Poezi nga Dijana Toska
Vetëm edhe një?
***
E ndiej, e di, si një e një që bajnë dy
në copëza të imëta ka me u nda rrugica
veç edhe një hap me e ba.
Si nëpër qelq të bluar, takash përgjakur
ta bëj edhe një hap? – E pyes vehten.
Vetëm edhe një?
Rruazat e jetës
Një fije liri e mbusha me rruaza
secila e ka shenjën e vet, kuptimin e vet;
një ngjarje e madhe është çdonjëra.
I radhita në një perishane të larme
edhe ca margaritarë në mes rruazash i vura
kalova gishtërinjtë nëpër gurët e quajtur jetë
fillova të lutem duke i numëruar kujtimet dhe dështimet,
ëndrrat dhe premtimet.
M’u dukën shumë, pafundësisht shumë
pastaj m’u dukën pak, shumë pak
vite drite,
që sapo mbërrijnë, parakalojnë
dhe ikin, me ngut.
Shenjërake janë krejt pak,
ca të tjera si bimë kacavarëse që zgjaten
ndër bisht fjalësh.
Me nuanca ylberi e me nijet të dëlirë i spërkata,
secilës i fola sikur zemrës, nga një fjalë të veçantë.
Lëre, nuk dua t’i numëroj vitet, veç i dua në varg
mos të shkapërderdhet kuptimi
sikur rruazat në pe, sikur gjerdani rreth qafe;
një vit, një margaritar.
Kur të bëhem zonjë e rëndë
e sqaqur nga vitet
dijeni, kam me shkëlqye si dielli.
Pe i fortë jeta me rruaza plot
tel kitare që drithëron melodinë e jetës, buzëve të mija.
Shprehi e keqe me i mbajt rruazat në buzë
e me këndue
t’paça dashtë përjetë.
Kur të mbetem pa asnjë trohë frymë
e peri i gjerdanit të më këputet mes dhëmbësh,
rruazat le të rrokullisen teposhtë, derisa t’i përfshijë dielli
e shkëlqimi i tyre, me u bë dritë, përsëri.