Prof. Dr. Ibrahim Gashi: Shaban Murati dhe “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”
Reçensa e Prof. Dr. Ibrahim Gashi për librin “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, mbajtur në promovimin e librit në Prishtinë.
Këto ditë nga autori, diplomati shqiptar i karrierës, i njohur edhe si “Mjeshtri i madh” i diplomacisë shqiptare SH.T. z. Shaban Murati erdhi në duart e lexuesit shqiptar një studim analitik mjaftë kompetent dhe shterues kushtuar analizës së situatës diplomatike dhe çeshtjeve më të mprehta nëpër të cilat kaloi shteti i Kosovës në 10 vitet e fundit. Libri është një përmbledhje e shkrimeve autoriale dhe analitike më tematikë Kosovën, të cilat janë botuar si artikuj në vete gjatë dy decenieve të fundit, dhe tani të përmbledhura u botuan në kuadrin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga Fondacioni “Alsar” në Tiranë.
Duke analizuar më vëmendje temat që janë trajtuar në këtë libër mund të vërejmë se autori Murati ka bashkëjetuar dhe bashkëndjerë trajektoren historike të çlirimit, të shpalljes së pavarësisë dhe të ngritjes së shtetit të Kosovës. Në kapacitetin e një eksperti të marrëdhënieve ndërkombëtare, të një diplomati më përvojë pothuaj 50 vjeçare në politikën e jashtme, z. Murati ka prekur temat më kruciale, që kanë të bejnë më sfidën e forcimit dhe të afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.
Çështjet e trajtuara në këtë botim kapin si piknisje kohore, kulmin e angazhimit të diplomacisë euro-atlantike që përmes bisedimeve ndërkombëtare të Rambujesë ta çojnë drejtë zgjidhjes krizën e Kosovës, duke përdorur si mjet presioni diplomacinë e kërcënimit. Në shkrimin “Mesazhi historik i SHBA në prag të Rambujesë”, autori me shumë të drejtë ka verëjtur qendrimin shumë mbështetës të diplomacisë amerikane për çlirimin, por edhe për pavarësinë për Kosovën, të shprehur në deklaratën e sekretares së Shtetit z. M. Ollbrajt, kur ajo në pyetjen e një gazetari lidhur më deshirën e shqiptarëve për pavarësi, ajo ishte shprehur:”ne nuk ju kërkojmë atyre njerzëve të heqin dorë nga ëndrrat e tyre”. Në këtë shkrim të tij, që ishte botuar më 6 shkurt 1999, autori i bente thirrje delegacionit kosovar në Rambuje që të ketë kuptuar drejt mesazhin e diplomacisë amerikane dhe të evitojë ndasitë politike, sepse, sipas autorit Murati: “Përgjegjësia e tyre nuk ka të bëjë vetëm më Kosovën, por më gjithë çeshtjen shqiptare në Ballkan, që do të thot se ata kanë në supe përgjegjësinë dhe emërin e dhjetë million shqiptarëve, që jetojnë në shtete të ndryshme të Ballkanit”.
Edhe shumë tema tjera që kanë të bëjnë me çeshtje si e drejta e Kosovës për reparacione, e drejta e Kosovës për pjesën e trashëgimisë së ish Federatës Jugosllave, e dreja e paditjes së Serbisë në Hagë për genocid, çeshtja e kufijve, e Luginës së Preshevës, e Sanxhakut, janë trajtuar më një sens kritik, profesional dhe patriotik. Autori shpeshëherë ka marr rolin e një këshillëdhënësi dhe predikuesi për elitat politike vendimmarëse në Kosovë dhe në Shqipëri. Zeri i ngritur i tij përmes shkrimeve të publikuar si përgjigje zhvillimeve ndërkombëtare dhe rajonale, që mund ta afektonin procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës, ka qenë në kohën dhe vendin e duhur. Le të përmendim këtu vetëm disa tituj të shkrimeve që gjendën në këtë libër: “Kosova të kërkojë pjesëmarrje në ndarjën e pasurisë jugosllave”; “Kosova kishte dhe ka të drejtën të kërkojë reparacione”; “Defektet e formulës së “Dy Gjermanive”; “Roli i SHBA në bisedimet Kosovë-Serbi”; “Karl Bildi dhe Veriu i Kosovës”,etj.
Në mesin e gjithsejt 64 shkrimeve autoriale të përmbledhura në këtë libër, do të veçonim edhe shkrimet “Koha e një nisme të Tiranës për Kosovën në NATO”, e botuar më 23.05.2016, është një analizë e autorit lidhur me rolin, që do të mund dhe duhet të luajë Shqipëria për forcimin e pozicionit të Kosovës, të Shqipërisë dhe të vetë aleancës veri-atlantike përmes një nisme të Tiranës brenda aleancës atlantike për shpejtimin e procesit të integrimit të Kosovës në NATO, e që do të ishte sipas autorit ”… një kontribut madhor për stabilizimin e rajonit, por edhe për konsolidimin e rolit dhe peshës së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në proceset euro-atlantike të gadishullit”.
Një vështrim mbresëlënës, në mesin e shkrimeve brilante, që autori Murati dhe shtëpia botuese “Alsar” na i kanë sjellur në këtë libër, është edhe shkrimi i titulluar “Tensionet serbe për Kosovën janë edhe për Shqipërinë”, në të cilin autori i bën të qartë klasës politike në Tiranë se: “Një Serbi që ndjek marrëdhënie anormale më Kosovën, nuk mund të ket marrëdhënie normale më Shqipërinë. Një Serbi që ngre tensione çdo ditë më Kosovën dhe ngre erëra luftë më Kosovën, nuk mund të jetë për paqe më Shqipërinë”. Andaj vazhdon autori Murati më tej: “Shteti shqiptar dhe diplomacia shqiptare duhet të ndërgjegjësohen më shumë për realitetet e nëndheshme dhe mbidheshme ballkanike dhe serbe. Strategjia serbe e tensioneve ndaj Kosovës është strategji edhe ndaj Shqipërisë. Është ndaj kombit shqiptar si i tërë. Këtë parametër strategjik duhet të mos e harroj shteti shqiptar dhe as diplomacia shqiptare”.
Ndër shkrimet, që zgjojnë interesimin e lexuesit që nga titulli e deri të fjalia e fundit, është analiza politike e titulluar “Bashkimi Shqipëri-Kosovë nuk prish kufijt e rajonit”, e botuar në maj të vitit 2017, si një përgjigje propagandës serbe, ruse, por edhe të disa qarqeve ballkanike, të cilat përpiqen që Brukselit të ja paraqesin si rrezikun më të madh për rajonin idenë një “Shqipërie të Madhe”. Autori më shumë të drejtë e ka mohur se shqiptarët ndonjëherë do ta përqafonin idenë e Millosheviçit “ku ka një serb, atje është Serbi”. Në vend të kësaj, idea e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës si dy entite të pavarura me subjektivitet ndërkombëtar nuk cënon kufijt e rajonit. “Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të pavarura të cilat kanë të drejta të plota, që rrjedhin nga ligjet dhe kartat ndërkombëtare për subjektët e pavarura të të drejtës ndërkombëtare, që të zgjedhin apo të krijojnë aleanca e bashkime dypalëshe më njera tjetrën. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën si dy shtete shqiptare nuk është aspak prishje e kufijve të rajonit”.
Një vështrim tjetër mjaftë largpamës, për të mos thënë profetik, është ai më titull: “Duartrokitje të parakohëshme shqiptare për Vuçiçin”, i publikuar nga autori Murati në gusht të vitit 2017, pikërisht kur Tirana dhe Prishtina, kuptohet disa medium dhe qarqe politike, filluan t’i duartrokisnin deklaratës së Vuçiqit se do të hapë një dialog të brendshëm në Serbi për të marrë miratimin e popullit serb rreth një marrëveshje më Kosovën. Autori këtu herë në mënyrë figurative, e herë të drejtpërdrejt, u tërheq vërejtjen edhe Tiranës, edhe Prishtinës, se është herët të duartrokitet kjo nismë e Vuçiçit. Shkrimi hapet me fjalinë: “Në diplomaci nuk është si në art, ku mund të duartrokitësh artistin sapo të del në skenë, ende pa filluar të kendojë, më qëllim që ta inkurajosh”, dhe përmbyllet me fjalinë “Të dashur shqiptarë, prisni njëherë të kendojë presidenti serb këngën e njohjës së Kosovës, pastaj duartrokisni. Tani duhet të rrini në heshtje”.
Libri përmbyllet më një vështrim ikonë, të titulluar: “E dashur Prishtinë, harrimi i prioriteteve çon në humbje”, ku autori ka trajtuar temën më aktuale dhe më sensitive në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, atë të arritjës së një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Më këtë rast autori Murati, si një njohës i përkryer i rrjedhës dhe arritjeve të dialogut Prishtinë –Beograd, që tash një kohë po zhvillohet në Bruksel, i sinjalizon zëshëm palës kosovare që nuk duhët të harroj prioritetet dhe të mos nxitohet në këto bisedime. Nxitimi i nevojitet vetëm Beogradit, por jo Prishtinës. Prishtina nuk duhet të harrojë se ka disa shtylla të epërsisë diplomatike dhe strategjike si: “1. Serbia është shtet aggresor kundër të cilit ndërhyri aleanca atlantike e NATO-s me 1999 dhe e çliroi Kosovën. 2. Serbia ka nevojë tani më shumë për marrëveshjen përfundimtare, sepse marrëveshja është veto e pranimit të Serbisë në BE, 3.Kosova i ka ezauruar kompromiset e saj të dhimbshme më Planin Ahtisari dhe 4. Tribunali më i lart i OKB, GJND ka legalizuar pavarësinë e Kosovës më 22 korrik 2010”. Autori e ka përmbyllur këtë analizë me fjalitë e mëposhtme: “Njohja e Kosovës si shtet nga Serbia pa asnjë çmim, është prioriteti numër një, është kushti i parë dhe çelësi i normalizimit real të marrëdhenieve dhe është zgjidhja, që mund të quhet e përhershme”.
Nga këto shkrime, që morëm në shqyrtim në këtë recension promovues, shpresoj se kemi arritur të sjellim një përshkrim të mjaftueshem mbi vlerat e mëdha, që përmban ky libër në të kuptuarit e rrjedhave diplomatike dhe politike, që po kalon Kosova në përmbyllje të decenies së parë të shtetësisë së saj. Autori i këtij libri me optikën e një profesionisti kritik ka arritur në një anë të demistifikojë gjithë prapaskenat, hilet dhe planet e fshehta të diplomacisë serbe dhe ruse për të minuar pozicionin e shtetit të Kosovës, dhe nga ana tjetër ka ngritur alarmin ndaj paaftësisë, jounitetit dhe diletantizmit të diplomacisë të Kosovës dhe të Shqipërisë në përballje me diplomacinë serbe.
Më këtë libër autori ka bërë atë që në fakt mund ta bejë vetëm një intelektual i mirëfilltë dhe diplomat i një karriere dhe eksperience të gjatë diplomatike, që me tërë qenien vihet në sherbim të vendit dhe kombit të tij.
Duke analizuar më vemëndje këtë studim analitik të autorit Shaban Murati, në cilësinë e recensentit, mund të pohoj se studimi përmbush në mënyrë të admirueshme kriterin metodologjik dhe përmbajtësor të studimeve të këtij formati. Autori ka përdorur një stil narativ të qartë dhe konfident, të bazuar në burime shkencërisht të verifikueshme. Edhe gjuha e këtij studimi është më shumë diplomatike dhe shkencore, se sa publicistike.
Në fund më kënaqësi mund të konstatoj se studimet e kësaj natyre dhe të këtij niveli janë një kontribut i çmuar nga lëmi i historisë politike dhe diplomatike ndër ne. Libri është një sintezë e shkruar më një stil të qartë dhe me përmbajtje të saktë nga ana intelektuale. E përgëzoj autorin për kurajon për të trajtuar më kaq kompetencë një tematikë të rendësishme si kjo. Jam i bindur se do të jetë një libër i dashur jo vetem për audiencat profesionale.