Albspirit

Media/News/Publishing

Kim Jong Yang – president i ri i Interpol

Interpol-i zgjodhi të mërkurën Kim Jong Yang nga Koreja e Jugut në postin e presidentit të agjencisë, duke hedhur poshtë kandidaturën e Rusisë që nxiti shqetësime në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara për rrezikun e ndërhyrjeve ruse.

​Agjencia me 194 anëtarë zgjodhi në kongresin vjetor në Duabi që zoti Kim të trashëgojë në këtë post kinezin, Meng Hongwei, i cili u zhduk në muajin shtator dhe më pas dha dorëheqje, pasi që autoritetet kinezë thanë se po e hetojnë atë nën dyshimet për korrupsion.

Interpol-i njoftoi se zoti Kim që shërbente si ushtrues detyre i presidentit, u zgjodh për një mandat dy vjeçar. Nestor R. Roncaglia nga Argjentina, u zgjodh si nënpresident për një mandat trevjeçar.

Kandidatura e Alexander Prokopchuk nga Rusia, një gjeneral major i policisë dhe një nga katër nënpresidentët e Interpol-it, kishte nxitur shqetësime në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara për mundësinë që Rusia të keqpërdorë fuqinë e Interpol-it.

Një grup dypartiak senatorësh amerikanë i shkroi Interpol-it që ta paralajmërojë kundër emërimit të kandidatit rus Prokopchuk, duke e krahasuar me “futjen e një dhelpre në kotec pulash”.

Kremlini tha të martën se ky qëndrim paraqet përzierje në zgjedhjet në Interpol.

Në Evropë, ish kryeministri belg, Guy Verhofstadt, njëherësh anëtar i Parlamentit Evropian tha se “vendet e lira dhe demokratike mbase duhet të mendojnë për një organizatë paralele”, nëse zgjidhet rusi Prokopchuk.

“Rusia vazhdimisht ka keqpërdorur Interpolin për të përndjekur kundërshtarët politikë”, shkroi të martën ai.

Please follow and like us: