Telegrami i Faik Konicës me sekretarin amerikan
Gazetari Iir Ikonomi duket se ka hapur arkivat, e në “gërmime” e sipër ka gjetur një foto të rrallë të Faik Konicës me Sekretarin amerikan të Shtetit, Frank Kellogg, e cila daton në 17 korrik 1926. Mes rreshtave, gazetari na informon se Konica sapo kishte filluar detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Uashington, e në atë kohë është pritur nga sekretari Kellogg. Fill pas takimit i ka dërguar një telegram Ministrisë së Jashtme në Tiranë.
Përmes këtij telegrami, fillon edhe gjeneza e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në SHBA.
“Ja një foto e paharruar: Faik Konica (majtas) me Sekretarin amerikan të Shtetit, Frank Kellogg, 17 korrik 1926. Konica, i cili sapo kishte filluar detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Uashington, u prit në Departamentin e Shtetit nga sekretari Kellogg dhe, pas takimit, i dërgoi këtë telegram Ministrisë së Jashtme në Tiranë:
“Sot u poqa zyrtarisht me sekretarin e shtetit, domethënë Ministrin e P. Jashtme hon. F. B. Kellogg i cili më bëri një pritje kordiale. Qëndruam bashkë dhe për një fotografi. Presidenti Coolidge ndodhet larg me vakancë dhe kthehet në Washington pas pesë javësh…”.
Kellogg, i cili kishte një prestigj të shkëlqyer në jetën politike amerikane, do të merrte tre vjet më vonë çmimin Nobel të Paqes. U gëzova kur e gjeta fotografinë e rrallë që përmend Konica, sepse ajo shënon pritjen e parë që i bëhej një ambasadori shqiptar nga titullari i Departamentit të Shtetit. Pas disa javësh Konica u prit në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë nga Presidenti Calvin Coolidge, për të paraqitur letrat kredenciale. Kështu filloi historia e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në SHBA. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, Roma mori nën kontroll punët e jashtme shqiptare. SHBA u detyruan ta mbyllin legatën në Tiranë dhe të urdhëronin tërheqjen e përfaqësuesit të tyre diplomatik, Hugh Grant. Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit vazhdoi ta njohë Konicën si përfaqësues të Shqipërisë në Uashington. Kjo zgjati deri më 24 qershor 1939. Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri rifilluan më 15 mars 1991. Them rifilluan, sepse ato nuk ishin ndërprerë ndonjëherë me ndonjë dokument zyrtar”, shkruan gazetari, bashkëngjitur fotove në fjalë.