Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Më shumë se Interpoli, na duhet dinjiteti i shtetit tonë

Më shumë se Interpoli, na duhet dinjiteti i shtetit tonë, mbi të gjitha, na duhet t’i dëgjojmë qytetarët e saj tek thonë: lum unë për vendin tim, dhe jo të kundërtën, siç dëgjojmë përditë kukama e ofshama.
Prandaj, lini kukurisjet e gulçet, Kosova, problemin më të madhe e ka me dinjitetin e vet si shtet, e të cilin, askush s’e konteston e dëmton më shumë se marrëzitë e çoroditjet tona të brendshme, të cilat nuk janë veç politike, siç tentohet të shpjegohen, por të shumëfishta e të shtresuara në krejt organizmin shoqëror.
Po, marrëzitë tona gëlojnë përditë dhe ato e kanë shëmtuar imazhin tonë.
Prandaj, mos të bëhemi shtiracak, të kukasim, por të këndellemi dhe t’i dëgjojmë mesazhet që na jep bota.
Askush s’ka durim të na pres derisa të burrërohemi. Nëse ndonjëherë do të ndodhë një gjë e tillë!? Foshnjëria jonë politike, tanimë ka tejkaluar gjitha limitet dhe është rrezik të bëhet kronike.
Me politikanë inferior, të paditur, me diplomaci sharlatane, ne, sa herë dalim në botë, i bëjmë dëm shtetit të Kosovës. Sepse, një pjesë e botës, ende vazhdon t’i ruajë ca imazhe të bukura të Kosovës, kur kishim prijës të zotë e të urtë. Prandaj, në vend të lobimeve, që në fakt janë kundërlobime, ne duhet të pastrojmë oborrin tonë, të ndotur moralisht dhe politikisht, ku s’e njeh qeni të zonë e ku u thurim lavde marrëzive të pafund.
Përsa kohë nuk vetëdijesohemi për këto, do të vazhdojmë t’i korrim frutet e asaj që kemi mbjellë. Dhe, përsa kohë të kemi në ballë politikanë që bartin mendësi primitive në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare, jam i bindur se, të tillët, më shumë i bëjnë dëm vendit, atëherë kur ulën në tryeza politike dhe bisedojnë me homologë tjerë për Kosovën, sesa kur rrinë në Prishtinë, pa bërë asgjë.
Po, ne e kemi ulë dinjitetin e shtetit tonë deri në një zero, prandaj, nuk duhet të presim t’na trajtojnë të tjerët më mirë seç e trajtojmë ne vetveten.
Dhe, akti i refuzimit të Kosovës për t’u bërë anëtar i Interpolit, duhet shërbejë si leksion përfundimtar, që të ulemi dhe ta thërrasim arsyen. Dhe ta kuptojmë se, shoqërisë sonë të trullosur, pa ideale, pa ide politike kreative, më shumë se Interpoli, i duhet dinjiteti. E, atë s’mund të na jep askush. Më së paku këta sharlatanë të politikës, me të cilët, siç do të qesëndisej shkrimtari i madh Kadare, mund të bësh një pashallëk, por kurrë jo një shtet modern e perëndimor.
Faik Konica, i ditur, duke i parë çoroditjet shqiptare, qëmoti shkruante fenomenin e uljes së dinjitetit te shtetit më të vogël se një zero dhe shkruante:
“… Se i huaji s’mund veçse të pranojë çmimin që një komb i vë vetes së tij; dhe kur vendësit e Shqipërisë, në gojën e Levantinëve (të cilët janë ata që piqen më tepër me të huajt) e vënë çmimin e tyre më të unjur se një zero, qysh mund të huajt ta vënë më lart…?”
( “Shqiperia si mu duk”, 1929)
Kosova, e këputur nga rrjedhat normale të qytetërimit, e zhytur në pellgun e padijes e të injorancës, me një mal problemesh të brendshme, e fragmentuar, me varfëri të madhe, me institucione të dijes e shoqëri civile të çoroditur, me politikanë mediokër, nuk mund të pret asgjë më shumë sesa refuzim, siç ndodhi sot me dështimin për t’u bërë anëtar të Interpolit, dhe, siç do të ndodhë nesër, me ndonjë pritje tjetër.

Please follow and like us: