim. Nuk kishim luftuar duke thirrur emrin tënd. Nuk kishim rënë nën emrin tënd. Po të pranonim këtë do të ishim servilë dhe hipokritë, si komunistët, që çdo gjë e bënin për udhëheqësin e tyre, duke harruar atdheun Ne luftuam dhe ramë për Shqipërinë, për atdheun tonë të shtrenjtë. Natyrisht ti ishe një nga inspiratorët e saj dhe na pranove kështu siç ishim.
Mirëserdhe Mitd’hat Bej!
Ti erdhe përsëri në atdhe. Shumë u munduan të të pengonin. Shumë u munduan të të diskriminonin. Dhe jo pak, por për mbi gjashtëdhjetë vjet. Megjithatë nuk ia arritën. Ti u lartësove si një Promete, ndarsa ata u fundosën në llumin që kishin përgatitur vetë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Një jetë e tërë në shërbim të kombit nuk mund të hidhej poshtë me një të rënë të lapsit. Këtë u munduan të bëjnë pseudohistorianët servilë, por nuk mundën ta realizojnë. Ti i shpërtheve dyert e errësirës komuniste dhe dole në dritën e demokracisë, asaj demokracie së cilës i kishe kushtuar jetën.
Mirëserdhe Mid’hat Bej!
Ti nuk je më midis nesh që të na këshillosh me fjalën tënde të ëmbël. Por ne e ndiejmë zërin tënd të ngrohtë E kemi ndier këtë zë shumë shpejt, vite më parë, në Kongresin e Manastirit, ku ishe kryetar i tij. E kemi ndier në vitet e Shpalljes së Pavarësisë, ku zëri yt ishte dominues mbi të tjerët dhe ku nuk pranoje të bëje kompromis me idealet. E kemi ndier në vitet e republikës dhe mbretërisë shqiptare ku zëri yt ishte violina e parë e politikës shqiptare. E kemi ndier më 4 prill 1929 kur, si asnjë nga burrat e tjerë të këtij vendi, hartoje testamentin me anën e të cilit gjithë pasurinë tënde ia lije shtetit shqiptar, për të ngritur një institucion albanologjik në Tiranë, ashtu si dikur ati yt i nderuar që shiti pasurinë për të shkuar në Berlin, ku do të mbronte të drejtat e kombit shqiptar. Por në një shkallë më të lartë e ndiem zërin tënd në vitet e pushtimit nazi-fashist, kur që në ditët e para të tij ishe ti dhe shokët e tu ata që do të hartonin programin e asaj lëvizjeje të madhe nacionaliste, që më vonë do të merrte emrin “Balli Kombëtar”. Ti ishe me të vërtetë balli i këtij kombi.
Mirëserdhe Mid’hat Bej!
Kemi njëzetetë vite që të presim. Kemi njëzetetë vite që presim që në tekstet shkollore të shkruhet emri yt ashtu siç i takon, që fëmijtë tanë të mos helmohen më me propagandën e vjetër, por të mësojnë të vërtetën për ty dhe idealet e tua. Ti u ktheve, por unë e ndiej se nuk je kthyer plotësisht. Do të doja të ishe në çdo qytet të Shqipërisë. Do të doja të të shikoja nëpër libra dhe gazeta, nëpër radio dhe televizione. Por vendin tënd e kanë zënë ata që zhytën këtë vend në errësirën mesjetare. Do të doja të të shikoja të përjetësoheshe në përmendore në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Do të doja që emrin tënd ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit.
Por edhe sot, i nderuar martir i lirisë, nëpër shkollat tona ende vazhdon trajtimi i çështjeve kombëtare nën frymën e “njeriut të ri” të socializmit. Lexoj historinë e Shqipërisë për shkollën e mesme të profilizuar, profili shoqëror, botim i vitit 2006, me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shkruar nga një numër i madh “historianësh të dëgjuar” me tituj profesor doktor dhe mendoj se me çfarë propagande po helmohen ende fëmijtë tanë në këto ditë demokracie .
Le t’i analizojmë me rradhë.
Kapitulli 10, shkruar nga Prof. Dr. Gazmend Shpuza, nënkapitulli 10.2, pika 2, Kongresi i Manastirit, emri yt figuron vetëm një herë, si një pjesmarrës i zakonshëm dhe jo si organizator dhe kryetar i tij. Nënkapitulli 10.6, pika 3, Kuvendi i Vlorës, në tre paragrafe të tij emri yt nuk figuron fare, duke harruar që ke qenë një nga figurat qëndrore, firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe Ministër i Botores.
Kapitulli 11, shkruar nga Prof, Dr. Fatmira Rama, nënkapitulli 11.1. Në të gjithë këtë nënkapitull të emërtuar “Shteti i pavarur shqiptar dhe Qeveria e Vlorës”, përsëri emri yt mungon. Mungon gjithashtu edhe fotografia tënde, në një kohë që aty janë fotografitë e shumë burrave të tjerë të shquar të këtij kombi. Kjo më kujton periudhën e diktaturës kur falsifikatorët e historisë i fshinin emrat tuaj nga Deklarata e Pavarësisë. Mos vallë kjo po përsëritet edhe sot në një formë më të kamufluar.
Kapitulli 12, përsëri nga zonja Fatmira Rama, nënkapitulli 12.3, pika 3, Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris, emri yt si pjesëmarrës i delegacionit shqiptar përsëri mungon. Përse? Le të përgjigjet zonja Rama.
Kapitulli 14, e njëjta hisoriane. Nënkapitulli 14.8 “Arsimi dhe kultura”, pika 2 “Shtypi, letërsia, artet”, përmenden shumë krijues, të vjetër dhe të rinj, kurse emri yt jo. Përmenden shumë gazeta dhe revista por gazetat që botoje ti “Liria” dhe “Dituria” jo. As edhe libraria jote e njohur “Lumo Skëndo” nuk përmendet fare. Përse? Le të përgjigjet përsëri “historiania” Të kthehemi tani në periudhën e luftës për çlirim nga okupatorët nazi-fashistë. Kapitulli 16, nga Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi. Nënkapitulli 16.3 “Balli Kombëtar dhe programi i tij”. Ja çfarë shkruhet në të:

