Ylli Xhaferri: LISI I VETËM
Tregim
Ai është lis i vetëm. Fillikat. Ngihet madhështor mbi një kodrinë të mysët që rrihet orë e cast nga erërat. Mund dhe ta shohësh njëlloj nga të gjithë anët, si prej lartësive ashtu edhe nga pllajat dhe rrafshultat e relievit të Kalisit me rrethina, këndej e andej shtratit shkundëllimtarë të Drinit të Zi, ku derdhet me potere Veleshica që shkumëzon me vrik tëposhtë shpateve të Korabit një ujë të ftohtë brisk. Është i vetëm, vigan, me një trung të trashë e gjolle të fshehura ku kanë gërryer foletë shumëshekullore gjarpërinj e garguj, qukapikë e thëllëza, bilbila e qyqe, nëpër plasaritjet e thella të lëvoreve që duken si dregëza të stërmëdha plagësh, me biga drushtullash e biltonja ferishte që kapërthehen pazgjidhshmërisht pushtetshëm e hijerëndë, nën kurorën e të cilit mund të ulen e bëjnë kuvend tre-katërqind burra. Aty, thonë, kishte ngritur strehën edhe Mahmut Daci kur Turqia e shpalli “beterr”. Ai pod natyral, ka si në pëllëmbë të dorës, ose kqyr “si ujë në tas” siç shprehen në mënyrë të figurshme dhetarët, gjithçka që shfaqet horizonteve. Të gjithë: shtigje, qafa, vahe dhe degëzime rrahesh duken prej aty si vetëtima në peizazhin e egër shkëmbor dhe tepër të thyer. Asgjë nuk mund t’i shpëtojë syrit nga ajo pikë trigonometrike që është shënuar nëpër harta ushtarake nga antikiteti në mesjetë, nga shkjau te nemcja, nga mbreti te diktatori. Të gjithë tashmë janë tretur e harruar, si të ishin mallkuar e nëmur “mos bëfshi hajër, mësofshi më zi sesa shurra e pulës”…! Lisi i Vetëm gjallonte, madje po aq madhështorë si më parë, sa që askush nga të gjallët nuk mbante mend t’i kishte ndodhur ndonjë e papritur. Mbi të dhe vetë stuhitë sikur tremben të gjuajnë rrufetë për të shkarkuar dufin e përndezur dhe inatçorë të qiellit…
Lisi ngrihet si një nyje nevralgjike, si kapërcyell gjeografik që lehtëson kalimin teksa ngjitesh nga Ymeret për tek Shiret, deri lart fare te Lamajt, në Majë të Sukës, për të dalë pastaj në krahun tjetër te Uket e më përtej, në Kep të Lashit drejt Prahlishtit. Hija e tij shpesh kthehet në log vallesh për dajat kur nisen për të martuar plot hijeshi nipat në Reç e Dardhë, Kala të Dodës e Vilë, pse jo dhe magje bukëdhënë ku amvisat magjatore të krahinës mblidhnin lendet e tij, që i ka me bollëk, me të cilat ndërmytnin urinë përgjatë zisë së bukës, që për ato anë kishin qenë me numër të madh. Dy gjurmashka dhiare rrugësh përshkojnë zabelin me çalije nga Kokat për tek Lashët duke përmesuar dy varrezë të vjetra, ku bien në sy pllakat qikllopike të gurëve të palatuar. Janë shumë gurë, pllaka të mëdha graniti rrëzuar në mënyrë kaotike, ca mbetur stivë, shtrirë e shkarë në anë, ca thyer, por që të gjitha veshur me një lëmyshk si në të zi, hera-herës në një jeshile që shndrrohet në të argjendë kur u bie dielli, nëpër të cilat duken shenja e simbole të gdhendura turbull, gati-gati të padeshifrueshme.
Ai lis ishte i shenjtë, kishte fituar statusin si të qe një xhami. Askush nuk guxonte të vinte sopatën në të, për më keq akoma, ta përdhoste duke lidhur kafshë punë nëpër rrënjët e tij të dala mbi tokë. Madje, dhe kur hanin sillë nën hijen e tij, thërrimet i mblidhnin në mandile për t’i hedhur diku larg. Lisi sëbashku me hijen e tij ishte kthyer në tabu, veshur me mister. Në emër të tij bëheshin betime: “…Për një at Lis të Vetëm!…Të huptë Lisi i Vetëm!…Rrofsh sa Lisi i Vetëm..!” Pra, Lisi i Vetëm ngjallte frikë, besim dhe shpresë. Bile, aty shumë njerëz kishin gjetur shërim. Të dobtit ishin shëndoshur fizikisht, ndërsa të çarturit ishin kthjelluar mendjerisht. Nën hijen e tij lidheshin miqësi, ndahej Kanun, lidhej besë, zgjidheshin gjaqe…pse jo, djemtë e dashuruar ngjiteshin për të parë nga larg lëvizjen e çikave ku ishte ndryrë zemra e tyre…Por në Kalis dashuria ishte vetëm për t’u kënduar në këngë me sharki, jo për t’u provuar dhe shijuar në jetë. Dashuria ishte armiqësi, domethënë vdekje…Madje, vdekje e pagabueshme, që nuk harronte kurrë.
Atij lisi nuk guxonte t’i ngjitej kush. Ishte si një mëz i egër që nuk duronte shaël. Për këtë tregoheshin dy rrëfenja. E para, më e vjetra, lidhej me një pashë, për të cilën këndohej edhe një këngë: “… Ti, mor pashë, pashë Tetova / merr kandarin pesho molla / s’është Kalisi si Tetova! “ Pasha kishte përzgjedhur hijen e Lisit të Vetëm për të ngrehur çadrën me shtatë tuje, teksa kishte rrethekue Mahmut Dacin. Një nga jeniçerët kishte kapur sopatën me dhëmbë dhe iu kishte sulur trungut të lartë…Rrëshkiste nëpër trung si bollë, kishte treguar në odën e burrave dikush, që ishte tretur në anonimat. Për t’u ngjitur më lehtësisht në majë, mendja e tij kishte menduar sopatën, të hapte çatalla shkallësh në trungun e trashë. ShënoI me gisht disa nyje. Ngriti me vrer sopatën e mprehtë…Dora iu bë degë. E preu gjer në beryl. Mbeti cung…teksa shkulmet e gjakut spërkatën djerrin thatishtë.,,Jeniçerët kur panë këtë skenë morën arratinë, nga sytë këmbët, si zogjtë e korbit,..Një pjesë i mbyti Drini i Zi, disa Veleshica, ata që tepruan prej dimrit të egër i preufaroi urrejtja e malësorëve…
Rrefënja e dytë është e vonë, shumë e vonë. Sa dhe mund të datohet saktë në kohë. Përkon me zgjedhjen e Suferin Shurdhahut, kryetar cooperative…Pasi ai kishte dhënë urdhër të pritej Lisi i Vetëm, të çahej e bëhej kopalla e dru për furrën e bukës së kooperativës. Urdhërin e kishte dhënë me gojë, por nuk i ishte bindur kush. E kishte përsëritur të shkruar me laps kopjativ teksa ngjitej për në Shafare, por sërish askush nuk kishte shkuar për të zbatuar porosinë. Nxehur e bërë tym nga mëria dhe inati diktoi zyrtarisht të shkruhej me makinën e sapoardhur “Gutenberg” urdhëri epror, ku nënvizohej shprehja: “Moszbatimi i ligjit ju ngarkon me përgjegjësi penale!”…Por, askush nuk pranoi të vinte dorë mbi Lis. Atëherë, sipas traditës komuniste, Suferini mprehu sopatën në farkë dhe u nis për të dhënë vetë shembullin, sipas modelit “i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendimë”. Në krye të disa brigadierëve të rinj mësyu Lisin e Vetëm, i cili priste ndryrë në një heshtje të denjë dhe monumentale…Suferini ngriti sopatën e kalitur në kudhrën ideologjike që shkrepi xixa sapo preku në trungun e lashtë të lisit. Çeliku u thërmua në çikla e copa që ranë si breshër përreth…Suferini i mbeti bishti shyt në dorë, që zgjoi të qeshura dhe romuze përreth…Qeshnin të gjithë, njerëz e vend…
Lisi i Vetëm edhe sot, në hisen e vet të Tokës dhe Diellit në Kalis, bën hije e fresk, lind erën që frymëmerr nëpër pyjet që kanë çelur gjeth të ri. Harliset i shëndetshëm, teksa pret pranverat dhe përcjellë dimërimet, spërkatur me vesë dhe larë me diell…Obelisk i gjallë që vjen prej së djeshmes dhe mpikset në të ardhmen që gjelbëron…Nëpër degë i këndojnë bilbilat.