Sonila Meço i rikthehet ekranit
Gazetarja Sonila Meço rikthehet përfundimisht në ekran pas një periudhe të gjatë tërheqjeje nga televizioni por kurrsesi nga profesioni i saj dhe kontakti me publikun. Meço është bërë zyrtarisht pjesë e Ora News dhe tashmë do të drejtojë një program të vetin javor në këtë televizion. Lajmin e jep vetë gazetarja, bashkë me një reflektim për atë që ajo e cilëson si “mision të panegociueshëm”.
Postimi i plote
Jeta nuk ka duar, por nuk t’i kursen shpullat. Dhe ti duhet të jesh aty, t’i marrësh, t’u rezistosh, t’u kthehesh kur nuk e ka mendjen e ta surprizosh.
Tre vjet më parë, të provoja në transmetim direkt mbylljen e sinjalit të televizionit, që ngritëm vrrullshëm për të kumtuar këndej e andej Adriatikut Shqipërinë e vërtetë, qe më shumë se një shuplakë. Sepse nuk humba unë e 400 vetë një vend pune, humbi publiku një aset informimi, humbi Shqipëria një mundësi të artë promovimi ndërkombëtar.
Dhe qe i kthjellët vendimi, që personalisht mora për të qëndruar një periudhë kohe në distancën më të shëndetshme me median, duke e vrojtuar së jashtmi, si publik, duke i lejuar vetes pak frymëmarrje pas një aritmie të fortë betejash të padrejta, për të lejuar më shumë oksigjen në gjykimin e rrethanave e për t’ju përkushtuar disa angazhimeve që më lejonin më shumë kohë dedikuar familjes.
Edhe po tē kthehem pas në kohë mendoj se do kisha vepruar ekzaktësisht njëlloj me zgjedhjet e mia profesionale dhe ato të pauzave të domosdoshme dhe qëndrimit larg deri në një moment të përshtatshëm për veten dhe median.
Pasi përfundon një proces të mirë dhe mu në fund të asaj udhe gjen edhe një hapësirë të lirë ku mund të ankorosh pritshmëritë e tua profesionale, kupton se me besimin se asgjë s’do kishe ndryshuar nga vendimet e gjermësotme, erdhi çasti për të marrë një vendim të ri: Rikthimi.
Në OraNews, një hapësirë e gjerë informative, ku të ofrohet liria për të patur këndin tënd, për të rifilluar ku e ke lënë, për të bërë punën që do e di më mirë, ku gazetarë, opinionistë e profesionistë të medias kanë krijuar një shtëpi mediatike të hapur, ku dëgjohen të gjithë zërat, ku arrin shumë ngjarje me syrin e pa anë të kameras e teknologjisë, ku përplasen ide dhe bëhen përpjekje serioze për të kërkuar të vërtetat.
Unë nuk kthehem dot pas në kohë e të ndryshoj mendësinë e atyre, që sulmuan një media, por mund të rinis nga ku jam për të ndërtuar një hapësirë më shumë nga ku mund të dëgjohet edhe zëri yt, të mbrohet ideja jote.
Me programin tim javor dhe prezencën në panelet e aktualitetit i rikthehem medias, në kohë të vështira për idetë, por vendin e duhur për t’i ndarë.
Kur Macron në intervistën e parë si president i Francës, u pyet se çfarë është dashuria për ju, kaq e përfolur dhe anatemuar prej martesës jokonvencionale me një grua 25 vjet më të madhe, ai u përgjigj thjesht: “Dashuria për mua është të kthehesh në shtëpi e të gjesh dikë që të thotë të vërtetën në sy”.
Rrotullohemi e përpiqemi në këtë botë për pak më shumë nga gjithçka, por thelbi mbetet po ai, një rendje e dhimbshme për një takim të pastër me të vërtetën. Misioni i panegociueshëm edhe i gazetarisë. Dëshira ime e madhe.