Një fraksion ballistësh mendonte, se roli i PKSH mund të asgjësohej nga skena politike vetëm nëqoftëse nacionalistët liberalë që bënin pjesë në BK, do të zhvillonin një luftë çlirimtare më dinamike se komunistët. Mirpo në gjirin e BK triumfoi platforma e shumicës e kryesuar nga Mid’hat Frashëri, e cila ngulte këmbë që balli, hë për hë, të mos angazhohej në luftë të armatosur kundër okupatorit pasi, sipas tyre, ne nuk jemi në gjendje të përballemi me fuqitë e tij ushtarake dhe lufta në këto kushte do t’i sillte vendit dëme e shkatërrime të pallogaritshme.

Kështu shkruante “historiani i shquar”, i nderuar Mid’hat! Ai bën sikur harron se, deri në Konferencën e Mukjes, forcat e Ballit Kombëtar dhe ato të Frontit Nacionalçlirimtar disa nga betejat kryesore i kanë bërë së bashku. Harron Gjormin, Selenicën, Drashovicën, Mogilën, Miricën, Krujën dhe Matin. Mbi të gjitha harron Termopilen shqiptare, betejën e Grehotit, ku ranë heroikisht tridhjetegjashtë trima me në krye komandantin legjendar Hysni Lepenica, betejë të cilën as që e përmend fare në tekstin e historisë. Harron edhe Konferencën e Mukjes. Si ka mundësi, o “historian i shquar” që komunistët pranuan të bisedonin me nacionalistët, madje edhe pranuan termin e hedhur prej tyre të Shqipërisë Etnike, kur ata nuk kishin luftuar?
Edhe tani, kur me inisiativën e Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” dhe personalisht zotërinjve Uran Butka dhe Agron Shehaj, si dhe vendimin e qeverisë për kthimin e eshtrave tuaja të shenjta në atdhe, zërat e korbave të zinj nuk kanë lënë faqe të shtypit të shkruar dhe atij viziv pa përdorur për të errësuar gjenialitetin e figurës tënde të pa arritshme. Këto zëra më sjellin ndër mend vargjet e pavdekshme të Imzot Fan Noli kur shkruante:

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Mirëserdhe Mid’hat Bej Frashëri!

Please follow and like us: